Ukraina do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj në lidhje me transitin e naftës ruse në Evropë, tha një këshilltar i presidentit ukrainas pasi më herët paralajmëroi mundësinë e pezullimit të transitit të naftës përmes tubacionit Druzhba nga 1 janari kur edhe skadon kontrata.
Mihajlo Podolak tha se Ukraina mbështet përpjekjet e BE-së për të diversifikuar furnizimin e saj me naftë dhe nuk do të ndërpresë kontratat e vlefshme deri në vitin 2029.
Këtë e konfirmoi Oleksiy Chernyshov, kreu i kompanisë ukrainase të naftës Naftogaz.
"Ukraina mbetet një partner i besueshëm për vendet evropiane. Ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona sipas kontratave aktuale për transportin e gazit dhe naftës”, tha ai.
Tubacioni Druzhba transporton naftë nga Rusia në Bjellorusi, ku degëzohet në veri në Poloni dhe Gjermani dhe në jug në Ukrainë, nga ku furnizon Sllovakinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke.
Bashkimi Evropian është përpjekur të heqë dorë nga varësia nga energjia ruse që kur Moska pushtoi Ukrainën në vitin 2022, por Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria kanë nevojë për më shumë kohë.
Kur bëhet fjalë për gazin, rajoni pret një ulje të furnizimit vitin e ardhshëm, pasi Kievi nuk planifikon të rinovojë kontratën me Moskën që skadon më 31 dhjetor. Një zyrtar çek tha se vendi i tij mund të përballojë një shkurtim të furnizimit.
"Nuk është problem për Republikën Çeke," tha Vaclav Bartushka, i dërguari i vendit për sigurinë energjetike.
Operatori shtetëror çek i naftësjellësit MERO po investon në rritjen e kapacitetit të tubacionit TAL që shkon nga Italia në Gjermani dhe lidhet me tubacionin IKL që furnizon Republikën Çeke.
Nga viti i ardhshëm, kapacitetet e shtuara duhet të jenë të mjaftueshme për të gjitha nevojat e dy rafinerive çeke, në pronësi të Orlenit polak, në masën 8 milionë tonë naftë bruto në vit.