Trump, Xi dhe Putin miratojnë “Deklaratën e Paqes”: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet

Bota

Trump, Xi dhe Putin miratojnë “Deklaratën e Paqes”: Lufta bërthamore nuk mund të fitohet

Nga: Bota sot Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 12:34 Përditësuar në ora: 14:01 më 19.11.2026
Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në kompleksin Kylin Villa, në Shenzhen të Kinës, 19 nëntor 2026.

Trump, Xi dhe Putin miratojnë “Deklaratën e Paqes” – katër pika, asnjë për Ukrainën

Nga: Bota Sot

Takimi i parë trepalësh në histori mes presidentit amerikan Donald Trump, atij kinez Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin përfundoi të enjten në Shenzhen me miratimin e një deklarate të përbashkët, të quajtur "Deklarata e Paqes".

Takimi u zhvillua në rezidencën shtetërore Kylin Villa. Sipas agjencisë Anadolu, ai filloi rreth orës 16:30 me orën lokale (09:30 me orën e Kosovës) dhe zgjati rreth 80 minuta.

Teksti i deklaratës u publikua fillimisht nga mediat shtetërore kineze dhe nga Kremlini, ndërsa Shtëpia e Bardhë, sipas AFP-së, deri në atë moment nuk kishte publikuar asgjë.

Çka parasheh deklarata

Deklarata ka katër pika. Tri vendet, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zotohen të punojnë për reformimin e Kombeve të Bashkuara. Ato paralajmërojnë rritjen e prodhimit dhe të furnizimit me produkte të rafinuara të naftës dhe theksojnë rëndësinë e rrjedhës së qëndrueshme të energjisë.

Në pikën e tretë, liderët theksojnë se juridiksioni ndërkombëtar kërkon pëlqimin e shteteve dhe se imuniteti i zyrtarëve shtetërorë duhet respektuar, duke kërkuar që Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucionet e ngjashme të mos i tejkalojnë kompetencat e tyre. Kjo pikë bie në sy, pasi ndaj Putinit që nga viti 2023 është lëshuar urdhërarrest nga kjo gjykatë.

Në pikën e katërt, të tre rikonfirmojnë se lufta bërthamore "nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë" dhe pajtohen të nisin dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve. Megjithatë, deklarata nuk përmban asnjë zotim konkret për reduktimin e arsenaleve bërthamore. Në katër pikat e saj nuk përmenden as lufta në Ukrainë, as ajo me Iranin.

Xi: Farat e mbjella do të japin fryte

Presidenti kinez e cilësoi takimin "pozitiv, konstruktiv dhe të frytshëm", duke thënë se tri vendet kanë qëndrim të përbashkët për ruajtjen e paqes botërore. Sipas agjencisë Xinhua, ai deklaroi se farat e mbjella në këtë takim "pa dyshim do të lëshojnë rrënjë, do të mbijnë dhe do të japin fryte".

Putini, sipas agjencisë ruse TASS, tha se tri vendet mund të kontribuojnë në stabilitetin ndërkombëtar si partnerë, duke e përmendur Ukrainën mes konflikteve rajonale ku sipas tij ka interesa të përbashkëta. Trump, në pjesën e hapur të takimit, tha se bisedimet do të përqendrohen në zgjidhjen paqësore në Ukrainë dhe përsëriti se Uashingtoni nuk do ta lejojë Teheranin të pajiset me armë bërthamore.

Takimet dypalëshe

Para takimit trepalësh, Trump u takua veçmas me Putinin, për rreth 40 minuta, dhe me Xi-në, për rreth një orë. Ishte takimi i parë dypalësh Trump–Putin që nga samiti në Alaskë në gusht të vitit 2025. Trump e quajti Putinin "miku im" dhe tha se SHBA-ja dëshiron të ndihmojë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund.

Menjëherë pas takimit, Trump u nis drejt aeroportit për t'u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Trump, Xi dhe Putin zhvillojnë takimin e parë trepalësh

Takimi i parë trepalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, nisi në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen të Kinës.

Tre udhëheqësit pritet të diskutojnë për çarmatimin bërthamor, si dhe për luftërat në Iran dhe në Ukrainë.

“Ne, vërtet, po bëjmë histori. Ne të tre kemi shumë çështje për të diskutuar”, tha Trump në fjalën e tij hyrëse.

“Si presidentë të tri prej vendeve më të mëdha në botë, kemi përgjegjësi të veçantë për të mbajtur një dialog të hapur, të respektueshëm dhe produktiv për çështje që ndikojnë jo vetëm te qytetarët tanë, por në mbarë planetin”, shtoi ai.

Xi tha se tri vendet duhet “të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin botëror”.

Putin foli për “interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë, natyrisht, konfliktin në Ukrainë”.

Përpara takimit trepalësh, Trump zhvilloi takime të ndara me Putinin dhe Xinë.

Presidenti amerikan dhe ai rus mbajtën një takim të shkurtër dhe të paparalajmëruar në margjinat e samitit, i cili nuk kishte karakterin e një takimi zyrtar dypalësh.

Ai u zhvillua në kompleksin qeveritar të pritjeve, Kylin Villa, në një dhomë të veçantë të qendrës së konferencave, ku po mbaheshin seancat plenare të samitit.

Zyrtarët amerikanë thanë për Radion Evropa e Lirë se ishte një bisedë e shkurtër joformale.

Sipas gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë, Trump hyri në dhomë në orën 12:15, sipas kohës lokale, i shoqëruar nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller.

Pamjet televizive, të regjistruara nga grupi i gazetarëve të akredituar, treguan se Trump iu afrua menjëherë Putinit dhe ia shtrëngoi dorën.

Teksa po i afrohej Putinit, Trump u dëgjua duke thënë: “Kush është ai? Ai është miku im”, sipas një regjistrimi të dëgjuar nga njëri prej gazetarëve.

Trump më pas bëri disa komente të shkurtra, duke thënë se ai dhe Putin njihen prej shumë vitesh dhe se kanë ruajtur marrëdhënie të mira.

“E presim me padurim takimin tonë. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera për shumë vite. Njihemi prej kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të marrin udhë. Por, besoj se ato do të realizohen”, tha Trump, sipas regjistrimit të gazetarëve të akredituar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se takimi mes Trumpit dhe Putinit “shkoi përgjithësisht mirë”.

“Takimi nuk zgjati shumë, por ata arritën të diskutojnë për disa çështje”, u tha Peskov gazetarëve.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u panë pranë dhomës, ku u zhvillua takimi.

Takim i kufizuar diplomatik

Takimi mes Trumpit dhe Putinit ishte më i kufizuar sesa një takim i zakonshëm zyrtar dypalësh.

Takime të tilla, të njohura në diplomaci si ‘pull-aside’, janë biseda të shkurtra mes udhëheqësve, shpesh joformale, në margjinat e tubimeve të mëdha ndërkombëtare.

Ato mundësojnë komunikim të drejtpërdrejtë, pa përgatitje të hollësishme, pjesëmarrje të delegacioneve dhe agjendë të përcaktuar, siç ndodh zakonisht me takimet zyrtare dypalëshe.

Në këtë rast, takimi nuk ishte përfshirë në agjendën fillestare publike të Trumpit.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha më herët Radios Evropa e Lirë se një takim i tillë kishte “shumë gjasa të ndodhte, nëse kushtet do ta lejonin”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u panë pranë dhomës ku u zhvillua takimi.

Ukraina mbetet çështje kyç

Takimi u zhvillua në kohën kur Rusia po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje të paqes vazhdojnë.

Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit që nga bisedimet e tyre në Alaskë, vitin e kaluar, të cilat përfunduan pa ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Ukraina këmbëngul vazhdimisht se duhet të marrë pjesë në çdo negociatë që lidhet me të ardhmen e saj.

Më 18 nëntor, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Uashington, Denys Sienik, i tha Radios Evropa e Lirë se çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën, duhet të zgjidhen me pjesëmarrjen e saj, ndërsa diskutimet për sigurinë evropiane kërkojnë përfshirjen e vendeve evropiane.

Sienik tha, gjithashtu, se Moskës nuk duhet t’i lejohet t’i shfrytëzojë tubimet ndërkombëtare për të promovuar qëndrimet e saj, duke theksuar se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa përfshirjen e Kievit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të mbrëmjes se të dërguarit amerikanë do t’i informonin zyrtarët ukrainas në Berlin, më 19 nëntor, për bisedimet e Trumpit me udhëheqësit kinezë në Pekin.

Kievi pritej, gjithashtu, të merrte informacione të drejtpërdrejta nga partnerët pjesëmarrës në samitin në Kinë.

Senatorët kërkojnë qëndrim më të ashpër

Përpara takimeve të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë kinez, Xi Jinping, nëntë senatorë demokratë lëshuan një deklaratë, duke i bërë thirrje presidentit që t’i mbrojë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe t’u kundërvihet atyre që i cilësuan si kërcënime në rritje nga Pekini dhe Moska.

Deklarata u udhëhoq nga senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hempshir - demokratja më e lartë në hierarkinë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit - dhe u mbështet nga senatorët Chris Coons, Tim Kaine, Jeff Merkley, Cory Booker, Brian Schatz, Chris Van Hollen, Tammy Duckworth dhe Jacky Rosen.

Senatorët paralajmëruan se samiti nuk duhet të shndërrohet në një mundësi për fuqitë e mëdha për ta ndarë botën në sfera konkurruese të ndikimit.

Ata i bënë thirrje Trumpit t’i kërkojë llogari presidentit kinez, Xi Jinping, për mbështetjen që Kina u jep përpjekjeve luftarake të Rusisë, përfshirë përmes furnizuesve dhe institucioneve financiare kineze, të cilat, sipas senatorëve, ndihmojnë në vazhdimin e operacioneve ushtarake të Moskës.

Senatorët kërkuan, gjithashtu, që Trump t’ia bëjë të qartë Putinit se siguria evropiane nuk është e negociueshme dhe se nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa pjesëmarrjen e saj.

Ligjvënësit kërkuan edhe zbatimin e kontrolleve amerikane mbi eksportet, marrjen e masave ndaj presionit ushtarak të Kinës mbi Tajvanin, si dhe lirimin e personave që, sipas tyre, mbahen padrejtësisht në Kinë.

“Siguria amerikane nuk mund të vihet në pazar për mundësi fotografimi apo për përfitime personale”, thanë senatorët.

Ata i bënë thirrje Trumpit që të ndërmarrë masa me pasoja konkrete për Putinin, për shkak të agresionit rus, në vend se t’i bëjë lëshime që mund të cenojnë Ukrainën, aleatët e NATO-s dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Trump jep detaje nga takimi me Xi: SHBA-ja dhe Kina duan fundin e luftës në Ukrainë, hapjen e Hormuzit dhe frenimin e Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë interesa të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të garantuar qarkullimin e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të parandaluar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.

Në deklaratat e tij gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping, Trump u shpreh se të dy vendet dëshirojnë përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se konflikti po shkakton një numër të madh viktimash.

“Ne po kërkojmë të ndihmojmë të dy palët në lidhje me luftën me Rusinë dhe Ukrainën. Ata do të donin ta shihnin luftën të përfundonte”, tha Trump, duke shtuar se çdo muaj po vriten rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë.

Ai bëri të ditur se takimi i mëhershëm me presidentin rus Vladimir Putin kishte shërbyer për përgatitjen e terrenit, ndërsa shprehu optimizëm për takimin e mëvonshëm trepalësh.

“Mendoj se ndoshta do të kemi një takim të suksesshëm”, u shpreh presidenti amerikan, duke iu drejtuar Xi Jinping si “miku im” dhe duke theksuar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e veçantë.

Trump deklaroi gjithashtu se SHBA-ja dhe Kina ndajnë të njëjtin interes për garantimin e lëvizjes së energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe për të mos lejuar Iranin të zotërojë armë bërthamore.

“Ne të dy e ndiejmë këtë shumë fort”, tha ai, duke përmendur edhe fusha të tjera të mundshme bashkëpunimi, përfshirë përpjekjet për të frenuar krizën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.

Në fjalën e tij, Trump vlerësoi edhe marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, duke iu referuar marrëveshjes për uljen reciproke të tarifave me rreth 30 miliardë dollarë për secilën palë. Ai tha se marrëveshja ka sjellë përfitime dhe se fermerët amerikanë kanë pasur rezultate të mira, ndërsa shprehu shpresën se Kina do të rrisë më tej blerjet e produkteve bujqësore amerikane.

“Ne kemi bërë mirë dhe ju keni bërë mirë. Fermerët tanë kanë bërë shumë mirë”, tha Trump, duke shtuar se Kina ka një kërkesë të madhe për produkte që SHBA-ja mund t’i furnizojë.

Presidenti amerikan e cilësoi bashkëpunimin mes Uashingtonit dhe Pekinit si të rëndësishëm jo vetëm për tregtinë dhe investimet, por edhe për çështjet rajonale dhe paqen botërore.

“Nga tregtia te investimet, nga çështjet rajonale te paqja botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë udhëhequr rrugën”, deklaroi ai, duke theksuar se gjatë një viti e gjysmë të fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike.

Trump kujtoi gjithashtu vizitën e tij të parë shtetërore në Kinë në vitin 2017, duke thënë se që prej asaj kohe ka ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer personale me Xi Jinping.

Takimin e fundit dhe samitin e APEC-ut në Shenzhen, Trump i vlerësoi si të organizuar në mënyrë të përsosur, duke falënderuar palën kineze për organizimin dhe mikpritjen.

Ai bëri të ditur se gjatë darkës së banketit një natë më parë kishte qëndruar pranë Xi Jinping dhe se të dy kishin biseduar për rreth dy orë, duke e cilësuar përvojën si “të pabesueshme” dhe “absolutisht të veçantë”.

Trump shprehu bindjen se takimi dypalësh do të ishte produktiv dhe se marrëdhëniet mes dy fuqive mund të vijojnë të përmirësohen, duke theksuar se bashkëpunimi mes tij dhe Xi Jinping është në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

Putin nga Shenzheni: Evropa është në “rënie poshtëruese”

Nga: Bota Sot
Presidenti rus Vladimir Putin, në fjalimin e tij në samitin e APEC-ut në Shenzhen, i quajti fuqitë perëndimore "ish-hegjemonë" dhe tha se Evropa ndodhet në një "rënie poshtëruese". Sipas agjencisë Reuters, ai pretendoi gjithashtu se sanksionet ndaj Rusisë, të vendosura pas pushtimit të Ukrainës, kanë dhënë efekt të kundërt.

Para tij, presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se Pekini dhe Moska duhet "të udhëheqin dhe të çojnë përpara prirjen drejt një bote shumëpolare", raporton Al Jazeera.

Ndërkohë, të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të marrin pjesë të enjten në Berlin në bisedime për Ukrainën me zyrtarë ukrainas dhe evropianë, njoftoi për CNN një zyrtar i qeverisë gjermane. Sipas "Financial Times", ata do t'i informojnë për bisedimet e Shenzhenit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sibiha, u bëri thirrje SHBA-së dhe Kinës që takimin e së enjtes ta shfrytëzojnë për të ushtruar presion mbi Rusinë që t'i japë fund luftës, duke theksuar se të dyja vendet kanë "ndikim vendimtar" mbi Moskën.

Kremlini nuk përjashton bisedë të shkurtër Trump–Putin nesër

Nga: Bota Sot

Takimi i sotëm në Shenzhen ishte i pari ballë për ballë mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit që nga gushti i vitit 2025, kur të dy u takuan në Alaskë për luftën në Ukrainë, pa arritur ndonjë përparim.

Sipas BBC-së, Trump dhe Putin pritet të kenë të enjten edhe një bisedë të veçantë në margjinat e samitit të APEC-ut, ku mund të diskutohet lufta në Ukrainë. Forma e saj ende nuk është e qartë, por një zëdhënës i Kremlinit la të kuptohet se mund të ketë një bisedë të shkurtër joformale, pa delegacione të mëdha në sallë.

Ndërkohë, agjencia shtetërore kineze Xinhua citoi Xi Jinpingun të thotë, pas pritjes së Trumpit në aeroport, se dëshiron të ndjekë me Shtetet e Bashkuara "një marrëdhënie konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme, të bazuar në respekt, drejtësi dhe barazi".

Shtrëngim duarsh Trump–Putin në Shenzhen, Xi shikon me buzëqeshje

Nga: Bota Sot

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump shtrënguan duart të mërkurën në mbrëmje në Shenzhen, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping i shikonte me buzëqeshje. Sipas BBC-së, ishte Putini ai që iu afrua Trumpit para fotografisë së përbashkët të liderëve të APEC-ut, dhe të dy shkëmbyen përshëndetje para Xi-së.

Kjo ishte hera e parë që tre liderët u panë bashkë, një ditë para takimit të tyre trepalësh, të parit në histori. Momenti ndodhi para banketit të mirëseardhjes që Xi dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, shtruan për liderët e APEC-ut në Qendrën Ndërkombëtare të Shkëmbimeve të Shenzhenit.

Të enjten, Trump dhe Xi do të kenë fillimisht një takim dypalësh dhe një drekë pune, në orën 12:45 me orën lokale (05:45 me orën e Evropës Qendrore). Takimi trepalësh Trump–Xi–Putin nis në orën 14:30 (07:30 në Evropë), në rezidencën shtetërore të presidentit kinez.

* * *

Xi thyen protokollin: e pret vetë Trumpin në aeroport

SHENZHEN – Presidenti kinez Xi Jinping theu protokollin dhe doli vetë në aeroportin ndërkombëtar Bao'an të Shenzhenit për ta pritur presidentin amerikan Donald Trump, i cili mbërriti të mërkurën në Kinë për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Në Kinë, ku protokolli diplomatik ndiqet me rreptësi, prania e Xi-së në tapetin e kuq tregon rëndësinë që Pekini i jep marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara, vlerëson CNN. Vetëm një ditë më parë, Putinin në aeroport e kishte pritur bashkëpunëtori i ngushtë i Xi-së, Cai Qi, e jo vetë presidenti kinez.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se të enjten, më 19 nëntor, Trump dhe Xi do të zhvillojnë fillimisht një takim dypalësh dhe një drekë pune, në orën 12:45 me orën lokale (05:45 me orën e Evropës Qendrore). Në orën 14:30 (07:30 në Evropë) do të nisë takimi i parë trepalësh në histori mes Trumpit, Xi-së dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Takimi trepalësh pritet të përqendrohet te lufta me Iranin, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe stabiliteti strategjik, përfshirë kontrollin e armëve bërthamore, ndonëse zyrtarët i kanë ulur pritjet për ndonjë marrëveshje konkrete.

Xi e hapi samitin e APEC-ut me thirrje për tregti të lirë dhe për bashkëpunim më të madh në fushën e inteligjencës artificiale. Më herët gjatë ditës, ai e kishte pritur Putinin, të cilin e quajti "miku im i vjetër", në takimin e tyre të 50-të personal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat