LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 11:30 më 02.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Zelensky: Mundësia për ndryshim në Iran duhet të shfrytëzohet siç duhet

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është e rëndësishme që “mundësia për ndryshim në Iran” të shfrytëzohet siç duhet.

Në një postim në rrjetin X, Zelensky shtoi se është e rëndësishme që “vendosmëria” e Amerikës ndaj Iranit të jetë efektive.

Ai iu referua sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, ku mbeti i vrarë edhe lideri suprem i këtij vendi, Ali Khamenei.

Zelensky theksoi se “populli iranian ka qenë prej kohësh pothuajse i vetëm përballë dhunës” dhe fajësoi Qeverinë e Republikës Islamike për situatën aktuale.

Ai shtoi se agjencia ukrainase e inteligjencës dhe Ministria e Jashtme po ndjekin nga afër zhvillimet në Iran dhe se Kievi po vepron “në koordinim me partnerët” sa u përket hapave të tij në këtë drejtim. / REL

Grossi: Nuk ka tregues se objektet bërthamore të Iranit janë sulmuar

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, i tha bordit të guvernatorëve të organizatës se "nuk ka asnjë tregues se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar objektet bërthamore të Iranit".

"Nuk kemi asnjë tregues se ndonjë nga objektet bërthamore është dëmtuar ose është shënjestruar", tha ai.

"Përpjekjet për të kontaktuar zyrtarët iranianë për çështje bërthamore janë duke vazhduar dhe, deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje", shtoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi.

Grossi e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe bëri thirrje për "përmbajtje maksimale".

"Edhe një herë, u bëj thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve", tha Grossi. / REL

Britania i ndihmon aleatët me ekspertë për neutralizimin e dronëve

Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë ekspertë, përfshirë edhe nga Ukraina, për t'i ndihmuar partnerët në Gjirin Persik në neutralizimin e dronëve iranianë.

Starmer theksoi se forcat iraniane kanë sulmuar një bazë ushtarake në Bahrejn, duke rrezikuar jetën e personelit britanik, edhe pse Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet kundër Iranit.

“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur”, tha Starmer.

“Ne nuk po u bashkohemi këtyre sulmeve, por do të vazhdojmë me veprimet tona mbrojtëse në rajon. Gjithashtu, do të dërgojmë ekspertë nga Ukraina, së bashku me ekspertët tanë, për t’i ndihmuar partnerët tanë në Gjirin Persik që t'i neutralizojnë dronët iranianë që i sulmojnë”, shtoi ai.

Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran

Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.

Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.

Sulmet izraelite kundër Hezbollahut, IDF: Ofensiva do të jetë e gjerë, nuk përjashtojmë pushtimin tokësor

Ofensiva e re e IDF -së kundër Hezbollahut do të jetë e gjerë dhe gjithëpërfshirëse dhe mund të përfshijë një pushtim tokësor, tha një burim sigurie izraelit për kanalin e lajmeve Al-Hadath të drejtuar nga Arabia Saudite, siç raportohet nga Times of Israel.

Burimi deklaroi se “nuk do të ketë imunitet për asnjë politikan apo figurë ushtarake të Hezbollahut, as për mbështetësit e tij”.

IDF konfirmoi se kishte filluar të godiste objektivat e Hezbollahut në të gjithë Libanin, duke thënë se nuk do të lejonte që organizata të përbënte një kërcënim për Shtetin e Izraelit dhe “të dëmtonte banorët e veriut”.

Sipas IDF, dhjetëra sulme ajrore në Bejrut dhe në Libanin jugor goditën selinë dhe infrastrukturën e Hezbollahut, si dhe një automjet që transportonte dy operativë nga Forca elitare Radwan e grupit terrorist në zonën Kfar Dajjal.

Në kryeqytetin e Libanit, ushtria tha se kishte shënjestruar anëtarë të lartë të grupit terrorist në një sulm, pa dhënë menjëherë detaje të mëtejshme.

Nga sulmet në Bejrut dhe Libanin jugor janë vrarë 31 persona dhe plagosur 149 të tjerë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Libanit.

Larijani thotë se nuk do të negociojë me SHBA-në

Kryetari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se Teherani "nuk do të negociojë" me Uashingtonin.

Ai i bëri komentet disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të vazhdojë t'i ndëshkojë "terroristët" me "forcën e plotë" të ushtrisë amerikane.

Në një postim në rrjetin X, Larijani shkroi:

"Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten".

Të dielën, në një video gjashtëminutëshe që postoi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se lufta kundër Iranit mund të zgjasë katër javë, megjithëse u duk se e la derën hapur për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit mbijetues në Teheran.

"Në 36 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po kryejnë Operacionin Tërbimi Epik - një nga ofensivat ushtarake më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë", tha Trump.

Ai shtoi se operacionet luftarake në Iran "po vazhdojnë me forcë të plotë" dhe "do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat tona". / REL

OBSH-ja shpreh shqetësim për dëmet e raportuara në Spitalin Gandhi në Teheran

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu shqetësim pas raporteve fillestare për dëme në Spitalin Gandhi në Teheran, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane.

Në një postim në rrjetin X, Ghebreyesus tha se OBSH-ja po i heton dhe verifikon këto raporte.

"... por, ato shërbejnë si një kujtesë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar që institucionet shëndetësore, të përfshihen në konfliktin e vazhdueshëm. Objektet shëndetësore mbrohen me ligjin ndërkombëtar humanitar", tha Ghebreyesus.

Raportet fillestare nga Irani tregojnë se gjatë sulmeve, spitali është dëmtuar, ndërsa, sipas disa imazheve të publikuara, personeli dhe pacientët janë evakuuar. / REL

Dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Liban

Sulmet izraelite në Bejrut dhe në Libanin jugor lanë të vrarë 31 persona dhe të plagosur 149 të tjerë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant - i mbështetur nga Irani - mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.

Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit - bastion i Hezbollahut.

"Masa paraprake" në bazën RAF në Qipro

Administrata e Zonave të Bazave Sovrane në Qipro tha se ka plane për "shpërndarjen e përkohshme të personelit jothelbësor", të vendosur në bazën britanike RAF Akrotiri.

Baza ajrore RAF Akrotiri u godit nga një sulm i dyshuar me dron, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Shpërndarja e personelit është një "masë paraprake", thuhet në deklaratë.

"Ndërsa e kuptojmë që njerëzit mund të jenë të shqetësuar, ne nuk besojmë se kjo është e nevojshme. Shpërndarja e përkohshme vlen vetëm për Stacionin RAF Akrotiri", thekson deklarata.

Sipas saj, objektet e tjera në Episkopi, Dhekelia dhe Ayios Nikolaos do të funksionojnë "si zakonisht". / REL

Tym shihet duke u ngritur mbi Kuvajt City pas sulmit të dukshëm iranian

Nga: H.O.

Fotografitë e reja tregojnë re tymi që ngrihen mbi Kuvajt City, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

Kjo vjen pas raportimeve për një sulm të mundshëm pranë ambasadës amerikane atje. Ambasada ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë në Kuvajt që të mos vijnë në ambasadë dhe të strehohen në shtëpi.

Një person ishte raportuar si i vrarë në Kuvajt dje, ndërsa Irani nisi sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

Kuvajti - një aleat i SHBA-së me një bazë ushtarake amerikane - tha gjithashtu se kishte kapur raketa të qëlluara drejt tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat