LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 08:50 më 28.04.2026
Donald Trump

Putini shprehet hapur në mbështetje të Iranit

Ndërsa bisedimet kanë ngecur në vend, sepse SHBA-ja dhe Irani kanë mosmarrëveshje për çështje thelbësore dhe nuk kanë gjetur as ndonjë zgjidhje për çështjen kyçe të hapjes së Ngushticës së Hormuzit, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghtshi u takua në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin.

Rusia dhe Irani bashkëpunojnë ngushtë në disa fusha, por nga Moska nuk ka një mbështetje të hapur ushtarake  për iranianët. Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax presidenti rus Putin tha se javën e kaluar kishte marrë një mesazh nga udhëheqësi suprem Modshtaba Khamenei dhe mund të konfirmonte se Rusiadhe Irani do të vazhdojnë partneritetin e tyre strategjik.

Putini vlerëson luftën e Iranit për sovranitet

Abbas Araghtshi tha, sipas përkthimit në deklaratës në rusisht, se marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës janë në nivelin më të lartë dhe do të forcohen më tej. Ai falënderoi Rusinë për mbështetjen.

Nga ana e tij, Vladimir Putini shprehu shpresën për paqe të shpejtë në rajon. "Ne shohim se si populli iranian lufton me guxim dhe heroizëm për pavarësinë e tij, për sovranitetin e tij,” tha Putini. "Nga ana jonë, do të bëjmë gjithçka që është në interesin e tyre dhe në interes të të gjithë popujve të rajonit, që paqja të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ngushtica e Hormuzit vazhdon e bllokuar

SHBA-ja dhe Irani po japin deklarata kontradiktore për hapat e ardhshëm. Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, programi bërthamor i Iranit të përfshihet në një marrëveshje, në kuadër të së cilës duhet të hapet edhe Ngushtica e Hormuzit.

Kurse, sipas përfaqësuesve qeveritarë të vendeve të Lindjes së Mesme, në propozimin e Iranit, që ofronfundin e bllokadës së Hormuzit, nuk përmendet programi bërthamor.

Abbas Araghtshi akuzoi SHBA-në për "kërkesa të tepruara”. Sipas tij qasja e amerikanëve ka vonuar raundin e bisedimeve të planifikuara në Pakistan.

Rubio: Propozimi iranian për Ngushticën e Hormuzit i papranueshëm

Marco Rubio e cilësoi propozimin iranian për hapjen e Ngushticës së Hormuzit si të papranueshëm. Hapja e këtij korridori tregtar me rëndësi mbarëbotërore për furnizimet me naftë dhe gaz nga rajoni i Gjirit Persik, kundrejt kushtesh të rrepta nuk është e pranueshme as për SHBA-në dhe as për vende të tjera, tha ai për televizionin Fox News.

Trumpi planifikon një mbledhje krize

Sipas njoftimeve të portalit të lajmeve Axios Donald Trumpi po planifikon një mbledhje krize të qeverisë së tij lidhur me çështjen e Iranit. Siç shkroi gazetari Barak Ravid në platformën X, takimi pritet të përqendrohet te "ngërçi aktual në negociata” dhe "opsionet e mundshme për hapat e ardhshëm në luftë”.

Sipas televizionit amerikan ABC News në mbledhje pritet të marrin pjesë disa nga këshilltarët kryesorë të Trumpit për çështje të sigurisë. Qeveria amerikane i konsideron propozimet e fundit nga Teherani si të pamjaftueshme. / DW

Putin takohet me ministrin e jashtëm iranian - dhe 'merr mesazh' nga udhëheqësi suprem

Nga: A.Sh

Vladimir Putin është takuar me ministrin e jashtëm të Iranit në Shën Petersburg, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.

Presidenti rus tha se shpresonte që "paqja të vinte" dhe se iranianët do ta "kalonin këtë periudhë të vështirë" lufte.

Abbas Araghchi theksoi marrëdhënien e ngushtë midis Teheranit dhe Moskës, të cilën ai tha se do ta forconte më tej.

Ministri shtoi se Irani do të vazhdonte të luftonte SHBA-në pasi kishte provuar "të ishte i aftë të duronte dhe të mbijetonte këtë periudhë".

Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri

Iranianët kanë paraqitur një propozim të ri që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, por e lë të paqartë gjendjen e bisedimeve mbi kërkesat kryesore të SHBA-së, sipas një burimi të njohur me çështjen.

Propozimi i Iranit thuhet se do të kërkonte që Uashingtoni së pari të përfundonte luftën dhe të jepte garanci se ajo nuk do të rifillonte, sipas një raporti në televizionin Al Mayadeen të Libanit, i cili është i lidhur me Iranin, i cili u citua nga agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit, e lidhur me shtetin.

Negociatat mbi lundrimin nëpër ngushticë dhe programin bërthamor të Iranit - prioritete kyçe për administratën Trump - do të vinin vetëm në fazat e mëvonshme, transmeton Telegrafi.

"Nëse arrihet një marrëveshje, procesi do të kalojë në fazën e dytë për të diskutuar se si të menaxhohet Ngushtica e Hormuzit pas përfundimit të luftës", raportoi Al Mayadeen.

Diskutimet mbi programin bërthamor të Iranit do të fillonin vetëm pasi të përmbushen këto kushte.

Axios raportoi së pari se Shtëpia e Bardhë ka marrë një propozim sipas të cilit Irani po kërkon përfundimin e luftës përpara se të diskutojë programin bërthamor.

Raporti gjithashtu pretendoi se udhëheqja iraniane është e ndarë në lidhje me atë se cilat lëshime bërthamore duhet të merren në konsideratë.

Shtëpia e Bardhë përsëriti se presidenti Donald Trump, i cili planifikon të mbledhë ekipin e tij të sigurisë kombëtare të hënën për të diskutuar propozimin dhe opsionet që duhen ndërmarrë, "ka letrat e forta".

"Këto janë diskutime të ndjeshme diplomatike dhe SHBA-të nuk do të negociojnë përmes shtypit. Siç ka thënë presidenti, Shtetet e Bashkuara kanë letrat e forta dhe do të bëjnë vetëm një marrëveshje që e vendos popullin amerikan në vend të parë, duke mos lejuar kurrë Iranin të ketë një armë bërthamore", tha ndihmës sekretarja e shtypit Olivia Wales në një deklaratë për CNN. 

Ministri Araghchi: Irani arrin marrëveshje me Omanin gjatë bisedimeve për Hormuzin

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të hënën se janë arritur disa marrëveshje me Omanin gjatë takimit të tij me zyrtarët në Muscat, duke përmendur Ngushticën e Hormuzit si një fushë kyçe me interes të përbashkët.

“Irani dhe Omani janë të dy vende bregdetare përgjatë Ngushticës së Hormuzit dhe ishte e nevojshme të konsultoheshim për këtë çështje”, tha Araghchi në një deklaratë.

Ai shtoi se Irani dhe Omani duhet të ruajnë koordinim të ngushtë për të siguruar interesat tona të përbashkëta. Araghchi tha se konsultimet do të vazhdojnë midis të dy vendeve në nivel ekspertësh.

Araghchi shtoi se udhëtimi i tij në Pakistan gjatë fundjavës – ku Islamabadi po nxiton të shpëtojë negociatat midis Teheranit dhe Uashingtonit ishte “shumë i suksesshëm”.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, tha në emisionin X se pati një diskutim të mirë me Iranin mbi Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar se kërkohet shumë diplomaci dhe zgjidhje praktike për të siguruar lirinë e lundrimit në rrugët ujore. Ai nuk përmendi ndonjë marrëveshje që po nënshkruhet.

Zyrtari iranian: Tehreani ofron t’i japë fund bllokadës në Ngushticën e Hormuzit

Irani po ofron t’i japë fund kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit pa u marrë me programin e tij bërthamor, thanë të hënën dy zyrtarë rajonalë që kanë dijeni për propozimin.

Kjo vjen ndërsa ministri i jashtëm i vendit, Abbas Araghchi, bëri një vizitë në Rusi, të cilën ai e quajti një mundësi për t’u konsultuar me Moskën në lidhje me luftën kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Irani gjithashtu dëshiron që SHBA-të t’i japin fund bllokadës së vendit si pjesë e propozimit të tyre, thanë dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat me dyer të mbyllura.

Propozimi i ri, i cili iu kalua Shteteve të Bashkuara nga Pakistani, ka të ngjarë të mos mbështetet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump , i cili dëshiron t’i japë fund programit atomik të Iranit si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për të rihapur ngushticën e Hormuzit dhe për ta bërë armëpushimin të përhershëm.

“Ne i kemi të gjitha kartat. Nëse duan të flasin, mund të vijnë tek ne ose mund të na telefonojnë”, tha Trump të dielën

Anijet iraniane vazhdojnë të kalojnë Ngushticën e Hormuzit pavarësisht bllokadës amerikane

Shumica e anijeve që kanë kaluar tranzit në Ngushticën e Hormuzit ditët e fundit kanë ndjekur një rrugë të përcaktuar nga autoritetet iraniane dhe rreth gjysma e tyre janë ngarkuar në portet iraniane, sipas të dhënave më të fundit të transportit detar.

Kjo është në kundërshtim me një bllokadë amerikane të hartuar për të parandaluar anijet nga përdorimi i porteve iraniane. Ndërhyrjet amerikane të anijeve iraniane kanë ndodhur përtej ngushticës. Mbetet e paqartë nëse ndonjë nga anijet që largohen nga Irani është ndërprerë.

17 anije u identifikuan duke kaluar nëpër ngushticë midis të premtes dhe të dielës, sipas firmës së inteligjencës detare Kpler- midis tyre katër cisterna të mëdha të ngarkuara. Dy prej këtyre cisternave ishin larguar nga portet iraniane dhe dy ishin nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më e madhja, sipas Kpler, ishte anija Jiaolong në pronësi greke, e cila u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe të premten dhe mbërriti të hënën në portin indian të Sikka-s.

Trafiku përmes Hormuzit gjatë dy muajve të fundit ka qenë në rreth 5% të mesatares ditore para luftës, duke shkaktuar mungesë të produkteve të rafinuara, veçanërisht në Azi.

Irani ka thënë se do të ruajë kontrollin mbi Ngushticën, ndërsa SHBA-të njoftuan një bllokadë të transportit detar për në dhe nga portet iraniane më 13 prill. Që atëherë, ushtria amerikane ka hipur në të paktën dy anije dhe thotë se ka ndaluar 38 të tilla.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha javën e kaluar se Irani së shpejti do të duhet të ndalojë prodhimin e naftës së papërpunuar për shkak të mungesës së rrugëve të magazinimit dhe eksportit.

Lindja e Mesme/ Ngecja e negociatave SHBA-Iran rrit çmimin e karburanteve, nafta shkon deri në 107 dollarë për fuçi

Ndërsa negociatat mes SHBA-ve dhe Iranit kanë ngecur përsëri, duke mos arritur në një marrëveshje të përbashkët për të ndalur luftën, tregu i karburanteve dhe bursa vijojnë të pësojnë tronditje me rritje çmimesh.

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm në tregtimin e hershëm në tregjet aziatike sot (27 prill), për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet SHBA-Iran për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Kjo pasi trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit mbetet shumë i kufizuar, për shkak të bllokadës së dyfishtë iraniane dhe amerikane.

Çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar ‘Brent’ të Detit të Veriut u rrit me 2.11% në 107.55 dollarë dhe ai i West Texas Intermediate (WTI), referenca amerikane, u rrit me 2.14% në 96.42 dollarë.

Trump: Teherani mund ta kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron negociata

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Teherani “mund të na thërrasë” nëse dëshiron negociata, mirëpo ka shtuar se iranianët fillimisht duhet të heqin dorë nga planet për të krijuar armë bërthamore, në të kundërtën “nuk ka arsye për takim”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njëherësh kryenegociator i Iranit, ka arritur në Shën Petersburg, ku pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, meqë bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vazhdojnë të jenë të mjegulluara.

“Nëse dëshirojnë të negociojnë, mund të vijnë te ne, apo mund të na thërrasin. Ekziston telefoni. Kemi linja të mira, të sigurta”, ka thënë Trump për televizionin Fox në 26 prill.

“Ata e dinë se çfarë duhet të ketë në marrëveshje. Është shumë e thjeshtë. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore, në të kundërtën nuk kemi asnjë arsye për t’u takuar”, ka thënë Trump.

Teherani ka insistuar gjithmonë që programin bërthamor e ka vetëm për qëllime civile, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se përpiqet që fshehurazi të ndërtojë armë bërthamore.

Trump i ka kërkuar Teheranit që ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret për të krijuar bombë dhe që vendi tashmë e ka tejkaluar furnizmimin e tij me këtë mineral, mirëpo Irani insiston se diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar më 26 prill se Teherani, duke punuar me ndërmjetës pakistanezë, ua ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara propozimin e ri që parasheh se Ngushtica e Hormuzit të rihapet dhe të hiqet bllokada amerikane në portet iraniane, ndërsa negociatat për programin bërthamor të Iranit të mbahen më vonë.

Në këtë material janë cituar një zyrtar amerikan dhe dy burime të afërta me këto zhvillime./REL

Dëshmia e Netanyahut anulohet një orë para seancës dëgjimore

Nga: H.O.

Dëshmia e Benjamin Netanyahut në gjyqin për korrupsion, e planifikuar për sot pas një pushimi të zgjatur për shkak të luftës, u anulua rreth një orë para se të fillonte.

Kështu raportuan mediat izraelite, duke përmendur arsye sigurie me kërkesë të avokatit të tij Amit Hadad.

Dëshmia është pjesë e gjyqit penal të zgjatur dhe të vonuar vazhdimisht të Netanyahut, ku ai do të përballet me akuza të shumta për korrupsion, duke përfshirë ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Ndryshe, Izraeli dhe Hezbollahu kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.

Hezbollahu e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e tij në lidhje me armëpushimin; nuk do të pranojë më një armëpushim të njëanshëm. Duhet të kujtojmë se Hezbollahu nuk ishte palë në armëpushim. Ai u ra dakord midis Izraelit dhe Libanit.

Qeveria libaneze nuk është palë në këtë konflikt. Sipas kushteve të këtij armëpushimi, Izraeli rezervon të drejtën jo vetëm t'i përgjigjet çdo sulmi, por edhe të parandalojë çdo kërcënim ose çdo kërcënim të perceptuar të sigurisë. Hezbollahu thotë se nuk do ta pranojë më këtë.

Katari thotë se kryeministri diskutoi 'përpjekjet për të arritur paqen' me Araghchi-n e Iranit

Nga: H.O.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, ka pasur një telefonatë me Ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Të dy zyrtarët "diskutuan përpjekjet për të arritur paqen dhe për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në rajon", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Katarit.

Sheikh Mohammed "shprehu nevojën që të gjitha palët të angazhohen në përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit, të cilat do të hapnin rrugën për adresimin e shkaqeve rrënjësore të krizës përmes mjeteve paqësore dhe dialogut, duke çuar në një marrëveshje të qëndrueshme dhe duke parandaluar përshkallëzimin e ri".

Sipas deklaratës, kryeministri gjithashtu "theksoi nevojën për të hapur korridoret detare, për të siguruar lirinë e lundrimit dhe për të mos i përdorur ato si një mjet negociues ose taktikë presioni".

"Në këtë kontekst, ai theksoi efektet negative të kësaj në vendet e rajonit dhe furnizimet botërore me energji dhe ushqim, si dhe pasojat e saj në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat