LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 22:43 më 10.04.2026
Donald Trump

Trump: Anijet amerikane po mbushen me municione!

Anijet luftarake amerikane po rimbushen me “municionet më të mira” për të rinisur sulmet ndaj Iranit nëse bisedimet e paqes dështojnë në Pakistan, tha Donald Trump sot për New York Post.

“Do ta zbulojmë brenda rreth 24 orësh, do ta dimë së shpejti,” shtoi ai.

“Kemi një rivendosje në plan. Po i ngarkojmë anijet me municionet më të mira, armët më të mira të prodhuara ndonjëherë – madje edhe më të mira se ato që bëmë më parë dhe i shpërthyem”, tha ai.

Trump tha se nëse nuk arrihet një marrëveshje, “ne do t’i përdorim ato me shumë efikasitet”.

Presidenti amerikan kishte postuar sot në platformën e tij Truth Social, duke iu referuar në mënyrë të paqartë “RIVENDOSJES MË TË FUQISHME NË BOTË”.

Trump thotë se e vetmja arsye që iranianët janë gjallë është të negociojnë

Nga: H.O.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se e vetmja arsye pse iranianët janë gjallë "është për të negociuar".

Në një postim në platformën e tij Truth Social, presidenti thotë: "Iranianët nuk duket se e kuptojnë se nuk kanë karta, përveç një zhvatjeje afatshkurtër të botës duke përdorur rrugët ujore ndërkombëtare.

"E vetmja arsye pse ata janë gjallë sot është për të negociuar!"

Rreziqet e mëdha të diplomacisë së Ruttes në SHBA

Kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, doli në skenë në Institutin Reagan më 9 prill, ai përcolli një mesazh pragmatizmi, më shumë sesa paniku: NATO-ja nuk është një forcë e konsumuar në krizë, por një shtyllë në tranzicion.

“Nuk jemi duke ‘fishkëllyer pranë varrezave’”, deklaroi Rutte - një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj narrativit të përsëritur për rënien institucionale.

Në vend të kësaj, ai përvijoi një vizion rigjallërimi - një “Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fuqishme”, e mbështetur nga pesha e domosdoshme e udhëheqjes së SHBA-së.

Megjithatë, pas këtij optimizmi të kujdesshëm qëndron një realitet më i ndërlikuar.

Pyetja kryesore rreth vizitës së tij në Uashington është kjo: a arriti Rutte t’i ulë tensionet gjithnjë e më të larta mes SHBA-së dhe Evropës, apo, thjesht, i përshkroi ato në një mënyrë më të butë dhe diplomatike?

Degë ulliri diplomatike

Teza kryesore e Ruttes ishte sa një “degë ulliri” diplomatike, aq edhe një argument ekonomik.

Ai argumentoi se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë siguruar fitoren e shumëkërkuar në debatin e gjatë për ndarjen e barrës brenda NATO-s.

Sipas tij, pas viteve të presionit të fortë - sidomos gjatë presidencës së Donald Trumpit - aleatët evropianë po i përgjigjen thirrjes.

Ata po rrisin shpenzimet për mbrojtjen, po forcojnë industrinë ushtarake dhe po synojnë një nivel të ri investimesh prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto.

Kjo, tha Rutte, po e riformëson në mënyrë thelbësore “ADN-në” e aleancës.

“Epoka e varësisë së pashëndetshme po përfundon”, tha ai, duke e paraqitur këtë tranzicion si lindje të një “partneriteti të vërtetë”.

Dhe, duke u fokusuar te përparimi i arritur dhe jo te tensionet e së kaluarës, Rutte, tërthorazi, e ftoi Uashingtonin të shpallë fitore dhe të ecë përpara.

Mospërputhja e diplomacisë publike dhe private

Brishtësia e kësaj “fitoreje” ishte e dukshme vetëm 24 orë më parë.

Takimi i Ruttes me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte, sipas përshkrimit të tij, “i sinqertë dhe i hapur”.

Ndërsa raporti personal midis të dyve mbetet i paprekur, optika, këtë herë, ishte zhgënjyese.

Ndryshe nga takimet e tyre të mëparshme, më performuese, kësaj here nuk kishte konferencë të përbashkët për për media - apo asnjë skenë të përbashkët për të projektuar një front të unifikuar.

Pavarësisht konsultimeve të ndara të Ruttes me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, atmosfera politike mbeti e tensionuar.

Trump përsëri e kritikoi publikisht NATO-n si aleancë jo të besueshme, duke rikthyer pakënaqësitë e vjetra dhe duke përmendur edhe çështjen e Grenlandës.

Rutte, gjithmonë diplomat, pranoi se ka fërkime, duke vënë në dukje se frustrimet e Trumpit burojnë nga një ndjenjë se “shumë aleatë nuk janë me të”.

Por, kundërargumenti i Ruttes ishte i qartë: shumica e vendeve evropiane tani kanë bërë pikërisht atë që Uashingtoni ka kërkuar. Ky “realitet i dyfishtë” - ku forca operacionale e aleancës shoqërohet nga paqëndrueshmëria politike - mbetet paradoksi kryesor i NATO-s moderne.

Pika e fërkimit: Rasti i Iranit

Përçarjet e fundit për Iranin kanë nxjerrë në pah vazhdimësinë e boshllëqeve në koordinim.

Rutte pranoi se disa aleatë ishin “pak të ngadaltë” në mbështetjen e iniciativave të SHBA-së, duke ia atribuar hezitimin mungesës së konsultimeve paraprake.

Ndërsa Evropa tani ofron logjistikë thelbësore dhe mbështetje bazë, situata nxori në pah një defekt të përsëritur: kërkesën për parashikueshmëri, kundrejt realitetit të veprimit të njëanshëm.

Vlen të përmendet se asnjë kryeqytet evropian nuk është zotuar për përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake në ndonjë përpjekje të udhëhequr nga SHBA-ja, për të detyruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Për më tepër, refuzimi i Spanjës për të ofruar qasje në hapësirën e saj ajrore për operacione të caktuara të SHBA-së, shërben si një kujtesë e fortë se shtrirja politike nuk përkthehet gjithmonë në sinkronizim ushtarak.

Forca strukturore kundrejt brishtësisë politike

David Cattler, i cili shërbeu si ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për inteligjencën dhe sigurinë deri në vitin 2023, sugjeron se këto tendosje janë më shumë sesa, thjesht, probleme në rritje.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Cattler - tani bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe Qendrën Ndërkombëtare për Studime të Mbrojtjes - paralajmëron se aleanca është ushtarakisht e fuqishme, por politikisht e brishtë.

“Kjo shkon përtej fërkimit rutinor transatlantik”, thotë Cattler.

“Rreziku nuk është një përçarje dramatike, por një erozion gradual i kohezionit që ndryshon mënyrën se si aleatët planifikojnë dhe veprojnë”, shton ai.

Lidhur me ndarjen e barrës, Cattler vë në dukje se trajektorja fiskale është pozitive, por shton se debati ka evoluar.

“Nuk ka të bëjë më vetëm me shpenzimet totale; ka të bëjë me harmonizimin. Aleatët mund të përshtaten me presionin, por ata kanë vështirësi të përshtaten me paparashikueshmërinë”, thotë Cattler.

Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk është ndonjë politikë specifike, por se si aleatët i deshifrojnë sinjalet - shpesh kontradiktore - që burojnë nga Uashingtoni.

Cattler thotë se një Evropë më autonome duhet të trajtohet me kujdes, për të siguruar që ajo e përforcon dhe nuk e fragmenton frenimin kolektiv.

Ndërsa SHBA-ja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te rajoni i Indo-Paqësorit, ai thekson se prioritet kryesor i NATO-s duhet të mbetet siguria në zonën euro-atlantike.

Sipas tij, ky mision nuk duhet të dobësohet, sepse, në të kundërtën, rrezikohet vetë roli dhe qëllimi themelor i aleancës.

Vazhdimësia në Kongres

Ndërsa dega ekzekutive në SHBA dërgon sinjale të përziera, Kongresi po përpiqet të paraqesë një bazë të qëndrueshme stabiliteti.

Në një rast të rrallë bashkëpunimi mes partive, një grup senatorësh - të udhëhequr nga demokratja Jeanne Shaheen nga Nju Hempshir dhe republikani Thom Tillis nga Karolina e Veriut - publikuan më 9 prill një deklaratë të përbashkët, ku konfirmuan angazhimin e tyre “të hekurt” ndaj aleancës 75-vjeçare.

Ky grup, që përfshin figura të rëndësishme nga spektri politik, theksoi se çdo tërheqje e SHBA-së nga NATO-ja, do të kërkonte ligjërisht miratimin e Senatit.

Edhe pse ata përsëritën qëndrimin e Trumpit se aleatët duhet të mbajnë barrën e tyre - duke pranuar se presioni i tij ka dhënë rezultate - paralajmëruan se paqartësia politike në Uashington vetëm sa i inkurajon kundërshtarët si Moska dhe Pekini.

Vizita e Ruttes në Uashington nuk u dha zgjidhje ndarjeve transatlantike, por i bëri ato më të qarta.

Nga njëra anë, NATO-ja sot është më e fortë se më parë: ka më shumë financim, është më e vetëdijshme për rolin e saj dhe më e aftë ushtarakisht. Nga ana tjetër, besimi politik mbetet i dobësuar, për shkak të pasigurisë dhe prioriteteve të ndryshme globale.

Arritja kryesore e Ruttes ishte mënyra se si i paraqiti këto tensione - jo si shenja dobësimi të aleancës, por si pjesë e një procesi të ndryshimit dhe përshtatjes.

SHBA i bën thirrje Irakut t’i parandalojë sulmet nga grupet e lidhura me Iranin

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se e thirri në takim të enjten ambasadorin e Irakut për t’i dënuar “sulmet e rënda terroriste” nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane në Irak.

Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë sulme ndaj interesave të tyre dhe presin që Qeveria irakiane t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për t’i shpërbërë grupet e milicive të lidhura me Iranin në Irak”, tha zëdhënësi Tommy Pigott në një deklaratë.

Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, e thirri ambasadorin irakian, Nazar Al-Khirullah, dhe para tij shprehu “dënimin e fortë” të Qeverisë amerikane për sulmet, “përfshirë një pritë më 8 prill ndaj diplomatëve amerikanë në Bagdad”, tha Pigott.

Ai nuk dha hollësi të tjera mbi rreth pritës së supozuar.

Iraku u përfshi në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, pasi kishte sulme të vazhdueshme ndaj interesave amerikane, veçanërisht në Ambasadën amerikane në Bagdad.

Grupet e armatosura proiraniane njoftuan të mërkurën se do t’i pezullonin sulmet e tyre për dy javë, pas shpalljes së armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

“Derisa i njohu përpjekjet e forcave të sigurisë irakiane për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve terroriste, zëvendëssekretari theksoi dështimin e Qeverisë irakiane për t’i parandaluar ato”, tha Pigott.

Ai shtoi se marrëdhëniet SHBA-Irak janë ndikuar negativisht nga fakti se “disa elementë të lidhur me Qeverinë irakiane vazhdojnë të ofrojnë mbulim politik, financiar dhe operacional për milicitë”. / REL

Donald Trump: Falë meje, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani nuk do të arrijë kurrë të sigurojë armë bërthamore, duke ia atribuar këtë zhvillim politikave të tij.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump reagoi ndaj një artikulli të publikuar nga The Wall Street Journal, të cilin e akuzoi për pasaktësi dhe kritika të pabazuara.

“Wall Street Journal, një nga bordet editoriale më të këqija dhe më të pasakta në botë, pretendoi se kam shpallur fitore të parakohshme ndaj Iranit. Në fakt, kjo është një fitore dhe nuk ka asgjë ‘të parakohshme’ në të”, shkroi ai.

Trump theksoi më tej se, sipas tij, falë veprimeve të ndërmarra gjatë drejtimit të tij, “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”. Ai shtoi gjithashtu se shumë shpejt pritet që furnizimi me naftë të rifillojë normalisht, “me ose pa ndihmën e Iranit”.

Nuk i mbijetoi plagëve nga sulmi ajror, vdes ish-ministri i Jashtëm iranian Kamal Kharazi

Ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Kamal Kharazi, ka ndërruar jetë pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë një sulmi ajror në Teheran javën e kaluar.

Sipas mediave iraniane, Kharazi ishte shtruar në gjendje kritike në spital pasi u plagos rëndë gjatë bombardimit të banesës së tij. Ai shërbeu si ministër i Jashtëm i Iranit në periudhën 1997–2005 dhe ishte gjithashtu këshilltar i liderit suprem, Ali Khamenei.

Sulmi ajror ndodhi më 1 prill, në kuadër të një serie goditjesh të raportuara si të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj objektivave në Teheran.

Gjatë të njëjtit bombardim, u godit edhe shtëpia e familjes Kharazi, ku përveç plagosjes së tij, humbi jetën edhe bashkëshortja e ish-kryediplomatit.

Trump kritikon Iranin: Po lejon kalimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të pandershme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj Iranit përmes një postimi në platformën Truth Social, duke e akuzuar se po vepron në mënyrë “të dobët dhe të pandershme” në lidhje me qarkullimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit.

“Irani po bën një punë shumë të dobët, të pandershme do të thoshin disa, duke lejuar që nafta të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ka raportime se Irani po u ngarkon tarifa cisternave që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Më mirë të mos e bëjnë këtë dhe, nëse po, më mirë të ndalen tani”, shkroi Trump, duke shtuar në fund: “Kjo nuk është marrëveshja që kemi”.

Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku kjo rrugë ujore përbën një nga arteriet më të rëndësishme për transportin global të naftës. Çdo ndërhyrje në lirinë e lundrimit në këtë zonë ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Sipas raportimeve të verifikuara nga BBC Verify, të paktën nëntë anije kanë kaluar gjatë ditës së sotme në këtë kanal strategjik. Ndërkohë, zëdhënësja e Trump kishte deklaruar më herët se presidenti kishte hedhur si ide edhe mundësinë e rritjes së të ardhurave nga anijet që kalojnë në këtë ngushticë.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa deklaratat e fundit pritet të shtojnë më tej vëmendjen ndërkombëtare mbi sigurinë dhe stabilitetin në Gjirin Persik.

Lufta e Iranit: Kush fitoi dhe kush humbi influencë

Njoftimi për një armëpushim dyjavor mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara e ka pezulluar luftën, pas 40 ditësh sulmesh dhe kundërsulmesh intensive. Si gjithmonë, civilët kanë qenë ata që kanë vuajtur më së shumti nga lufta. Mijëra janë vrarë ose plagosur dhe shumë të tjerë janë zhvendosur. Shtëpi, infrastrukturë dhe mjete jetese janë shkatërruar — në Iran, në Izrael dhe në mbarë rajonin.

Pavarësisht armëpushimit me Iranin, Izraeli ka vazhduar fushatën e tij ushtarake kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban. Vetëm disa orë pasi u shpall armëpushimi, Izraeli kreu sulmet më të rënda ndaj vendit fqinj që nga intensifikimi i konfliktit me Hezbollahun muajin e kaluar.

Lufta nuk ka fitues. Por konfliktet e riformësojnë politikën globale. Ato ndikojnë në aleancat, tregjet e energjisë dhe influencën globale. Duke e parë luftën me Iranin nga kjo perspektivë, shihet qartë se si balancat e pushtetit po riformatohen përtej Lindjes së Mesme.

Irani: regjimi nën presion, por ende qendron në këmbë

Irani ka qenë në qendër të konfliktit. Që nga 28 shkurti, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme të rënda ajrore kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturës energjetike. Sipas grupit për të drejtat e njeriut HRANA me seli në SHBA, më shumë se 3.600 persona janë vrarë në Iran. Ky numër përfshin udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe shumë figura të tjera të larta politike dhe ushtarake, por gjithashtu edhe 165 persona në një shkollë vajzash, shumica prej tyre fëmijë. Pavarësisht humbjes së udhëheqjes së tij, thelbi i sistemit politik të Iranit mbetet i paprekur.

"Nuk ka asnjë lëvizje drejt ndryshimit të regjimit,” i tha DW‑së analisti politik amerikan dhe president i Eurasia Group, Ian Bremmer. "Nuk ka asnjë lëvizje drejt shpëtimit të popullit iranian, gjë që, të paktën në ditët e para të konfliktit, presidenti Trump thoshte se ishte një qëllim.”

Në përgjigje, regjimi iranian ndërmori një hap me rrezik të lartë. Ai në mënyrë efektive bllokoi Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar, duke lejuar përdorimin e saj vetëm për disa vende. Ky është një kanal i ngushtë detar përmes të cilit kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Ky veprim rriti çmimet globale të naftës dhe shtoi presionin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Strategjia dha rezultat. Teherani arriti të sigurojë një armëpushim pa pranuar humbjen. Qeveria mund ta paraqesë armëpushimin si provë se i rezistoi Shteteve të Bashkuara dhe gjithë fuqisë së tyre ushtarake. Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar planin 10‑pikësh të Iranit si bazë për bisedime. Regjimi iranian ka mbijetuar dhe ka fituar kohë për të tentuar ta formësojë fazën e ardhshme në kushte më të favorshme.

Shtetet e Bashkuara: fitore ushtarake, kufizime politike

Presidenti Trump e ka quajtur rezultatin një "fitore totale dhe të plotë”.

Shumë analistë nuk bien dakord.

"Ata kanë arritur disa objektiva,” i tha DW‑së Ian Bremmer. "Nëse shikoni dëmet e shkaktuara ndaj kapaciteteve ushtarake të Iranit, aftësive të tij balistike konvencionale dhe kapaciteteve detare, një pjesë e madhe e tyre është degraduar rëndë.”

Edhe pjesë të programit të tij bërthamor janë dëmtuar rëndë. Kjo ka rëndësi për Uashingtonin, i cili thotë se ndalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore ishte një objektiv kyç.

Por SHBA‑ja ka pësuar gjithashtu humbje. Sulmet iraniane dëmtuan ose shkatërruan sisteme radari dhe avionë me vlerë miliarda dollarë. Reputacioni i saj si mbrojtëse e aleatëve të Gjirit është dëmtuar seriozisht, pasi Irani goditi fqinjët e tij — jo vetëm bazat amerikane, por edhe infrastrukturë kyçe. Marrëdhëniet me Evropën dhe NATO‑n u tensionuan nga fakti që Uashingtoni e nisi luftën pa u konsultuar me aleatët e tij. Armëpushimi ka ndalur sulmet ndaj forcave amerikane dhe, për momentin, ka ulur rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale, një prioritet kryesor për SHBA‑në. Pritet që Ngushtica e Hormuzit të rihapet, duke lehtësuar presionin mbi tregjet e naftës.

Uashingtoni do të kthehet në tryezën e negociatave me Iranin, aty ku ndodheshin në fillim të luftës. Megjithatë, SHBA‑ja nuk e ka ndryshuar qendrimin e Iranit në mënyrën që synonin, ndërsa kostoja për reputacionin e tyre ndërkombëtar mbetet ende për t'u parë.

Izraeli: fitore taktike, rreziqe afatgjata

Izraeli ka dobësuar kapacitetet ushtarake të Iranit. Ai ka treguar se mund të godasë shumë përtej kufijve të tij dhe vazhdon të gëzojë mbështetje të fortë nga SHBA‑të.

Në të njëjtën kohë, lufta nxori në pah dobësi. Raketat iraniane vendosën mbrojtjen ajrore të Izraelit nën presion të vazhdueshëm dhe disa prej tyre depërtuan, duke vrarë më shumë se 30 persona. Kërcënimi nga Irani dhe aleatët e tij rajonalë mbetet.

Fawaz Gerges nga London School of Economics i tha DW‑së se Izraeli mund të dalë nga lufta "shumë më i dobët”. Ai argumenton se dëmi diplomatik ka gjasa të jetë i konsiderueshëm, veçanërisht në fqinjësinë e tij — shtetet e Gjirit tani kanë më pak gjasa të thellojnë lidhjet me Izraelin.

Kina: përfituese afatgjatë

Kina ka gjasa të përfitojë në afat të gjatë. SHBA‑ja ka zhvendosur shumë mjete ushtarake në Lindjen e Mesme për të mbrojtur lundrimin pranë Ngushticës së Hormuzit. Kjo lë më pak burime për rajonin Indo‑Paqësor, ku Uashingtoni dhe Pekini konkurrojnë për ndikim.

"Kina përfiton jo vetëm sepse SHBA-ja është më pak e përqendruar në mjedisin ushtarak aziatik, por edhe sepse Shtetet e Bashkuara shihen si shumë më pak të besueshme nga vetë aleatët e tyre,” tha Bremmer. "Dhe kjo do të thotë se Kina, në krahasim, shihet si një aktor relativisht i qëndrueshëm.”

Pekini bëri thirrje për përmbajtje gjatë gjithë luftimeve dhe e mirëpriti armëpushimin. Ai u paraqit si një aktor global i përgjegjshëm, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e tij ekonomike.

Kina blen më shumë se 80% të eksporteve të naftës së Iranit, shpesh me çmime të ulura. Por kohët e fundit ajo ka krijuar rezerva të mëdha energjetike, gjë që i mundëson të përballojë luhatjet e çmimeve më mirë se shumë rivalë.

Rusia: përfitime nga destabilizimi

Lufta e ka ndihmuar Rusinë në disa mënyra. Rritjet e çmimeve të energjisë rritën të ardhurat e Moskës në një kohë kur buxheti i saj ishte nën presion për shkak të luftës në Ukrainë. Sanksionet u lehtësuan përkohësisht, ndërsa vendet kërkonin burime alternative nafte.

Edhe pse çmimet kanë rënë që nga armëpushimi, një përfitim tjetër mbetet: vëmendja globale është larguar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Për më tepër, "Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një pjesë të madhe të kapaciteteve të tyre ushtarake në Gjirin Persik. Kjo do të thotë se sistemet e armëve që u nevojiten ukrainasve thjesht nuk do të jenë të disponueshme,” tha Bremmer.

E megjithatë, Irani është një vend mik, një nga të paktët që kanë mbetur në rajon, ndaj dobësimi i tij përbën një humbje për Rusinë.

Shtetet e Gjirit: përfitime të përziera me ekspozim ndaj rrezikut

Sulmet iraniane goditën Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të Gjirit. U dëmtuan objekte energjetike me vlerë miliarda dollarë dhe u trondit ndjesia e tyre e sigurisë.

Megjithatë, disa vende përfituan gjithsesi. Arabia Saudite anashkaloi Ngushticën e Hormuzit dhe arriti të mbante në qarkullim një pjesë të madhe të naftës së saj përmes Tubacionit Lindje‑Perëndim drejt Detit të Kuq.

"Buxheti i Arabisë Saudite në fakt duket shumë premtues, sepse ata po nxjerrin shumë energji në treg dhe po e shesin me një çmim shumë të lartë,” tha Bremmer.

Të tjerët ishin më të ekspozuar. Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) varen shumë nga punëtorët dhe investitorët e huaj. "90% e mbi 10 milionë banorëve të EBA‑së janë emigrantë,” tha Bremmer. "Dhe ata duhet të ndihen të sigurt se ky është një vend i sigurt për ta.”

Frika nga pasiguria ka dëmtuar imazhin e tyre si strehë të sigurta — një shtyllë kyçe e modelit të tyre ekonomik.

Evropa: kosto e lartë ekonomike dhe frikë nga pasoja të mëtejshme

Çmimet më të larta të energjisë goditën familjet dhe industrinë në Evropë, ashtu si në shumë pjesë të tjera të botës. Ndërprerjet në transportin detar ndikuan tregtinë dhe presionet nga inflacioni u rritën, në një kohë kur shumë ekonomi evropiane ndodheshin nën tension.

Situata ka thelluar përçarjet brenda aleancave tradicionale. Qeveritë evropiane refuzuan të mbështesin operacionet ushtarake të SHBA‑së. Disa gjithashtu nuk lejuan përdorimin e hapësirës ajrore për misione sulmuese. Presidenti Trump reagoi duke kërcënuar sërish se do ta tërhiqte SHBA‑në nga NATO — një skenar që shumë evropianë e kanë frikë.

Pakistani: moment diplomatik

Pakistani luajti një rol qendror në ndërmjetësimin e armëpushimit dhe tani pritet të ndërmjetësojë bisedime të mëtejshme.

Për kryeministrin Shehbaz Sharif, ky është një sukses i madh diplomatik. Pakistani ka lidhje si me Uashingtonin ashtu edhe me Teheranin dhe për javë të tëra ka përcjellë në heshtje mesazhe midis tyre.

Rezultati e ka forcuar rolin e Pakistanit si një ndërmjetësues i rëndësishëm rajonal. Rivali i tij, India, qëndroi në hije dhe është goditur rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë. / DW

“Taksa” në Ngushticën e Hormuzit mund të jetë e kundërligjshme, paralajmërojnë ekspertët

Mes raportimesh se Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë duke e konsideruar vendosjen e një takse për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, njohës të çështjeve detare paralajmërojnë se një vendim i tillë mund të ketë efekt zinxhir edhe në shtetet tjera.

“Ky është kalim ndërkombëtar falas”, ka thënë Olav Myklebust, menaxher norvegjez i cisternave të naftës, prandaj, sipas tij, "rregullat janë shumë të qarta”.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat për Detin, anijeve që bëjnë “kalime paqësore” nëpër ujërat territoriale të një shteti, nuk mund t’iu vendoset taksë.

Por, ndonëse ekzistojnë këto parime, në Konventën e OKB-së mbi të Drejtat për Detin përmendet edhe që anijet mund të detyrohen të paguajnë për “shërbime specifike”.

Kështu, Irani mund të organizojë konvoje nëpër Ngushticë dhe të kërkojë tarifa për këtë shërbim.

Mirëpo, Myklebust vlerëson se “Iranit nuk i ka mbetur asnjë anije shoqëruese”, pasi marina i është shkatërruese pothuajse tërësisht në ditët e para të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Më 8 prill, pas arritjes së një armëpushimi të përkohshëm në luftë, presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve se Amerika është duke e konsideruar mundësinë që bashkë me Teheranin të vendosë tarifë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabdi ka deklaruar më parë se Teherani është duke punuar në një protokoll me Omanin për të kërkuar “leje” për anijet që dëshirojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Mirëpo, Omani e ka mohuar se është në kërkim të taksave.

Dimitris Ampatzi, menaxher në kompaninë MarineTraffic, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që nëse kompanitë transportuese detyrohen të bashkëpunojnë me ushtrinë iraniane për të kaluar Ngushticën e Hormuzit, atëherë “ne mund të shohim vonesa dhe në disa raste edhe hezitim të pronarëve të anijeve që të hyjnë nëpër atë zonë”.

Myklebust, i cili ka kaluar disa herë me cisterna në Ngushticën e Hormuzit, ka thënë se pavarësisht nëse taksat janë ligjore “besoj se momentalisht, kompanitë transportuese do të duhet të pranojnë të paguajnë këtë taksë të raportuar prej 2 milionë dollarësh”.

Sipas tij, kompanitë me siguri do të paguajnë, për shkak se kompanitë e sigurimeve do të insistojnë që të gjitha rreziqet të shmangen sa më shumë që është e mundur para se t’i mbulojnë shpenzimet e anijeve që kalojnë nëpër ngushticë.

Myklebust ka thënë se taksa që mund të shkojë deri në 2 milionë dollarë për anije, mund të konsiderohet e vogël në disa raste, pasi shumë cisterna që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit janë në gjendje që të bartin naftë në vlerë të qindra miliona dollarëve gjatë një kalimi të vetëm.

Për anijet më të vogla, Myklebust beson se është e mundshme që të shmangen ujërat iraniane duke kaluar nëpër pikën më jugore të Ngushticës së Hormuzit, në ujërat e Omanit.

Shumë anije kanë kaluar nëpër ngushticë në ditët e fundit dhe disa raportohet të kenë paguar taksë në Iran. Rreth 22 anije tashmë janë sulmuar nga Irani në Gjirin Persik, prej nisjes së sulmeve amerikano-izraelite më 28 shkurt.

Pavarësisht optimizmit në tregjet e naftës pas arritjes së armëpushimit, Ampatzidis beson se çdo sistem taksash në Ngushticën e Hormuzit do të vërehet nga konsumatorët.

“Nëse transiti nëpër ngushticë bëhet më pak efikas ose më i kushtueshëm, kjo gjë mund të rrisë presionin mbi tarifat e transportit dhe çmimet e energjisë”.

Megjithatë, sipas tij, “shkalla e ndikimit do të varet nga ajo se sa stabile do të jenë aranzhimet në praktikë”. / REL

Lideri suprem, Mojtaba Khamenei: Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, shënoi 40 ditë nga vrasja e babait të tij, Ali Khamenei, me një mesazh që bënte thirrje për angazhim të vazhdueshëm publik.

Në deklaratën e tij, Mojtaba Khamenei theksoi se Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të bëjë kompromis me të drejtat e tij. Ai theksoi rolin e popullit në ruajtjen e pranisë në hapësirat publike gjatë 40 ditëve të fundit, duke e përshkruar atë si një demonstrim jetësor të solidaritetit.

“Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij”, tha lideri suprem i vendit, Mojtaba Khamenei.

Udhëheqësi Suprem gjithashtu dënoi fuqitë globale, duke thënë se ato zbuluan natyrën e tyre të vërtetë duke synuar fëmijët iranianë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat