LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 12:38 më 13.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Anija cisternë digjet pas sulmit iranian në Ngushticën e Hormuzit! SHBA dërgojnë eskortë ushtarake

Situata në Ngushticën e Hormuzit po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, me Iranin që kërcënon ta mbyllë plotësisht kanalin, duke rritur presionin mbi tregjet globale të naftës.

Një anije cisternë u përfshi nga flakët pas një sulmi nga Gardistët e Revolucionit Iranian, ndërsa video të shpërndara nga korrespondenti Marinos Aleiferis tregojnë pasojat shkatërruese të incidentit.

Që nga fillimi i konfliktit, rreth 20 anije janë goditur nga Gardistët e Revolucionit, dhe situata ka ndikuar mbi rreth 3,000 anije dhe 20,000 marinarë që lëvizin në këtë zonë strategjike.

Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent, deklaroi për Sky News se Marina e SHBA-ve do të nisë të shoqërojë tankerët përmes ngushticës, ndoshta në bashkëpunim me një aleancë ndërkombëtare. Ai shtoi se disa anije, përfshirë tankerë iranianë dhe disa me flamur kinez, po kalojnë aktualisht dhe sipas tij, ngushtica nuk është e minuar.

Nga ana e tij, udhëheqësi i lartë i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi të enjten se planifikon të përdorë mbylljen e ngushticës si levë presioni ndaj SHBA-ve dhe Izraelit.

Situata mbetet e ndjeshme dhe tensioni në rajon po rritet, ndërsa tregjet ndërkombëtare monitorojnë me kujdes çdo zhvillim në këtë kanal strategjik të transportit të energjisë.

Shpërthim i fuqishëm në Teheran gjatë protestave vjetore për Ditën e Quds-it

Një shpërthim i madh goditi kryeqytetin iranian, Teheran, të premten në një shesh të mbushur me demonstrues, njoftoi televizioni shtetëror iranian, sipas AP.

Shpërthimi ndodhi në Sheshin Ferdowsi, pranë Rrugës Enghelab dhe jo larg Universitetit të Teheranit, që është epiqendra e demonstratave të përvitshme për Ditën e Quds-it (Jerusalemit), shkruan AP, transmeton KosovaPress.

Video e publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare Tasnim tregon një re tymi gri duke u ngritur, ndërsa demonstruesit brohorisnin “Vdekje Izraelit!” dhe “Vdekje Amerikës!”.

Shkaku i shpërthimit nuk ishte i qartë menjëherë, por lajmi vjen pas një paralajmërimi të Izraelit për një sulm të mundshëm në këtë zonë, pranë Universitetit të Teheranit, ku po zhvilloheshin demonstratat e Ditës së Quds-it.

Sipas paralajmërimit të lëshuar të premten, ushtria izraelite do të kryente operacione në zonën pranë Rrugës Enghelab dhe Universitetit të Teheranit. Mesazhi paralajmëronte qytetarët: “Ju lutemi të evakuuoni menjëherë zonën e shënuar në hartë. Prania juaj këtu rrezikon jetën tuaj”.

Demonstruesit zakonisht mblidhen në Universitetin e Teheranit për lutjet e së premtes, dhe sheshi mbushet me qytetarë që më pas vazhdojnë me marshimet dhe protestat e Ditës së Quds-it.

Dita e Quds-it, ose Dita e Jerusalemit, është një ditë vjetore e shprehur kryesisht në Iran dhe disa vende të tjera myslimane për të protestuar kundër okupimit izraelit të territoreve palestineze dhe për të shprehur mbështetje për popullin palestinez.

Ushtari francez vritet në sulmin ndaj një bazës në Irak, reagon Macron

Një ushtar francez ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë plagosur në një sulm me dron ndaj trupave në rajonin e Erbilit në Kurdistanin irakian. Këtë informacion e ka konfirmuar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Një pjesëtar i forcave të armatosura “ka vdekur për Francën gjatë sulmit në rajonin e Erbilit në Irak”, ka shkruar Macron në rrjetin social X.

Kjo është gjithashtu viktima e parë mes ushtarëve francezë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit të ri që u përshkallëzua në fund të muajit të kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kryen sulme ndaj Iranit.

Macron shtoi se disa ushtarë të tjerë u plagosën në këtë incident. Më herët, ushtria franceze kishte njoftuar se gjashtë ushtarë u plagosën të enjten në një sulm me dron ndërsa po zhvillonin stërvitje.

“Nënoficeri Arnaud Frion nga batalioni i 7-të i gjuetarëve alpinë nga Varces ka vdekur për Francën gjatë një sulmi në rajonin e Erbilit në Irak. Familjes së tij, si dhe vëllezërve të tij në armë, dua t’u shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin e kombit. Disa nga ushtarët tanë janë plagosur. Franca qëndron pranë tyre dhe familjarëve të tyre. Ky sulm ndaj forcave tona, të cilat që nga viti 2015 janë të angazhuara në luftën kundër ISIS-it, është i papranueshëm. Prania e tyre në Irak zhvillohet në kuadër të rreptë të luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla”, ka pohuar Macron.

Ushtarët ishin “të angazhuar në aktivitete trajnimi për luftën kundër terrorizmit me partnerët irakianë”, deklaroi një anëtar i shtabit të përgjithshëm për AFP, duke shtuar se trupat e plagosur u dërguan menjëherë në institucionin më të afërt mjekësor.

Guvernatori i Erbilit sqaroi se në sulm morën pjesë dy dronë dhe se incidenti ndodhi në një bazë në vendin Mala Qara, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit të këtij rajoni autonom.

Që nga shpërthimi i luftës aktuale në Lindjen e Mesme, janë regjistruar disa sulme në këtë rajon që u atribuohen fraksioneve pro-iraniane. Sulmi ndaj trupave franceze erdhi pas një goditjeje tjetër me dron ndaj një baze italiane në Erbil, brenda një kompleksi ushtarak ku ndodheshin edhe trupa të tjera të huaja.

Në atë sulm të parë nuk pati të plagosur, por Italia më pas njoftoi tërheqjen e përkohshme të personelit të saj ushtarak nga baza.

Ushtarë nga disa vende, përfshirë Italinë dhe Francën, trajnojnë pjesëtarët e forcave të sigurisë kurde në Kurdistanin irakian si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër xhihadistëve të udhëhequr nga Uashingtoni.

Pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt shkaktuan kundërsulme hakmarrëse të Teheranit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, Macron theksoi se pozicioni ushtarak i Francës në rajon është “rreptësisht mbrojtës”.

Shpërthime të fuqishme, Izraeli nis sulme të reja ndaj Teheranit

Një seri shpërthimesh të fuqishme, të shpeshta në intervale të shkurtra, ka tronditur Teheranin këtë mëngjes, në ditën e katërmbëdhjetë të luftës që është nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Shpërthimet, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të forta dhe të ndjeshme, ndodhën rreth orës 7:30 dhe shkaktuan dridhje të forta në ndërtesat e zonës veriore dhe qendrore të kryeqytetit iranian.

Sipas raportimeve nga gazetarët që ndodhen në vendngjarje, fuqia e shpërthimeve ka qenë e tillë që ka lëkundur ndërtesat dhe ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve të qytetit.

Ndërkohë, autoritetet iraniane nuk kanë ofruar ende një deklaratë zyrtare mbi shkakun dhe pasojat e këtyre shpërthimeve, por disa burime flasin për mundësinë e sulmeve nga ajri, pas intensifikimit të përplasjeve në kuadër të konfliktit që ka përfshirë rajonin.

Teherani, si kryeqyteti dhe një nga qytetet më të mëdha të Iranit, ka qenë shpesh herë objekt i sulmeve dhe përplasjeve gjatë këtyre dy javëve të fundit, si pasojë e përfshirjes së vendit në luftën e zhvilluar me forcat amerikane dhe izraelite, përkrah forcave të tjera rajonale.

Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten, duke çuar në një përshkallëzim të konfliktit dhe një situatë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Trump paralajmëron sulme të mëdha kundër Iranit: Shikoni çfarë do të ndodhë me këta të çmendur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një postim në rrjetin social Truth Social, ku lë të kuptohet për një veprim të mundshëm të madh kundër Iranit.

Në mesazhin e publikuar mëngjesin e së premtes, Trump përdor një gjuhë të ashpër ndaj regjimit iranian dhe bën thirrje që të ndiqen zhvillimet që pritet të ndodhin gjatë ditës.

“Shikoni çfarë do të ndodhë sot me këta të çmendur. Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në mbarë botën për 47 vjet dhe tani unë, si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bëj këtë”, shkruan Trump në postimin e tij.

Ai shton gjithashtu se, sipas tij, Shtetet e Bashkuara po shkatërrojnë plotësisht regjimin iranian në disa drejtime.

“Po shkatërrojmë plotësisht regjimin terrorist të Iranit, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër”, thekson ai.

Në të njëjtin postim, presidenti amerikan pretendon se marina dhe forcat ajrore iraniane janë neutralizuar dhe se raketat, dronët dhe armatimet e tjera janë shkatërruar, ndërsa udhëheqësit e regjimit, sipas tij, janë zhdukur.

Marina e Iranit pothuajse është rrënuar, por kërcënimi ndaj Ngushticës së Hormuzit mbetet

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kanë shkatërruar pothuajse plotësisht flotën tradicionale detare të Iranit në një fushatë të madhe bombardimesh që nga 28 shkurti.

Por, kërcënimi i Teheranit ndaj Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, nuk është zbehur.

Irani e ka mbyllur këtë kalim të ngushticë ujore, përmes të cilit kalon 20 për qind e furnizimit botëror me naftë, duke përdorur taktika të luftës asimetrike.

Përveç marinës tradicionale të Iranit, Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dega elitare e forcave të armatosura të vendit, ka edhe njësitë e veta detare që vazhdojnë të ngacmojnë dhe sulmojnë anijet në Gjirin Persik.

“Megjithëse mendoj se marina iraniane në këtë pikë është kryesisht joefektive në luftë, marina e IRGC-së mbetet e aftë të pengojë transportin detar”, tha Sascha Bruchmann, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me bazë në Londër.

“Kjo ruan një atmosferë rreziku që shumica e linjave civile të transportit detar dhe kompanive të sigurimit do ta vlerësojnë të papranueshme”, shtoi Bruchmann.

Këtu mund ta lexoni lajmin e plotë!

Dhjetëra të plagosur në një sulm me raketa ndaj Izraelit

Dhjetëra persona janë plagosur pasi raketa goditën një fshat në veri të Izraelit në orët e para të së premtes, njoftojnë shërbimet emergjente izraelite.

Shërbimi i ambulancës Magen David Adom (MDA) tha se paramedikët trajtuan 58 pacientë dhe i dërguan ata në spitalet lokale pas goditjes në Zarzir, pranë Nazaretit, raporton BBC transmeton Bota Sot.

Një grua, për të cilën mediat izraelite thanë se u plagos nga copëza shrapneli, ishte në gjendje të mesme, ndërsa MDA tha se 57 të tjerë ishin “në gjendje shumë të lehtë nga copëza xhami, me lëndime të vogla”.

Ushtria izraelite tha se anëtarë të Komandës së Frontit të Brendshëm janë dërguar në vendin e ngjarjes.

“Forcat po kryejnë një vlerësim të situatës në vendngjarje në bashkëpunim me autoritetet e emergjencës dhe shpëtimit, me qëllim pastrimin e zonës,” thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

“Ajo shtoi se rrethanat e incidentit janë duke u shqyrtuar.”

Intensifikohen sulmet në Lindjen e Mesme, Ngushtica e Hormuzit e mbyllur

Konflikti midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet me shpejtësi, duke përfshirë sulme ajrore, goditje artilerie, raketa balistike dhe masa të forta ushtarake në Lindjen e Mesme, raportohet nga mediat ndërkombëtare dhe burime zyrtare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se lufta kundër Iranit po “lëviz shumë shpejt” dhe se Teherani po “paguan një çmim të madh”. 

“Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë. Ne po bëjmë atë që duhej të ishte bërë gjatë një periudhe prej 47 vitesh. Irani është një komb i terrorit dhe urrejtjes dhe tani po paguan një çmim të madh”, theksoi Trump në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për Muajin e Historisë së Grave.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shtoi se përfundimi i luftës aktuale mund të varet nga vendimet e Trump, raporton CNN.

E Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kanë kryer një operacion në Libanin jugor, duke shkatërruar infrastrukturën e njësisë “Radwan” të Hezbollahut. Sulmet u kryen nga artileria dhe sulme ajrore si pjesë e një “vendosjeje të përforcuar mbrojtëse” pas sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit këtë muaj.

IDF theksoi se po shqyrton mundësinë e një veprimi tokësor në lumin Litani për të krijuar “një shtresë sigurie shtesë për banorët e Izraelit verior”.

Nërsa, Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se ka kapur dy raketa balistike, një raketë lundrimi dhe disa dronë të lëshuar nga Irani. Arabia Saudite raportoi gjithashtu se raketat ishin nisur nga territori iranian, raporton The Guardian.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se pas dy javësh sulmesh të përbashkëta SHBA-Izrael, Irani ka ndryshuar thelbësisht. Qëllimi kryesor është të ndalohen projektet bërthamore dhe balistike të Teheranit.

Netanyahu theksoi se goditjet po synojnë Gardën Revolucionare dhe forcat paramilitare Basij, duke paralajmëruar se Hezbollah do të “paguajë një çmim të lartë”. Ai shtoi se sulmet mund të krijojnë kushtet për një ndryshim të regjimit iranian, por kjo do të kërkonte pjesëmarrjen aktive të qytetarëve iranianë.

Ndërsa, sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Besant, njoftoi se Marina Amerikane do të shoqërojë tankerët e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit sapo kushtet ushtarake të jenë të favorshme, ndoshta në kuadër të një koalicioni ndërkombëtar.

Ai shtoi se disa anije iraniane dhe kineze po kalojnë aktualisht nëpër ngushticë, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e trafikut detar dhe furnizimeve me energji, raportoi Sky News.

Kurse, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se strategjia e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojë sipas udhëzimeve të Ajatollah Mojtaba Khamenei, duke theksuar gatishmërinë për të goditur “armikun” në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare, raporton Al Jazeera,

Ambasadori iranian në OKB, Ali Bahreini, deklaroi se Irani nuk planifikon të bllokojë ose minojë Ngushticën e Hormuzit. Ai shtoi se vendi është i gatshëm për një konflikt të zgjatur, por mbetet i hapur për negociata. Bahreini akuzoi SHBA-në për “braktisje të diplomacisë” dhe theksoi se objektivat amerikane për të mposhtur Iranin në pak ditë dështuan.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se që nga fillimi i konfliktit janë goditur rreth 6,000 objektiva në Iran, përfshirë mbi 90 anije dhe 30 që vendosnin mina. Sulmet kanë përfshirë aeroportin e Kermanit dhe objekte të tjera kyçe të infrastrukturës iraniane.

Ushtria amerikane thotë se humbi një aeroplan në një “incident” gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit

Një aeroplan amerikan i furnizimit me karburant humbi gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

Në një deklaratë, forca amerikane tha: "Komanda Qendrore e SHBA-së është në dijeni të humbjes së një aeroplani amerikan të furnizimit me karburant KC-135. Incidenti ndodhi në hapësirën ajrore miqësore gjatë Operacionit Epic Fury dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar. Dy aeroplanë u përfshinë në incident. Njëri prej aeroplanëve u rrëzua në Irakun perëndimor dhe i dyti u ul në mënyrë të sigurt”.

"Kjo nuk ishte për shkak të zjarrit armiqësor ose të zjarrit miqësor", është thënë më tej në deklaratë, shkruan SkyNews.

Të dy aeroplanët do të kishin qenë "të përfshirë thellësisht" në operacionin në Iran, ka thënë korrespondenti amerikan Mark Stone.

"[Aeroplani i zhdukur] u duket jo-ekspertëve si një aeroplan civil. Në fakt, është një aeroplan Boeing, shumë i madh, [dhe] ndoshta ka një ekuipazh prej rreth gjashtë personash, përfshirë pilotin dhe bashkëpilotin”.

"Ky është aeroplani që mungon. Aeroplani tjetër, nuk e kanë thënë se çfarë është, por u ul në mënyrë të sigurt”.

"Është e mundshme që aeroplani i dytë të ketë qenë një aeroplan luftarak që po furnizohej me karburant nga aeroplani që tani mungon". 

Mesazhi i Netanyahut për iranianët: Po afron koha që ju të fitoni lirinë tuaj, është në duart tuaja!

Gati dy javë pas nisjes së luftës kundër Iranit nga SHBA dhe Izraeli, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti të enjten konferencën e tij të parë për shtyp lidhur me ofensivën e re.

Gjatë deklaratës, të dhënë për gazetarët izraelitë përmes Zoom-it, Netanyahu foli për dobësimin e regjimit në Tehran dhe për frontin e ri të hapur kundër Hezbollah në Lebanon.

“Po shkatërrojmë regjimin e terrorit në Iran. Po godasim dhe po mposhtim përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollahun në Liban”, deklaroi ai.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit të regjimit në Iran, Netanyahu tha se Izraeli dhe SHBA po punojnë për të krijuar kushtet që populli iranian të rrëzojë vetë regjimin që, sipas tij, e ka shtypur vendin për gati 50 vjet.

“Po punojmë për të krijuar kushtet që iranianët të dëbojnë këtë regjim barbar. Momentit kur ata do të fitojnë lirinë e tyre po i afrohemi”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit izraelit, Izraeli po i shkakton “goditje shkatërruese” Gardës Revolucionare, duke goditur bazat, forcat dhe pikat e kontrollit të tyre.

“Po i them popullit iranian: momenti kur do të mund të nisni një rrugë të re lirie po afrohet. Ne jemi në krahun tuaj dhe po ju ndihmojmë, por në fund gjithçka varet nga ju”, tha Netanyahu.

Ai shtoi se kishte premtuar se do të ndryshonte balancën e forcave në Lindjen e Mesme dhe se Izraeli do të dilte më i fortë se kurrë. “Tani këtë e pranojnë të gjithë, si miqtë ashtu edhe armiqtë tanë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse Izraeli po armatos grupet opozitare në Iran, Netanyahu tha se rrëzimi i regjimit nuk mund të ndodhë pa përpjekjet e vetë popullit iranian.

“Nuk mund t’ju them se çfarë do të ndodhë në fund. Nëse regjimi nuk bie, do të jetë shumë më i dobët. Por nëse bie, problemi do të zgjidhet”, theksoi ai.

Sipas tij, nëse Izraeli dhe SHBA nuk do të kishin vepruar menjëherë, brenda pak muajsh industria ushtarake e Iranit do të ishte bërë e paprekshme nga çdo sulm.

“Ne hymë në këtë betejë për të parandaluar që Irani të zhvillojë armë bërthamore dhe raketa balistike që do të kërcënonin Izraelin, SHBA-në dhe gjithë botën”, tha Netanyahu.

Netanyahu përmendi edhe liderin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, djalin e ish-liderit suprem Ali Khamenei.

“Ne eliminuam tiranin e vjetër”, tha ai për Ali Khamenein, duke shtuar se udhëheqësi i ri është “marionetë e Gardës Revolucionare” dhe nuk mund të shfaqet publikisht.

Ai madje e kërcënoi drejtpërdrejt: “Po të isha sigurues, nuk do t’i bëja sigurim jete”.

Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë “surpriza të tjera”, duke theksuar se Izraeli ka më shumë avantazh sesa priste dhe se do të arrijë të gjitha objektivat e tij.

Sa i përket Hezbollah në Liban, Netanyahu deklaroi se organizata do të paguajë “një çmim shumë të rëndë” për veprimet e saj.

Ai shtoi se Izraeli i ka dërguar një mesazh të qartë qeverisë së Lebanon: nëse vazhdon të lejojë Hezbollahun të veprojë pa u çarmatosur, atëherë “po luan me zjarrin”.

“Nëse ata nuk veprojnë, do të veprojmë ne”, paralajmëroi Netanyahu, duke mos dhënë detaje nëse kjo do të ndodhë përmes operacioneve tokësore apo metodave të tjera.

Në përfundim, ai theksoi se bashkëpunimi mes Izraelit dhe SHBA ka sjellë “arritje të mëdha që po ndryshojnë ekuilibrin e forcave në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat