Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin u ulën të enjten në një tryezë të përbashkët në Shenzhen të Kinës. Është takimi i parë i këtij lloji mes udhëheqësve të tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë. Bisedimet u zhvilluan në vilën Kylin, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Pas takimit, tre liderët miratuan një deklaratë të përbashkët, të cilën Shtëpia e Bardhë e publikoi me titullin "Deklarata e krerëve të shteteve SHBA–Rusi–Kinë drejt Paqes". Sipas Shtëpisë së Bardhë, tre presidentët "patën një shkëmbim të thellë pikëpamjesh për situatën ndërkombëtare dhe u zotuan të ruajnë stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare".
Çfarë thotë deklarata
Në dokument, Uashingtoni, Pekini dhe Moska riafirmojnë se "lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë". Ato zotohen gjithashtu për dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Tri vendet bien dakord që Organizata e Kombeve të Bashkuara të reformohet, që t'u përgjigjet më mirë sfidave globale. Ato paralajmërojnë edhe rritjen e prodhimit dhe të furnizimit me produkte të rafinuara të naftës, duke theksuar rëndësinë e flukseve të qëndrueshme të energjisë.
Një pikë e veçantë u kushtohet gjykatave ndërkombëtare. Sipas deklaratës, pëlqimi i shteteve dhe imuniteti i zyrtarëve shtetërorë kanë rëndësi parësore, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe organet e ngjashme nuk duhet ta keqpërdorin juridiksionin e tyre. Administrata Trump e ka kundërshtuar prej kohësh gjykatën e Hagës dhe ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të saj.
Ukraina u diskutua, por nuk hyri në dokument
Deklarata nuk përmend as Ukrainën, as luftën në Iran, edhe pse këto dy kriza e kishin dominuar paralajmërimin e takimit.
Para takimit trepalësh, Trump dhe Putin zhvilluan një takim dypalësh që zgjati rreth 40 minuta. Ishte takimi i tyre i parë zyrtar pas samitit të Alaskës në gusht të vitit 2025. Trumpin e shoqëruan sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ndërsa Putinin ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov. Trump e quajti Putinin "mik".
Këshilltari i Kremlinit, Jurij Ushakov, tha se Ukraina ishte tema kryesore e bisedës dhe se Putini doli nga takimi "në humor të shkëlqyer". Megjithatë, sipas tij, asnjëra palë nuk bëri deklarata veçanërisht të rëndësishme. Më vonë, në një konferencë për shtyp në Shenzhen, Putin tha se Ukraina ka të drejtë për siguri, por jo në kurriz të sigurisë së Rusisë.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, kishte paralajmëruar qysh në tetor se tre liderët kanë të drejtë të takohen, por jo të vendosin për Ukrainën pa Kievin.
Xi: Armët bërthamore, "shpata e Damokleut"
Sipas medias shtetërore kineze, Xi Jinping i përshkroi armët bërthamore si "shpatë e Damokleut" që rri pezull mbi njerëzimin dhe tha se tri fuqitë më të mëdha bërthamore mbajnë përgjegjësi për paqen në botë. Ai e quajti takimin "hap pionier" dhe tha se farat e mbjella në Shenzhen "do të zënë rrënjë, do të mbijnë, do të lulëzojnë dhe do të japin fryte".
Trump dhe Xi u takuan edhe veçmas, për rreth një orë. Ishte takimi i tyre i tretë këtë vit. "Për sa kohë që ne të dy jemi në krye, nuk mendoj se do të kemi problem", tha Trump, ndërsa Xi tha se është i vendosur t'i mbajë marrëdhëniet mes dy vendeve "në kursin e duhur".
Çfarë vjen më pas
Shumë analistë e vlerësojnë takimin si moment historik për diplomacinë botërore, por me pak rezultate konkrete për krizat e hapura. Trump është larguar nga Kina dhe ka paralajmëruar se të premten do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të japë detaje për bisedimet me Xi-në dhe Putinin.