Për herë të parë, Trump penalizon Putinin

Bota

Për herë të parë, Trump penalizon Putinin

Më: 6 gusht 2025 Në ora: 19:44 Përditësuar në ora: 20:26 më 06.08.2025
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe i dërguari amerikan, Steve Witkoff. Moskë, 6 gusht 2025.

Trump ndëshkoi Putin për herë të parë sot

Vetëm pak orë pasi i dërguari i tij Steve Witkoff u ul në tryezë me Vladimir Putin në Kremlin, presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi sanksionet e para konkrete kundër Rusisë për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Uashingtoni zyrtar po dyfishon tarifat ndaj Indisë për shkak të blerjeve të vazhdueshme të naftës ruse, dhe rruga është e hapur për masa të ngjashme kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Moskën dhe financojnë makinën e luftës së Putin, raporton KosovaPress.

Moska më parë e përshkroi takimin në Kremlin si "të dobishëm dhe konstruktiv". Por lëvizja e Shtëpisë së Bardhë menjëherë pas bisedimeve sugjeron qartë se Trump nuk mori atë që priste nga Putin.

Sot, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që dyfishon tarifat për mallrat indiane në gjithsej 50 për qind, duke filluar nga fundi i gushtit. Arsyetimi lidhet me faktin se India, një nga blerësit më të mëdhenj në botë të naftës ruse, nuk ka rënë dakord të ndërpresë këtë bashkëpunim.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se vendet e tjera që importojnë naftë ruse mund të jenë të radhës që do të jenë në shënjestër. Edhe pse Kina nuk u përmend konkretisht, është e qartë se roli i saj mund të jetë vendimtar në lëvizjet e ardhshme të administratës Trump.

Trump vlerësoi takimin e sotëm midis Putin dhe Witkoff në Truth Social, duke e përshkruar takimin si "shumë produktiv" dhe duke thënë se "është bërë përparim i madh". Megjithatë, ai nuk deklaroi rezultate konkrete, as nuk tërhoqi tarifat ndëshkuese kundër Indisë që nënshkroi menjëherë pas bisedimeve me Moskën.

Njoftimi i Trump pas takimit sugjeron një qasje "karotë dhe shkop" - nga njëra anë, Putinit i jepet hapësirë për të rënë dakord për një armëpushim, ndërsa nga ana tjetër, futen masa ndëshkuese për të rritur presionin.

Është domethënëse që Trump vendosi sanksione ndëshkuese dy ditë para afatit që i dha Putin. Ai fillimisht i dha Moskës 50 ditë për të rënë dakord për një armëpushim me Ukrainën, dhe më pas e shkurtoi afatin në 10 ditë. Edhe pse tha se do të priste deri të premten, sanksionet u vendosën këtë pasdite, menjëherë pas përfundimit të takimit midis Putin dhe Witkoff.

Koha, sipas analistëve amerikanë, është një sinjal i qartë se Trump ka humbur durimin dhe besimin në gatishmërinë e Putin për të bërë lëshime. Pavarësisht reagimit të ashpër amerikan, Kremlini u përpoq ta zbuste përshtypjen. Ndihmësi i politikës së jashtme të Putin, Yuri Ushakov, tha se biseda me Witkoff ishte "e dobishme dhe konstruktive".

Ai shtoi se Moska "mori sinjale të caktuara" nga Uashingtoni dhe "u përgjigj" atyre, por nuk zbuloi detaje.

Ushakov nuk komentoi mbi mundësinë që Rusia të përballet me një valë të re sanksionesh.

Trump mori detyrën në fillim të vitit duke premtuar se do ta zgjidhte luftën në Ukrainë brenda një dite. Tani, më shumë se gjashtë muaj më vonë, ai po nis masat e tij të para reale ekonomike kundër Rusisë.

Trump thotë se u arrit “përparim i madh” në takimin e të dërguarit të tij me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i dërguari amerikan Steve Witkoff arriti "përparim të madh" në takimin e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën në Moskë.

Trump tha në një postim në rrjetin e tij Truth Social se gjithashtu i njoftoi disa nga aleatët evropianë të Uashingtonit pas takimit.

"I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim shumë frytdhënës me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin", tha Trump.

"Të gjithë pajtohemi se kjo luftë duhet të marrë fund, dhe ne do të punojmë për ta arritur këtë në ditët dhe javët në vijim", shtoi ai.

Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha në një komunikatë më herët se Uashingtoni do të vendosë sanksione dytësore ndaj Rusisë të premten, pavarësisht “përparimit” në takimin e sotëm.

“Rusët janë të etur ta vazhdojnë angazhimin me Shtetet e Bashkuara. Sanksionet dytësore pritet të zbatohen të premten, gjithsesi”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, një këshilltar i Kremlinit tha se Putinin dhe Witkoff kanë "këmbyer sinjale" lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës gjatë takimit që u zhvillua vetëm dy ditë para afatit të vendosur nga Shtëpia e Bardhë që Moska të ndalë luftën kundër Ukrainës, përndryshe do të përballet me sanksione të reja.

Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i Putinit, Yury Ushakov, tha se takimi që zgjati rreth tri orë në Kremlin, ishte "mjaft i dobishëm dhe konstruktiv”.

"Ne dhamë disa sinjale lidhur me çështjen ukrainase, ndër të tjera", dhe "sinjale u morën edhe nga presidenti Trump", tha Ushakov.

Përveç luftës, ata diskutuan edhe "perspektivat për zhvillimin e mundshëm të bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe Rusisë".

Witkoff u prit në Moskë nga Kirill Dmitriyev, i dërguari për investime i Rusisë dhe drejtuesi i Fondit Sovran.

Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Rusisë dhe sanksione dytësore ndaj shteteve që ende importojnë naftë ruse – përfshirë blerëset më të mëdha, Kinën dhe Indinë – nuk pritet që Putini ta ndalë luftën kundër Ukrainës që e nisi më 2022.

Pas nisjes së vizitës të Witkoffit në Moskë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina i ka propozuar Rusisë “qetësi në qiell” – pa sulme me raketa apo dronë, dhe pa goditje ndaj infrastrukturës civile apo energjetike.

Trump, i cili kohëve të fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit, paralajmëroi javën e kaluar se “do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e tyre”.

Trump tha gjithashtu se do të rrisë “në mënyrë të konsiderueshme” tarifat ndaj Indisë, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga ky shtet.

I pyetur më 3 gusht se cili është mesazhi që Witkoff do t’ia përcjellë Moskës dhe nëse Rusia mund të shmangë sanksionet, Trump u përgjigj shkurt: “Po, të bëjnë një marrëveshje që ndalon vrasjet”.

Kremlini ka dhënë pak detaje për vizitën. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi më 4 gusht se “ne gjithmonë e mirëpresim zotin Witkoff në Moskë... Ky është një kontakt i rëndësishëm dhe i dobishëm”.

Në një deklaratë tjetër për agjencinë ruse TASS, Peskov tha se përmirësimi i marrëdhënieve SHBA–Rusi do të kërkojë kohë, për shkak të “inercisë” dhe mungesës së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet presidentëve Putin dhe Trump.

Presidenti Trump ka bërë të ditur më 14 korrik se i ka dhënë Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të kundërtën do të vendosen tarifa të ashpra ndaj eksporteve ruse. Më pas, ai e zhvendosi afatin për më herët – më 8 gusht.

Afati i ri erdhi në një periudhë me sulme të ashpra në Ukrainë. Më 31 korrik, mbi 300 dronë rusë goditën Kievin, duke vrarë të paktën 31 persona. Po ashtu, forcat ukrainase kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.

Disa analistë paralajmërojnë se kërcënimet ndaj Kinës për importet e saj të naftës nga Rusia mund të kenë efekt të kundërt dhe të çojnë në rritje të çmimeve globale të energjisë.

Megjithatë, sipas analistit politik Alexander Morozov nga Universiteti Charles në Pragë, Shtetet e Bashkuara duan që çdo vendim të merret përpara vizitës së planifikuar të Putinit në Pekin, ku ai pritet të takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të hyjnë në samitin e APEC-ut më 31 tetor me një marrëveshje tregtare me Kinën dhe, në mënyrë ideale, me një pozicion të përbashkët edhe për luftën në Ukrainë”, tha Morozov.

Në të njëjtën kohë, Trump ka deklaruar se ka lëvizur në rajone të caktuara nëndetëse me kapacitet bërthamor. Ai tha më 1 gusht se ky vendim u mor pas “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat