LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 17:11 më 03.04.2026
Donald Trump

Mbi 6500 izraelitë të plagosur që nga fillimi i luftës me Iranin

Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit 148 persona janë dërguar në spital si pasojë e luftës me Iranin.

Kjo e çon numrin total të të shtruarve në spital që nga fillimi i konfliktit në 6594, me 124 persona që aktualisht po marrin trajtim, shkruan skynews.

Ministria nuk jep një ndarje të shkaqeve të plagëve, kështu që disa nga të shtruarit mund të jenë trajtuar për lëndime të pësuara gjatë përpjekjes për të arritur një strehë, dhe jo si pasojë direkte e zjarrit të raketave.

Gjatë natës pati disa goditje në Izraelin qendror pasi Irani lëshoi një predhë me klaster.

Shërbimet emergjente u dërguan në 10 vende goditjeje, me dëme të raportuara në shtëpi, rrugë dhe vetura të parkuara, por pa të plagosur.

Ndryshe, SHBA-ja Izraeli kanë nisur javë më pare një fushatë ajrore ndaj Iranit, pasi kjo e fundit dyshohet se është afër krijimit të bombës bërthamore.

Irani mohon sulmin ndaj centralit të energjisë dhe ujit në Kuvajt

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ndaj një centrali të energjisë dhe desalinizimit të ujit në Kuvajt, duke fajësuar në vend të kësaj Izraelin, raporton The Guardian, përcjell KosovaPress.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmë-zyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, departamenti i marrëdhënieve me publikun i IRGC-së tha:

“Sulmi i pazakontë dhe i paligjshëm i regjimit sionist ndaj impianteve të desalinizimit në Kuvajt është një shenjë e poshtërsisë dhe ligësisë së pushtuesve sionistë, dhe Garda Revolucionare e dënon këtë akt çnjerëzor dhe deklaron se bazat amerikane dhe personeli ushtarak në rajon, si dhe qendrat ushtarake dhe të sigurisë të regjimit sionist në territoret e pushtuara palestineze, janë objektivat tona të fuqishme”, thotë deklarata.

Në një deklaratë më herët gjatë ditës së sotme, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Ripërtëritshme e Kuvajtit kishte bërë të ditur se një sulm iranian kishte dëmtuar centralin.

Pas anijes franceze, tankeri japonez kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit

Një anije cisternë japoneze që transportonte gaz natyror të lëngshëm ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo u njoftua nga njëri prej pronarëve të anijes.

Mitsui OSK Lines, e cila është bashkëpronare e anijes tha se “SOHAR LNG” është e sigurt. Bashkëpronari i anijes nuk pranoi të zbulonte për Reuters se kur ajo kaloi ngushticën dhe nëse kërkohej ndonjë negociatë. 

Gazeta Asahi raportoi se anija ishte anija e parë japoneze që kishte dalë nga Ngushtica e Hormuzit që nga fillimi i luftës me Iranin. 

Këtë të premte u raportua se një anije franceze ka kaluar Ngushticën e Hormuzit. Sipas informacioneve, anija kontejnerësh CMA CGM kaloi dje nëpër Hormuz duke dalë nga Gjiri, duke shfaqur si sinjal navigimi se është në pronësi franceze, sipas të dhënave nga faqja e internetit MarineTraffic.

Anija Kribi, që valëviti flamurin maltez, kaloi Ngushticën nga perëndimi në lindje dje pasdite dhe aktualisht ndodhet pranë Muskatit.

Konflikti në Lindjen e Mesme, Irani lejon një anije franceze për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka lejuar një anije franceze të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron kritikoi liderin e SHBA, Donald Trump.

Kribi, një anije me flamur të Maltës në pronësi të gjigantit francez të logjistikës CMA CGM, është anija e parë perëndimore që del nga Gjiri që nga fillimi i luftës me Iranin.

Anije nga vende si Kina, Pakistani dhe Filipinet kanë kaluar në mënyrë të sigurt nëpër ngushticë ditët e fundit.

Presidenti francez, Macron, e sulmoi ashpër Trumpin të enjten, duke vënë në pikëpyetje qëllimet e tij të luftës dhe duke e akuzuar presidentin se po kundërshton veten. Ai tha gjithashtu se rihapja e ngushticës duke përdorur forcën ushtarake ishte “jorealiste”.

Ushtria e Iranit tha se ngushtica do të mbetej e mbyllur për SHBA-në dhe Izraelin në “afat të gjatë”. Por besohet se regjimi po operon një “kabinë pagese” ku anijet ngarkohen deri në 2 milionë dollarë për të kaluar ngushticën, përmes së cilës normalisht kalon tranzit 20 përqind e naftës botërore.

Trump: SHBA-ja ende s’ka filluar mirë të shkatërrojë Iranin, regjimi duhet të veprojë shpejt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ushtria amerikane “ende nuk ka filluar” të shkatërrojë atë që ka mbetur prej Iranit pas një muaji bombardimesh së pareshtura shkatërruese, si dhe ka kërcënuar se do t’i godasë centralet elektrike dhe ura të tjera në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj regjimit në Teheran.

“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja kudo në botë, ende nuk ka filluar ta shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Tani është radha e urave, pastaj centraleve elektrike! Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë i duhet të bëjë dhe duhet ta bëjë, SHPEJT!” shkroi Trump në Truth Social mbrëmjen e së enjtes.

Trump i bëri këto paralajmërime, pa shpjegime të mëtejshme, disa orë pasi Irani nisi sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit, pas një paralajmërimi të mëparshëm nga Trumpi drejtuar Teheranit se duhet “të bëjë një marrëveshje para se të mos mbetet asgjë” nga vendi.

Trump vazhdoi të dërgojë mesazhe disi të përziera mbi luftën, pasi një ditë më parë tha në një fjalim televiziv se Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por ka paralajmëruar njëkohësisht se ushtria amerikane do të vazhdojnë ta godasin vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.

Në atë fjalim, Trump e mbrojti luftën si të nevojshme për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Sulmi mbi urën iraniane

Në një postim tjetër në Truth Social, Trump e përshëndeti sulmin amerikan mbi një urë të madhe që lidh Teheranin me Karajn në provincën Alborz, e cila është përshkruar nga mediat iraniane si ura më e lartë në Lindjen e Mesme.

“Ura më e madhe në Iran u shemb dhe nuk do të përdoret më kurrë”, shkroi Trump.

Zyrtarët iranianë thanë se tetë njerëz u vranë dhe 95 u plagosën në dy runde sulmesh mbi urën. Ky numër nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Irani gjithashtu raportoi se Instituti Pasteur, një qendër kërkimore mjekësore, pësoi dëme të mëdha nga një sulm. As ky lajm nuk mund të verifikohej, megjithëse Qeveria iraniane publikoi një fotografi që pretendohet se tregon dëmet.

Kryetari i fuqishëm i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, publikoi një mesazh sfidues në rrjetet sociale: “Iranianët nuk flasin vetëm për mbrojtjen e vendit të tyre, ne derdhim gjak për të. E kemi bërë më parë dhe jemi gati ta bëjmë përsëri.... Ejani”.

Një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi për sulme “më të gjera dhe më shkatërruese” në vijim.

Sulme me raketa në Izrael

Të premten në mëngjes herët, ushtria e Izraelit tha se mbrojtja ajrore po punonte për t’i parandaluar raketat e lëshuara nga Irani, teksa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, e nisur më 28 shkurt, po vazhdon në muajin e dytë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë në një deklaratë se kishin “vërejtur raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit”.

“Sistemet mbrojtëse janë duke punuar për ta parandaluar kërcënimin”, shtuan ato. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme.

Kuvajti gjithashtu tha të premten në mëngjes herët se mbrojtja e tij ajrore po reagonte ndaj sulmeve me raketa dhe dronë, duke theksuar se çdo shpërthim i dëgjuar vinte nga shkatërrimi i predhave, pasi Irani po vazhdon t’i godasë aleatët arabë të SHBA-së në Gjirin Persik.

Ndryshime në krye të ushtrisë amerikane

Sulmet vijnë në një kohë kur një zëdhënës i Pentagonit tha se gjenerali Randy George, shefi i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, do të dalë në pension nga pozita e tij si oficeri më i lartë i shërbimit.

“Gjenerali Randy A. George do të dalë në pension nga pozita i tij si shefi i 41-të i Shtabit të Ushtrisë, me efekt të menjëhershëm. Departamenti i Luftës është mirënjohës për shërbimin e gjeneralit George ndaj kombit tonë për dekada. I urojmë më të mirat në pensionimin e tij”, shkroi zëdhënësi në X.

Nuk dihet nëse ky vendim lidhej me luftën në Iran, në një kohë kur kritikët e Trumpit janë ankuar se konflikti po del jashtë kontrollit dhe po krijon krizë energjetike dhe vështirësi ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë, thanë se shefi i mbrojtjes Pete Hegseth e detyroi George të largohej, një veprim pothuajse i paparë gjatë kohës së luftës, sepse ai dëshironte dikë që do të zbatonte vizionin e tij dhe të Trump për ushtrinë amerikane.

Shefi i OKB-së bën thirrje për ndaljen e “spirales së vdekjes”

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, më 2 prill bëri thirrje për t’i dhënë fund “spirales së vdekjes dhe shkatërrimit” në Lindjen e Mesme.

“Jemi në prag të një lufte më të gjerë që do të përfshijë të gjithë Lindjen e Mesme me pasoja dramatike në mbarë globin”, u tha Guterres gazetarëve në Nju Jork.

Guterres theksoi rreziqet e gjendjes në Ngushticën e Hormuzit, të cilën Irani e ka mbyllur, pothuajse duke e ndalur transportin detar duke krijuar një bllokim të cisternave të naftës dhe gazit natyror, gjë që ka çuar në një krizë globale energjetike.

“Kur Ngushtica e Hormuzit ngufatet, më të varfrit dhe më të cenueshmit në botë nuk mund të marrin frymë”, tha Guterres. / REL

Lufta në Iran, Trump: Izraeli do të veprojë sipas udhëzimeve të mia

Donald Trump tha se Izraeli do të ndjekë vendimet e tij në lidhje me përfundimin e luftës me Iranin, duke pretenduar se operacionet do të ndalen kur ai të vendosë kështu.

“Ata do të bëjnë atë që u them unë. Ata kanë qenë partnerë të mirë. Do të ndalen kur të ndalem unë”, tha ai në një intervistë me revistën Time, duke shtuar se Izraeli do të vazhdojë vetëm nëse provokohet.

Ky qëndrim ndryshon nga deklaratat e tij të mëparshme, në të cilat ai kishte thënë se përfundimi i luftës do të ishte një “vendim i ndërsjellë” me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Në të njëjtin artikull, Time përshkruan sfondin e vendimit për të filluar luftën, si dhe përpjekjet e palës amerikane për të kërkuar një rrugëdalje, mes presionit të brendshëm në rritje në SHBA.

Sipas raportit, Trump thirri një takim më 27 shkurt, gjatë të cilit fillimisht thuhet se e “ngriu” operacionin, përpara se të kthehej disa orë më vonë me një rreth të kufizuar bashkëpunëtorësh për të dhënë dritën jeshile për sulmet e para që filluan po atë natë.

Në të njëjtën kohë, ai raporton se Netanyahu po nxiste vazhdimin dhe forcimin e operacioneve, duke pretenduar se Irani po kërkon të fitojë kohë për të lëvizur drejt blerjes së një arme bërthamore.

Nga ana e tij, Trump e quajti Iranin “shumë të ashpër” në negociata, duke vënë në dukje se ai i ka bërë ballë presionit të madh. “Ata mund të durojnë shumë dhimbje dhe unë e respektoj këtë. Mendoj se ata janë negociatorë më të mirë sesa luftëtarë”, tha ai.

Trump kërcënon përsëri Iranin me sulme ndaj infrastrukturës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të reja për përshkallëzim të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë objektiva strategjike si urat dhe centralet e prodhimit të energjisë elektrike.

Në një postim të publikuar në platformën Truth Social në orët e para të mëngjesit të së premtes, Trump deklaroi se ushtria amerikane “nuk ka filluar ende të shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran”, duke shtuar se objektivat e radhës mund të jenë infrastruktura kritike e vendit.

“Ushtria jonë, më e madhja dhe më e fuqishmja kudo në botë, nuk ka filluar ende të shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran.

Më pas vijnë urat, më pas centralet elektrike. Udhëheqja e re e regjimit e di se çfarë duhet bërë dhe duhet bërë shpejt!”, shkroi ai.

Zbulimi i CNN: Arsenali i Iranit mbetet mjaftueshëm i fuqishëm për të shkaktuar kaos në rajon

Irani vijon të mbajë kapacitete të rëndësishme ushtarake, pavarësisht goditjeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli gjatë pesë javëve të fundit. Kështu raportoi CNN, duke iu referuar tre burimeve anonime me njohuri mbi vlerësimet e agjencive amerikane të inteligjencës.

Sipas raportit, rreth gjysma e lëshuesve të raketave të Iranit mbeten ende të paprekur, ndërsa vendi disponon gjithashtu mijëra dronë njëpërdorimësh në arsenalin e tij. Këto të dhëna sugjerojnë se Teherani vazhdon të ketë aftësi të konsiderueshme operacionale në rajon.

Një nga burimet e cituara nga CNN thekson se Irani “mbetet në gjendje të shkaktojë kaos në të gjithë rajonin”, duke reflektuar shqetësimet e shërbimeve të inteligjencës mbi potencialin ushtarak të vendit.

Në vlerësime mund të përfshihen edhe lëshues raketash që aktualisht nuk janë të aksesueshëm, pasi janë mbuluar nga rrënojat pas sulmeve ajrore, por që nuk janë shkatërruar plotësisht.

Burimet shtojnë se rreth 50% e kapaciteteve të Iranit për dronë mbeten funksionale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e raketave cruise për mbrojtje bregdetare vazhdon të jetë operative.

Këto sisteme konsiderohen element kyç i strategjisë ushtarake iraniane, pasi i mundësojnë vendit të kërcënojë lundrimin në Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe tregtisë.

Këshilli i Sigurimit i OKB pritet të votojë rezolutën për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit

Një votim i rëndësishëm në Këshilli i Sigurimit i OKB-së është planifikuar të zhvillohet këtë të premte, lidhur me një projekt-rezolutë për sigurinë në Ngushtica e Hormuzit, pas javësh negociatash intensive diplomatike.

Rezoluta është propozuar nga Bahreini, i cili mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit.

Dokumenti autorizon shtetet anëtare që “të përdorin të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme dhe proporcionale me rrethanat” për të garantuar kalimin e lirë në këtë korridor strategjik për të paktën gjashtë muaj.

Fillimisht, projekt-rezoluta ishte hartuar nën Kapitullin VII të Kartës së OKB-së, që do të lejonte përdorimin e forcës ushtarake. Megjithatë, kjo dispozitë u hoq pas kundërshtimeve nga Rusia dhe Kina gjatë procesit të negociatave.

Pavarësisht këtij kompromisi, formulimi aktual i rezolutës mund të vazhdojë të ngjallë shqetësime në Moskë dhe Pekin, të cilat kanë abstenuar në draftet e mëparshme që dënonin Iranin dhe përmendnin drejtpërdrejt Ngushticën e Hormuzit. Nuk përjashtohet mundësia që të dyja vendet të përdorin të drejtën e vetos, çka do të bllokonte miratimin e dokumentit.

Sulm në Iran, 8 të vrarë dhe 95 të plagosur/ Teherani: Do ndërtojmë gjithçka më të fortë

Të paktën 8 persona kanë humbur jetën dhe 95 të tjerë janë plagosur pas një sulmi që goditi një urë rreth 1,000 metra të gjatë, e cila lidh dy nga qytetet më të mëdha të Iran.

Pamjet e publikuara në media tregojnë tym të dendur që ngrihet nga struktura pas shpërthimit. Mediat shtetërore iraniane konfirmuan bilancin e viktimave, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes.

Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, reagoi ashpër duke deklaruar se vendi i tij nuk do të dorëzohet përballë presioneve apo sulmeve.

“Çdo urë dhe ndërtesë do të ndërtohet më e fortë. Ajo që nuk do të rikuperohet kurrë është dëmtimi i imazhit të Amerikës,” u shpreh ai.

Në një reagim të dytë në rrjetet sociale, Araghchi ironizoi deklaratat e fundit të Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se SHBA mund ta “kthejë Iranin në Epokën e Gurit”.

“Ekziston një ndryshim i madh mes sot dhe Epokës së Gurit. Atëherë nuk kishte naftë apo gaz në Lindjen e Mesme. A janë të sigurt amerikanët që duan të kthejnë kohën pas?” shtoi ai.

Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit vijojnë të mbeten të larta, ndërsa ky zhvillim pritet të rrisë më tej shqetësimet për përshkallëzim në rajon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat