LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 22:45 më 02.04.2026
Donald Trump

Izraeli eliminon komandantin iranian të Drejtorisë së Naftës

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën dhe vranë Jamshid Eshaqim, komandantin e Drejtorisë së Naftës të Forcave të Armatosura të Iranit.

“Drejtoria e Naftës përbën një pjesë thelbësore të forcave të armatosura të regjimit, duke mundësuar vazhdimin e aktiviteteve të tyre dhe rritjen ushtarake përmes fitimeve nga shitja e naftës”, njoftoi IDF.

Goditja që vrau Eshaqin ndodhi më herët gjatë javës, tha ushtria, duke shtuar se ishte kryer pas informacionit të marrë nga Drejtoria e Inteligjencës e IDF.

“Eshaqi udhëhoqi krahun financiar të forcave të regjimit, si dhe industrinë ushtarake përgjegjëse për prodhimin e raketave balistike dhe mekanizmat e shtypjes së regjimit. Përveç kësaj, Eshaqi punoi për të alokuar fonde për financimin e përfaqësuesve terroristë të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme, më së shumti organizatën terroriste Hezbollah dhe Houthit”, shkruan më tutje ushtria izraelite

Ushtria shtoi se, për vite me radhë, Gardat Revolucionare Islamike të Iranit dhe forcat e tjera ushtarake janë financuar nga të ardhura të mëdha nga shitja e naftës që shmangin sanksionet ndërkombëtare.

Për të menaxhuar këto të ardhura, Irani krijoi drejtori të dedikuara, duke bërë që të ardhurat nga nafta të jenë një burim kyç për forcimin e fuqisë së Republikës Islamike dhe për financimin e aktivitetit terrorist në mbarë botën.

Pakistani i bindur, vijon përpjekjet për dialog mes SHBA-së dhe Iranit

Pakistani ka deklaruar se do të vazhdojë përpjekjet për të nxitur negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me qëllim përfundimin e konfliktit mes tyre, pavarësisht pranimit të “pengesave” në këtë proces.

Gjatë një konference për mediat në Islamabad, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Tahir Andrabi, nuk dha detaje konkrete mbi vështirësitë që po hasen, por theksoi angazhimin e vazhdueshëm të vendit të tij në lehtësimin e dialogut.

Deklaratat e tij erdhën vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin me pasoja të rënda, duke kërcënuar me sulme nëse Teherani nuk pranon kushtet e Uashingtonit për një marrëveshje paqeje.

Pakistani ka marrë një rol udhëheqës në një përpjekje shumëkombëshe për të ndërmjetësuar mes dy vendeve, duke u përpjekur të krijojë kushte për negociata të qëndrueshme.

“Pavarësisht sfidave dhe pengesave, Pakistani do të vazhdojë përpjekjet e tij për të nxitur lehtësimin dhe dialogun”, u shpreh Andrabi, duke shtuar se si SHBA-të, ashtu edhe Irani, kanë shprehur besim në rolin e Pakistanit si një ndërmjetës neutral.

Sulmet SHBA-Izrael shkatërrojnë qendrën kryesore shëndetësore në Iran

Sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur një nga institucionet kryesore të kërkimit shëndetësor në Iran, bëri të ditur të enjten një zyrtar qeveritar, ndërsa agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për pasojat e mundshme të sulmeve ndaj objekteve mjekësore në rajon.

Sipas autoriteteve iraniane, Instituti Pasteur i Iranit është goditur në atë që u cilësua si një “sulm i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë ndërkombëtare shëndetësore”. Deklarata u publikua në rrjetin social X nga Hossein Kermanpour, drejtues i qendrës së informacionit në Ministrinë e Shëndetësisë së Iranit.

I themeluar në vitin 1920, Instituti Pasteur konsiderohet si një nga shtyllat historike të shëndetit publik në vend dhe në rajon. Ai është institucioni më i vjetër i këtij lloji në Iran, ndërsa ka luajtur një rol pionier në zhvillimin e vaksinave dhe në kërkimet për parandalimin e sëmundjeve infektive.

Më shumë se 30 ditë bombardimesh SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe sulmeve hakmarrëse iraniane ndaj Izraelit kanë varfëruar sistemet mjekësore dhe kanë shkatërruar lagje të tëra në Iran dhe Liban, duke vrarë mijëra njerëz në të gjithë Lindjen e Mesme.

Lufta në Iran nuk shfaq shenja ngadalësimi as pas fjalimit të Trumpit

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin nuk shfaqi shenja të ngadalësimit pas adresimit televiziv të presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar kombit, teksa janë raportuar një sërë sulmesh ajrore, ka pasur mesazhe sfiduese nga Teherani, dhe një paralajmërim nga SHBA-ja në Irak për një sulm të mundshëm në Bagdad nga forcat aleate iraniane.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shfaqën shtëllunga tymi në aeroportin ndërkombëtar në Mashhad, qytet në verilindje të Iranit, më 2 prill, raportoi Radio Farda e Radios Evropa e Lirë.

Në mes të luftimeve që po vazhdojnë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan se kishin goditur një bazë në Teheran që përdoret nga Garda Revolucionare Islamike, që është e shpallur grup terrorist nga Izraeli dhe SHBA-ja.

“Për më tepër, një depo për ruajtjen e raketave balistike që i përket njësitit të raketave në zonën e Tabrizit u godit po ashtu”, u tha në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale ushtria izraelite.

Shërbimet e emergjencave raportuan se një raketë e gjuajtur nga bashkëpunëtori i Iranit në Liban, Hezbollahu, plagosi një burrë 85-vjeçar izraelit dhe një punëtor të huaj 34-vjeçar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Arabisë Saudite tha se katër dronë dhe një raketë balistike, që u lëshuan nga Irani, u rrëzuan.

Qeveria amerikane ka lëshuar një paralajmërim për shtetasit amerikanë në Irak, duke thënë se “milicitë terroriste irakiane, të lidhura me Iranin, mund të tentojnë të kryejnë sulme në qendër të Bagdadit në 24-48 orët e ardhshme”.

Në Iran, kishte një mesazh sfidues pas fjalimit të Trumpit, ku ai kërcënoi se do ta bombardojë Iranin duke e kthyer “në kohën e gurit, aty ku e ka vendin” dhe tha se operacionet ushtarake do të vazhdonin për dy ose tre javë të tjera.

Zëdhënësi i ushtrisë, Ebrahim Zolfaghari, tha për mediat lokale se njohuria e SHBA-së dhe Izraelit për instalacionet ushtarake dhe bërthamore të Iranit “nuk është e plotë”, duke shtuar se Irani do të përgjigjet me goditje “shkatërruese”.

Ndërkaq, gjendja shëndetësore e fitueses së Çmimit Nobel për Paqe nga Irani, Narges Mohammadi, është përkeqësuar shumë teksa ajo po qëndron në burg, ka thënë bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani.

Rahmani bisedoi me Radion Farda të REL-it përmes telefonit më 1 prill nga Parisi, ku aktualisht jeton.

Diplomacia

Në mes të luftimeve që po vazhdojnë ka edhe lëvizje diplomatike.

Britania do të organizojë një takim online me 35 shtete për të diskutuar për masat joushtarake për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, që Irani e ka mbyllur pothuajse plotësisht për kalimin e anijeve, duke shtuar kaos në ekonominë botërore pasi që dërgesat e naftës, gazit dhe mallrave të tjera vitale janë ndërprerë.

Franca, Gjermania, Australia dhe shtetet e Gjirit Persik pritet të marrin pjesë në takim, por jo edhe SHBA-ja, e cila u ka bërë thirrje aleatëve që të sigurojnë ngushticën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “mëngjesin e sotëm ne patëm rastin të shohim deklaratat e presidentit Trump” dhe se Rusia mbështet një zgjidhje krejtësisht diplomatike për konfliktin.

Në Kinë, që ka lidhje të ngushta me Iranin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, iu përgjigj fjalimit të Trumpit duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndalojnë operacionet ushtarake, teksa po ashtu kritikoi Uashingtonin.

“Shkaktari kryesor i pengimit të kalimit përmes Ngushticës së Hormuzit është operacioni i paligjshëm ushtarak nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit. Vetëm një armëpushim dhe arritja e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Gjirit mund të sigurojë operacion të sigurt në linjat ndërkombëtare të dërgesave detare”, tha ajo gjatë një konference për media.

Kina ka paraqitur një plan pesëpikësh me Pakistanin, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime.

Pakistani është shfaqur si një ndërmjetës i mundshëm për dërgimin e mesazheve mes SHBA-së dhe Iranit, të cilat kanë paraqitur vizione krejtësisht të kundërta për paqe.

Teherani po kërkon, mes tjerash, reparacione dhe njohje të kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit. Plani i Uashingtonit nuk është bërë publik, por besohet se përfshin kërkesën që Irani të pajtohet të mos zhvillojë armë bërthamore, të kufizojë kapacitetet raketore dhe t’i japë fund mbështetjes për forcat aleate në rajon.

Trump ka thënë se Irani “po lutet që të arrihet një marrëveshje”, ndërkaq Irani ka mohuar se po zhvillohen bisedime.

Ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Kamal Kharrazi, besohet se është përfshirë në kontakt me ndërmjetësit pakistanezë, raportohet se është plagosur rëndë në një sulm ajror gjatë natës. Kharrazi është dërguar në spital, ndërkaq gruaja e tij ka vdekur gjatë sulmit.

“Raportimet për kontakte diplomatike së bashku me shënjestrimin e figurave sikurse Kamal Kharrazi, që besohet të ketë qenë i lidhur me negociata potenciale, kanë nxitur spekulime se rrugët për një armëpushim mund të jenë penguar nga Izraeli”, shkroi në rrjetet sociale Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Ish-gjenerali amerikan: Dislokimi i forcave në Lindjen e Mesme, mesazh për Iranin

Ndërkaq, mundësia që lufta të vazhdojë për të paktën edhe disa javë bëri që çmimet e naftës të rriten sërish dhe tregjet e aksioneve të binin.

Duke folur për agjencinë Reuters, Russel Chesler, kreu i investimeve dhe tregjeve të kapitalit në VanEck Australia, e përshkroi kështu situatë:

“Pyetja kryesore në mendjen e të gjithë investitorëve është: ‘Kur do të mbarojë lufta?’”, tha ai. / rel

Sulm ndaj shtëpisë së ish-ministrit iranian, Kamal Kharazi plagoset rëndë

Ish-ministri i jashtëm iranian, Kamal Kharazi, është plagosur rëndë në një atentat që duket se vrau gruan e tij, ndërsa sulmet amerikane dhe izraelite vazhdojnë të godasin Iranin për javën e pestë me radhë.

Mediat iraniane raportuan të enjten se shtëpia e Kharazit në Teheran u shënjestrua një ditë më parë në një sulm ajror.

“Kemi parë atë që duket si një atentat kundër ish-ministrit të jashtëm, Kamal Kharazi. Nuk e dimë pse është shënjestruar. Ai është plagosur rëndë dhe gruaja e tij është vrarë”, tha Mohamed Vall i Al Jazeera-s, duke raportuar nga Teherani.

Sulme ajrore u raportuan të enjten në të gjithë Iranin, duke përfshirë Teheranin, Isfahanin dhe Shirazin. Katër persona u raportuan të vrarë në Larestan, në Iranin jugor.

Ndërkohë, zëdhënësi i komandës së bashkuar të forcave të armatosura tha se Teherani do të vazhdojë luftën në Lindjen e Mesme derisa SHBA-të dhe Izraeli të përballen me “keqardhje dhe dorëzim të përhershëm”, raportuan mediat vendase.

Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i selisë qendrore Khatam al-Anbiya, tha se vlerësimet e SHBA-së dhe Izraelit për aftësitë ushtarake të Iranit ishin “të paplota” dhe se Teherani do të intensifikonte veprimet e tij ushtarake, me sulme “më shkatërruese, më të gjera dhe më shkatërruese” që i presin kundërshtarët e tij.

Më shumë se 1,340 persona janë vrarë në Iran që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ajrore më 28 shkurt. Të paktën 24 persona janë vrarë në Izrael, si dhe 13 ushtarë amerikanë në rajon.

Irani: Në Hormuz do kalojnë anijet që nuk kanë lidhje me SHBA dhe Izrael

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit thotë se po lejon anijet të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit rruga kryesore e transportit të naftës për sa kohë që “nuk i përkasin agresorit dhe nuk lidhen me ta”.

Në një intervistë për kanalin televiziv Newzroom Afrika, Esmail Baghaei thotë se anijet do të lejohen të kalojnë përmes ngushticës “pas koordinimit të nevojshëm me autoritetet tona”.

Duke iu referuar konfliktit më të gjerë, Baghaei thotë se Irani nuk do të tolerojë një “cikël të egër lufte, negociatash dhe armëpushimi”. Në qershor, një luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit përfshiu SHBA-në që sulmoi disa nga objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

“Thanë le të ndalim, kështu që ne ndaluam, dhe pas nëntë muajsh, ata filluan përsëri,” thotë Baghaei.

Lufta në Iran, Kremlini: Putini është i gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e luftës në Lindjen e Mesme

Presidenti rus Vladimir Putin po bisedon me udhëheqësit rajonalë në Lindjen e Mesme dhe Rusia është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit me Iranin, tha Moska.

“Presidenti po vazhdon këto kontakte dhe, nëse shërbimet tona kërkohen disi, ne jemi, sigurisht, të gatshëm të japim kontributin tonë për të siguruar që situata ushtarake të kalojë në një kurs paqësor sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në konferencën e tij të përditshme me gazetarët.

Sakaq, Peskov iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me deklaratën e Donald Trump në lidhje me luftën në Iran dhe komentin e tij se ai po shqyrtonte tërheqjen e SHBA-së nga NATO, Pesokova tha se Rusia e sheh NATO-n si një aleancë armiqësore.

Duke diskutuar perspektivat e një samiti ruso-arab, ai shtoi se “lehtësimi i tensioneve në rajon dhe minimizimi i pasojave negative të kësaj lufte janë të mundshme vetëm përmes negociatave, përmes dialogut, për të cilin një samit i tillë mund të bëhet potencialisht një platformë e mirë në të ardhmen.”

Trump thotë se SHBA është afër “ta mbarojë punën” në Iran, por premton “dy-tri javë” të tjera luftë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por ka paralajmëruar njëkohësisht se ushtria amerikane do të vazhdojnë ta godasin vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.

Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit qëkurse nisi lufta, Trump tha se SHBA-ja është afër “arritjes së synimeve” pas “fitoreve të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushëbetejë; fitore që pak njerëz i kanë parë ndonjëherë”.

“Derisa po flasim këtë mbrëmje, ka kaluar vetëm një muaj që kur ushtria e Shteteve të Bashkuara e filloi Operacionin Tërbimi Epik”, tha ai.

Pjesë nga fjalimi i 1 prillit:

Trump përshkroi ato që ai tha se ishin fitore të mëdha në fushëbetejë, duke pretenduar se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar rëndë.

“Sonte, marina e Iranit nuk ekziston më. Forcat e tyre ajrore janë në rrënoja”, tha ai, duke shtuar se figura të udhëheqjes iraniane “janë të vdekura” dhe se strukturat e komandës po “shkatërrohen teksa ne po flasim”.

Ai tha se kapacitetet raketore dhe të dronëve të Iranit janë “kufizuar drastikisht” dhe se infrastruktura e armëve po shkatërrohet. “Kurrë në historinë e luftës një armik nuk ka pësuar humbje kaq të qarta dhe shkatërruese në shkallë të gjerë brenda disa javësh”, pretendoi Trump.

Trump mbrojti luftën si të nevojshme për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

“Ky regjim vrastar gjithashtu së fundmi ka vrarë 45.000 njerëz të vet”, tha ai, duke iu referuar shtypjes së protestave brenda Iranit.

“Do të ishte kërcënim i papranueshëm nëse këta terroristë do të kishin armë bërthamore”, shtoi ai.

Ai e përsëriti pretendimin e tij se Irani ishte “tamam në prag” të sigurimit të një arme bërthamore dhe tha se programi i tij raketor mund të jetë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe rajone të tjera.

“Kjo gjendje ka vazhduar për 47 vjet dhe duhej të ishte trajtuar shumë kohë përpara se unë ta merrja detyrën”, tha ai, duke kritikuar sërish administratat e mëparshme, përfshirë marrëveshjen bërthamore të negociuar nën presidentin Barack Obama.

Trump gjithashtu tha se, megjithëse “parapëlqimi im i parë ka qenë gjithmonë rruga diplomatike”, Irani kishte refuzuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

Trump tha se ndryshimi i regjimit “nuk ishte qëllimi ynë,” por la të kuptohej se një gjë e tillë ka ndodhur. “Udhëheqësit e tyre… tani janë të vdekur”, tha ai.

Ai tha se shpreson në arritjen e një marrëveshjeje, por paralajmëroi për përshkallëzim të mëtejshëm: “Nëse nuk ka marrëveshje, do të godasim secilin nga centralet e tyre të prodhimit të energjisë elektrike shumë fort.”

“Kemi përparësi të madhe”, shtoi Trump. “Ata nuk kanë asnjë.”

Trump pranoi rritjen e çmimeve të benzinës, duke thënë se rritja ishte “plotësisht rezultat” i sulmeve iraniane ndaj transportit tregtar dhe vendeve fqinje, dhe e përshkroi atë si të përkohshme.

Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë “plotësisht të pavarura nga Lindja e Mesme” për energjinë, por mbeten të përfshira për të mbështetur aleatët.

Në të njëjtën kohë, ai kritikoi partnerët se nuk po kontribuojnë mjaftueshëm dhe tha se ata duhet të marrin përgjegjësi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Para fjalimit, demokratë të lartë, përfshirë Gregory Meeks nga Nju Jorku, Adam Smith nga Uashingtoni dhe Jim Himes nga Konektikati, lëshuan një deklaratë duke pretenduar se Trump “nuk është më afër arritjes së qëllimeve të tij të paqarta”.

Ata përmendën vrasjen e 13 ushtarëve amerikanë, plagosjen e qindra prej tyre dhe ndikimet më të gjera rajonale dhe ekonomike. “I bëjmë thirrje presidentit të negociojë menjëherë një armëpushim me Iranin dhe të punojë drejt gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike”, thanë ata, duke paralajmëruar për një “luftë katastrofike”.

Analistët shohin mesazhe dhe rreziqe

Analistët i thanë Radios Evropa e Lirë se fjalimi kishte për qëllim të formësonte perceptimin publik, dhe se linte paqartësi për hapat e ardhshëm.

Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën jofitimprurëse, United Against Nuclear Iran, tha se fjalimi synonte të “mobilizonte mbështetjen publike rreth Operacionit Tërbimi Epik”.

“Ai do të paraqitet jo si SHBA që po nis një tjetër luftë të pafundme, por si përfundim i një lufte që regjimi iranian e filloi në vitin 1979”, tha ai.

Por, ai paralajmëroi se edhe nëse Shtetet e Bashkuara shpallin armëpushim brenda dy deri në tri javësh, “ekziston rreziku që iranianët të vazhdojnë sulmet pasi imperativi i tyre është rindërtimi i parandalimit”.

“Për të ndryshuar atë kalkulim, SHBA mund të duhet të përshkallëzojë”, shtoi ai.

Matthew Bartlett, strateg republikan dhe ish i emëruar në Departamentin e Shtetit gjatë administratës së parë të Trump, tha se fjalimi ishte i drejtuar ndaj audiencave të shumta.

“Komunikimi është kritik në një luftë me audienca këtu në frontin e brendshëm, si dhe me regjimin në Iran, me popullin e madh të Iranit dhe me aleatët tanë në rajon, në Evropë dhe më gjerë”, i tha Bartlett Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se, megjithëse fjalimi ishte i nevojshëm, “ende ka shumë pyetje pa përgjigje për të nesërmen dhe për ditët e muajt në vijim”, dhe se “ndërsa kjo mund të zbehet, mundësia për përshkallëzim mbetet”.

Bartlett tha se Trump duket se po përpiqet të theksojë arritjet ushtarake ndërsa gjithashtu vendos kushtet për një fazë të mundshme diplomatike, duke përfshirë adresimin e ndërprerjeve ekonomike si mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit.

Gregory Brew, analist i lartë në Eurasia Group, i tha Radios Evropa e Lirë para fjalimit se Trump kishte të ngjarë të theksonte si suksesin ashtu edhe nevojën për operacione të vazhdueshme.

Trump më herët tha se nuk ishte i shqetësuar për rezervat e Iranit me uranium të pasuruar shumë, duke argumentuar se ato janë të varrosura nën tokë dhe mund të monitorohen.

Megjithatë, ekspertët thonë se nëse Irani ruan kontrollin e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar shumë, ai mund të jetë më afër prodhimit të armëve bërthamore sesa në një marrëveshje të negociuar më parë. / REL

Vjen reagimi i Iranit pas fjalimit të Trumpit: Lufta do të vazhdojë

Ushtria e Iranit kërcënoi me më shumë shkatërrime dhe lavdëroi fuqinë e saj, në një përgjigje ndaj fjalimit kombëtar të presidentit amerikan, Donald Trump, të mërkurën në mbrëmje, në të cilin ai tha se konflikti është "pranë përfundimit" dhe kërcënoi ta kthejë Iranin "në epokën e gurit".

“Lufta do të vazhdojë derisa SHBA dhe Izraeli të përballen me poshtërim, turp, keqardhje të përhershme dhe dorëzim përfundimtar”, tha zëdhënësi i selisë ushtarake iraniane në deklaratën e raportuar nga media shtetërore iraniane IRIB.

“Pas goditjeve të fuqishme dhe të paimagjinueshme që keni marrë tashmë, prisni veprime edhe më shkatërruese, më të gjera dhe shkatërruese nga ne”, shton deklarata.

Trump thotë se 'objektivat ndaj Iranit po i afrohen përfundimit'

Irani gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Trumpit se ushtria e tij është dobësuar rëndë, duke thënë se SHBA nuk di "asgjë për aftësitë tona të gjera dhe strategjike".

"Qendrat që besoni se i keni synuar janë të parëndësishme. Prodhimi ynë strategjik ushtarak zhvillohet në vende për të cilat nuk jeni aspak në dijeni - dhe nuk do të jeni kurrë në gjendje t'i arrini”, vazhdoi ushtria iraniane.

Ndryshe, Trump tha se vendi i tij do ta "përfundojë punën" në Iran së shpejti, pasi "objektivat strategjike kryesore po i afrohen përfundimit" në fjalimin e tij të parë kombëtar në mbrojtje të luftës që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit.

Në të njëjtën kohë, ai tha se Irani do të vazhdojë të përballet me një breshëri sulmesh në afat të shkurtër.

Trump: Irani është shkatërruar, jemi afër përfundimit të operacioneve

Donald Trump e filloi fjalimin e tij duke lavdëruar NASA-n për nisjen e misionit Artemis II , përpara se të kalonte në një vlerësim të gjerë të luftës me Iranin.

Duke iu drejtuar popullit amerikan nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan pretendoi se forcat amerikane dhe izraelite i kanë dhënë Teheranit goditje “të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese”, duke folur për “fitore që pak veta i kanë parë ndonjëherë”.

Ai tha, “Marina e Iranit është zhdukur, forca e saj ajrore është në rrënoja”, duke shtuar se lidershipi i vendit është neutralizuar kryesisht dhe se struktura komanduese e Gardës Revolucionare “po shkatërrohet tani”.

Trump pohoi gjithashtu se SHBA-të po punonin për të shkatërruar aftësitë e Iranit me dronë dhe raketa, ndërsa përsëriti se që nga viti 2015 ai ishte zotuar të mos e lejonte kurrë Teheranin të pajisej me armë bërthamore.

Duke iu referuar sulmeve të qershorit, ai vuri në dukje se fillimisht kërkoi një zgjidhje diplomatike, megjithatë – siç tha ai – udhëheqja iraniane i hodhi poshtë iniciativat e tij, duke çuar në fund në sulmet ndaj objekteve bërthamore në qershor, në mes të luftës me Izraelin.

Sipas Donald Trump , Irani ishte “një hap larg” nga blerja e një bombe bërthamore, ndërsa objektet e goditura nga bombarduesit B-2 janë dëmtuar në një masë të tillë sa “do të duhen muaj për t’i restauruar ato”.

Presidenti amerikan vlerësoi se objektivat kryesore strategjike të operacioneve janë “pranë përfundimit”, ndërsa la të hapur mundësinë e sulmeve të reja të rënda.

“Nëse shohim lëvizjen më të vogël në drejtim të armëve bërthamore, do t’i godasim përsëri shumë fort”, paralajmëroi ai, duke shtuar se SHBA-të do të vazhdojnë të veprojnë “shumë agresivisht” gjatë “dy deri në tre javëve” të ardhshme, ndërsa kontaktet do të vazhdojnë paralelisht.

Në të njëjtën kohë, ai u përpoq të shkëputte operacionet nga qëllimi i ndryshimit të regjimit, duke theksuar se “ndryshimi i regjimit nuk ishte kurrë një qëllim”, megjithëse – siç tha ai – “në praktikë kjo ka ndodhur tashmë”, pasi “shumica e udhëheqësve të tyre janë vrarë”.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti se SHBA-të nuk kanë varësi energjetike nga Lindja e Mesme, duke theksuar se prania e saj në rajon nuk është e lidhur me naftën.

“Nuk kemi nevojë për naftën e tyre. Nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata”, tha ai, duke theksuar se përfshirja e SHBA-së është në mbështetje të aleatëve të saj.

Në të njëjtin kontekst, ai argumentoi se përgjegjësia për sigurimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duhet t’u përkasë vendeve që varen nga ana energjetike nga rajoni dhe jo Shteteve të Bashkuara.

“Nuk ka asnjë arsye që ne ta bëjmë këtë”, tha ai, duke u bërë thirrje aleatëve të marrin iniciativën për të mbrojtur kalimin kritik detar.

Në mbyllje, Trump pohoi se “SHBA-të i kanë të gjitha kartat” dhe se Irani “nuk ka asnjë”, ndërsa e përshkroi Republikën Islamike si “një ish-ngacmues të Lindjes së Mesme”, duke theksuar se “nuk është më kështu”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat