Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Bota

Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 18:08
Flamuri i Kinës

Ambasada kineze në Australi hodhi poshtë të premten si "të pabaza" akuzat kundër Kinës të bëra nga ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Australisë dhe homologët e tyre amerikanë, pas bisedimeve në Uashington.

Në një deklaratë pas konsultimeve ministrore Australi – SHBA, të dyja vendet, shprehën shqetësimin për "pretendimet ujore të Kinës në Detin e Kinës Jugore që nuk kanë bazë ligjore", dhe deklaruan synimin e tyre për të forcuar lidhjet me "partnerin e tyre kritik" Tajvanin.

Komentet nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara erdhën një ditë pasi ata njoftuan marrëveshjen për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthemore, si pjesë e një partneriteti të sigurisë që përfshin edhe Britaninë, të cilën Kina e denoncoi si intensifikim të një gare rajonale armatimi.

Australia dhe Shtetet e Bashkuara kritikuan gjithashtu imponimin e legjislacionit të sigurisë kombëtare nga Kina në Hong Kong vitin e kaluar, për të cilin ata thanë se kishte dobësuar sistemin e tij zgjedhor, kishte shtypur lirinë e medias dhe minuar formulën e ish - kolonisë britanike si "një vend, dy sisteme", për të cilën ishte rënë dakord kur Hong Kongu u kthye nën sundimin kinez në 1997.

Ata gjithashtu shprehën "shqetësime të mëdha në lidhje me fushatën e Kinës për shtypjen e ujgurëve ", një pakicë etnike kryesisht myslimane në rajonin Xinjiang të Kinës perëndimore.

Ambasada kineze i hodhi poshtë akuzat si një taktikë e panevojshme presioni.

"Kundërshtojmë me forcë akuzat e pabazuara dhe komentet e gabuara kundër Kinës për çështje që lidhen me Detin e Kinës Jugore, Xinjiangun, Hong Kongun, Tajvanin dhe çështje të tjera të lidhura me Kinën", tha një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanberra.

Qeveria e Tajvanit mirëpriti shfaqjen e mbështetjes nga Uashingtoni dhe Kanberra.

Duke folur pas takimeve në Uashington, Australia dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat