Pritshmëritë e samitit të parë të Grupit të Katërshes në Azi

Bota

Pritshmëritë e samitit të parë të Grupit të Katërshes në Azi

Më: 10 mars 2021 Në ora: 16:44
Jen Psaki

Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e Japonisë, Indisë dhe Australisë do të takohen virtualisht këtë javë në samitin e parë të "Dialogut Katërpalësh për Sigurinë". Grupi i këtyre vendeve, i njohur gjithashtu si grupi i "Katërshes", pritet të diskutojë mbi diplomacinë kineze të vaksinave dhe çështje të tjera rajonale.

Lufta kundër pandemisë globale do të jetë fokusi i takimit virtual mes Presidentit Joe Biden dhe udhëheqësve të Japonisë, Indisë dhe Australisë - grup i njohur ndryshe si grupi i Katërshes.

“Do të diskutohen një numër çështjesh. Që nga përballja e komunitetit global me kërcënimin e COVID-it e deri tek bashkëpunimi ekonomik dhe natyrisht kriza e ndryshimeve klimatike”, tha zëdhënsja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Grupi i Katërshes nuk është një aleancë ushtarake por shpesh shihet si një kundërpeshë ndaj rritjes së ndikimit kinez në rajonin e Azi-Paqësorit. Takimi i së premtes do të jetë samiti i parë mes udhëheqësve të grupit që nga themelimi i tij në vitin 2007.

“Të gjithë presin të shohin se si do ta ndjekë administrata Biden strategjinë e saj për Azinë. Takimi është një sinjal i qartë se ky rajon është përparësi e lartë për administratën e re”, thotë Sheila A. Smith me Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë diplomacinë agresive të Kinës me vaksinat. Pekini ka premtuar gati gjysmë miliardë doza në të gjithë botën - një përpjekje që disa thonë se synon të zgjerojë ndikimin e tij politik.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parashtruar plane për të shpërndarë vaksina jashtë vendit por kanë premtuar 4 miliardë dollarë për COVAX-in, programin e OKB-së për shpërndarjen globale të vaksinave.

“Nuk kemi përcaktuar sa vaksina do të vemë në dispozicion për t’u shpërndarë përmes COVAX-it për qeveritë partnere. Por ne jemi angazhuar në parim ta bëjmë një gjë të tillë”, tha J. Stephen Morrison me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

India thuhet se po u kërkon anëtarëve të tjerë të grupit të investojnë për të shtuar kapacitetin e saj të prodhimit të vaksinave për t'iu kundërvënë diplomacisë kineze. Nga takimi i së premtes priten më shumë detaje mbi angazhimin e grupit të Katërshes për vaksinën.

“Angazhimi do të bëhet përmes një kornize shumëpalëshe, jo vetëm për atë që do të bëjnë amerikanët. Por siç e dini, ne po angazhohemi përsëri përmes OBSH-së, në përgjigjen globale ndaj pandemisë. Kështu që mendoj se në takim do të merren hapa shtesë. Por nuk mendoj se administrata Biden do të premtojë shumë derisa situata e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të jetë pak më e stabilizuar dhe nën kontroll”, thotë Sheila A. Smith me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Grupi i Katërshes pritet gjithashtu të diskutojë rritjen ushtarake të Kinës. Pekini po rrit me 6.8% buxhetin e tij të mbrojtjes për vitin 2021.

"Pa një parandalim bindës, Kina do të inkurajohet të vazhdojë të ndërmarrë veprime për të zëvendësuar rendin ndërkombëtar të vendosur në bazë të rregullave dhe vlerave të vizionit tonë për një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur", tha admiral Philip Davidson.

Buxheti prej 208 miliardë dollarë i Kinës për mbrojtjen është sa një e katërta e buxhetit ushtarak të Shteteve të Bashkuara por katër herë më i lartë nga buxheti i Japonisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat