LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 07:12 më 08.04.2026
Donald Trump

Trump vendos për Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, bie dakord për një armëpushim dyjavor nëse Irani hap Ngushticën e Hormuzit.

Trump ka deklaruar se, pas diskutimeve me udhëheqjen e Pakistanit, mund të arrihet një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit, nëse pranon të lejojë qarkullimin. 

“Jam dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh,” është shprehur ai.

“Ky do të jetë një armëpushim i dyanshëm!”

Trump shtoi se do të pranojë armëpushimin dyjavor “me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë hapjen e PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit.”

Pakistani propozon armëpushim 2-javor SHBA-Iran

Shtëpia e Bardhë ka zbuluar se Presidenti Donald Trump është njoftuar për armëpushimin dyjavor të propozuar nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif për të lejuar vazhdimin e negociatave diplomatike midis SHBA-së dhe Iranit, duke shtuar se “një përgjigje do të vijë”.

“Presidenti është njoftuar për propozimin dhe do të vijë një përgjigje”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, për CNN.

Sharif, i cili ka qenë një aktor kyç në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Uashingtonit dhe Teheranit, propozoi të martën që Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit për dy javë si shenjë e vullnetit të mirë dhe që të gjitha palët “të respektojnë një armëpushim kudo për dy javë për të lejuar diplomacinë të arrijë përfundimin përfundimtar të luftës, në interes të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”.

Sharif ofroi gjithashtu një vlerësim optimist të statusit të negociatave, duke thënë se përpjekjet diplomatike po “përparonin në mënyrë të qëndrueshme, të fortë dhe të fuqishme me potencialin për të çuar në rezultate thelbësore në të ardhmen e afërt”.

Trump thotë se “jemi në negociata të nxehta” për luftën me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë në "negociata të nxehta" për luftën me Iranin, duke refuzuar të japë detaje mbi bisedimet.

"Nuk mund t'ju them, sepse tani jemi në negociata të nxehta", tha Trump për Fox News në një intervistë të shkurtër telefonike kur u pyet se si ndihet për bisedimet.

Trump tha se ishte gati të informohej plotësisht mbi armëpushimin dy-javor të propozuar nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif - për të cilin Shtëpia e Bardhë i tha CNN më herët të martën se "do të vijë një përgjigje".

Mjeti sekret i CIA-s, i papërdorur më parë - që ndihmoi në gjetjen e pilotit të rrëzuar në Iran

"Mund ta them këtë - se e njoh shumë mirë. Ai është një njeri shumë i respektuar, kudo", tha Trump për Fox.

Në anën tjetër Trump i ka dhënë një afat Iranit që të përmbushë kërkesat e SHBA-së, përndryshe do të ballafaqohet me sulmet me të rënda të zhvilluara deri më tani mbi Iranin. 

SHBA: Ngushtica e Hormuzit është shumë rëndësishme, nuk mund të përdoret si peng

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Mike Waltz, ka reaguar ashpër pas dështimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimeve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Në fjalën e tij para Këshillit, Waltz theksoi rëndësinë globale të kësaj rruge detare, duke deklaruar se “Ngushtica e Hormuzit është shumë jetësore për botën për t’u përdorur si peng, apo për t’u shndërruar në armë nga një shtet i vetëm”.

Ai kritikoi drejtpërdrejt Kinën dhe Rusinë për përdorimin e vetos, duke thënë se “këto vende janë të afta të pengojnë” përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet.

Waltz shtoi se votimi në Këshillin e Sigurimit “nuk i kufizon Shtetet e Bashkuara” në veprimet e tyre ushtarake ndaj Iranit dhe e cilësoi rezolutën e propozuar nga Bahrain si të arsyeshme.

“Ishte një rezolutë e thjeshtë,” tha ai, duke shtuar se Rusia dhe Kina “mund të kishin zgjedhur partnerë më të mirë se Irani” dhe se mund të kishin qëndruar përkrah aleatëve të SHBA-së në rajonin e Gjirit.

Rusia e Kina vënë veto në Këshillin e Sigurimit për Ngushticën e Hormuzit

Rusia dhe Kina kanë vënë veto ndaj një projekt-rezolute të vendeve të Gjirit në Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e cila inkurajonte fuqishëm përpjekje mbrojtëse dhe të koordinuara për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Njëmbëdhjetë vende votuan pro, ndërsa dy anëtarë të këshillit abstenuan (Pakistani dhe Kolumbia).

Pas javësh negociatash, drafti u zbut: fillimisht ishte nën Kapitullin VII (që autorizon përdorimin e forcës ushtarake), më pas u hoq ky kapitull, por u ruajt formulimi “duke autorizuar shtetet të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse”, për të përfunduar me një formulim që vetëm inkurajon fuqishëm përpjekjet mbrojtëse.

Ministri i Jashtëm i Bahreini, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, kryesoi mbledhjen.

Duke folur para votimit, ai u tha anëtarëve të këshillit se drafti nuk krijonte një realitet të ri, por ishte një përgjigje serioze ndaj një modeli të përsëritur të sjelljes armiqësore nga Irani, që duhet të ndalet.

Ai paralajmëroi se dështimi i Këshillit të Sigurimit për t’iu përgjigjur përdorimit të kësaj rruge ujore jetike si mjet presioni do të kishte pasoja të rënda për botën dhe mund të përsëritej edhe në ngushtica e rrugë të tjera detare, duke e kthyer botën në një “xhungël”.

Sipas BBC, Kina është ndër vendet që ka arritur të vazhdojë përdorimin e ngushticës, ndërsa Rusia mund të përfitojë, pasi sanksionet ndaj naftës mund të zbuten si pasojë e mbylljes së saj.

OKB nis diskutimet për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit

Një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së po zhvillohet për të diskutuar një rezolutë mbi rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Rezoluta e propozuar nga Bahreini nxit shtetet anëtare të koordinojnë përpjekjet për të garantuar sigurinë e lundrimit, duke vepruar në përputhje me rrethanat dhe në mënyrë mbrojtëse.

Deklarata e Vance hodhi dyshime për përdorimin e bombës bërthamore në Iran, reagon menjëherë Shtëpia e Bardhë

Pas interpretimit të komenteve të J.D. Vance në Hungari, Shtëpia e Bardhë mohon çdo sugjerim se po konsideron përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit.

Zëvendëspresidenti Vance deklaroi: “Jam i bindur se do të marrim një përgjigje, pozitive ose negative, deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme lidhur me ultimatumin ndaj Teheranit”.

Ai shtoi gjithashtu: “Kemi mjete që ende nuk i kemi vendosur të përdoren, dhe presidenti mund dhe do të vendosë t’i përdorë nëse Irani nuk ndryshon sjelljen e tij.”

Fjalët e Vance janë interpretuar nga disa si sugjerim për përdorim të armëve bërthamore, por Shtëpia e Bardhë i cilësoi këto interpretime të pasakta.

Nëpërmjet llogarisë së saj RapidResponse 47, ata theksuan: “Fjalë për fjalë asgjë nga ato që tha zv.presidenti nuk nënkupton armë bërthamore, ju klounë.”

Katari paralajmëron se lufta me Iranin mund të dalë jashtë kontrollit

Në një seri paralajmërimesh të drejtpërdrejta dhe ndërsa afati i fundit i SHBA-së për Iranin po afroht, ministria e jashtme e Katarit bëri thirrje për “një mënyrë për t’i dhënë fund luftës përpara se ajo të dalë jashtë kontrollit”, duke shtuar se kishte ende kohë që diplomacia të mbizotëronte, “para se ajo të përshkallëzohej përtej kontrollit të kujtdo”.

Katari lëshoi ​​një paralajmërim të drejtpërdrejtë të martën, “duke i bërë thirrje të gjitha palëve të gjejnë një zgjidhje për këtë, të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte përpara se ajo të dalë jashtë kontrollit”.

Në një seri paralajmërimesh të ashpra në lidhje me sulmet nga çdo palë ndaj infrastrukturës civile, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Dr. Majed al-Ansari, u tha gazetarëve në Doha se “ne kemi paralajmëruar që nga viti 2023 se përshkallëzimi i lënë i pakontrolluar do të na çojë në një situatë ku nuk mund të kontrollohet. Dhe ne jemi shumë afër asaj pike”.

Duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Katarit shkoi përtej tonit diplomatik të konferencave për shtyp për të thënë se “jemi mjaft të shqetësuar me të gjitha ato që po ndodhin tani dhe të gjithë po presim se çfarë do të ndodhë në orët e ardhshme”.

“Ne mbështesim përpjekjet e Pakistanit dhe ndërmjetësve të tjerë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje përpara se ajo të përshkallëzohet përtej kontrollit të kujtdo.”

Në një mesazh drejtuar SHBA-së dhe Izraelit, si dhe Iranit, Al-Ansari shprehu qëndrimin e Katarit se “çdo shënjestër e infrastrukturës civile në rajon do të shkaktojë shënjestërimin e infrastrukturës civile në vendet e tjera, përfshirë Katarin, dhe për këtë arsye ne qëndrojmë kundër çdo sulmi ndaj infrastrukturës civile nga cilado palë”.

Ai këmbënguli më tej se “sulmet ndaj infrastrukturës civile, veçanërisht infrastrukturës energjetike, po na vënë të gjithëve në rrezik”.

“Këto sulme janë krejtësisht të padobishme dhe kanë një efekt domino në tregjet globale të energjisë”, tha ai.

“Sulmet ndaj infrastrukturës kritike që nga fillimi i luftës na kanë çuar në buzë të greminës dhe nuk duam të shohim më shumë të tilla”, paralajmëroi Al-Ansari.

“Ka shumë rreziqe që kjo të ndodhë, kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore, sigurinë e ujit, sigurinë mjedisore, ne jemi ende në prag të këtyre sfidave.”

‘Çdo ditë ishte një vijë e kuqe e kaluar’

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit lëshoi ​​një paralajmërim specifik mbi rreziqet bërthamore në rajon, duke deklaruar se “është shumë e rrezikshme kur shohim këtë lloj sulmesh ndaj objekteve bërthamore, e kemi parë këtë të ndodhë në luftën në Ukrainë, e kemi parë këtë të ndodhë tani në këtë luftë, dhe kjo i vë njerëzit në rajon në një rrezik të pabesueshëm”.

Diplomati i Katarit tha se Doha është në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe “po punon shumë ngushtë me ta… edhe nëse nuk biem dakord gjatë gjithë kohës”, por gjithashtu se kryeministri i Katarit foli me ministrin e jashtëm iranian për ta “bërë të qartë se sulmet ndaj infrastrukturës civile, nga asnjë palë, nuk duhet të pranohen”.

“Që nga fillimi i kësaj lufte, çdo ditë është kaluar një vijë e kuqe, qoftë një sulm ndaj infrastrukturës kritike, qoftë objektiva civile në rajonin tonë, qoftë fakti që vendet tona janë përfshirë në këtë luftë”, tha Al-Ansari.

“Nuk ka fitues në vazhdimin e kësaj lufte, ka vetëm humbës dhe rrjeta e humbësve po zgjerohet çdo ditë si rezultat i pasojave të situatës ekonomike.”

Katari nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit të udhëhequra nga Pakistani, por i mbështet ata në kërkimin e një zgjidhjeje të shpejtë të konfliktit.

“Sigurisht, ne mbetemi mbështetës dhe shpresëplotë se një formë përshkallëzimi do të ndodhë përmes punës së ndërmjetësve të udhëhequr nga Pakistani dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë, por tani nga një qëndrim mbrojtës jemi absolutisht të gatshëm për çdo sfidë që mund të vijë në ditët në vijim”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme.

“Ne do ta mbrojmë vendin tonë nga çdo agresion që vjen nga cilado palë”, e bëri të qartë ai.

Ndërkohë, duke iu drejtuar krizës në Ngushticën e Hormuzit, Al-Ansari tha se lufta duhet të përfundojë së pari përpara se të diskutohet se si do të drejtohet rruga ujore kryesore e botës.

Ai e shprehu qartë qëndrimin e Katarit: “Ky është një ngushticë e hapur, një ngushticë e hapur natyrale, që të gjithë e ndajmë dhe të gjithë duhet të kemi një fjalë se si drejtohet. Nuk kemi pasur kurrë nevojë ta bëjmë këtë sepse është një hapje natyrale dhe të gjithë e përdornin atë në dobi të të gjithë popujve në rajon dhe më gjerë”.

SHBA godet ishullin Kharg të Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ndaj objektivave ushtarake në Ishullin Kharg në Iran.

Sipas BBC, sulmet e fundit nuk kanë pasur në shënjestër infrastrukturën e naftës, pavarësisht rëndësisë strategjike që ka ishulli për ekonominë iraniane.

Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, deklaroi sot se sulmet e fundit amerikane në Ishullin Kharg kanë pasur në shënjestër vetëm objektiva ushtarake, pa prekur infrastrukturën energjetike.

Ishulli Kharg strehon një nga terminalet kryesore të eksportit të naftës në Iran dhe konsiderohet një nyje jetike për ekonominë e vendit.

Më herët, Trump kishte lënë të hapur mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të marrë kontrollin e ishullit.

Intensifikohen sulmet në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se “një civilizim i tërë do të vdesë sot” nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara para se afati që ai vendosi, të skadojë sot, teksa janë intensifikuar sulmet ajrore ndaj caqeve në Iran.

“Një civilizim i tërë do të vdesë sot, dhe nuk do të ringjallet më”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social më 7 prill. “Unë nuk dua që kjo të ndodhë, por me gjasë do të ndodhë”.

Kërcënimi i Trumpit vjen pas paralajmërimeve të tij se Shtetet e Bashkuara do të godasin termocentralet dhe urat në Iran, deklarata që zyrtarët iranianë i përshkruan si kërcënime që përbëjnë “krime lufte”, megjithëse disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e kundërshtojnë këtë vlerësim.

Kërcënimi i ri vjen gjithashtu vetëm disa orë pasi sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit goditën disa lokacione në të gjithë Iranin, përfshirë infrastrukturën dhe ishullin strategjik Harg.

Mediat iraniane raportuan për shpërthime në gjithë Teheranin më 7 prill, ndërsa disa raportime thanë se janë parë aeroplanë luftarakë që fluturuan në lartësi të ulët mbi kryeqytetin iranian.

Po ashtu u raportua për sulme në ishullin Harg të Iranit, nga ku dërgohen rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së vendit, si dhe në ura kryesore në autostradën Tabriz–Zanjan dhe në një tjetër pranë qytetit të shenjtë Kom.

Disa media, përfshirë CNN, Reuters dhe Fox News, cituan zyrtarë amerikanë që konfirmuan sulmet në ishullin Harg. The Wall Street Journal raportoi se “më shumë se 50 objektiva ushtarake” u goditën gjatë sulmeve.

Para komenteve të Trumpit, Garda Revolucionare Islamike përmes një deklarate, të lëshuar disa minuta para se të raportohej për sulme, se do të shënjestrojë infrastrukturën amerikane dhe atë të aleatëve në të gjithë rajonin nëse SHBA-ja kalon “vijat e kuqe”.

Garda po ashtu paralajmëroi partnerët amerikanë në Gjirin Persik dhe më tej, duke thënë se ka mbaruar frenimi ndaj shteteve fqinje, duke sinjalizuar që shtetet arabe të Gjirit që kanë asete ushtarake amerikane mund të shndërrohen në shënjestra.

Deklarata shënon një ndryshim në pozicionin e Iranit.

Teksa Teherani më parë ka goditur objektiva në disa vende të rajonit, deri më tani kishte mbajtur qëndrimin se ato shtete vetë nuk ishin shënjestra – një dallim nga i cili tani duket se ka hequr dorë.

Ndër objektet e goditura në qendër të Teheranit ishte edhe një sinagogë, sipas mediave iraniane.

Homayoun Sameyah, përfaqësues i komunitetit hebre në Parlamentin iranian, i tha mediave shtetërore se ndërtesa ishte “e lashtë” dhe “e shenjtë”, dhe se pjesë të Torës janë nën rrënoja.

Trump i ka vendosur afat Iranit deri në orën 20:00 sipas kohës lindore në SHBA, më 7 prill, duke paralajmëruar se “i gjithë” Irani “mund të shkatërrohet brenda një nate”.

Duke folur në Budapest më 7 prill, pas takimit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se administrata i kishte përmbushur në masë të madhe qëllimet e saj ushtarake në këtë fushatë dhe se ishte “i bindur” që Uashingtoni do të marrë një përgjigje nga Teherani para skadimit të afatit.

Ndërkaq, paralajmërimi i Trumpit në konferencën për media në Shtëpinë e Bardhë më 6 prill u fokusua te kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyç për transportin global të naftës.

Irani u kundërpërgjigj duke refuzuar.

Teherani paraqiti një propozim paqeje me 10 pika përmes ndërmjetësve pakistanezë, por plani refuzoi një armëpushim të përkohshëm dhe, në vend të kësaj, kërkoi një përfundim të përhershëm të armiqësive. Ai përfshin kushte që ishin të pamundura për t’u pranuar nga Shtetet e Bashkuara ose Izraeli. Sipas raportimit të The New York Times, propozimi nuk mund të zgjidhte çështjet kryesore para skadimit të afatit. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat