​Japonia me protesta në mbrojtje të kushtetutës pacifiste, ndërsa kryeministrja kërkon ndryshimin e saj

Azia

​Japonia me protesta në mbrojtje të kushtetutës pacifiste, ndërsa kryeministrja kërkon ndryshimin e saj

Më: 4 maj 2026 Në ora: 09:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Dhjetëra mijëra qytetarë në Japoni kanë protestuar kundër ndryshimit të kushtetutës pacifiste, ndërsa kryeministrja Sanae Takaichi ka kërkuar diskutime të avancuara për rishikimin e saj.

Gjatë një vizite zyrtare në Vietnam, Takaichi deklaroi se kushtetuta duhet të “reflektojë kërkesat e kohës”, duke theksuar nevojën për ndryshime përballë sfidave të sigurisë nga Koreja e Veriut dhe Kina.

Në qendër të debatit mbetet neni 9 i kushtetutës së pasluftës, i cili ndalon përdorimin e forcës ushtarake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Ndryshimet kërkojnë dy të tretat e votave në parlament dhe miratimin në referendum, ndërsa sondazhet tregojnë ndarje të thella në opinionin publik.

Të dielën, rreth 50 mijë protestues u mblodhën në Tokio në mbrojtje të kushtetutës, duke e cilësuar atë garant të paqes dhe stabilitetit që nga hyrja në fuqi më 3 maj 1947. Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit.

Sipas The Guardian, kritikët akuzojnë qeverinë se synon ta shndërrojë forcën vetëmbrojtëse në ushtri të rregullt dhe kundërshtojnë rritjen e shpenzimeve ushtarake, duke kërkuar fokus në shëndetësi, arsim dhe punësim.

Ndërkohë, edhe SHBA-ja ka vlerësuar rolin e kushtetutës japoneze në ruajtjen e sovranitetit popullor, të drejtave themelore dhe pacifizmit, duke theksuar se ajo mbetet e pandryshuar që nga miratimi pas Lufta e Dytë Botërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat