Zgjedhjet në Izrael: Netanyahu para, por pa shumicë – partitë arabe mund të vendosin qeverinë

Azia

Zgjedhjet në Izrael: Netanyahu para, por pa shumicë – partitë arabe mund të vendosin qeverinë

Nga: b.s. Më: 28 tetor 2026 Në ora: 10:08
Partitë arabe mund të përfundojnë si faktori vendimtar për balancën e pushtetit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dalë më mirë se sa parashikonin shumica e sondazheve në zgjedhjet parlamentare të së martës, me partinë e tij Likud që del si forca më e madhe politike në vend. Megjithatë, sipas rezultateve të pjesshme, blloku i tij me partitë ultranacionaliste dhe ultraortodokse hebraike mbetet pak nën shumicën prej 61 ulësesh në Knesetin me 120 deputetë, raporton BBC.

Analistët paralajmërojnë se pamja mund të ndryshojë, pasi numërimi i hershëm ishte i përqendruar në zona ku e djathta ka mbështetje të fortë. Pjesëmarrja në votime kaloi 77 për qind, shenjë e mobilizimit të madh të votuesve në një garë që pritej të përfundonte në ngërç.

Rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Gadi Eisenkot, sipas të dhënave të deritanishme do ta kishte të vështirë të siguronte shumicë parlamentare pa mbështetjen e partive që përfaqësojnë pakicën arabe të Izraelit. Këto parti, sipas rezultateve paraprake, e kanë barazuar ose tejkaluar rekordin e tyre të mëparshëm të ulëseve, pasi qytetarët arabë – rreth një e pesta e popullsisë – dolën në votime në numër të paprecedentë.

Gjatë fushatës, shumica e partive opozitare hebraike premtuan se nuk do të bashkëpunonin me listat me shumicë arabe. Pikërisht kjo i bën tani partitë arabe potencialisht “mbretbërëse” – nëse dikush është i gatshëm ta thyejë këtë tabu.

Të dy liderët u drejtuan mbështetësve të tyre gjatë natës dhe secili premtoi se do ta formojë qeverinë e ardhshme. Netanyahu deklaroi se blloku i djathtë ka një shumicë të qartë mes publikut hebre dhe sionist dhe bëri thirrje për një qeveri të fortë kombëtare të djathtë, por pa e shpallur ende fitoren. Eisenkot, nga ana e tij, u tha anëtarëve të partisë së tij Yashar se izraelitët kanë votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të Netanyahut në krye të qeverisë, duke premtuar një qeveri “sioniste” të qëndrueshme që do ta bashkonte sërish vendin.

Votat e ushtarëve mund të vendosin

Një rezervë e madhe mbetet numri i lartë i votave ende të panumëruara të votuesve që nuk votuan në vendbanimet e tyre, kryesisht ushtarë. Për këtë arsye, rezultati përfundimtar nuk pritet të jetë i qartë para një ose dy ditëve.

Zgjedhjet u panë nga shumë izraelitë si një referendum jo vetëm për udhëheqjen e Netanyahut – i cili po përballet me një gjyq për korrupsion, akuza që ai i mohon – por edhe për drejtimin që duhet të marrë vendi. Gjatë katër viteve të fundit, qeveria e tij e çoi Izraelin drejt një kursi më fetar dhe nacionalist, ndërsa para sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 vendi u trondit nga protestat masive kundër reformës në drejtësi. Sulmi i Hamasit nxiti më pas luftëra në Gaza, Liban dhe Iran.

Megjithatë, sipas ekspertëve të sondazheve, raporti i forcave mes kampit pro dhe kundër Netanyahut ka mbetur pothuajse i pandryshuar, ndonëse shumëkush priste që pas 7 tetorit ai të binte politikisht.

Tabuja e partive arabe

Pyetja kryesore tani është nëse i ashtuquajturi “blloku i ndryshimit” në opozitë do të pranojë një marrëveshje me partitë arabe. Një nga liderët e këtij blloku, politikani i djathtë Avigdor Lieberman, deklaroi gjatë fushatës se nuk do të bënte pjesë në një qeveri pakice që mbështetet te votat e tyre.

Nga ana tjetër, Mansour Abbas, lider i partisë Ra’am, e cila ishte pjesë e koalicionit që e largoi përkohësisht Netanyahun nga pushteti në vitet 2021–2022, ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar qeverisë së ardhshme. Sipas tij, politikanët izraelitë zakonisht flasin ndryshe pas zgjedhjeve sesa para tyre. Ndërkohë, Netanyahu dhe aleatët e tij kanë nisur një fushatë të ashpër për delegjitimimin e partive arabe.

Çfarë ndodh më tej

Pasi rezultatet përfundimtare t’i dorëzohen presidentit Isaac Herzog javën e ardhshme, ai do të konsultohet me liderët e të gjitha partive të zgjedhura dhe do t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit me shanset më të mëdha. Nëse ai nuk arrin të sigurojë shumicë brenda afatit maksimal prej gjashtë javësh, mandati mund t’i kalojë dikujt tjetër.

Nëse askush nuk arrin të formojë koalicion, Izraeli do të shkojë sërish në zgjedhje brenda disa muajve. Deri atëherë, qeveria e Netanyahut mbetet në detyrë si qeveri në largim, pa autoritet për të marrë vendime të mëdha politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat