A do të ishte i sigurt udhëtimi jashtë vendit këtë verë?

Bota

A do të ishte i sigurt udhëtimi jashtë vendit këtë verë?

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 00:59
Foto ilustrim

Derisa më shumë njerëz vaksinohen dhe normat e infeksionit të coronavirusit bien në shumë pjesë të botës, njerëzit po i kthehen udhëtimeve.

Sipas CNN, Bashkimi Evropian ka njoftuar se po heq kufizimet për vizitorët për shumë vende, përfshirë dhe ndaj qytetarëve të SHBA-së.

Mirëpo, çfarë duhet të marrin në konsideratë njerëzit kur vendosin nëse dhe ku të udhëtojnë këtë verë? Po sikur të udhëtojnë me fëmijë që nuk mund të vaksinohen ende – çfarë konsideratash shtesë duhet të ketë?

Leana Wen e cila është mjeke urgjence dhe profesoreshë afat-shkurte e politikës shëndetësore dhe e menaxhimit te Instituti Milken dhe Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin George Washington, dha disa këshilla për sa i përket kësaj çështjeje.

E pyetur nëse do të ishte i sigurt udhëtimi jashtë vendit këtë verë, dhe po ashtu nëse do të ishte më i sigurt qëndrimi më afër shtëpisë, Wen përmendi dy faktorë të rëndësishëm, ku njëri prej këtyre faktorëve ishte vaksinimi.

“Nëse jeni të vaksinuar plotësisht – nëse nuk jeni në gjendje të rëndë imuniteti – ju jeni të mbrojtur mirë kundër COVID-19, shpresoj mund të rifilloni udhëtimet ndërkombëtare”, ka deklaruar ekspertja.

“Nga ana tjetër, unë do t’i këshilloja ata që nuk janë vaksinuar t’i shmangin udhëtimet jo-thelbësore, qoftë brenda ose jashtë vendit. Nëse jeni në një turmë të madhe njerëzish brenda – për shembull, në aeroporte ose stacione treni – ka të ngjarë të ketë edhe të tjerë që nuk janë vaksinuar atje. Ata do të paraqesin rrezik për ju, dhe ju do të paraqisni rrezik për ta”, potencoi Wen.

Ekspertja amerikane, e konsideroi të rëndësishëm gjithashtu edhe faktorin tjetër që ka të bëjë me destinacionin tuaj si një vizitor, raporton CNN.

Sipas saj, ajo që duhet të merret parasysh, është bilanci i rasteve të coronavirusit në ndonjë shtet të caktuar, të cilin mund ta keni në plan ta vizitoni; po ashtu edhe masat kufizuese të vendit, sikurse hyrja në karantinë.

Mirëpo, a është i sigurt udhëtimi ajror?

Sa i përket udhëtimeve ajrore, Wen ka deklaruar se udhëtarët duhet të jenë të pajisur me maska, pasi kështu është më e ulët shkalla e transmetimit të COVID-19.

Ajo gjithashtu sugjeroi që edhe njerëzit e vaksinuar t’i vendosin maskat për fytyrë gjatë fluturimeve.

“Shqetësimi im është për njerëzit që nuk janë të vaksinuar dhe që ndjekin fluturimet. Megjithëse maskat kërkohen në fluturime, shumë njerëz nuk po tregohen aq të kujdesshëm si më parë. Në rastin ideal, udhëtari duhet të vaksinohet para se të shkojë në udhëtim. Njerëzit të cilët nuk janë të vaksinuar, duhet të mbajnë një maskë me cilësi të lartë (N95 ose KN95), ose maskë të dyfishtë gjatë gjithë fluturimit”, u shpreh ajo, raporton CNN.

A është i sigurt udhëtimi ajror për fëmijët nën moshën dyvjeçare, apo për fëmijët e tjerë që thjesht nuk mund t’i mbajnë maskat e tyre?

Ndonëse vetë, nuk do të zhvillonte momentalisht një udhëtim jashtë vendit, ekspertja amerikane potencoi se në këtë rast do të luante rol periudha kohore e fluturimit, në rast të ndonjë fluturimi me fëmijë.

“Unë kam një vajzë një vjeçe dhe nuk e marrë atë në fluturime. Fëmija im pothuajse katërvjeçar, me shumë gjasë do të vendoste maskën, dhe nëse do të kishim një udhëtim të shkurtër – për shembull një orë – do ta konsideroja ta merrja me vete. Por ne nuk do të shkonim përtej vendit ose në një fluturim ndërkombëtar në këtë kohë”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, në përgjithësi familjet e tjera do të merrnin vendime të ndryshme, pasi që njerëzit do të bënin zgjedhje të ndryshme bazuar në perceptimin që kanë ata për rrezikun.

A duhet të jenë shqetësim variantet, drejt vendimit për të udhëtuar?

Wenn, tha se për të vaksinuarit nuk do të jetë ky problem, pasi vaksinat në SHBA janë shumë mbrojtëse ndaj varianteve të identifikuara deri më tani, shkruan CNN.

Mirëpo, të përjashtuar janë njerëzit që janë vaksinuar pjesërisht, të cilët kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech ose të vaksinës Moderna, thotë, Wenn.

“Një dozë siguron vetëm 33 për qind mbrojtje ndaj variantit Delta. Dhe ata që nuk janë vaksinuar, sigurisht që duhet të shqetësohen për këtë variant që është më i transmetueshëm dhe ndoshta më vdekjeprurës se sa variantet e tjera të coronavirusit”, theksoi ajo.

A është vërtet e sigurt të hani brenda një restoranti të mbushur me njerëz dhe të shkoni në një koncert të mbushur me njerëz nëse jeni të vaksinuar?

Asnjë nga këto aktivitete nuk është pa rreziqe, thotë Wen, nëse ndonjëra prej këtyre aktiviteteve kërkon prova të vaksinimit, kjo menjëherë do të zvogëlonte rrezikun ndjeshëm.

“Koncertet me vetëm persona të vaksinuar do jenë më të sigurta”, potencoi ajo.

Megjithatë, Wen konsideron se ekzistojnë edhe dy faktorë të tjerë të cilët duhen shqyrtuar. Së pari, cili është niveli i transmetimit në komunitetin që ju mund ta vizitoni. Duke përmendur SHBA-në, ajo thotë se disa pjesë kanë nivele të larta të vaksinimit, sakaq niveli i coronavirusit është goxha i ulët, por pjesë të tjera përballen me valë aktive.

“Së dyti, shikoni çdo rrethanë individuale. Një restorant që ka një hapësirë ndërmjet tavolinave dhe ajrosje të mirë, do të jetë më i sigurt se një bar që është vetëm në një dhomë dhe që mund të jetë i zhurmshëm sa njerëzit duhet të bërtasin për të dëgjuar njëri-tjetrin”, ka deklaruar ekspertja.

Bazuar në sugjerimet e ekspertes njerëzit të cilët nuk janë të vaksinuar duhet të hanë darkë në ambiente në natyrë.

“Nëse duhet të shkoni në hapësira të brendshme me persona të tjerë me status të panjohur vaksinimi, duhet të vendosni maskën dhe të kufizoni kohën tuaj në këto ambiente me rrezik më të lartë”, thotë Wen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat