Bruno Mars i jep lamtumirën babait: Ai më mësoi gjithçka që di për muzikën

Bota e Yjeve

Bruno Mars i jep lamtumirën babait: Ai më mësoi gjithçka që di për muzikën

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 15:43
Këngëtari Bruno Mars gjatë një paraqitjeje publike

Bruno Mars është në zi. Ylli amerikan i muzikës ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë babai i tij, Peter Hernandez, në moshën 74-vjeçare, duke i kushtuar një homazh të përzemërt në Instagram.

"Javën e kaluar arrita ta përqafoj babanë tim për herë të fundit", shkroi këngëtari 41-vjeçar në postimin e së enjtes, të cilin e shoqëroi me një fotografi nga spitali, ku shihet duke e përqafuar babanë e shtrirë në shtrat. Ai e përshkroi Peterin si njeriun që i mësoi gjithçka që di, sidomos në muzikë, dhe si babain më të mirë në botë, duke shtuar se do ta ketë mall çdo ditë. Në fund, i kërkoi që në qiell ta puthë edhe nënën e tij.

Siç raporton Billboard, detajet rreth shkakut të vdekjes nuk janë bërë publike. Postimi u mbush shpejt me mesazhe ngushëllimi nga fansat dhe nga kolegë të artistit.

Image
Përqafimi i fundit i Bruno Marsit me babanë

 

Peter Hernandez, i lindur në Brooklyn të Nju-Jorkut, ishte perkusionist i muzikës latine dhe u vendos në Honolulu të Havait. Aty drejtonte një shfaqje muzikore familjare në Waikiki dhe e nxori Brunon në skenë kur ai ishte ende i vogël, ku u bë i njohur si imitues i Elvis Presleyt. Sipas BANG Showbiz, fituesi i 16 çmimeve Grammy, emri i vërtetë i të cilit është po ashtu Peter Gene Hernandez, e ka përmendur shpesh babanë si frymëzimin për ritmin, koleksionin e pllakave dhe stilin e tij në skenë.

Humbja vjen trembëdhjetë vjet pas vdekjes së nënës së tij, Bernadette San Pedro Bayot, këngëtare dhe valltare hula, e cila ndërroi jetë në qershor të vitit 2013, në moshën 55-vjeçare, nga një aneurizëm cerebrale. Bruno është një nga gjashtë fëmijët e çiftit, ndërsa vëllai i tij, Eric, i bie baterisë në grupin e tij, The Hooligans.

Image
Fotografi e vjetër e Peter Hernandezit, babait të Bruno Marsit
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat