Gratë udhëheqëse flasin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së

Bota

Gratë udhëheqëse flasin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 19:53
Kombet e Bashkuara

KOMBET E BASHKUARA - Tetë gra - tre nënpresidente dhe pesë kryeministre - do të flasin të premten në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

"Ne nuk mund ta shpëtojmë planetin nëse lëmë jashtë diskutimeve më të prekurit - gratë, vajzat, pakicat", tha presidentja sllovake Zuzana Caputova në fillim të javës në një fjalim para asamblesë.

"COVID-19 po kërcënon të zmbrapsë sukseset që kemi arritur," i tha të enjten para asamblesë presidentja e Tanzanisë Samia Suluhu Hassan, e para grua që zgjidhet në këtë post në vendin e saj.

Po të enjten, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres paralajmëroi në një takim të nivelit të lartë që kërkon të përmirësojë prodhimin dhe qasjen globale tek ushqimi, pasi gati gjysma e planetit nuk mund të përballojë ushqim të shëndetshëm.

"Ushqimi është jetë. Por në vende, komunitete dhe familje në çdo cep të botës, kjo nevojë thelbësore - kjo e drejtë njerëzore - nuk po përmbushet", tha zoti Guterres në Samitin virtual të Sistemeve të Ushqimit jashtë kuadrit të mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme.

Zoti Guterres tha se 3 miliardë njerëz nuk mund të përballojnë ushqim të shëndetshëm.

"Çdo ditë, qindra miliona njerëz shkojnë në shtrat të uritur. Fëmijët po vdesin nga uria," tha ai.

Ndërsa miliona njerëz janë të uritur dhe uria është një realitet i dukshëm në pjesë të Jemenit dhe Etiopisë, gati një e treta e të gjithë prodhimit ushqimor humbet ose hidhet.

Samiti, që kishte më shumë se një vit që po përgatitej, synon ta shohë ndryshe çdo aspekt të prodhimit të ushqimit për ta bërë atë më miqësor ndaj mjedisit, të sigurt, ushqyes dhe të disponueshëm. Kjo është gjithashtu pjesë e shtytjes përpara të 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB -së, ndër të cilat "një botë pa uri" është një përparësi kryesore.

Pandemia shton sfidën

"Pandemia COVID-19 e ka bërë këtë sfidë shumë më të madhe," tha sekretari Guterres. "Ajo ka thelluar pabarazitë, ka shkatërruar ekonomitë dhe ka zhytur miliona njerëz në varfëri ekstreme".

Virusi ishte gjithashtu në qendër të fjalimeve të udhëheqësve që iu drejtuan Asamblesë së Përgjithshme të enjten - veçanërisht udhëheqësve afrikanë, të cilët përbënin një pjesë të madhe të folësve të ditës. Shumë morën pjesë me video mesazhe për shkak të pandemisë.

"82% e dozave të vaksinës në botë janë marrë nga vendet e pasura, ndërsa më pak se 1% ka shkuar në vendet me të ardhura të ulëta," tha Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa në një fjalim përmes videos.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportojnë se 4% e popullsisë së Afrikës është plotësisht e vaksinuar.

"Rezervat e shumta të grumbulluara nga vendet e pasura dhe shpërndarja e pabarabartë e vaksinave në të gjithë globin është e papranueshme," tha Presidenti i Zimbabvesë Emmerson Mnangagwa në një mesazh të regjistruar. "Nacionalizmi i vaksinës është vetëshkatërrues dhe në kundërshtim me moton se "askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt ". Në veri apo jug, të pasur apo të varfër, të moshuar apo të rinj, të gjithë njerëzit në botë meritojnë qasje tek vaksinat".

Në fjalime kishte gjithashtu shqetësime për prirjen drejt grushtit të shtetit në vendet e Afrikës. Vitin e kaluar, grusht shteti kanë ndodhur në Çad, Mali dhe Guine. Ushtria sudaneze tha se ka shtypi një përpjekje për grusht shteti atje vetëm këtë javë. Në Tunizi, disa argumentojnë se Presidenti Kais Saied në thelb bëri një grusht shteti, duke vendosur gjendjen emergjente e më pas duke shkarkuar kryeministrin dhe pezulluar parlamentin për të konsoliduar autoritetin e tij.

Presidenti i Angolës João Gonçalves Lourenço tha se nuk ka pasur reagime të mjaftueshme nga vendet e tjera për të dekurajuar këtë prirje.

"Ne e konsiderojmë të domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të veprojë me vendosmëri dhe të mos bëjë thjesht deklarata dënimi në mënyrë që t'i detyrojë këta aktorë të kthejnë pushtetin tek institucionet e themeluara në mënyrë legjitime", tha ai.

Në Lindjen e Mesme, Presidenti irakian Barham Salih shprehu shqetësim për terrorizmin në vendin e tij dhe më gjerë në rajon.

"Ne nuk mund ta nënvlerësojmë rrezikun e paraqitur nga terrorizmi. Nëse bëhemi të dobët dhe të shpërqendruar nga konfliktet rajonale, thjesht do të shohim kthimin e forcave të errëta që do të kërcënojnë njerëzit tanë dhe sigurinë tonë," tha ai. "Bashkëpunimi dhe solidariteti janë zgjedhja jonë e vetme në luftën tonë kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe grupeve që e mbështesin atë".

Folës të tjerë të enjten përfshinin presidentin kuban Miguel Diaz-Canel Bermúdez, presidentin Nayib Bukele të El Salvadorit dhe kryeministrin italian Mario Draghi.

Bashkërendimi

Ndërkohë, mundësitë e krijuara këtë javë për diplomaci intensive ndihmuan në zbutjen e një çarjeje të rrallë në marrëdhëniet SHBA-Francë.

Zyrtarët francezë u zemëruan nga një marrëveshje sigurie mes Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të këtij muaji. Sipas marrëveshjes, Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore, që do të ndërtohen në Australi duke përdorur teknologjinë amerikane. Marrëveshja erdhi pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje e mëparshme për nëndetëset franceze me vlerë dhjetëra miliarda dollarë.

Një bisedë telefonike midis presidentëve Joe Biden dhe Emmanuel Macron të mërkurën dhe një takim personal të enjten mes diplomatëve të tyre të lartë në rrethinat e Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork duket se arritur të qetësojë Parisin dhe të rivendosë besimin.

Disa informacione në këtë raportim janë marrë nga Associated Press./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat