LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 14:30 më 16.04.2026
Donald Trump

Hegseth paralajmëron Iranin: Po ju vëzhgojmë, zgjidhni me mençuri

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka dërguar një paralajmërim të fortë Iranit, duke thënë se “ne po ju vëzhgojmë”.

Ai shtoi se ushtria e Iranit duhet të “zgjedhë me mençuri” përpara se t’i kujtojë Teheranit se “aftësitë tona nuk janë të njëjta”.

“Mbani mend, kjo nuk është një luftë e drejtë dhe ne e dimë se çfarë asetesh ushtarake po zhvendosni dhe ku po i zhvendosni ato”, tha Hesgeth.

Sekretari i mbrojtjes tha se SHBA-të po bëhen vetëm më të forta dhe ndërsa Irani po “nxjerr” lançuesit dhe raketat e mbetura, vendi nuk ka aftësi t’i zëvendësojë ato.

Lideri i ri i Iranit ende nuk është parë në publik - ku është ai?

Për dekada të tëra, i ndjeri Ajatollah Ali Khamenei ishte zëri i kudondodhur i vendimmarrjes iraniane.

Asnjë javë nuk kalonte pa një fjalim, një vendim, një ndërhyrje të planifikuar.

Gjatë negociatave të epokës së Obamas mbi programin bërthamor të Teheranit, ai ishte shumë i dukshëm.

Por e gjithë kjo ndryshoi pas vrasjes së tij dhe emërimit të nxituar të djalit të tij, Mojtaba, si pasardhës.

Iranianët nuk e kanë parë dhe as nuk e kanë dëgjuar udhëheqësin e tyre të ri.

Mesazhi i tij i parë i supozuar u lexua me zë të lartë nga një prezantues i televizionit shtetëror mbi një fotografi statike.

Me SHBA-në dhe Iranin që tani po ndjekin në mënyrë aktive diplomacinë, mbetet një pyetje e hapur se çfarë roli po luan Khamenei i riu, nëse ka ndonjë.

A është ai në dijeni? A po vendos parametrat, duke vizatuar vijat e kuqe që u nevojiten negociatorëve të tij?

Apo zyra e lidershipit është funksionalisht e zbrazët, dhe mungesa e tij është më pak një zgjedhje strategjike sesa një realitet politik?

Sa më gjatë që Khamenei qëndron larg syrit të publikut, aq më të forta do të bëhen pyetjet.

A kemi hyrë në një fazë të re në politikën iraniane ku mbështetja e dukshme e udhëheqësit nuk është më e nevojshme?

Reuters: SHBA dhe Irani kanë bërë disa përparime në armëpushim, por mosmarrëveshjet bërthamore mbeten

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë disa përparime në përpjekjet për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve që zgjatën disa javë, por mbeten mosmarrëveshje të mëdha, kryesisht mbi programin bërthamor të Teheranit, tha një zyrtar i lartë iranian, i cituar nga Reuters.

Burimi shtoi se më shumë se gjysma e një armëpushimi dyjavor kishte kaluar tashmë pa kapërcyer dallimet kryesore midis dy palëve, kryesisht mbi ambiciet bërthamore të Iranit.

Ai tha se një vizitë e shefit të ushtrisë së Pakistanit, Field Marshal Asim Munir në Teheran kishte ndihmuar në ngushtimin e dallimeve në disa fusha, duke rritur shpresat për një zgjatje të armëpushimit dhe një rifillim të bisedimeve midis Teheranit dhe Uashingtonit.

“Udhëtimi i shefit të ushtrisë pakistaneze në Teheran ishte efektiv në uljen e mosmarrëveshjeve mbi disa çështje, por mosmarrëveshjet themelore mbeten në frontin bërthamor… Ka pasur më shumë shpresë për një zgjatje të armëpushimit dhe një raund të dytë bisedimesh”, tha zyrtari i lartë.

Ai shtoi se fati i uraniumit të pasuruar shumë të Iranit dhe kohëzgjatja e kufizimeve në programin e tij bërthamor mbeten ndër çështjet më të diskutueshme, për të cilat ende nuk është gjetur një zgjidhje.

Irani shqyrton propozimet e SHBA-së dhe mundësinë e një rundi të ri bisedimesh

Zyrtarët iranianë pritet të takohen më 16 prill me ndërmjetësit pakistanezë për të diskutuar për propozimet e reja amerikane dhe për të vendosur për një rund të mundshëm të dytë bisedimesh, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”.

“Pas takimit të sotëm të delegacionit pakistanez, të kryesuar nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, me zyrtarë iranianë, pala iraniane do të bëjë shqyrtimin e nevojshëm dhe më pas do të merret një vendim për rundin e ardhshëm të negociatave mes Iranit dhe SHBA-së”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim.

Shefi i ushtrisë së Pakistanit mbërriti në Teheran më 15 prill dhe u prit nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi. Një burim i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Munir, i cili kishte ndërmjetësuar rundin e parë të bisedimeve, ndodhej në Iran “për të ngushtuar hendekun” mes dy palëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha në një konferencë për media në Teheran më 15 prill se që nga përfundimi i bisedimeve, Irani ka shkëmbyer mesazhe me SHBA-në përmes Pakistanit.

“Mund të përfundojë shumë shpejt”

Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje të paqes. Megjithatë, presidenti amerikan shpesh ka pohuar se një marrëveshje është afër, vetëm për të përsëritur më vonë kërcënimet për të shkatërruar asetet e mbetura ushtarake dhe udhëheqjen e Iranit, si dhe infrastrukturën e tij energjetike.

“Mendoj se mund të përfundojë shumë shpejt. Nëse janë të mençur, do të përfundojë shpejt”, tha Trump duke iu referuar negociatorëve iranianë gjatë një interviste për Fox Business News, e regjistruar më 14 prill dhe e transmetuar më 15 prill.

“Mendoj se është afër përfundimit… e shoh si shumë afër përfundimit”, tha Trump.

Më herët gjatë 15 prillit, ai i tha New York Post se negociatorët, të cilët i përfunduan bisedimet më 11-12 prill në Islamabad pa arritur marrëveshje, mund të takohen sërish në ditët në vijim.

Nënpresdienti amerikan, JD Vance, që udhëhoqi delegacionin amerikan gjatë rundit të parë të bisedimeve, rriti mundësitë për bisedime të mëtejme duke thënë se është arritur “përparim i madh”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se një rund i ri bisedimesh “me shumë gjasa” do të mbahej në kryeqytetin pakistanez.

Armëpushimi dyjavor po shkon drejt fundit. SHBA-ja dhe Irani u pajtuan për armëpushimin më 7 prill dhe Trump ka thënë se nuk ka plane që ta zgjasë atë pas 22 prillit – kur dhe përfundon – duke sugjeruar se me gjasë një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme.

Një çështje kyç e mosmarrëveshjeve ka të bëjë me aftësinë e Iranit për të pasuruar uraniumin. Perëndimi e ka akuzuar Teheranin se synon të krijojë një armë bërthamore, ndërsa Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime civile.

Një tjetër çështje e debatueshme ka qenë mbyllja efektive nga Irani e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore ku kalon rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe gazit para se të niste lufta.

Pas përfundimit pa marrëveshje të bisedimeve në Islamabad, Trump njoftoi një bllokadë amerikane që shënjestron anijet që shkojnë drejt ose largohen nga Irani. Ngushtica lidh Evropën me Azinë përmes Kanalit të Suezit dhe konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare të tregtisë në ekonominë globale.

Një këshilltar ushtarak i liderit suprem iranian, Mojtaba Khamenei, më 15 prill paralajmëroi se Teherani do të fundosë anijet amerikane në ngushticë nëse SHBA-ja vendosë të “patrullojë” në këtë pikë kyç të transportit detar. / REL

Epilogu i konfliktit në Iran “do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë”

Zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit po lëvizin me shpejtësi, dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara nisën bllokadën detare. Përderisa Komanda Qendrore amerikane fillimisht tha se asnjë anije nuk ka kaluar përmes bllokadës së porteve iraniane dhe se gjashtë anije ishin kthyer mbrapsht, raportimet e mëvonshme sugjeruan se rreth 20 anije tregtare kishin kaluar përmes ngushticës në 24 orët e fundit. Bllokada amerikane në mënyrë specifike shënjestron anijet që hyjnë apo largohen nga portet iraniane, ndërkaq anijet që kalojnë transit për apo nga portet jo-iraniane lejohen të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të dhënë më 14 prill, Azeem Ibrahim, vëzhgues i kamotshëm i Lindjes së Mesme dhe drejtor i nismave të posaçme në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, tha se Ngushtica e Hormuzit po bëhet gjithnjë e më shumë sesa vetëm një pikë nga ku kalon nafta, duke e përshkruar atë si një hapësirë ku ndërthuren presioni ekonomik, rreziku ushtarak dhe ambicia gjeopolitike, me implikime të rëndësishme për atë që mund të ndodhë më pas.

Radio Evropa e Lirë: Dy ditë bllokadë, çfarë shini ju si objektivin kyç? A është presion apo avantazh?

Azeem Ibrahim: Është e vështirë të thuhet pasi që objektivat e SHBA-së po ndryshojnë. Rreth 88 për qind e naftës që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit nuk është naftë iraniane. Kjo do të thotë se shtetet e Gjirit – dhe konsumatorët e mëdhenj sikurse Kina, që marrin rreth një të tretën e naftës nga kjo rrugë – po preken rëndë.

Kemi parë tashmë sinjale nga Pekini që kundërshton, duke theksuar se marrëveshjet e tij energjetike me Iranin nuk janë të hapura për ndërhyrje nga jashtë. Raportet tregojnë se disa anije – veçanërisht kineze – po e anashkalojnë plotësisht bllokadën.

Nëse anijet mund të kalojnë, atëherë kjo ngre pikëpyetje serioze nëse kjo është një bllokadë, në terma realë.

“Kapacitete afatgjatë për të përballuar presionin”

Radio Evropa e Lirë: Por, SHBA-ja po synon të krijojë avantazh. Sa shpejt kjo mund të përkthehet në lëshime reale?

Azeem Ibrahim: Kjo është një nga sfidat kryesore. Ky konflikt nuk do të vendoset se kush mund të shkaktojë më shumë dëme, por kush do të durojë më shumë. SHBA-ja pa diskutim ka epërsi sa i përket fuqisë ushtarake. Por, Irani ka demonstruar se ka kapacitete afatgjate për të përballuar dhimbjen.

Gjatë luftës Iran-Irak, Irani përjetoi humbje të mëdha, përfshirë sulme kimike, por nuk kapitulloi. Për Teheranin kjo është esenciale. Koncesionet do të nënkuptonin fundin e regjimit.

Udhëheqësit iranianë po ashtu kanë studiuar konfliktet e SHBA-së, sikurse lufta e Vietnamit dhe ajo në Afganistan. Në të dy rastet, SHBA-ja arriti sukses në fushëbetejë, por në fund u tërhoq. Teherani beson se Uashingtoni s’ka durim për konfrontime të zgjatura.

Prandaj, me gjasë Irani do të presë. Gjatë dekadave, sistemi i tij është strukturuar për të duruar pikërisht këtë lloj presioni.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Irani vazhdon të rezistojë, cilët janë hapat e radhës për Uashingtonin, më shumë presion apo ndryshim të strategjisë?

Azeem Ibrahim: Nëse do të duhej të hamendësoja, do të thosha se bllokada mund të zbehet me kalimin e kohës. Anijet – veçmas ato që mbështeten nga fuqitë e mëdha – do të vazhdojnë të kalojnë. Në fund, SHBA-ja mund të shpallë një lloj fitoreje dhe të tërhiqet.

Por pasojat afatgjata mund të jenë të konsiderueshme. Irani në fakt e ka shndërruar në një armë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës globale. Kjo krijon një mundësi që Teherani të përfitojë financiarisht nga përdorimi [i Ngushticës së Hormuzit], duke u vendosur potencialisht anijeve tarifa për kalim të sigurt.

Në të njëjtën kohë, po shohim një ndryshim në zbatimin e sanksioneve. Një pjesë e naftës që më parë ishte e kufizuar – si ajo iraniane ashtu edhe ajo ruse – po rikthehen në tregje për të stabilizuar furnizimin.

Ndoshta më shqetësues është mësimi strategjik që Irani mund të nxjerrë. Me largimin e ish-liderit suprem, Ali Khamenei, dhe me ndalimin fetar që ai kishte vendosur për armët bërthamore që tani nuk është më detyrues, Teherani mund të arrijë në përfundimin se vetëm një parandalim bërthamor mund të pengojë konflikte të ardhshme. Një rezultat i tillë do të binte ndesh me objektivat e pothuajse të gjithë aktorëve ndërkombëtarë.

A mund të frenohet hakmarrja iraniane?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ketë hakmarrje, sa mund të mbetet ajo e kufizuar? Dhe, çfarë tregon kjo për rrezikun e përshkallëzimit më të gjerë, a jemi pranë një pike ku konflikti mund të zgjerohet përtej Ngushticës së Hormuzit dhe të përfshijë aktorë të tjerë rajonalë ose të jashtëm?

Azeem Ibrahim: Irani tashmë ka sinjalizuar se mund të shënjestrojë impiantet e desalinizimit në të gjithë Gjirin Persik. Në një rajon ku mungesa e ujit është e theksuar, kjo do të ishte katastrofike.

Po ashtu, bazat ushtarake amerikane – që prej kohësh konsideroheshin të sigurta falë epërsisë ajrore – po bëhen gjithnjë e më të cenueshme ndaj dronëve dhe sulmeve me raketa. Fushëbeteja ka ndryshuar.

Ekziston gjithashtu përfshirje e jashtme. Mbështetja nga Rusia në inteligjencë dhe nga Kina në pajisje e ndërlikon balancën. Irani ende ka një avantazh të konsiderueshëm asimetrik.

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëndrimi i aleatëve të SHBA-së për këtë çështje?

Azeem Ibrahim: Sfida është se vendet që preken më së shumti nga ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit mund të mos e fajësojnë Iranin, ato mund të fajësojnë Uashingtonin.

SHBA-ja është prodhuesja më e madhe e naftës në botë dhe preket pak nga tronditjet në zinxhirin e furnizimit. Por, vendet që varen shumë nga energjia e Gjirit mund të përballen me pasoja të rënda. Shumë prej tyre tashmë po eksplorojnë kanale të pavarura diplomatike me Teheranin.

Po shohim shenja të fragmentimit në rendin ndërkombëtar, që SHBA-ja ka ndihmuar të ndërtohet. Disa qeveri po e shqyrtojnë hapur mundësinë që të anashkalojnë Uashingtonin në negociata. Ky është një ndryshim i rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë: A po përfitojnë Kina dhe Rusia nga kjo situatë?

Azeem Ibrahim: Po. Ata e shohin SHBA-në duke u përfshirë në një tjetër konflikt të kushtueshëm dhe të ndërlikuar në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Uashingtoni po shpenzon burime të mëdha dhe po e shteron sasinë e municioneve kyç.

Kjo po ashtu nxjerr në pah kufizimet e bazës industriale të mbrojtjes në SHBA dhe Evropë. Mbajtja e një konflikti afatgjatë dhe me intensitet të lartë po rezulton i vështirë.

Për Kinën në veçanti ka mundësi strategjike. Në mënyrë hipotetike, edhe një bllokadë e Tajvanit mund të zhvendosë presionin global në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh rolin qendror të Tajvanit në prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej një rezultat i suksesshëm?

Azeem Ibrahim: Në mënyrë ideale, do të nënkuptonte një marrëveshje të negociuar ku Irani angazhohet që të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore, lejon inspektime të plota nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe ndërmerr hapa për të ulur tensionet rajonale. Në këmbim, do të përfitonte lehtësim të sanksioneve dhe një shkallë riintegrimi ekonomik në sistemin global.

Por, ky rezultat, sipas mendimit tim, po duket gjithnjë e më pak i mundshëm. Nga perspektiva e Teheranit, edhe pranimi i këtyre kërkesave mund të mos ofrojë garanci të qëndrueshme sigurie. Udhëheqja mund të llogarisë se marrëveshjet mund të anulohen ose të minohen me kalimin e kohës dhe se konfrontimi me SHBA-në dhe partnerët e saj, në thelb, i pashmangshëm.

Në këtë bazë, ata mund të arrijnë në përfundimin se strategjia më racionale në terma afatgjatë është të përballojnë presionin tani dhe më vonë të dalin me aftësi më të forta parandalimi, në vend që të mbështeten në një marrëveshje që mund të mos respektohet ose të mos zgjasë. Kjo është sfida me të cilën SHBA-ja duhet të përballet tani.

SHBA: Senati hedh poshtë rezolutën për tërheqjen e forcave nga Irani

Senati amerikan i udhëhequr nga republikanët hodhi poshtë të mërkurën një përpjekje të demokratëve për të ndaluar luftën e Donald Trump kundër Iranit , duke hedhur poshtë një rezolutë që do t’i kishte detyruar SHBA-të të tërhiqnin forcat e tyre nga rajoni derisa Kongresi të miratonte veprime të mëtejshme.

Votimi, i cili kaloi 52-47 , shënon herën e katërt këtë vit që Senati ka zgjedhur t’ia heqë pushtetet e luftës presidentit, në një konflikt që demokratët e konsiderojnë të paligjshëm dhe të pajustifikuar , sipas Associated Press . Republikanët thonë se do të vazhdojnë, për momentin, t’i besojnë udhëheqjes së Trump në kohë lufte, duke përmendur aftësitë bërthamore të Iranit dhe pasojat e rëndësishme të një tërheqjeje .

Por ligjvënësit republikanë janë gjithashtu të etur të shohin përfundimin e konfliktit – dhe ata mund të ndryshojnë mendje në të ardhmen e afërt.

Sipas Aktit të Pushteteve të Luftës të vitit 1973 , Kongresi duhet të shpallë luftë ose të autorizojë përdorimin e forcës brenda 60 ditëve nga fillimi i saj – një afat që skadon në fund të këtij muaji . Ligji lejon një zgjatje të mundshme prej 30 ditësh , por ligjvënësit e kanë bërë të qartë se duan që administrata të hartojë një plan për t’i dhënë fund konfliktit së shpejti.

Irani kërcënon se do të fundosë anijet amerikane nëse ato përpiqen të kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit

Një këshilltar ushtarak i Udhëheqësit Suprem të Iranit , Ajatollah Ali Khamenei, kërcënoi të mërkurën se forcat e armatosura të Republikës Islamike do të “fundosin” anijet luftarake amerikane nëse ato përpiqen të “ruajnë nën kontroll” Ngushticën e Hormuzit .

“Z. Trump dëshiron të ruajë Ngushticën e Hormuzit. A është kjo vërtet puna juaj? A është puna e një ushtrie të fuqishme si SHBA-të?”, tha Mohsen Rezaei, një ish-kreu i Trupave të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike, ushtria ideologjike e Republikës Islamike, i cili u emërua këshilltar i udhëheqësit suprem në mars, për televizionin iranian.

“Anijet tuaja do të fundosen nga raketat tona”, ushtria amerikane po përballet me “rrezik”, vazhdoi ai. “Ato mund të goditen nga raketat tona, ne mund t’i shkatërrojmë”, këmbënguli zyrtari, i cili foli me veshje ushtarake.

I konsideruar si një skifter edhe brenda radhëve të Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei gjithashtu mendoi se do të ishte “mirë” nëse SHBA-të do të pushtonin Republikën Islamike në tokë. “Ne do të merrnim mijëra të burgosur dhe pastaj do të kërkonim një milion dollarë për secilin”, shpjegoi ai.

“Unë nuk jam aspak pro zgjatjes së armëpushimit”, shtoi ai, duke theksuar megjithatë se ky ishte vetëm mendimi i tij “personal”.

Mohsen Rezaei, një figurë e njohur në Iran, shërbeu si kreu i Gardës Revolucionare nga viti 1981 deri në vitin 1997.

Irani: Shqyrtojmë mundësinë e lejimit të anijeve në Hormuz përmes Omanit

Irani mund të shqyrtojë mundësinë e lejimit të anijeve që të kalojnë lirisht nëpër Ngushticën e Hormuzit nga ana e Omanit.

Një vendim i tillë shihet si pa rrezik të sulmit, bazuar në propozimet që Irani ka paraqitur në negociatat me Shtetet e Bashkuara, nëse arrihet një marrëveshje për të parandaluar një rigjallërim të konfliktit.

Mediat e huaja raportojnë se Irani do të ishte i gatshëm të lejonte anijet të përdorin anën tjetër të ngushticës, në ujërat e Omanit, pa u penguar nga Teherani.

Propozimi varet nëse Uashingtoni është gati të përmbushë kërkesat e Teheranit.

Shtëpia e Bardhë mohon se ShBA-ja ka kërkuar zgjatje të armëpushimit nga Irani

Sekretarja e shtypit e Donald Trump, Karoline Leavitt është pyetur në lidhje me zgjatjen e mundshme të marrëveshjes dyjavore të armëpushimit ShBA-Iran.

“Pashë disa raportime – përsëri, raportime të këqija – këtë mëngjes se kishim kërkuar zyrtarisht një zgjatje të armëpushimit. Kjo nuk është e vërtetë”, thotë ajo.

“Në këtë moment, ne mbetemi shumë të angazhuar në këto negociata, në këto bisedime. 

“Këtë javë dëgjuat nga nënkryetari [JD Vance] drejtpërdrejt dhe nga presidenti se këto biseda janë produktive dhe të vazhdueshme, dhe ja ku jemi tani.”

Megjithatë, Leavitt shton se SHBA-ja “ndihen mirë në lidhje me perspektivat e një marrëveshjeje” me Iranin.

E pyetur nga një gazetar nëse një raund i dytë i mundshëm bisedimesh me Iranin do të mbahej në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, ajo tha se negociatat “ka shumë të ngjarë të zhvillohen në të njëjtin vend siç ishin herën e fundit”.

Netanyahu: Izraeli është i përgatitur për çdo skenar

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se vendi i tij është i përgatitur për çdo skenar, sa i përket luftrës në Iran dhë në Liban.

Në një video-adresim, Netanyahu ka thënë se Izraeli është në prag të eliminimit të një siç e ka quajtur, “fortese të madhe të Hezbollahut”, në jug të Libanit.

“Forcat tona vazhdojnë të godasin Hezbollahun, jemi gati të mposhtim Binat Jebail. Në të njëjtën kohë, dje i dhashë udhëzime IDF-së që të vazhdojë të trashet zona e sigurisë. Miqtë tanë amerikanë na mbajnë të informuar mbi kontaktet me Iranin.”, ka thënë kryeministri izraelit.

Netanyahu ka deklaruar se qëllimet e Izraelit në luftë mbeten të përafërta me ato të Shteteve të Bashkuara.

“Është ende shumë herët për të thënë se si do të përfundojë kjo apo edhe si do të përparojë. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, ka deklaruar ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat