Lufta SHBA-Kinë për forcimin e marrëdhënieve përreth Azisë

Bota

Lufta SHBA-Kinë për forcimin e marrëdhënieve përreth Azisë

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 20:19
Kryediplomati Wang

Ministri i Jashtëm i Kinës zhvilloi një turne në Azi këtë muaj pas vizitës në të njëjtin rajon nga dy zyrtarë amerikanë. Kjo tregon thellimin e luftës mes dy superfuqive për zona influence. Analistët thonë se vendet më të vogla mund të marrin ndihma të mëdha nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara për aq kohë që ato vende shmangin ofendimin e Pekinit.

Vendet në Azi do të marrin pajisje ushtarake dhe trajnime nga Uashingtoni së bashku me ndihmën ekonomike nga Pekini, i cili tashmë po ndërton infrastrukturën bazë në pjesën më të madhe të Euroazisë. Të dy vendet po u ofrojnë atyre vaksina kundër COVID-19. Shtetet më të vogla, ndonjëherë të varfëra, do të shpërblehen nga të dyja palët, nëse nuk janë shumë komode ndaj qasjes së Uashingtonit, besojnë studiuesit.

“Kjo garë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka disa përfitime për vendet më të vogla. Ato mund të jenë objekt i zhvillimit si rezultat i konkurrencës mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, por në të njëjtën kohë, hapësira e tyre për manovrim po ngushtohet gjithnjë e më shumë”, tha Alexander Vuving, profesor në Qendrën Daniel K. Inouye të Azi-Paqësorit për Studime të Sigurisë në Havai, një institut i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Image

 

Kryediplomati kinez Wang arriti të premten në Vietnam, e para nga katër ndalesat e tij, për të diskutuar tregtinë, lidhjet ekonomike dhe besimin politik. Vietnami tha se po i shqyrtone "marrëdhëniet e saj me Kinën si një përparësi kryesore e politikës së saj të jashtme". Kjo mund të shkaktojë tensione me Uashingtonin, i cili që nga viti 2017 ka nxitur një partneritet më të fortë me Hanoin.

Vizita e ministrit të jashtëm kinez përkoi me një marrëveshje të nënshkruar mes Vietnamit dhe Japonisë për të lejuar eksportin e pajisjeve dhe teknologjisë japoneze të mbrojtjes. Blerja e këtyre mallrave nga Vietnami duket se është reagim ndaj agresivitetit dhe ndikimit në rritje të Kinës në rajon.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë të forcojnë aleancat në Azi për të kontrolluar zgjerimin e influencës së Kinës, megjithëse analistët thonë se nuk dihet për ndëshkimin e vendeve më të vogla që anojnë ndaj Pekinit.

Diplomacia e vaksinave

Kryediplomati Wang premtoi 3 milion doza vaksine kundër COVID-19 pasi qeveria amerikane ofroi në muajin gusht 1 milion doza të tjera. Uashingtoi gjithashtu ra dakord të krijojë në Hanoi një zyrë rajonale të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Rasti i Vietnamit tregon “një shije konkurruese” midis superfuqive, tha Yun Sun, bashkëdrejtuese e programit të Azisë Lindore në Qendrën Stimson në Uashington.

Gjatë fundjavës zoti Wang dërgoi 3 milionë doza të tjera në Kamboxhia, e cila gjithashtu pranoi një grant prej 270 milionë dollarësh nga Kina, raporton shërbimi khmer i Zërit të Amerikës. Kamboxhia tashmë anon fort drejt Kinës, tha zoti Vuving, ndërsa kryediplomati Wang shpreson ta ruajë këtë qasje.

Barazpesha

Zoti Wang shkroi në faqen e internetit të ministrisë së tij të hënën se Kina shpreson të "thellojë bashkëpunimin praktik" me Singaporin. Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara e shohin Singaporin si një forcë neutrale, ndonjëherë analitike në Azi, me Kinën veçanërisht të lumtur kur qyteti-shtet bën thirrje për qetësi, tha zonja Sun.

Vietnami dhe Singapori kanë arritur një "akt neutraliteti" midis superfuqive, tha zoti Vuving. Në fillim të këtij muaji, Kina thelloi lidhjet me Filipinet përmes një premtimi ndihme pasi shteti i Azisë Juglindore ra dakord më parë të rikthente një marrveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara, tha një analist për Zërin e Amerikës.

Forcat amerikane kanë ndihmuar në trajnimin e homologëve të tyre në Filipine për çdo operacion të mundshëm në Detin e Kinës Jugore, zonë e kontestuar mes Manilës dhe Pekinit.

Pasojat e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara

Koreja e Jugut, të cilën zoti Wang e vizitoi të martën dhe të mërkurën, është tregues se çfarë mund të bëjë Kina kur një vend i afrohet shumë Shteteve të Bashkuara, tha Stephen Nagy, profesor i asociuar për politikën dhe studimet ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë në Tokio.

Pasi Seuli u pajtua me Uashingtonin për të instaluar një sistem zbulimi raketash, që ka një rreze që mund të përfshijë Kinën dhe Korenë e Veriut, në mars 2017 Pekini ndaloi turizmin e pronetuar në Korenë e Jugut dhe shkaktoi një rënie dyshifrore të përqindjes së vizitorëve kinezë.

Kina gjithashtu është "angazhuar në shtrëngim ekonomik" kundër Australisë dhe Tajvanit pas acarimit të marrëdhënive dikur miqësore, shton Nagy.

Këtë shtator, Koreja e Jugut u bë një nga vendet e pakta në botë me aftësi për të lëshuar raketa balistike nga nëndetëset “jashtëzakonisht të pazhurmshme”.

Kjo është pjesë e një "arsenali strategjik" që do të shkaktojë shqetësim në Kinë, duke patur parasysh aleancën e gjatë të Seulit me Uashingtonin, tha Steven Kim, studiues në Institutin e Paqes Jeju në Korenë e Jugut.

Ndoshta zoti Wang do të flasë me homologët koreanë për bashkëpunimin shëndetësor dhe ekonomik "me komente të rrepta të nënkuptuara" se duhet të vlerësohen lidhjet e saj ekonomike me Kinën, parashikon zoti Nagy.

"Mendoj se diplomacia e përgjithshme është ajo që do të karakterizohej nga përpjekja për të prodhuar angazhim konstruktiv, por natyrisht, duke u thënë shteteve se zoti Wang Yi po zhvillon vizita dhe se ato duhet të vazhdojnë të kenë kujdes në lidhje me llojin e marrëdhënieve që po ndërtojnë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Diplomacia në veprim

Vizita e zotit Wang pason turneun e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin në korrik në Singapore, Vietnam dhe Filipine, si dhe vizitën e Nënpresidentes amerikane Kamala Harris në Vietnam dhe Singapore muajin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë zhvilluar diplomaci zinxhir në të kaluarën, përfshirë turneun e vorbullt të ministrit kinez të mbrojtjes në Azi një vit më parë pas deklaratave anti-kineze nga Sekretari amerikan i Shtetit në atë kohë Michael Pompeo.

Vizitat e njëpasnjëshme që po zhvillohen tani tregojnë rritjen e rivalitetit Kinezo-Amerika, tha zonja Sun.

Por do të jetë e vështirë për vendet e vogla që të “rrisin përfitimet dhe të pakësojnë rreziqet, sepse duke patur paraysh garën e superfuqive, si Pekini ashtu edhe Uashingtoni nuk po lënë gurë pa lëvizur për të çuar pëprara axhendën e tyre, tha ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat