LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 19:25 më 08.04.2026
Donald Trump

Diskutimet për marrëveshjen me Iranin, Trump: Do të zhvillohen me dyer të mbyllura!

Në një kohë kur bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten pezull për shkak të sulmeve izraelite në Liban, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se pikat e marrëveshjes do të diskutohen larg syrit të publikut.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump reagoi ashpër ndaj informacioneve që po qarkullojnë lidhur me negociatat, duke sulmuar burimet që, sipas tij, nuk kanë lidhje me procesin.

“Po dërgohen marrëveshje të shumta, lista dhe letra nga persona që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me SHBA-në apo negociatat me Iranin dhe në shumë raste bëhet fjalë për mashtrues të vërtetë, sharlatanë dhe edhe më keq. Ata do të zbulohen shumë shpejt pas përfundimit të hetimit tonë federal,” shkroi ai.

Presidenti amerikan theksoi se ekziston vetëm një grup “pikash thelbësore” që pranohen nga Shtetet e Bashkuara dhe që do të jenë baza e diskutimeve.

“Ekziston vetëm një grup pikash që janë të pranueshme për SHBA-në dhe do t’i diskutojmë me dyer të mbyllura gjatë këtyre negociatave. Këto janë pikat mbi të cilat kemi rënë dakord për armëpushimin. Është diçka logjike dhe mund të anashkalohet lehtësisht,” shtoi ai.

Në të njëjtin reagim, Trump sulmoi edhe median amerikane, duke përmendur konkretisht CNN, për të cilën tha se ka publikuar lajme të rreme duke u bazuar në burime pa autoritet.

“Ngjan shumë me lajmet e rreme të CNN-it mbrëmë, që i dhanë vend kryesor një ‘burimi’ që nuk kishte asnjë autoritet apo kompetencë për të shkruar një letër me të cilën pretendonte pushtet të madh,” përfundoi ai.

Tri gjëra që do të përcaktojnë nëse armëpushimi SHBA‑Iran do të çojë në paqe

Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, i cili bazohet në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

Njoftimi erdhi më pak se dy orë para se të skadonte afati i vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, në orën 20:00 të datës 7 prill.

Tregjet globale u rritën. Çmimet e naftës ranë. Liderë nga e gjithë bota shprehën lehtësim.

Por, armëpushimi po dëshmon të jetë i brishtë.

Sulme nga Irani u raportuan në shtetet arabe të Gjirit Persik, vetëm pak orë pasi ndalesa e armiqësive hyri në fuqi.

Izraeli, ndërkohë, vazhdoi sulmet në Liban ndaj Hezbollahut, grup i lidhur me Iranin, të cilin Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste.

Bisedimet në Islamabad për të siguruar një marrëveshje të përhershme paqeje do të fillojnë më 10 prill.

Të dyja palët kanë thënë se armëpushimi është i përkohshëm dhe se nuk përbën përfundim të luftës.

Cilat janë tri gjëra që mund të përcaktojnë nëse armëpushimi do të kthehet në një marrëveshje të paqes, apo thjesht do të shënojë një pushim në luftime?

Një: Gjendja e Ngushticës

Për dekada të tëra, Ngushtica e Hormuzit trajtohet si diçka e ngjashme me një pronë të përbashkët globale.

Ajo është një kalim i ngushtë, me një kanal transporti detar prej 3.7 kilometrash, midis Iranit dhe Omanit, përmes të cilit afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror në botë ka qarkulluar lirshëm, pa pengesa dhe pa taksa.

Kjo epokë tani mund të ketë mbaruar.

Korniza e armëpushimit thuhet se përfshin një dispozitë që i lejon si Iranit, ashtu edhe Omanit të mbledhin tarifa transiti nga anijet që kalojnë nëpër ngushticë. Kjo është pa precedent. Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit i ndalon qartazi shtetet me ujëra territoriale në ngushticë, të vënë tarifa për kalimin.

Sistemi i Iranit, tashmë funksional në praktikë, është më i përpunuar sesa një pikë e thjeshtë pagese.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) thuhet se kanë zhvilluar një sistem rangimi për shtetet, ku anijet nga vendet që konsiderohen miqësore, përfitojnë kushte më të favorshme. Pasi tarifa paguhet, IRGC-ja lëshon një kod të lejes dhe udhëzime për rrugën. Anijet pritet të valëvisin flamurin e vendit që negocion kalimin e tyre.

Por, kush paguan në të vërtetë? Përgjigjja instiktive - konsumatorët globalë - rezulton të jetë kryesisht e gabuar, sipas Guntram Wolffit, bashkëpunëtor i lartë në organizatën kërkimore Bruegel, me seli në Bruksel.

Meqenëse shtetet arabe në Gjirin Persik janë përgjegjëse për afërsisht 20 për qind të furnizimeve globale me naftë, ato thithin pjesën më të madhe të çdo takse të vendosur mbi ato furnizime.

“Shtetet e Gjirit do të duhet të paguajnë në të vërtetë - sipas llogaritjeve të mia, rreth 80 ose 85 për qind të vlerës së taksës”, thotë Wolff për Radion Evropa e Lirë.

“Ndërsa, konsumatorët globalë do të duhet të përballojnë vetëm rreth 20 për qind të kostos së taksës”, sipas tij.

Me fjalë të tjera, për konsumatorët e zakonshëm, taksa ka të ngjarë të jetë “e padukshme”. Për Riadin, Abu Dabin dhe Kuvajtin, do të jetë një faturë e përsëritur që do të ndikojë në fitimet e tyre.

E njëjta logjikë vlen edhe përtej naftës. Plehrat, petrokimikatet dhe mallrat e tjera me origjinë nga Gjiri përballen me një strukturë të ngjashme incidence.

Shtetet e Gjirit, pasi kanë përjetuar tashmë javë të tëra ndërprerjesh për shkak të luftës, tani përballen me perspektivën e subvencionimit të përhershëm të rindërtimit të Iranit, përmes çmimeve që paguajnë për të eksportuar burimet e tyre.

Zyrtarët iranianë kanë qenë të qartë për këtë qëllim.

“Situata në Ngushticën e Hormuzit nuk do të kthehet si para luftës”, shkroi muajin e kaluar në X kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf.

Dy: Të pasurohet apo të mos pasurohet uranium?

Kur njoftoi për armëpushimin, Trump tha se propozimi 10-pikësh i Iranit “është një bazë e zbatueshme, mbi të cilën mund të negociohet”.

Vëzhguesit thonë se të dyja palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre - dhe askund nuk është hendeku më i dukshëm sesa në çështjen e programit bërthamor të Iranit.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, versioni në gjuhën perse i planit për armëpushim përfshin frazën “pranimi i pasurimit” për programin bërthamor të Iranit - diçka që mungon në versionet në anglisht, që u ndanë gazetarëve diplomatët iranianë.

Për ta komplikuar çështjen, Trump tha më 8 prill se “nuk do të ketë pasurim” të uraniumit në Iran.

Në tekstin në gjuhën perse të propozimit, Irani thotë se të dyja palët do të negociojnë mbi nivelin e pasurimit.

“Sa i përket uraniumit, po e vëzhgojmë. E dimë çfarë kanë, do ta dorëzojnë dhe ne do ta marrim. Do ta marrim nëse na duhet”, tha sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë për media në Pentagon, më 8 prill.

Rezerva në fjalë nuk është e parëndësishme. Sipas organit mbikëqyrës bërthamor të OKB-së, Irani ka grumbulluar 440 kilogramë uranium të pasuruar - në pastërti prej 60 për qind.

Ndërmjetësuesit që punuan për armëpushim, arritën në përfundimin se zgjidhja për uraniumin shumë të pasuruar të Iranit - qoftë përmes largimit të tij nga vendi ose hollimit - mund të arrihet vetëm me një marrëveshje përfundimtare, jo me një armëpushim të përkohshëm.

Rezerva e uraniumit të Iranit, vlerësuan ata, është një nga dy pikat kryesore të negociatave të Teheranit, dhe Teherani ka të ngjarë të mos e dorëzojë atë gjatë pushimit dyjavor të konfliktit.

Tre: Çështja e Libanit

Armëpushimi mund të prishet për shkak të operacioneve ushtarake të Izraelit në Liban, të cilat vazhduan pa ndërprerje më 8 prill.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja nuk e përfshin Libanin, ku forcat izraelite kanë nisur një pushtim tokësor dhe po luftojnë Hezbollahun.

Kryeministri pakistanez, Shahbaz Sharif, ndërmjetësi kryesor i marrëveshjes, tha të kundërtën - se armëpushimi vlen edhe për Libanin.

Mosmarrëveshja nuk është një çështje teknike. Irani mbështet Hezbollahun dhe sulmet e vazhdueshme izraelite në Liban mund ta vënë Teheranin nën presion për t’u përgjigjur ushtarakisht.

Krijimi i një precedenti?

Wolff bën një konstatim që riformaton tri pikat më lart.

Irani ka demonstruar, me një kosto të lartë për veten e tij, se një fuqi e mesme mund të ushtrojë presion ekonomik paralizues mbi sistemin global, pa fituar luftën konvencionale.

A krijon kjo precedent?

“Nuk ka shumë vende që do të donin ta përjetonin atë që Irani ka përjetuar në dy javët e fundit, duke përfshirë kërcënimet për zhdukjen e qytetërimit”, thotë Wolff.

“Pra, në këtë aspekt, nuk krijon precedent. Por, krijon precedent në atë që Irani i ka treguar botës fuqinë e luftës asimetrike. Në këtë aspekt, është një disfatë strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe një fitore strategjike për çdo aktor që zotëron luftën asimetrike dhe e di se mbrojtësi i rendit ndërkombëtar, në thelb, nuk arrin ta kapërcejë atë”, përfundon Wolff. / REL

​Anijet ende të kujdesshme në përdorimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Irani lëshon paralajmërim

Ngushtica e Hormuzit është bërë një pikë qendrore e luftës SHBA-Izrael me Iranin, pasi Teherani në fakt bllokoi një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, e cila transportonte rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Një armëpushim dyjavor u ra dakord të martën në mbrëmje me kusht që të garantohej "kalimi i sigurt" përmes ngushticës - por analiza e BBC Verify tregon se vetëm disa anije e kanë kaluar që atëherë.

Përçarja, gjatë pesë javëve të fundit, ka dërguar valë tronditëse në të gjithë ekonominë botërore, duke rritur çmimet e energjisë dhe duke ekspozuar se sa të varura janë zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit nga ngushtica, e cila është vetëm rreth 33 km (21 milje) e gjerë në pikën e saj më të ngushtë.

Përveç energjisë, Gjiri është gjithashtu jetik për transportin e kimikateve të nevojshme për përpunimin e produkteve si mikroçipat, produktet farmaceutike dhe plehrat kimike.

Ndërsa çmimi i naftës ka rënë pas lajmit të armëpushimit, analistët e transportit detar po paralajmërojnë se për momentin presin vetëm një numër të vogël kalimesh.

“Shumica e linjave të transportit detar do të donin të merrnin detaje dhe siguri se çfarë duhet në të vërtetë për të transportuar, por këto detaje nuk janë të disponueshme”, tha Lars Jensen nga Vespucci Maritime për BBC-në.

Që kur armëpushimi hyri në fuqi, firma e ndërmjetësimit të transportit detar SSY i ka konfirmuar BBC Verify se anijet në Gjirin Persik kanë marrë një paralajmërim nga marina e Iranit se çdo anije që kërkon të kalojë pa leje "do të shënjestrohet dhe shkatërrohet".

Një imazh satelitor i Ngushticës së Hormuzit me anije të shënuara me shigjeta. Ai tregon qindra anije të grumbulluara pranë ngushticës që presin të kalojnë. Është vulosur në orën 14:00 BST më 8 prill.

Deri në orën 14:00 BST më 8 prill, vetëm tre anije cisterna - NJ Earth, Daytona Beach dhe Hai Long 1 - kishin kaluar nëpër ngushticë që kur u njoftua armëpushimi vonë të martën në mbrëmje.

Kjo bazohet në analizën e BBC Verify të të dhënave të gjurmimit të anijeve nga MarineTraffic.

Kjo krahasohet me 138 anije që kalonin nëpër ngushticë çdo ditë, mesatarisht, përpara se të fillonte konflikti më 28 shkurt.

Nuk e dimë nëse tre anijet që kaluan të mërkurën ishin rezultat i armëpushimit, apo nëse ato kishin planifikuar tashmë ta bënin udhëtimin.

“Është ende shumë herët për të thënë nëse kjo pasqyron një rihapje më të gjerë të nxitur nga armëpushimi apo një përjashtim të miratuar më parë”, thotë Ana Subasic nga kompania analitike e transportit detar Kpler.

"Asgjë nuk ka ndryshuar ende realisht", shton Jensen, duke argumentuar se do të duhet kohë para se ekipet të jenë mjaftueshëm të sigurta për të kaluar në mënyrë të sigurt.

Ky mendim mbështetet nga Richard Meade, kryeredaktor i Lloyd's List, i cili thotë se ka qenë një kohë "shumë e rrezikshme" për pronarët e anijeve të cilët ende përballen me një sasi të madhe pasigurie.

"Ne e dimë që Irani në thelb është ende nën kontrollin e ngushticës dhe supozimi është se pronarët e anijeve do të duhet të kërkojnë ende leje nga IRGC [Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike]... dhe se si do të funksionojë kjo ende nuk është e qartë."

Analiza e BBC Verify mbi rrugët e ndjekura nga tre anijet tregon se ato ndjekin një rrugë veriore përmes ngushticës pranë vijës bregdetare të Iranit dhe hyjnë në ujërat e tij territoriale.

Përpara konfliktit, anijet zakonisht ndiqnin një rrugë më jugore përmes mesit të rrugës ujore.

'Pothuajse 800 anije të bllokuara'

Nëse kalimet do të rifillojnë, Meade pret që anijet cisternë të bllokuara që janë të ngarkuara plotësisht me ngarkesë do të jenë të parat që do të kalojnë.

"Keni pasur gati 800 anije të bllokuara atje për disa javë. Shumica e tyre tani janë të ngarkuara me mallra, kështu që përparësia do të jetë nxjerrja e tyre."

Kohëzgjatja e armëpushimit - e cila do të zgjasë dy javë - sjell gjithashtu pasiguri për anijet, thotë Niels Rasmussen, një analist i transportit detar nga BIMCO.

"Dyshoj se do të ketë një fluks të madh anijesh në Gjirin Persik... sepse ato nuk duan të rrezikojnë të mbeten të bllokuara pasi të mbyllet afati dyjavor."

Një pasiguri tjetër është mundësia e minave detare, thotë Thomas Kazakos, sekretar i përgjithshëm i Dhomës Ndërkombëtare të Transportit Detar.

"Duhet të sigurohemi që të kemi konfirmim të qartë se siguria e lundrimit për anijet dhe detarët po bihet dakord", tha ai për BBC Verify.

Pagesat e taksës rrugore

Përveç këtyre shqetësimeve, anijet përballen me pasigurinë e mundshme të detyrimit për të bërë pagesa ndaj Iranit në mënyrë që të sigurojnë kalim të sigurt - pas raportimeve se taksat mund të jenë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.

"Pozicioni negociues iranian duket të jetë se duhet të paguash një taksë për të kaluar nëpër ngushticë dhe linjat detare gjithashtu do të ngurrojnë të ndjekin rrugën e pagimit të kësaj takse", thotë Jensen.

Disa vende - përfshirë Indinë, Malajzinë dhe Filipinet - kanë negociuar kalim të sigurt për anijet e tyre në javët e fundit .

Por pagesa e një takse mund të paraqesë një kompleksitet të shtuar për vendet e tjera dhe kompanitë e transportit detar, pasi pagesa "mund të jetë në fakt në shkelje të disa prej sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit, të cilat do të kishin pasoja të tjera në linjat e transportit detar", shton Jensen.

Sanksionet funksionojnë duke kriminalizuar pagesat ndaj individëve, kompanive dhe organizatave, shpjegon James Turner, një avokat i transportit detar nga Quadrant Chambers.

Ai i tha BBC Verify se një shkelje e sanksioneve ndodh kur pagesa i bëhet kujtdo në listë, kështu që pagesa e një takse për ta do të ishte një shkelje përveç nëse SHBA-të bëjnë një përjashtim.

Pavarësisht mungesës së kalimeve deri më tani, tregjet reaguan pozitivisht në orët pas armëpushimit.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra me rreth 13% në 94.80 dollarë (70.73 paund) për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA ishte më shumë se 15% më e ulët në 95.75 dollarë.

Megjithatë, Meade thotë se pritjet ende duhet të zbuten.

"Çmimet e naftës reaguan sepse është një lëvizje pozitive drejtimi, por nuk mendoj se kjo sugjeron në asnjë mënyrë se do të shohim që 20% e energjisë globale të kthehet në nivele normale së shpejti."

Bombarduesit amerikanë zbarkojnë përsëri në Britani pas armëpushimit SHBA-Iran

Avionët ushtarakë amerikanë u panë në pistën e bazës ajrore RAF Fairford në Gloucestershire, pasi presidenti amerikan ra dakord për një plan me dhjetë pika për të ndaluar luftën në Lindjen e Mesme.

Imazhet tregojnë trupa që kujdesen për aeroplanët, përfshirë avionin gjigant B-52 Stratofortress dhe bombarduesin e rëndë Rockwell B-1 Lancer, pas kthimit të tyre. I quajtur “Flutura e Hekurt”, B-52 ka një rreze lëshimi raketash prej më shumë se 1.500 miljesh.

Çdo avion kushton 2 miliardë dollarë dhe është i aftë të mbajë një total prej 31 ton armatimesh, duke përfshirë bomba, mina dhe raketa.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, fillimisht refuzoi të lejonte aeroplanët amerikanë të nisnin sulme nga territori britanik, por u dorëzua në ditën e dytë të konfliktit për të lejuar përdorimin e tyre për “qëllime specifike dhe të kufizuara mbrojtëse”.

Kthimi i tyre në bazën e Mbretërisë së Bashkuar vjen pasi Trump e cilësoi si një “ditë të madhe për paqen botërore” .

Presidenti amerikan ishte zotuar të lëshonte një  “sulm të shpejtë që i jep fund qytetërimit”  kundër Iranit nëse regjimi refuzonte kushtet për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Trump tha se SHBA-të do të ndihmojnë në rihapjen e menjëhershme të Ngushticës dhe do të monitorojnë trafikun që është grumbulluar që kur Irani mbylli rrugën ujore jetësore.

Teherani do të mbetet në kontroll të Ngushticës dhe do të jetë në gjendje t’u kërkojë vendeve të tjera ta përdorin atë, siç kanë bërë që nga fillimi i luftës. Raportohet se Irani po u ngarkon anijeve të huaja një tarifë prej të paktën 1 dollar për fuçi nëse dëshirojnë të kalojnë nëpër rrugën 21 milje.

Tarifat thuhet se duhet të paguhen në monedhë kineze ose në kriptovaluta për IRGC-në, me koston mesatare për një anije cisternë ndërkombëtare nafte që arrin në 2 milionë dollarë. Bisedimet e paqes për një armëpushim të përhershëm pritet të fillojnë këtë javë, me të dyja palët që kanë rënë dakord të dëgjojnë kërkesat e njëra-tjetrës.

Deklarata e  paqes  erdhi vetëm 90 minuta para se të skadonte afati i fundit i Trump për Teheranin të martën, ku ai u zotua të zhdukte kombin arab. Irani gjithashtu ka rënë dakord të mos ndërtojë armë bërthamore, arsyeja kryesore pse SHBA-të filluan konfliktin më shumë se një muaj më parë, përcaktohet në plan.

Por regjimi do të jetë ende në gjendje të pasurojë uraniumin, i cili përdoret për të krijuar energji bërthamore, sipas mediave iraniane.

Të dhënat tregojnë pak lëvizje në Ngushticën e Hormuzit - disa orë pas shpalljes së armëpushimit SHBA-Iran

Të dhënat e transportit detar tregojnë pak lëvizje në Ngushticën e Hormuzit më shumë se gjashtë orë pasi SHBA-të dhe Irani njoftuan një armëpushim, me një analist që paralajmëron se anijet dhe siguruesit do të duhet të shohin shenja të mëtejshme pozitive përpara se të rifillojnë trafikun përmes rrugës ujore jetësore.

"Armëpushimi është një hap i parë i domosdoshëm, por kjo nuk do të thotë që transporti tregtar normalizohet menjëherë përmes korsive ndërkombëtare të trafikut në Ngushticë", tha Charlie Brown, një ekspert dhe një ish-oficer i Marinës Amerikane.

"Pronarët e anijeve ende presin udhëzime autoritare nga kanalet e sigurisë detare, shtetet e flamurit dhe, në mënyrë kritike, siguruesit detarë të rrezikut të luftës përpara se të dërgojnë anije përsëri në ngushticë", shtoi Brown.

Trump e quan 'ditë të madhe për paqen botërore' - pas arritjes së armëpushimit të përkohshëm me Iranin

"Sinjali i vërtetë për t'u vëzhguar janë 'lëvizësit e parë' - anijet e para të gatshme të testojnë rrugën. Nëse këto tranzite përfundojnë në mënyrë të sigurt, besimi do të ndërtohet shpejt dhe grupi më i gjerë i vëzhgimit dhe pritjes do të pasojë".

Irani ka sulmuar të paktën 19 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, që nga fillimi i luftës.

Bllokimi më shumë se gjashtë javor i rrugës ujore ka mbytur furnizimet me naftë të papërpunuar për pjesën tjetër të botës dhe ka dëmtuar tregjet globale.

Të mërkurën në mëngjes, ministri i jashtëm i Iranit tha se "kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit".

Irani dhe Omani do të “ngarkojnë me pagesë” anijet që të kalojnë nëpër ngushticë gjatë periudhës së armëpushimit, tha agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim e Iranit. 

Garda Revolucionare e Iranit thotë se është "dora në këmbëz" gati për t'iu përgjigjur çdo sulmi

Nga: A.Sh

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se është "dora në këmbëz" gati për t'iu përgjigjur çdo sulmi me më shumë forcë, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

IRGC thotë se goditi komplekset e energjisë dhe linjat e transferimit të naftës të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin mbrëmë, duke përfshirë objektet e naftës në qytetin portual të Arabisë Saudite, Yanbu, sipas mediave shtetërore.

Nuk është e qartë nëse kjo ndodhi para apo pas marrëveshjes së përkohshme të sulmeve ndaj Iranit, të shpallur nga SHBA-ja.

Kjo vjen pasi presidenti i Iranit foli për herë të parë për marrëveshjen e armëpushimit SHBA-Iran (shih postimin 10:43).

"Armëpushimi, me pranimin e parimeve të përgjithshme të dëshiruara nga Irani, ishte fryt i gjakut të udhëheqësit tonë të madh martir Khamenei dhe arritja e pranisë së të gjithë njerëzve në vendngjarje", postoi Masoud Pezeshkian në X.

“SHBA-të po punojnë ngushtë me Iranin”, Trump pas arritjes së marrëveshjes: Po diskutohet heqja e armëve bërthamore

Presidenti amerikan, Donald Trump ka hedhur poshtë një nga pikat kyçe të Iranit për marrëveshjen e armëpushimit.

Në një postim në Truth Social, Trump thotë se SHBA-të do të “punojnë ngushtë” me Iranin, por “nuk do të ketë pasurim të uraniumit”.

Trump pajtohet me disa nga pikat e tjera, megjithatë, duke thënë se Uashingtoni do të “bisedojë për lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve” me Teheranin.

 Trump tha të martën se kishte rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, më pak se dy orë para afatit që kishte vendosur, ku deklaroi se do të shkatërrohej  një “qytetërim i tërë”.

Trump deklaroi se ky vendim vjen pas bisedimeve me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe me shefin ushtarak pakistanez, Asim Munir.

Ai tha se marrëveshja e armëpushimit u arrit me kusht që Irani të pranonte të rihapte Ngushticën kritike të Hormuzit.

Trump: Ditë e madhe për Paqen Botërore

Trump ka postuar në Truth Social për të thënë se është një “ditë e madhe për Paqen Botërore!”.

“Irani dëshiron që kjo të ndodhë, ata kanë duruar mjaft! Po kështu, të gjithë të tjerët kanë duruar!”, shkruan BBC.

Ai tha se SHBA-të do të “ndihmojnë me grumbullimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit”, duke vazhduar:

“Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të fitohen para të mëdha. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të ngarkojmë furnizime të të gjitha llojeve dhe thjesht do të “rrimë aty” për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Jam i sigurt se do të shkojë. Ashtu siç po përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!”,tha ai.

Irani pranon të hapë Ngushticën e Hormuzit për dy javë

Irani ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kushtëzuar marrëveshjen me ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj territorit të tij, sipas BBC.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili deklaroi se për një periudhë dyjavore do të garantohet kalim i sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, kjo masë synon të ulë tensionet në një nga pikat më të ndjeshme të tregtisë globale të energjisë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore.

Vendimi vjen pas një periudhe përshkallëzimi të ndjeshëm mes Teheranit dhe Uashingtonit, që kishte rritur shqetësimet për ndërprerje të furnizimeve globale dhe rritje të çmimeve të naftës.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet mes palëve, konfirmoi se armëpushimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ai e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të situatës në rajon dhe shmangies së një konflikti më të gjerë.

Analistët vlerësojnë se hapja e përkohshme e Ngushticës së Hormuzit mund të sjellë lehtësim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare, megjithatë paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë.

E ardhmja e marrëveshjes pritet të varet nga zhvillimet në terren dhe nga gatishmëria e të dyja palëve për të vazhduar dialogun diplomatik.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe vijim të negociatave, duke theksuar rëndësinë strategjike të rajonit për sigurinë globale dhe ekonominë botërore.

Kjo është deklarata e plotë e presidentit Trump për pezullimin e sulmeve ndaj Iranit!

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, më pak se dy orë përpara skadimit të afatit të tij për ta shkatërruar “një civilizim të tërë” në Iran.

Trump tha se marrëveshja për armëpushim u bë me kusht që Irani të pranojë ta rihapë Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit.

Kjo është deklarata e tij e plotë:

“Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Field Marshall Asim Munir të Pakistanit, dhe ku ata kërkuan që unë të ndaloj forcën shkatërruese që po dërgohet sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimin dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh.

Ky do të jetë një ARMËPUSHIM dypalësh! Arsyeja për ta bërë këtë është se ne tashmë kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe jemi shumë përpara me një marrëveshje përfundimtare në lidhje me PAQEN afatgjatë me Iranin, dhe PAQEN në Lindjen e Mesme. Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani, dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet.

Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të mëparshme janë rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që Marrëveshja të përfundojë dhe të finalizohet. Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë të jetë pranë zgjidhjes. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! President DONALD J. TRUMP”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat