Pushtimi rus në Ukrainë i shkakton telashe Kinës

Bota

Pushtimi rus në Ukrainë i shkakton telashe Kinës

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 11:20
Lideri i Kinës, Xi Jinping. Fotografi nga arkivi

Sulmi rus ndaj Ukrainës, që Kina refuzon ta dënojë apo ta quajë pushtim, ka bërë që Pekini të shtojë përpjekjet diplomatike për të kufizuar dëmin derisa qëndron në krahë të një partneri, i cili po rrit kundërshtitë e tij ndaj Perëndimit.

Kina raportohet se ka bërë thirrje për dialog dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u ka thënë disa zyrtarëve evropianë, gjatë bisedave telefonike të zhvilluara më 25 shkurt se Kina respekton sovranitetin e shteteve, përfshirë edhe të Ukrainës, por shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes duhet të adresohen siç duhet.

Pas një bisede ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, Kina tha se Putini ishte i gatshëm të përfshihej në dialog “të nivelit të lartë” me Ukrainën. Rusia dhe Ukraina u pajtuan që të takohen pranë kufirit mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Uvertura diplomatike vjen pas pushtimit, që disa diplomatë në Pekin besojnë se ishte befasi për Kinën, shtet i cili nuk u tha shtetasve të saj që të largoheshin nga Ukraina para kohe dhe shtet që vazhdimisht i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se ka shtyrë përpara paralajmërimet për një sulm rus.

Këtë javë Pekini, që po përballet me kritika për shkak të qëndrimit të tij ndaj Ukrainës, nuk tregoi nëse Putini e kishte informuar Kinën se po planifikonte ta niste pushtimin. Por, Kina ka thënë se Rusia është fuqi e pavarur dhe nuk ka nevojë për pëlqimin e saj.

Politika e jashtme e Pekinit është e bazuar në mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera, dhe ende nuk e ka njohur pretendimin e Rusisë mbi Gadishullin ukrainas të Krimesë, që Moska e ka aneksuar paligjshëm më 2014.

“Reagimi i tyre i parë që mohonin se po ndodhte një pushtim ishte befasues për ne”, tha një diplomat perëndimor në Pekin, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së temës.

“Është kontradiktë totale me qëndrimin e tyre të kamotshëm mbi sovranitetin, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen”.

Tri javë më parë, Putin u takua me Xi para nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin dhe ata nënshkruan një sërë marrëveshjesh strategjike që synojnë kundërvënien ndaj ndikimit të SHBA-së. Dy liderët thanë se nuk kanë “zona të ndaluara” të bashkëpunimit.

Sulmi ndaj Ukrainës, shtet ku Kina është partneri më i madh tregtare me tregti të dyanshme prej 19 miliardë dollarësh dhe me të cilin ka raporte të mira diplomatike, ndodhi disa ditë pasi përfunduan Lojërat Olimpike.

“Mendimi im është se instinkti i tyre fillestar ishte që të ndiqnin linjën që kishin ndjekur pas aneksimit të Krimesë më 2014, që funksionoi shumë mirë për ta, pasi Kina arriti të qëndrojë larg grindjeve”, tha Helena Legarda, analiste në Institutin Mercator për Studime të Kinës, me seli në Gjermani.

Legarda tha se tani ka më shumë garë gjeopolitike sesa më 2014 dhe Kina tani është nën vëzhgim më të kujdesshëm.

“Njerëzit tani po shikojnë më me shumë kujdes dhe ‘Ne nuk do të marrim anë, por do të shikojmë nga hijet’ më nuk është opsion”, tha ajo.

Test për raportet evropiane

Raportet e Pekinit me Uashingtonin janë përkeqësuar gjatë viteve, dhe mbështetja e tij diplomatike për Rusinë mund të përshpejtojë përkeqësimin e raporteve me Evropën Perëndimore, tregut më të madh të eksporteve të Kinës, thanë disa analistë, edhe pse disa të tjerë besojnë se Kina ka lënë hapësirë për manovrim.

“Ne e kuptojmë Rusinë, por ne gjithashtu kemi konsideratën tonë”, tha Yang Cheng, profesor në Universitetin Ndërkombëtar të Shangait. Ai është një prej personave që është befasuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

“Por, nuk do të jetë rasti që raportet tona me Perëndimin nuk do të preken aspak”.

Më 25 shkurt në Nju Jork, Kina abstenoi në votimin për një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që kishte për qëllim të dënonte pushtimin rus ndaj Ukrainës.

Ky abstenim, që u pa si fitore nga shtetet perëndimore, dhe ndodhi në momentet e fundit, pas negociatave mes SHBA-së dhe të tjerëve që të sigurohej ky abstenim i Kinës, thanë diplomatët.

Muajin e kaluar, Xi shënoi 30-vjetorin e raporteve me Ukrainën, duke lavdëruar “besimin e dyanshëm politik”. Ukraina është pjesë e nismës Brezi dhe Rruga, një nismë e infrastrukturës dhe diplomacisë që Kina ka ndërmarrë për të afruar raportet me Evropën.

Kriza në Ukrainë krijon paqartësi për Kinën në vitin kur i duhet të ketë stabilitet, pasi Xi pritet që të fitojë mandatin e tretë gjatë vjeshtës.

“Kjo është situatë e pafavorshme që Rusia e ka futur Kinën, e cila ishte e papërgatitur për një gjë të tillë”, tha Wu Qiang, një analist i pavarur politik në Pekin./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat