Dokumentet e Pentagonit zbulojnë mospajtimet mes forcave ruse për numrin e të vdekurve

Bota

Dokumentet e Pentagonit zbulojnë mospajtimet mes forcave ruse për numrin e të vdekurve

Më: 13 prill 2023 Në ora: 16:05
Një ushtar ukrainas qëllon drejt pozicioneve ruse afër Bahmutit në Ukrainë, më 8 nëntor 2022.

Dokumentet e rrjedhura nga Pentagoni kanë zbuluar se disa mosmarrëveshje brenda forcave ruse bënë që Ministria ruse e Mbrojtjes të akuzohet se nuk po e raporton numrin e saktë të viktimave të luftës në Ukrainë, duke publikuar numra më të ulët.

Rusia nuk ka zbuluar shumë të dhëna lidhur me numrin e të vdekurve shkaku i luftës në Ukrainë. Por, dokumentet e publikuara së fundi tregojnë se shërbimi i sigurisë FSB pretendonte se zyrtarët nuk po i numëronin vdekjet e anëtarëve të Gardës Kombëtare Ruse, mercenarëve të Wagnerit dhe disa forcave të tjera.

Rusia ka pretenduar se të dhënat e zbuluara nga këto dokumente mund të jenë të rreme dhe të publikuara qëllimisht nga SHBA-ja.

Megjithatë, detajet përkojnë me atë që tashmë supozohej: se grupet ushtarake dhe ato të sigurisë ruse kanë pasur mosmarrëveshje të shpeshta në lidhje me mënyrën se si po trajtohet lufta në Ukrainë dhe se Rusia ka evituar publikimin e numrit të të vdekurve dhe të plagosurve.

Shifra e raportuar për gati 110 mijë viktima deri në muajin shkurt të këtij viti – sipas një llogaritjeje të raportuar të FSB-së – është shumë më e ulët se shifrat e zbuluara në dokumentet amerikane, që vlerësojnë se forcat ruse kanë pësuar nga 189.500 deri në 223.000 viktima, me rreth 35.5000 deri në 43.000 të vrarë në fushëbetejë.

Shifra më e fundit zyrtare e Rusisë daton në shtator të vitit të kaluar, kur u konfirmuan vdekjet e 5.937 ushtarakëve.

Në të njëjtin dokument thuhet se raportimi i numrit më të ulët të viktimave nxjerr në pah “ngurrimin e vazhdueshëm” të ushtrisë për të përcjellë lajme të këqija në zinxhirin komandues.

Në një tjetër dokument të etiketuar si “sekret” flitet për një “luftë informacioni” mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe shefit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, gjatë muajit shkurt.

Prigozhin akuzoi vazhdimisht ushtrinë ruse për ndalimin e furnizimeve me municion ndërsa pjesëtarët e grupit të tij luftonin për ta fituar betejën në Bahmut, në Ukrainën lindore.

Dokumentet e klasifikuara – autenticitetin e së cilave zyrtarët amerikanë nuk e kanë verifikuar – kanë të bëjnë me një sërë çështjesh, si pozicionet e ushtrisë ukrainase, për mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe çështje të tjera të ndjeshme, përfshirë edhe se në çfarë rrethanash presidenti rus, Vladimir Putin, mund të përdorë armë bërthamore.

Nuk ka një përgjigje të qartë se sa dokumente kanë rrjedhur në publik. Associated Press ka parë afërsisht 50 dokumente, por disa vlerësime thonë se numri i përgjithshëm i tyre mund të arrijë në qindra.

Një zëdhënës i Pentagonit u tha gazetarë më 10 prill se rrjedhja e këtyre dokumenteve paraqet “një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat