Dy punonjës të një hidrocentrali në Nepal janë nxjerrë të gjallë nga një tunel nëntë ditë të bllokuar në errësirë, mes baltës dhe ujit. Shpëtimi i tyre dramatik rikthen shpresën për qindra persona të tjerë që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar pas katastrofës shkatërrimtare që goditi rajonin pranë kufirit me Kinën.
Nëntë ditë në errësirë, të rrethuar nga balta, uji dhe shkëmbinjtë. Kaq kohë qëndruan të bllokuar nën tokë dy punonjës të një hidrocentrali në Nepal, përpara se ekipet e shpëtimit t’i nxirrnin të gjallë.
Pamjet dramatike tregojnë momentin kur Sanjay Sah del nga tuneli, me fytyrën e mbuluar nga balta. Mjekët i vendosin menjëherë maskën e oksigjenit dhe i japin ndihmën e parë.
Pak më pas, kolegu i tij, Kabir Maharjan, nxirret me barelë, i rraskapitur pas nëntë ditësh i bllokuar nën tokë.
Të dy ishin pjesë e stafit të hidrocentralit kur, më 26 gusht, një masiv akulli, shkëmbinjsh dhe balte përfshiu luginën e lumit Trishuli, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij.
Por shpëtimi i dy punonjësve mund të jetë vetëm fillimi.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë dëgjuar zëra nga brenda tuneleve dhe po punojnë pa ndërprerje për të arritur persona të tjerë që mund të kenë mbijetuar.
Operacioni mbetet jashtëzakonisht i vështirë. Tunelet janë të mbushura me ujë, baltë dhe shkëmbinj gjigantë. Në disa zona, ekipet janë detyruar të përdorin edhe shpërthime të kontrolluara për të hapur rrugën, duke rrezikuar që çdo veprim të kërcënojë jetën e personave që mund të ndodhen në anën tjetër.
Bilanci i katastrofës është tragjik. Mbi një mijë persona kanë humbur jetën, ndërsa mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Qindra punëtorë dyshohet se mund të jenë ende të bllokuar në rrjetin e tuneleve të hidrocentraleve.
Mes kësaj tragjedie, mbijetesa e Sanjay Sah dhe Kabir Maharjan pas nëntë ditësh nën tokë sjell një rreze shprese për operacionin e kërkim-shpëtimit.