LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 15:11 më 01.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Vritet edhe ish-presidenti iranian

Ish-presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, i cili udhëhoqi vendin nga viti 2005 deri në vitin 2013, u vra në sulmet ajrore izraelite.

Ahmadinejad ishte i njohur gjatë gjithë karrierës së tij politike si një konservator radikal dhe një avokat i hapur i politikave anti-perëndimore.

Mandati i tij presidencial u shënua nga deklarata të shpeshta që shprehnin urrejtje ekstreme ndaj Izraelit.

Dhjetëra cisterna nafte të bllokuara në Gjirin Persik

Dhjetëra cisterna me naftë janë bllokuar në ujërat e Gjirit Persik, është duke raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas agjencisë, bazuar në të dhënat e faqeve që monitorojnë trafikun në atë zonë, “të paktën 150 cisterna” me naftë të papërpunuar dhe gaz të lëngshëm natyror janë ankoruar pranë Ngushticës së Hormuzit dhe nuk po lëvizin.

Pas sulmeve amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit ndaj Iranit, forca detare e Gardës Revolucionare të Iranit ka paralajmëruar se do të bllokojë rrugën e anijeve përmes kësaj ngushtice.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit?

Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20 për qind e naftës së botës qarkullon nëpër të – apo mbi 15 milionë fuçi çdo ditë.

Shtetet sikurse Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari – madje edhe vetë Irani – varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz.

Prandaj, nëse diçka e bllokon ngushticën, efektin e vëren e gjithë bota.

Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën. Dhe, teknikisht mundet ta bëjë këtë – duke e bërë kalimin nëpër të shumë të rrezikshëm, ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.

Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundëranije.

Për të treguar seriozitetin, Irani ndër vite ka kryer stërvitje, dhe me raste i ka penguar anijet.

“Rruga e Khameneit do të vazhdojë”

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se rruga e Ali Khameneit – liderit suprem të Iranit të vrarë nga sulmet amerikane dhe izraelite – do të vazhdojë, teksa i ka dënuar ashpër këto sulme që janë kryer, pavarësisht se ishin duke u zhvilluar bisedime diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit për programin bërthamor të Iranit.

Sulmet e fundit janë kryer teksa Omani po i ndërmjetësonte bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit. Rundi i fundit i bisedimeve është mbajtur më 26 shkurt.

Kush është në krye të Iranit tani?

Zyrtari kryesor i sigurisë në Iran, Ali Larijani tregoi më parë se ishte duke u themeluar një këshill i përkohshëm i udhëheqjes së re, pasi sulmet amerikane dhe ato izraelite vranë figura të larta shtetërore, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Alireza Arafi, figurë me rëndësi prej kohësh në udhëheqësinë klerike të Iranit, është emëruar në Këshill si figurë e përkohshme zëvendësuese e Khameneit. Ai është tani përkrah presidentit, Masud Pezeshkian dhe kreut të gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

Ky bord prej tre personash do ta udhëheqë Iranin derisa Asambleja e Ekspertëve të mblidhet për ta zgjedhur liderin e ri suprem.

Momenti dramatik kur ekipet e shpëtimit nxjerrin Khamenei-n nga rrënojat

Mediat iraniane kanë publikuar fotografinë e parë të liderit të Iranit, Ali Khamenei, në momentin e bombardimit ndërsa ai është nën rrënoja.

Siç shihet edhe nga fotoja e sgfaqur në ekran, ai ndodhet nën rrënoja ndërsa ekpi i shpëtimit përpiqet ta nxjerrë.

Mediat shkruajnë se Ali Khamenei pasoi themeluesin e Revolucionit Islamik në 1989.

Image
Momenti dramatik kur ekipet e shpëtimit nxjerrin Khamenei-n nga rrënojat

Ai u vra në një sulm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, konfirmuan mediat shtetërore iraniane herët të dielën.

Kallas: Vdekja e Khameneit moment përcaktues për Iranin

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka cilësuar vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Aatollah Ali Khamenei si një moment përcaktues në historinë e Iranit.

“Çfarë do të vijë më pas është e pasigurt. Por tani ekziston një rrugë e hapur drejt një Irani ndryshe, një Iran që populli i tij mund ta ketë më shumë liri ta formësojë”, ka shkruar ajo në X.

Kallas ka publikuar një fotografi duke bërë të ditur se ajo dhe ministrat e Jashtëm të shteteve të grupit G7 janë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e shteteve të Lindjes së Mesme.

“Jam në kontakt me partnerët, përfshirë ata në rajon që mbajnë barrën kryesore të veprimeve ushtarake të Iranit, për të gjetur hapa praktikë për uljen e tensioneve”, ka shkruar ajo.

Turmat rrëzojnë statujën e Khomeinit

Turma njerëzish në qytezën iraniane Galleh Dar e kanë rrëzuar një përmendore dedikuar themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Vdekja e Khameneit ka nxjerrë në pah përçarje të madhe në këtë vend të tronditur nga rënia e papritur e njeriut që sundoi për 36 vjet.

 

Vuçiq: Ambasada serbe në Teheran u dëmtua gjatë sulmeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se Ambasada e Serbisë në Iran është dëmtuar gjatë sulmeve në Teheran dhe që stafi i ambasadës është duke u zhvendosur në Baku të Azerbajxhanit.

Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar se nuk ka plagosur në sulm. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione shtesë nga Ministria e Jashtme serbe dhe është në pritje të përgjigjes.

Si është situata në vendet e Gjirit?

Bahrein: Sistemet ajrore për mbrojtje në Bahrein i kanë kapur me sukses dhe i kanë shkatërruar raketat balistike dhe dronët iranianë, ka raportuar media shtetërore. Zyrtarët u kanë thënë agjencive të lajmeve në Bahrein që “copëza të kufizuara” të raketave kanë rënë nëpër tokë.

Kuvajt: Media shtetërore në Kuvajt ka raportuar se mbrojtja ajrore i ka parandaluar “një mori sulmesh ajrore armiqësore” të dielën në mëngjes. Ministria e Mbrojtjes në këtë shtet ka thënë se raketat janë kapur në jug të shtetit dhe nuk ka raportime për viktima.

Katar: Ministria e Mbrojtjes e Katarit ka thënë se aeroplanët luftarakë dhe sistemet ajrore për mbrojtje i kanë rrëzuar dronët dhe raketat e nisura nga Irani.

Emiratet e Bashkuara: Një grua dhe një fëmijë janë përballur me dëme minore nga copëzat e një droni të kapur që është rrëzuar në fasadën e një ndërtese në kullat Etihad, sipas autoriteteve në Emirate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat