Zaporizhja shpallet “pronë federale” e Rusisë

Bota

Zaporizhja shpallet “pronë federale” e Rusisë

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 09:03
Një ushtar me flamur rus në uniformën e tij qëndron roje pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas.

Presidenti Vladimir Putin urdhëroi shtetin rus, më 5 tetor, që të marr kontrollin e plotë të centralit bërthamor të Zaporizhjës. Kjo është një nga lëvizjet e tij të para për të vendosur sundim mbi zonat e Ukrainës që Rusia i ka shpallur si të sajat.

Urdhëri erdhi pas nënshkrimit të dekreteve për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, të cilat kontrollohen pjesërisht nga Moska.

Pas nënshkrimit të dekretit që përcakton centralin bërthamor si "pronë federale" ruse, Putin tha se pret të "stabilizohet" situata në këto rajone.

Rusia ka shpallur aneksimin e rajoneve ukrainase të Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës, pasi në këto rajone u mbajtën referendume të rreme.

Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë. Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Rosenergoatom, operatori rus i energjisë bërthamore, tha se do të vlerësojë dëmet në infrastrukturën e uzinës dhe do t'i transferojë punonjësit ukrainas në një organizatë të re në pronësi ruse.

Ndërsa operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se dekreti i Putinit dhe dokumentet e tjera ruse në lidhje me centralin bërthamor ishin "të pavlera dhe absurde".

Enerhoatom tha se centrali do të vazhdojë të funksionojë "në përputhje me legjislacionin ukrainas".

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, u nis për në Kiev më 5 tetor, dhe pritet që ta vizitojë edhe Moskën gjatë kësaj jave.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, dhe në shtator Putin shpalli një mobilizim të “pjesshëm” ushtarak për të forcuar radhët në Ukrainë, në kohën kur forcat e Kievit po raportojnë për rimarrjen e kontrollit të disa territoreve që ishin pushtuar nga forcat ruse./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat