Ku është përhapur varianti “Mu” dhe çfarë dimë deri tani?

Bota

Ku është përhapur varianti “Mu” dhe çfarë dimë deri tani?

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 21:57
Foto ilustrim

Pas Alfës, Betës, Gamma dhe Deltës, Mu është varianti i pestë zyrtar i Covid i klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si “variant që duhet vëzhguar”. Studimet për këtë virus janë të pakta dhe pjesa më e madhe e tyre në fazë fillestare. Por, çfarë dimë deri më tani?

Pjesa më e madhe e virusit ndryshon me kohën. Disa prej këtyre ndryshimeve mund të kenë ndikim minimal, por të tjera mund të modifikojnë mënyrën se si ai shpërndahet, ashpërsinë dhe rezistencën ndaj vaksinave dhe antitrupave natyrorë të njeriut.

Ku është përhapur?

Varianti Mu u zbulua për herë të parë në janar të këtij viti në Kolumbi me prevalencë 39 për qind. Prej atëherë është përhapur në 39 vende të tjera, përfshirë këtu SHBA, Anglinë dhe Italinë. Në Italinë fqinje zyrtarisht janë identifikuar 79 raste më këtë variant të Covid, prej muajit janar, katër prej të cilëve në tre ditët e fundit. Në shkallë globale, sot ky variant zë vetëm 0.1 për qind të të infektuarve totalë me Covid.

A funksionojnë vaksinat?

Nuk është e qartë akoma se sa mbrojtje ofrojnë vaksinat kundër këtij varianti. “Varianti Mu paraqet një kostelacion mutacionesh, që tregojnë një potencial të madh për t’i shpëtuar imunitetit, ashtu si edhe varianti Beta”, thotë OBSH.
Organizata deklaron se Mu mund të jetë më shumë rezistent ndaj vaksinave se katër variantet e tjera të Covid, por kjo duhet provuar me studime më të thelluara. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një reduktim të kapacitetit neutralizues të këtij virusi te pacientët e vaksinuar.

Studime britanike, italiane dhe japoneze kanë dalë në të njëjtin përfundim sa i takon efikasitetit të vaksinave ndaj këtij varianti, duke e interpretuar atë si të dobët. Për momentin, Mu nuk është një kërcënim, por duhet mbajtur në vëzhgim.

A është më i transmetueshëm?

Të dhënat nga Ekuadori dhe Kolumbia tregojnë se është më infektues se Alfa dhe Gama, por në pjesën tjetër të botës përhapja e tij është minimale. Mu ka 21 mutacione, përfshirë këtu ato të Betës dhe Deltës, në rastin e parë sa i takon rezistencës ndaj vaksinave dhe antitrupave dhe në rastin e dytë sa i takon përhapjes. Mutacionet e ndihmojnë këtë virus që të lidhet më fort me qelizat njerëzore se katër variantet e tjera të Covid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat