LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 21:09 më 19.04.2026
Donald Trump

Irani hedh poshtë ofertën e Trump për bisedime paqeje

Irani ka refuzuar bisedimet e reja për paqe me Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të dërgonte të dërguar në Pakistan për negociata dhe se do të godiste Iranin nëse nuk pranonte kushtet e tij.

Trump ka shkruar në Truth Social se të dërguarit amerikanë do të mbërrijnë të hënën në mbrëmje për bisedime, duke lënë vetëm një ditë kohë për përparim para përfundimit të një armëpushimi dyjavor.

Irani ka thënë se refuzon bisedimet, duke përmendur si arsye edhe bllokadën amerikane.

Ndërkohë, Pakistani po vepron si ndërmjetës, ndërsa delegacioni amerikan përgatitet për bisedime në Islamabad në kushte sigurie të larta. / Burimi: Reuters

Irani ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedimet e reja në Pakistan

Nga: H.O.

Kanë kaluar më shumë se tre orë që kur Donald Trump njoftoi se përfaqësuesit e SHBA-së po shkojnë në Pakistan për negociata.

Por deri më tani, asnjë zyrtar iranian i emëruar nuk ka konfirmuar ose mohuar nëse Irani do të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh.

Ndërkohë, dy media iraniane të lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë hedhur dyshime në lidhje me pjesëmarrjen e Iranit.

Agjencia e Lajmeve Tasnim tha se ekipi iranian ka theksuar se, për sa kohë që ka një bllokadë amerikane, ai nuk do t'i bashkohet bisedimeve.

Agjencia e Lajmeve Fars, duke cituar Tasnim dhe një burim të paidentifikuar, tha se Irani ende nuk ka vendosur nëse do t'i bashkohet raundit tjetër. Megjithatë, Fars e përshkroi situatën e përgjithshme si "jo pozitive".

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Irani nuk do të marrë pjesë. Ne ende po presim që një zyrtar i emëruar të sqarojë qëndrimin e tij.

Cilët janë përfaqësuesit e SHBA-së që do të udhëtojnë në Pakistan?

Nga: H.O.

Ekipi amerikan që po shkon në Iran nuk është i panjohur me negociatat.

Zëvendëspresidenti JD Vance

Pasi iu bashkua raundit të mëparshëm të bisedimeve me Iranin në Pakistan një javë më parë, Vance tha se ekipi amerikan u largua me një "propozim shumë të thjeshtë".

"Do të shohim nëse iranianët e pranojnë atë."

I dërguari special Steve Witkoff

Një manjat i pasurive të paluajtshme dhe partneri i golfit i Donald Trump, Witkoff ka ndihmuar në negociatat midis Hamasit dhe Izraelit në Gaza.

Ai gjithashtu ka luajtur një rol kyç në bisedimet e SHBA-së me Rusinë mbi luftën në Ukrainë.

I dërguari special Jared Kushner

Kushner, dhëndri i Trump, është i njohur për biznesin e tij ndërkombëtar dhe zhvillimin e pronave.

Ashtu si Witkoff, Kushner ka vepruar gjithashtu si ndërmjetës në bisedimet e paqes në Ukrainë.

Mbyllet sërish Ngushtica e Hormuzit - të gjitha zhvillimet

Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit.

Ndërkohë ka ardhur një përgjigje nga Irani, duke sulmuar në drejtim të Izraelit dhe në drejtim të bazave ushtarake amerikane në rajon.

Kështu, lufta ka kaluar tashmë 50 ditë që nga fillimi – deri më tani ka pak shenja të një përparimi që mund të ndalonte përshkallëzimin.

Trump kërcënon Iranin, paralajmëron “shkatërrim të centraleve elektrike”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të “shkatërrojnë” centralet elektrike dhe urat iraniane, nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.

Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan reagoi pas zhvillimeve të fundit rreth Ngushticës së Hormuzit, ku janë raportuar sulme ndaj anijeve dhe tensione të reja detare. Trump pretendoi se mbyllja e mundshme e kësaj rruge strategjike nuk i shkakton dëm SHBA-ve, por sipas tij “i kushton miliona dollarë Iranit”.

Ai njoftoi se një delegacion amerikan do të rikthehet në Pakistan për bisedime të mëtejshme paqeje, duke deklaruar se përfaqësuesit e SHBA-së do të mbërrijnë atje gjatë mbrëmjes së nesërme.

Trump më herët kishte pohuar se Irani kishte pranuar të mos e mbyllte më Ngushticën e Hormuzit, por situata në terren mbetet e tensionuar dhe e paqartë.

Në mesazhin e tij të fundit, ai e mbylli me një deklaratë të fortë: “KA ARDHUR KOHA QË MAKINA E VRASESVE TË IRANIT TË PËRFUNDOJË!”

Image

Postim i Trump në Truth Social

Vazhdon bllokimi në Ngushticën e Hormuzit, kthehen dy anije

Lëvizja e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, të dielën vazhdon të jetë e paralizuar.

Dy cisterna që transportonin gaz të lëngshëm nafte që po niseshin nga Gjiri Persik janë kthyer papritur, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve.

Dy anijet, të identifikuara nga MarineTraffic si Meda dhe G Summer, ishin të vetmet me transponderë aktivë që po kalonin nëpër rrugën ujore, të dielën, raporton CNN.

Të dyja anijet ishin sanksionuar më parë nga SHBA-të ndërsa lundronin me emra të ndryshëm, për transportimin e LPG-së iraniane.

Nuk u tregua asnjë anije tjetër që kalonte në asnjë drejtim, pas njoftimit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit të shtunën se Ngushtica ishte përsëri e mbyllur për trafikun.

Siguri e shtuar në Islamabad/ Pakistani përgatitet për raundin e dytë të bisedimeve SHBA–Iran

Situata në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, paraqitet më e tensionuar këtë mëngjes, ndërsa pritet zhvillimi i mundshëm i një raundi të dytë bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Autoritetet vendase kanë shtuar masat e sigurisë, duke vendosur më shumë forca policie dhe pika kontrolli në zona të ndryshme të qytetit.

Megjithatë, niveli i gatishmërisë mbetet më i ulët krahasuar me fundjavën e kaluar, kur u mbajt raundi i parë i negociatave.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë që bisedimet të rinisin këtë fundjavë, edhe pse Irani njofton se ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimin e radhës.

Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në hotelin Serena Hotel Islamabad, ku palët nuk arritën një marrëveshje konkrete. Këto negociata konsiderohen ndër kontaktet më të rëndësishme mes SHBA-së dhe Iranit që prej Revolucioni Islamik i Iranit.

Qalibaf i Iranit flet për “përparim”, ndërsa Trump refuzon “shantazhin”

Kryetari i parlamentit të Iranit tha se ka pasur “përparim” në bisedimet me Uashingtonin, por se mbeten dallime “themelore”. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë atë që e quajti “shantazh” nga Teherani, pasi ky i fundit sërish mbylli Ngushticën e Hormuzit.

“Ne jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, tha Mohammad Baqer Qalibaf, i cili është edhe negociatori kryesor i Iranit, në një fjalim të transmetuar në televizion herët më 19 prill.

“Kemi bërë përparim në negociata, por ka shumë boshllëqe dhe disa pika themelore mbeten”, shtoi ai, duke iu referuar rundit të parë të bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11-12 prill.

“Ka disa çështje për të cilat ne këmbëngulim...Edhe ata kanë vijat e tyre të kuqe. Por këto çështje mund të jenë vetëm një ose dy”, shtoi ai, duke shprehur gjithashtu qëndrime të vijës së ashpër, duke pretenduar se Irani ka qenë “fitimtar në terren”, gjatë luftës.

Fati i takimeve të rinovuara ballë për ballë midis Uashingtonit, Teheranit dhe ndërmjetësve pakistanezë dukej i paqartë. Trump më 17 prill përmendi përparim dhe tha se negociatat do të vazhdojnë gjatë fundjavës.

“Do të flasim për Iranin më vonë. Kemi bisedime shumë të mira në zhvillim”, tha Trump.

Megjithatë, mes spekulimeve se palët mund të mblidhen sërish më 20 prill në Islamabad, nuk është shpallur ende një datë e re.

Organi më i lartë i sigurisë kombëtare i Iranit më 18 prill tha se Teherani po shqyrton “propozime të reja”, nga Shtetet e Bashkuara, të dorëzuara përmes shefit të ushtrisë pakistaneze Asim Munir, por ende nuk ka dhënë përgjigje.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare theksoi se ekipi negociator i Iranit “nuk do të bëjë as kompromisin më të vogël, tërheqje apo zbutje”, dhe do të mbrojë interesat kombëtare “me të gjithë forcën e tij”.

Këto deklarata vijnë disa ditë përpara skadimit të një armëpushimi dyjavor midis forcave të SHBA-së dhe Izraelit dhe Iranit, që përfundon më 22 prill.

Sulmohen anije civile

Shpresat se transporti detar do të rifillonte përmes ngushticës rezultuan jetëshkurtra më 18 prill, pasi forcat iraniane sulmuan të paktën tre anije civile pasi Teherani njoftoi se po tërhiqte vendimin për të rihapur rrugën.

Duke folur në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha: “U bënë pak të lezetshëm... Donin ta mbyllnin sërish ngushticën, e dini, siç kanë bërë prej vitesh. Dhe nuk mund të na shantazhojnë”.

Një monitor i sigurisë detare detajoi tre sulme, incidentet e para të tilla që nga fillimi i armëpushimit dyjavor më 8 prill.

Në incidentin e parë, dy anije të armatosura të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) qëlluan pa paralajmërim mbi një cisternë, tha monitori.

Më vonë, ai tha se një anije kontejnerësh u “godit nga një predhë”, ndërsa pati një goditje të afërt në një sulm ndaj një anijeje të tretë.

Dy nga anijet mbanin flamurin indian, gjë që e shtyu Indinë të thërrasë ambasadorin iranian në shenjë proteste.

Pas incidenteve të fundit, forcat detare të IRGC-së vonë më 18 prill paralajmëruan se çdo anije që i afrohet Ngushticës së Hormuzit do të trajtohet si objektiv.

“Paralajmërojmë se asnjë anije, e çfarëdo lloji, nuk duhet të largohet nga vendankorimi i saj në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Çdo përpjekje për t’iu afruar Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet bashkëpunim me armikun, dhe anija shkelëse do të jetë objektiv”, thuhet në faqen e saj zyrtare të lajmeve.

Qalibaf — për të cilin shumë vëzhgues thonë se është fuqia reale prapa regjimit iranian — më 17 prill kishte publikuar një postim të ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar Trumpin se po thotë “gënjeshtra”, dhe duke thënë se për sa kohë që bllokada amerikane e porteve iraniane është në fuqi, “Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbetet e hapur”. / REL

Kronologjia e bisedimeve të rëndësishme mes SHBA-së dhe Iranit, ulje-ngritjet e 10 datave më të rëndësishme

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë shoqëruar me tensione të vazhdueshme, kërcënime dhe përpjekje të pasuksesshme për marrëveshje.

Më poshtë paraqitet një kronologji e zhvillimeve kryesore:

Më 28 shkurt, konflikti shpërtheu pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit, duke shënuar dështimin e përpjekjeve diplomatike.

Më 6 mars, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk do të kishte marrëveshje me Iranin “përveç dorëzimit të pakushtëzuar”.

Më 21 mars, Trump vendosi një afat, duke kërcënuar se do të godiste infrastrukturën energjetike të Iranit nëse ky i fundit nuk hapte Ngushticën e Hormuzit.

Vetëm dy ditë më vonë, më 23 mars, ai shtyu afatin, duke përmendur “biseda produktive”, çka u pasua nga disa shtyrje të tjera.

Më 7 prill, Trump paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse ngushtica nuk hapej brenda një afati të ri.

Një ditë më pas, më 8 prill, Pakistani ndërhyri si ndërmjetës dhe njoftoi një armëpushim dyjavor mes palëve për të mundësuar vazhdimin e negociatave.

Më 11 prill, zyrtarë të lartë nga të dy vendet, përfshirë zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi, u takuan në Pakistan. Pas 21 orësh bisedimesh intensive, palët mbetën larg një marrëveshjeje për çështjet kryesore.

Më 12 prill, Trump njoftoi vendosjen e një bllokade ndaj porteve iraniane, duke shtuar presionin mbi Teheranin.

Më 17 prill, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të qëndronte e hapur për pjesën e mbetur të armëpushimit, ndërsa Trump theksoi se bllokada amerikane do të vazhdonte.

Një ditë më vonë, më 18 prill, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se do të bllokonte sërish ngushticën. Në të njëjtën kohë, Trump deklaroi se po zhvilloheshin “biseda shumë të mira”, por përsëriti se SHBA-të nuk do të “shantazhohen” për këtë rrugë ujore strategjike.

Irani: Dallime të mëdha mbeten pavarësisht përparimit në bisedimet e paqes

Irani njoftoi se e ka mbyllur përsëri Ngushticën e Hormuzit. Ai thotë se do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-të të heqin bllokadën e porteve iraniane. Agjencia Britanike e Sigurisë Detare raportoi se një anije cisternë dhe një anije kontejnerësh që përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticë u sulmuan në brigjet e Omanit.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohamad Baqer Qalibaf, tha për mediat shtetërore se ende ka dallime të mëdha në bisedimet e paqes midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Qalibaf mori pjesë në bisedimet e paqes në Islamabad, duke folur me një delegacion amerikan të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, të cilat u ndërprenë vetëm pas një dite.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se bllokada amerikane do të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje paqeje e përhershme me Teheranin dhe se një armëpushim i përkohshëm me Iranin, i cili skadon të mërkurën, nuk mund të zgjatet.

- Ne e kontrollojmë ngushticën. Në ditët e fundit, SHBA-të e kanë mbajtur atë nën rrethim. Çfarë do të thotë kjo? Të gjithë po kalojnë, por Iranit nuk i lejohet. Çfarë vendimi budalla dhe injorant, tha Mohamad Baqer Qalibaf , kryetari i parlamentit iranian.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat