Vizita e papritur e Kim Jong Un në Kinë: Mesazhi që i dërgon SHBA-së dhe ura e re që forcon lidhjet mes dy vendeve

Azia

Vizita e papritur e Kim Jong Un në Kinë: Mesazhi që i dërgon SHBA-së dhe ura e re që forcon lidhjet mes dy vendeve

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 19:10
Kim Jong Un

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është kthyer sot nga një vizitë e papritur njëditore në qytetin kufitar kinez Dandong, ku vizitoi një monument historik kushtuar Luftës së Koresë, raportuan sot mediat shtetërore të Koresë së Veriut.

Kim vizitoi qytetin të shtunën dhe u kthye me rrugë tokësore, duke kaluar përmes urës së inauguruar së fundmi, e cila lidh Korenë e Veriut me aleatin e saj më të madh dhe partnerin kryesor tregtar. Kjo vizitë e shkurtër simbolizon përpjekjet e Pekinit dhe Phenianit për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

Mediat shtetërore të Koresë së Veriut theksuan rëndësinë historike të vizitës, e cila u zhvillua një ditë para përvjetorit të hyrjes së Kinës në Luftën e Koresë, në mbështetje të Phenianit.

Marrëdhënia dypalëshe u cilësua si një lidhje e pathyeshme, e krijuar gjatë konfliktit mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, e cila mbështetej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në periudhën 1950–1953, raportuan mediat shtetërore.

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut, teknikisht, ndodhen ende në gjendje lufte, pasi konflikti përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Gjatë vizitës, Kim deklaroi se populli i Koresë së Veriut do të “kujtojë përgjithmonë vitet e lavdishme kur luftoi krah popullit kinez” dhe do të përcjellë “nga brezi në brez mirënjohjen ndaj popullit kinez, i cili ndihmoi revolucionin tonë me gjakun e tij”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Forcimi i lidhjeve përpara vizitës së Trumpit në rajon

Pekini dhe Pheniani po përpiqen të forcojnë marrëdhëniet ekonomike në prag të një vizite të presidentit amerikan Donald Trump në rajon, e planifikuar për muajin e ardhshëm.

Kjo përbën një lëvizje të ndjeshme në aspektin e ekuilibrave politikë për Phenianin, i cili gjatë dy viteve të fundit ka thelluar gjithashtu marrëdhëniet ushtarake me Rusinë.

I shoqëruar nga Wang Huning, zyrtari i katërt më i lartë në hierarkinë e Partisë Komuniste të Kinës, Kim vizitoi Muzeun Përkujtimor të Luftës së Rezistencës ndaj Agresionit Amerikan dhe Ndihmës ndaj Koresë, në qytetin Dandong.

Në vizitë mori pjesë edhe një delegacion i nivelit të lartë nga Koreja e Veriut, ku përfshiheshin motra e tij, Kim Yo Jong, dhe ministrja e Jashtme, Choe Son Hui.

Gjatë vizitës në memorial, Kim u ndal përpara një fotografie historike ku shfaqeshin gjyshi i tij, themeluesi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, dhe Mao Ce Duni, themeluesi i Kinës moderne. Pamjet u transmetuan nga televizioni shtetëror KRT.

Kim i dhuroi muzeut një pllakë përkujtimore që paraqet Kim Il Sung, përpara se të zhvillonte një takim zyrtar me Wang Huning dhe të vizitonte një fabrikë prodhimi autobusësh në Dandong.

Ura e re, simbol i lidhjes mes dy vendeve

Kim e vizitoi për herë të fundit Pekinin në shtator të vitit 2025, me rastin e një parade ushtarake, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Korenë e Veriut në qershor.

Duke parë panoramën nga mesi i urës së inauguruar së fundmi, Kim Jong Un shprehu bindjen se ajo do të përmbushë misionin e saj historik për të lidhur dy vendet dhe për të forcuar bashkimin e tyre shpirtëror.

“Shoku Kim Jong Un shprehu pritshmërinë se ura do të përmbushë pa dyshim dhe në mënyrë të denjë misionin e saj historik për lidhjen e dy vendeve dhe forcimin e bashkimit të tyre shpirtëror”, raportoi agjencia shtetërore KCNA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat