Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së: Ne nuk e filluam luftën, por po e përfundojmë atë
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka dhënë një konferencë për media.
Ai filloi duke thënë se operacioni ndaj Iranit, nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Donald Trump, është operacioni ajror më vdekjeprurës, më kompleks dhe më preciz në histori.
“Ne nuk e filluam luftën, por nën Presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë”, thotë ai, shkruan BBC.
Ai paralajmëroi po ashtu se kushdo që vret ose kërcënon amerikanët do të ndiqet nga SHBA-të “pa kërkuar falje dhe pa hezitim”.
Hegseth thotë se është e logjikshme që regjime si Irani nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe se Trump ka “guximin” e nevojshëm për ta zbatuar këtë.
Arabia Saudite mbyll pjesërisht rafinerinë e madhe të naftës
Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite njoftoi se ka pezulluar pjesërisht operacionet në rafinerinë masive të naftës, Ras Tanura, pas një sulmi që shkaktoi zjarr në objekt.
Objekti Ras Tanura, i vendosur përgjatë bregdetit lindor të Arabisë Saudite në Gjirin Persik, është një nga rafineritë më të mëdha në Lindjen e Mesme dhe një shtyllë e sektorit të energjisë në këtë vend.
Kapaciteti i saj ditor i rafinimit arrin në 550.000 fuçi naftë.
"Disa njësi operative të rafinerisë u mbyllën si masë paraprake. Kjo nuk ndikon në furnizimin e tregjeve me produkte nafte", tha një burim zyrtar në Ministrinë e Energjisë në një deklaratë të publikuar nga Agjencia zyrtare e Shtypit Saudit.
Më herët, agjencia AFP, duke cituar një "burim të informuar", tha se se Ras Tanura ishte sulmuar dhe ishte në flakë.
Flaka më vonë u vu nën kontroll.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes në Arabinë Saudite, rafineria u shënjestrua nga dy dronë, të cilët u kapën dhe u shkatërruan.
Ras Tanura është një nga portet më të mëdha të naftës në botë. / REL
Katari pezullon prodhimin e gazit të lëngshëm natyror pas sulmeve
Kompania shtetërore e energjisë e Katarit, QatarEnergy, tha se ka pezulluar prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, pas sulmeve iraniane në disa nga objektet e saj.
Ajo tha se objektet e sulmuara janë Ras Laffan - një bazë e përpunimit të gazit në tokë - dhe Mesaieed - një tjetër vend kyç për prodhimin e gazit natyror të Katarit.
Shteti i Gjirit është një nga prodhuesit kryesorë të gazit të lëngshëm natyror në botë, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Rusinë. / REL
SHBA-ja njofton për vdekjen e ushtarit të katërt amerikan nga sulmet iraniane
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane - Centcom tha se edhe një ushtar amerikan, i plagosur gjatë sulmeve të Iranit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Raportimet e mëparshme konfirmuan se gjatë operacioneve të vazhdueshme ushtarake dhe hakmarrëse të Iranit në rajon, tre ushtarë amerikanë ishin vrarë dhe pesë të tjerë ishin plagosur rëndë.
Komanda amerikane nuk dha ende detaje se ku u plagos dhe vdiq ushtari i katërt, ndërsa konfliktet me raketa dhe dronë vazhdojnë në mbarë Lindjen e Mesme. / REL
Gjenerali i IRGC-së emërohet ministër i Përkohshëm i Mbrojtjes në Iran
Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, emëroi gjeneralin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Majid Ebnolreza, ministër të përkohshëm të Mbrojtjes.
Më herët, ai shërbente si zëvendësministër kryesor i Aziz Nasirzadehut, i cili u vra në një sulm izraelit, më 28 shkurt.
"Me urdhër të presidentit Pezeshkian, gjenerali i brigadës, Seyyed Majid Ebnolreza, është emëruar ministër i përkohshëm i Mbrojtjes", shkroi Mohammad Mehdi Tabatabaei, nga zyra për komunikim e Pezeshkianit, në rrjetet sociale. / REL
Çmimet e gazit në Evropë rriten për mbi 25%
Çmimet e gazit në tregjet holandeze dhe britanike u rritën për më shumë se 25% të hënën në mëngjes.
Rritja pasoi intensifikimin e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe sulmeve të Republikës Islamike ndaj një numri vendesh në Lindjen e Mesme.
Po ashtu, shumë dërgesa nafte dhe gazi përmes Ngushticës së Hormuzit, u pezulluan.
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burimet tregtare, raporton se pas paralajmërimit të Qeverisë iraniane që anijet të mos kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, shumica e pronarëve të cisternave dhe kompanive të mëdha të energjisë kanë ndaluar transportin e naftës, karburanteve dhe gazit të lëngshëm natyror përmes kësaj rruge ujore.
Viteve të fundit, pas pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, Evropa ka rritur importet e gazit të lëngshëm natyror, për të zëvendësuar gradualisht gazin rus.
Rreth 20 për qind e gazit të lëngshëm natyror në botë kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ndërprerja e zgjatur ose mbyllja e plotë e kësaj rruge do të rriste konkurrencën globale për burime të tjera të gazit dhe do të rriste çmimet në nivel ndërkombëtar. / REL
Sirena u ndezën në bazën e RAF-it të goditur nga droni në Qipro
Nga: A.Sh
Një sulm i dytë është nisur ndaj një baze ushtarake britanike në Qipro, sipas qeverisë qipriote.
Dy dronë pa pilot që po shkonin drejt RAF Akrotiri janë “kapur me sukses”, ka njoftuar një zëdhënës.
Një orë më parë, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në bazë, e cila u sulmua nga dronë iranianë që synonin pistën gjatë natës.
Ndryshe, sot baza në Qipro u godit edhe nga një tjetër sulm iranian. Shpërthime të forta u dëgjuan në bazën britanike të RAF Akrotiri në Limasol.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar (MoD) i tha BBC-së se kishte dëme minimale në bazë pas sulmit me dron të dielën në mbrëmje dhe se operacionet po vazhdonin normalisht.
MoD gjithashtu mohoi raportet se disa anëtarë të stafit mund të dërgoheshin në shtëpi nga Qiproja dhe tha se një hetim ishte duke u zhvilluar për të përcaktuar se nga është qëlluar droni.
Baza, ku jetojnë rreth 2,000 personel shërbimi dhe familjet e tyre, me sa duket ishte shënjestruar nga Irani ose përfaqësuesit e tij.
SHBA thotë se tre avionë u qëlluan gabimisht nga Kuvajti
Nga: A.Sh
Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se tre nga avionët e saj luftarakë F-15 u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit në orën 4:03 të mëngjesit, me kohën e MB, këtë mëngjes.
“Të gjithë gjashtë ekuipazhet hodhën me parashutë me sukses, janë rikuperuar dhe ndodhen në gjendje stabile,” shton ajo.
“Kuvajti ka njohur këtë incident, dhe jemi mirënjohës për përpjekjet e forcave të mbrojtjes së Kuvajtit dhe mbështetjen e tyre në këtë operacion në vazhdim.”
Zjarr në rafinerinë shtetërore të naftës në Arabinë Saudite
Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite tha se një "zjarr i kufizuar" në rafinerinë Ras Tanura - e cila udhëhiqet nga kompania shtetërore e naftës së vendit, Aramaco - është vënë nën kontroll.
Deklarata - e ndarë nga Agjencia Saudite e Shtypit - bën të ditur se rafineria pësoi "dëme të vogla nga mbeturinat që binin", për shkak të kapjes së "dy dronëve në afërsi të saj".
Aty thuhet se zjarri u "trajtua menjëherë" nga shërbimet e emergjencës, pa të lënduar ose viktima.
Arabia Saudite, prej kohësh, shërben si bazë për forcat ushtarake amerikane dhe perëndimore. / REL
Izraeli thotë se ka vrarë zyrtarë të lartë të inteligjencës iraniane
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë vrarë zëvendësministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, Sayed Yahya Hamidi.
Jalal Pour Hossein, udhëheqës i divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës, u vra gjithashtu, së bashku me "zyrtarë të tjerë të regjimit", thuhet në njoftim.
Detaje se si, kur ose ku u vranë nuk jepen.
Por, shtohet se selia e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran u godit "pak kohë më parë". / REL