Rikthimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes

Bota

Rikthimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes

Më: 24 prill 2022 Në ora: 19:45
Korpusi i paqes kthehet

Vullnetarët e Korpusit të Paqes po ridërgohen jashtë vendit për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, e cila ndali punën e tyre dhe rezultoi në një evakuim global të personelit në mars 2020. Ndërsa po rikthehen tashmë në punë, vullnetarët synojnë të kontribuojnë për përgjigjen globale ndaj COVID-19. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam i pyeti vullnetarët se çfarë i motivon ata.

Stafi i Korpusit të Paqes në Republikën Dominikane dhe në Zambia po mirëpret me gëzim vullnetarët, që do të bashkëpunojnë me partnerët në këto vende për çështje urgjente me të cilat po përballen komunitetet vendase.

"Çdo vullnetar që rikthehet në shërbim do të ndihmojë në përgjigjen për COVID-19 dhe përpjekjet për rimëkëmbjen në mbarë botën", thotë Carol Spahn, Drejtore Ekzekutive e Korpusit të Paqes.

Për herë të parë që nga evakuimi global në vitin 2020, Korpusi i Paqes po i dërgon vullnetarët në mbarë botën për të mirë informuar për COVID-19 dhe për të nxitur qasjen tek vaksinat. Disa vullnetarë e kanë tejkaluar gradualisht shqetësimin e infektimit me COVID-19.

"Nuk isha dakord fillimisht pasi e di që frekuenca e infektimit me COVID ka ndryshuar rishtazi. Sidoqoftë, Korpusi i Paqes na ka theksuar qëndrimin në distancë dhe testimin për COVID-in", thotë Giselle Martinez, vullnetare e Korpusit të Paqes.

Ajo ka përfunduar rishtazi universitetin dhe po shkon në udhëtimin e saj të parë si vullnetare në Republikën Domenikane.

"Gjithnjë kam dashur të bëhesha pjesë e Korpusit të Paqes", thotë Eileen Mark, vullnetare e Korpusit të Paqes.

Por, kjo është përpjekja e dytë e saj për t'u bërë vullnetare e Korpusit të Paqes. Ajo u caktua në Paraguaji në vitin 2020, por kjo u shty për shkak të COVID-19.

"Nëse dëshironi të rriteni nga pikëpamja njerëzore, nga pikëpamja profesionale, të transformoni jetën tuaj, të ndihmoni të tjerët, Korpusi i Paqes mund të jetë vendi i duhur për ju", thotë ajo.

Sipas drejtores ekzekutive, Korpusi i Paqes ka ushtruar veprimtari në Ukrainë prej një kohe të gjatë, dhe përpara evakuimit ishte programi më i madh i Korpusit në botë. Tashmë vullnetarët qëndrojnë në kontakt me familjet që i kishin pritur në Ukrainë dhe po krijojnë kontakte me njerëzit në terren.

"Stërgjyshi im emigroi nga Ukraina për në Kanada dhe pastaj nga Kanadaja për në Shtetet e Bashkuara", thotë Joseph Hutzulak, vullnetar i Korpusit të Paqes.

Për vullnetarët si Joseph-i, i cili është me prejardhje ukrainase, kjo shërbeu si një motivim kryesor për t'u bërë pjesë e Korpusit të Paqes.

"Sot në mëngjes, shkova për të parë monumentin e Luftës së Dytë Botërore dhe pashë se sa shumë sakrifikuan për të ruajtur paqen botërore. Do doja t'i kishim këtu dhe të na tregonin se çfarë duhet të bëjmë", thotë ai.

Zoti Hutzulak shpreson që në Ukrainë do të triumfojë rrjedhimisht paqja. Që nga krijimi i Korpusit të Paqes në vitin 1961, mbi 240 mijë amerikanë kanë shërbyer si vullnetarë në 142 vende të botës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat