Vietnami do të lehtësojë rregullat e izolimit për ta ringjallur turizmin

Bota

Vietnami do të lehtësojë rregullat e izolimit për ta ringjallur turizmin

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 12:45
Punëtorët e aeroportit në Vietnam me maska mbrojtëse.

Vietnami po redukton periudhën e izolimit për turistët ndërkombëtarë që udhëtojnë atje nga tre në një ditë, duke filluar nga 15 marsi, u tha një deklaratë të qeverisë të mërkurën.

Të ardhurve do t'u kërkohet të izolohen në një hotel dhe duhet të rezultojnë negativ për COVID-19 përpara se të dalin nga hoteli.

Kufiri ndërkombëtar i Vietnamit u mbyl për turistët në mars të vitit 2020 pasi pandemia e koronavirusit përfshiu globin.

Për një kohë të gjatë, vetëm shtetasit vietnamezë dhe ekspertët ndërkombëtarë që punonin në vend ishin në gjendje të hipnin në fluturimet për në Vietnam.

Rregullat e udhëtimit u lehtësuan ndjeshëm në fillim të këtij viti, kur u prezantua periudha treditore e izolimit, pasi Vietnami gradualisht mirëpret rikthimin e turistëve.

Vetëm ata që janë të vaksinuar me dy doza ose të shëruar së fundmi nga koronavirusi mund të hyjnë në Vietnam sipas rregullave aktuale.

Vizitorët duhet gjithashtu të tregojnë një rezultat negativ të testit antigjeni të marrë brenda 24 orëve nga mbërritja ose një test PCR të marrë brenda 72 orëve.

Industria e turizmit, e cila përbënte 10% të produktit të brendshëm bruto të vendit më 2019, ka pësuar një goditje për shkak të pandemisë.

Të martën, ministria e turizmit i kërkoi qeverisë të rivendoste një rregull – i prezantuar përpara pandemisë – që do t'i lejonte qytetarët nga 24 vende të qëndronin në vendin e Azisë Juglindore për 15 ditë pa vizë.

Sipas propozimit, turistët nga vende si Gjermania, Franca, Britania, Danimarka, Spanja, Koreja e Jugut, Japonia dhe Rusia do të lejohen të hyjnë pa aplikuar për vizë paraprakisht./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat