LIVE: Lufta SHBA-Iran, konflikti rindizet pas disa javësh në qetësi. Amerikanët godasin shënjestrën që e kishin piketuar prej shumë kohësh

Bota

LIVE: Lufta SHBA-Iran, konflikti rindizet pas disa javësh në qetësi. Amerikanët godasin shënjestrën që e kishin piketuar prej shumë kohësh

Më: 31 gusht 2026 Në ora: 09:46 Përditësuar në ora: 08:58 më 01.09.2026
Fotoilustrim

“Çfarë pyetjeje idiote!” Trump përjashton përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit, ndërsa reagoi ashpër ndaj një gazetareje që e pyeti për këtë mundësi gjatë një takimi në Zyrën Ovale.

“E keni përjashtuar përdorimin e një arme bërthamore kundër Iranit?”, ishte pyetja drejtuar presidentit amerikan.

Trump u përgjigj se nuk kishte arsye për një veprim të tillë dhe e cilësoi pyetjen si “idiote”.

“Përgjigjja është po. Nuk ka asnjë arsye për këtë. Çfarë pyetjeje idiote. Ata janë mposhtur plotësisht ushtarakisht. Pra, tani që i kam mposhtur, duhet të përdor edhe një armë bërthamore kundër tyre? Çfarë pyetjeje idiote”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan erdhi në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump deklaroi gjithashtu se Irani është “mposhtur ushtarakisht”, ndërsa foli për situatën dhe operacionet amerikane në rajon.

Trump kishte përjashtuar edhe më herët përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit. Në prill, i pyetur për të njëjtën çështje, presidenti amerikan deklaroi se SHBA-ja nuk kishte nevojë të përdorte armë bërthamore dhe se ato “nuk duhet të lejohen të përdoren nga askush”.

Amerikanët godasin shënjestrën që e kishin piketuar prej shumë kohësh

Në orët e para të 31 gushtit, Teherani lëshoi raketa drejt objektivave në Jordani ku ndodhen forca amerikane.

Uashingtoni thotë se shumica e raketave u interceptuan. Pas sulmit amerikan në ishullin Larak, tensionet janë rritur edhe në Gjirin Persik.

Pas disa javësh pushim të konsiderueshëm ushtarak, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë përfshirë sërish në një përplasje të drejtpërdrejtë, ndërsa konflikti ka hyrë në muajin e shtatë.

Në orët e natës mes të dielës dhe të hënës, 31 gusht, Irani lëshoi raketa në drejtim të Aqabas dhe bazës ajrore Muwaffaq Salti në Jordani, ku janë të dislokuara edhe forca të ushtrisë amerikane.

Sulmi është konfirmuar nga një zyrtar amerikan për Fox News, i cili deklaroi se pothuajse të gjitha raketat e lëshuara u interceptuan.

Sulmi iranian erdhi si kundërpërgjigje ndaj një goditjeje amerikane në ishullin Larak, ku forcat amerikane kishin goditur dy sisteme raketash të Iranit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, operacioni nuk përbënte një “akt agresioni”, por ishte ndërmarrë kundër njësive të minimit detar të Gardës Revolucionare iraniane, të cilat, sipas Uashingtonit, përbënin një kërcënim të menjëhershëm në ngushticën e Hormuzit.

Vetëm disa orë më vonë, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se një supercisternë nafte kishte marrë flakë pasi kishte shkelur rregullat dhe ishte përplasur me dy mina detare.

Ngjarja vjen në një moment kur ngushtica e Hormuzit mbetet një prej pikave më të ndjeshme të konfliktit, për shkak të rëndësisë së saj për transportin ndërkombëtar të naftës.

Ndërkohë, tensionet janë shtrirë edhe më tej në rajon.

Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte kryer një sulm ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, por pretendimi u mohua nga ministri i Mbrojtjes i Emirateve.

Lufta e zgjatur nuk është në interesin e askujt, thotë presidenti i Iranit

Nga: A.Sh

Presidenti i Iranit është takuar me kryeministrin indian Narendra Modi në Kirgistan, në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Masoud Pezeshkian tha se Teherani kërkon një zgjidhje të negociuar për konfliktin me SHBA-në, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.

Ai i tha gjithashtu Modit se vazhdimi i luftës nuk është në interesin e askujt dhe se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.

Siç raportuam më herët, Pezeshkian do të takohet gjithashtu me Vladimir Putinin gjatë vizitës së tij dyditore.

Samiti është pjesë e një blloku politik, ekonomik dhe të sigurisë me 10 shtete, i themeluar në Shangai në vitin 2001.

Udhëheqësit e vendeve anëtare takohen çdo vit, ndërsa organizimi i samitit bëhet me rotacion nga shtetet anëtare.

Udhëheqja e Iranit “në kaos të plotë”, thotë Trump

Nga: A.Sh

Sapo kemi dëgjuar nga Donald Trump, pasi SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë natës.

Presidenti amerikan e ka quajtur Iranin një “shtet të dështuar” në një postim në Truth Social.

Ai tha se udhëheqja e Iranit është “në kaos të plotë dhe e paaftë për ta përfaqësuar siç duhet vendin”

Bashkimi Europian premton bashkëpunim me SHBA për Iranin: Kërkojmë negociata me mirëbesim

Në një deklaratë në kuadër të takimit të G20, BE tha se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për çështjen e Iranit.

Brukseli mirëpriti përpjekjet që synojnë ta bindin Teheranin të ndërpresë aktivitetet që konsiderohen destabilizuese dhe të angazhohet në negociata paqeje “me mirëbesim”.

BE theksoi se do të ruajë presionin ndaj Iranit, por njëkohësisht do të punojë për uljen e tensioneve dhe forcimin e stabilitetit në rajon. Deklarata vjen pas përshkallëzimit të ri ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit. Forcat amerikane goditën objektiva iraniane në ishullin Larak, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani.

Forcat e armatosura jordaneze njoftuan se kanë kapur tetë raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

Përplasja e fundit ka rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për rikthimin e dialogut dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në rajon.

Gjeneralët amerikanë i japin Hegseth alarmin për luftën në Iran: Mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për t’iu përgjigjur krizave në botë

Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thuhet se i kanë paralajmëruar Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se një operacion i zgjatur në shkallë të gjerë kundër Iranit mund të kufizojë ndjeshëm aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur krizave në rajone të tjera të botës dhe për të përmbushur detyrimet e saj të mbrojtjes.

Paralajmërimet janë përfshirë në një vlerësim të klasifikuar të Pentagonit mbi vendosjen globale dhe gatishmërinë e forcave amerikane, raportoi The Washington Post.

Çështja u ngrit në gusht në të ashtuquajturin “Libri i Urdhrave të Sekretarit të Mbrojtjes”, një dokument që pasqyron disponueshmërinë dhe vendosjen e aseteve ushtarake amerikane në mbarë botën dhe përmban vlerësime nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.

Sipas raportit, shqetësimi i udhëheqjes ushtarake u shtua pasi dokumenti parashikonte se një pjesë e forcave amerikane do të vazhdonin të qëndronin në Lindjen e Mesme edhe gjatë vitit 2027.

Komandantët e disa prej komandave kryesore amerikane, përfshirë ato përgjegjëse për Paqësorin, Evropën dhe Amerikën e Jugut, paraqitën zyrtarisht atë që njihet si tregues “mos-pajtimi”, duke shprehur kundërshtimin ndaj mbajtjes së forcave në rajon për një periudhë kaq të gjatë.

Megjithatë, ky qëndrim nuk nënkupton refuzim për të zbatuar urdhrat. Ushtria amerikane ka bërë të qartë se, pavarësisht shqetësimeve, urdhrat do të zbatohen.

Komandantët në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine kanë parë avionë luftarakë, anije dhe asete të tjera të konsiderueshme të transferohen në Lindjen e Mesme për të mbështetur operacionet kundër Iranit.

Sipas The Washington Post, këto zhvendosje kanë ndikuar jo vetëm në operacionet ushtarake në rajone të tjera, por edhe në programet e trajnimit dhe gatishmërinë e forcave amerikane.

Një burim i cituar nga gazeta e përshkroi situatën brenda ushtrisë si një ndjenjë se Shtetet e Bashkuara po përballen me “shumë vështirësi, për një kohë shumë të gjatë”.

Shqetësimet janë veçanërisht të forta te komandantët përgjegjës për Evropën dhe Amerikën Latine.

Sipas raportit, ata paralajmëruan se transferimi i anijeve dhe avionëve drejt Lindjes së Mesme “ka degraduar aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet për mbrojtjen e atdheut”.

Një paralajmërim të ngjashëm thuhet se ka dhënë edhe kreu i operacioneve detare amerikane. Ai deklaroi se vetëm rreth një e katërta e flotës amerikane të shkatërruesve është aktualisht në gjendje gatishmërie për dislokim, një nivel dukshëm më i ulët se ai përpara fillimit të luftës.

Sipas tij, nëse konflikti vazhdon me ritmin aktual, aftësia e flotës për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive një krize tjetër ushtarake mund të vihet në rrezik.

Pentagoni i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara nga The Washington Post.

“Ky lajm i rremë, i bazuar në burime të pamjaftueshme, është plot me pasaktësi”, deklaroi zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.

Ai tha se Hegseth është në koordinim të vazhdueshëm me drejtuesit e degëve të Forcave të Armatosura, Shefat e Shtabit të Përbashkët dhe komandantët e strukturave ushtarake, me synim që forcat amerikane të pozicionohen në mënyrë të përshtatshme për të parandaluar konfliktet, për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe për të ruajtur nivele të pranueshme të gatishmërisë.

Parnell shtoi se vendimet për shkallën dhe kohëzgjatjen e dislokimit të forcave bazohen në vlerësimet e kërcënimeve, prioritetet strategjike të përcaktuara nga presidenti dhe rekomandimet e udhëheqjes ushtarake.

Megjithatë, ai theksoi se Departamenti i Mbrojtjes nuk diskuton publikisht procedurat e tij të brendshme operacionale.

SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj rakethedhësve iranianë, shihen si “sinjal” për Teheranin lidhur me Hormuzin

Forcat amerikane goditën dy rakethedhës iranianë në ishullin Larak, në Ngushticën e Hormuzit, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) u vërejt duke u përgatitur të lëshonte raketa me mina detare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar amerikan.

Sulmet e 30 gushtit shënojnë sulmin e parë të raportuar publikisht dhe direkt të SHBA-së ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj, dhe vijnë në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të rikthejë transportin detar përmes një prej pikave më strategjike të kalimit detar në botë.

Zyrtari amerikan tha se forcat e IRGC-së po përgatiteshin të lëshonin raketat me mina detare në ngushticë. Javën e kaluar, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat amerikane kishin përfunduar pastrimin e minave detare nga rrugët ndërkombëtare të transportit në ngushticë dhe po monitoronin nga afër aktivitetin atje.

“Forcat amerikane po e monitorojnë nga afër zonën dhe mbeten të gatshme për të mbrojtur qarkullimin e lirë të tregtisë përmes kësaj rruge ujore thelbësore”, tha zyrtari.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “forcat amerikane ndërmorën një veprim të kufizuar dhe të saktë kundër forcave të IRGC-së që vendosnin mina dhe që përbënin një kërcënim të menjëhershëm në ngushticën e Hormuzit. Në thelb, Irani krijoi kërcënimin dhe ushtria amerikane e eliminoi atë për të mbrojtur anijet civile, transportin tregtar dhe qarkullimin e lirë të tregtisë globale”.

IRGC-ja, forca e linjës së ashpër e Iranit, u zotua për hakmarrje. Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, ajo pranoi “martirizimin dhe plagosjen e disa prej luftëtarëve dhe bashkëqytetarëve tanë” dhe tha se sulmi “do të rezultojë në ndëshkimin e agresorit”.

Më vonë, IRGC-ja tha se kishte lëshuar raketa balistike ndaj dy bazave ku janë të dislokuara forcat amerikane në Jordani, në shenjë hakmarrjeje. Jordania, aleate e ngushtë e SHBA-së, tha se kishte penguar tetë raketa që hynë në hapësirën e saj ajrore herët më 31 gusht.

Paralajmërim për Hormuzin

Ekspertët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se sulmi amerikan ka më pak rëndësi si veprim i izoluar ushtarak sesa si demonstrim se Uashingtoni është i gatshëm të përdorë forcën për të penguar Iranin që të rikthejë aftësinë për të kërcënuar transportin detar përmes Hormuzit.

Alex Plitsas, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Këshillin e Atlantikut dhe ish-zyrtar i Pentagonit, tha se shkëmbimi i fundit i sulmeve nisi “pasi Irani goditi një anije pranë Omanit dhe më pas po përpiqej të lëshonte një numër të vogël minash në ngushticë”.

“SHBA-ja goditi rakethedhësit”, tha ai.

Plitsas shtoi se besonte se sulmi iranian ndaj anijes ishte “një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratave të SHBA-së për rritjen e flukseve të naftës përmes ngushticës së Hormuzit gjatë javëve të fundit”, me synimin për të treguar se Teherani ende mund të godasë objektiva detare dhe të rrisë nivelin e rrezikut për kompanitë e transportit.

Dallimi mes një rruge ujore të bllokuar fizikisht dhe një rruge ujore që është bërë tepër e rrezikshme për transportin tregtar është thelbësor, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Vetë ngushtica është fizikisht e hapur”, tha Plitsas. “Rënia e qarkullimit në këtë pikë vjen kryesisht për shkak të rrezikut të një sulmi iranian ndaj një anijeje”, theksoi ai.

Kjo do të thotë se pastrimi i minave dhe shkatërrimi i pikave të identifikuara të lëshimit mund të mos jenë të mjaftueshme për të rikthyer trafikun normal. Irani mund të vazhdojë të përdorë raketa dhe dronë për të kërcënuar anijet, ndërsa SHBA-ja nuk mund të eliminojë çdo pikë të mundshme lëshimi apo çdo armë.

“Do të jetë praktikisht e pamundur të goditet çdo raketë apo dron iranian, kështu që iranianët mund të vazhdojnë të ngacmojnë anijet dhe ta mbajnë ngushticën nën kërcënim për njëfarë kohe”, tha Plitsas.

Ai tha se situata aktuale mund të vazhdojë, në mungesë të rikthimit të luftimeve në shkallë të gjerë, derisa presioni ndaj Iranit të çojë në një marrëveshje të negociuar.

Kjo e vendos Uashingtonin përballë një testi të vështirë. Objektivi ushtarak është mbrojtja e rrugës ujore, por operatorët tregtarë duhet gjithashtu të binden se rreziku i lundrimit përmes Hormuzit është ulur mjaftueshëm për të justifikuar rikthimin e trafikut të rregullt.

Jo një fazë e re e luftës

Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën United Against Nuclear Iran, tha se sulmi ishte një sinjal se Uashingtoni nuk do të lejojë Iranin të përmbysë ato që ai i përshkroi si arritje amerikane gjatë javëve të fundit në garantimin e lirisë së lundrimit në Hormuz.

“Besoj se sulmi i sotëm është një sinjal nga SHBA-ja se nuk do ta lejojë Iranin të përmbysë përparimet amerikane të javëve të fundit në garantimin e lirisë së lundrimit në ngushticën e Hormuzit”, tha Brodsky për Radion Evropa e Lirë.

Por, Brodsky paralajmëroi kundër paraqitjes së sulmit si fillimin e një faze krejtësisht të re të konfliktit.

“Nuk është një ndryshim vendimtar drejt një faze të re të luftës”, tha ai. “Përkundrazi, është një kujtesë se SHBA-ja ka vullnetin për të garantuar sigurinë e ngushticës së Hormuzit”.

Zhvillimi më i rëndësishëm mund të jetë reagimi i Iranit. Duke folur para raportimit për sulmet hakmarrëse të IRGC-së, Brodsky tha se pritej që Teherani të kundërpërgjigjej ndërsa po përballet me pasoja ekonomike dhe se politikëbërësit amerikanë e kuptojnë këtë dinamikë.

“Se si do të përgjigjet SHBA-ja ndaj çdo sulmi iranian do të ketë rëndësinë më të madhe”, tha ai. “Do të nevojitet një përgjigje vendimtare amerikane për të demonstruar se SHBA-ja ka qëndrueshmërinë për ta vazhduar bllokadën për aq kohë sa Irani refuzon t’iu nënshtrohet kërkesave amerikane”.

Kjo mund të krijojë një cikël në të cilin Irani përpiqet t’u shkaktojë kosto forcave amerikane ose transportit detar pa u rikthyer në një luftë në shkallë të plotë, ndërsa Uashingtoni përgjigjet sa herë që vlerëson se veprimet iraniane kërcënojnë lundrimin.

Hormuzi i hapur, por trafiku rëndë i kufizuar

Ian Ralby, drejtues i kompanisë së sigurisë detare Auxilium Worldwide, tha se sulmi amerikan nënvizon se konflikti mes SHBA-së dhe Iranit mbetet i pazgjidhur.

“Besoj se sulmi i sotëm tregon atë që çdo vëzhgues serioz e ka ditur gjatë gjithë kohës – se mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të ketë një konflikt të armatosur ndërkombëtar”, tha Ralby për Radion Evropa e Lirë. Ai tha se sulmi tregoi se ekzistojnë “një sërë çështjesh të pazgjidhura, për të cilat nuk ka asnjë afat të qartë për zgjidhjen e tyre”.

Dobësimi i vazhdueshëm i transportit detar përmes Hormuzit e ilustron problemin. Ralby tha se trafiku është ndër më të ulëtit e regjistruar gjatë konfliktit, me rreth pesë anije në ditë që lëvizin në secilin drejtim dhe disa ditë pa asnjë anije.

Për Ralby, kjo tregon se Uashingtoni mbetet “i pozicionuar, i gatshëm dhe i vullnetshëm për të përdorur forcën kundër Iranit – si në det, ashtu edhe në territorin e tij sovran – për të arritur objektivat e tij”.

Por, veprimi ushtarak i vetëm nuk mund t’i eliminojë rreziqet me të cilat përballen operatorët tregtarë. Edhe një sulm që nuk e mbyll rrugën ujore mund t’i pengojë anijet, të rrisë kostot e sigurimit dhe t’i shtyjë kompanitë drejt rrugëve alternative.

Prandaj, hapat e ardhshëm të Iranit do të jenë vendimtarë. Premtimi i Teheranit për të ndëshkuar agresorin erdhi pasi IRGC-ja raportoi viktima në sulmin në ishullin Larak, duke krijuar presion ndaj udhëheqësve iranianë për të treguar se sulmet amerikane do të kenë një çmim.

Ralby paralajmëroi se çdo përshkallëzim mund të mos mbetet i kufizuar në Hormuz. Ai tha se rajoni ka pika të shumta të mundshme për përplasje dhe paralajmëroi se zhgënjimi me status quo-në mund ta shtyjë njërën palë të veprojë në një mënyrë që të shkaktojë rikthimin e dhunës.

“Situata në Hormuz nuk ka gjasa të zgjidhet së shpejti”, tha Ralby. “Ka njerëz me durim të shkurtër dhe fitila të shkurtër mes një numri aktorësh”.

Irani ka sulmuar shpesh bazat amerikane në të gjithë rajonin, vuri në dukje Ralby, ndërsa përfshirja e Huthive dhe incidentet e piraterisë krijojnë mundësi të tjera për dhunë. Përshkallëzimi i ardhshëm mund të përhapet, sipas tij, “shumë përtej kufijve gjeografikë të ngushticës së Hormuzit”.

Ai përmendi gjithashtu Libanin dhe Gazën si pika të tjera të nxehta, ku vazhdimi i dhunës mund ta shtyjë Iranin ose Huthit të kryejnë sulme në forma të reja.

“Pra, kjo gjë mund të dalë më tej jashtë kontrollit në çdo moment”, tha Ralby.

Rriten pasojat ekonomike globale

Pasojat e një ndërprerjeje të zgjatur në Hormuz do të shtriheshin shumë përtej përballjes ushtarake. Ralby tha se situata globale ekonomike po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa hemisfera veriore i afrohet dimrit dhe kërkesa për karburant për ngrohje pritet të rritet.

Ai paralajmëroi se problemi mund të kalojë nga çmimet më të larta të energjisë te çështjet e furnizimit fizik dhe mungesat e mundshme, në varësi të ashpërsisë së dimrit.

“Po afrohemi gjithnjë e më shumë drejt periudhës së dimrit për hemisferën veriore, me kërkesën për naftë për ngrohje që do të nisë të rritet ndjeshëm në dy muajt e ardhshëm”, tha Ralby, duke ngritur shqetësime “jo vetëm për çmimin, por edhe për furnizimin dhe më pas për mungesat në përgjithësi”.

Kina mund të shtojë një tjetër shtresë pasigurie. Ralby tha se Pekini ka qenë duke ulur artificialisht kërkesën e tij për naftë, por një rritje e përtërirë e konsumit kinez mund t’i çojë çmimet e naftës më lart dhe të thellojë pasojat ekonomike të përplasjes.

Ai paralajmëroi se një presion i tillë mund t’i inkurajojë gjithashtu më shumë shtete të kryejnë transaksione me Kinën jashtë mekanizmave financiarë të bazuar në dollar, të cilët kanë ndihmuar në mbështetjen e ndikimit ekonomik amerikan për dekada.

Një status quo e brishtë

Për momentin, pyetja kryesore është nëse sulmi i 30 gushtit dhe hakmarrja e IRGC-së do të mbeten shkëmbime të izoluara apo do të shndërrohen në fillimin e një cikli tjetër përshkallëzimi.

Uashingtoni ka treguar se përpjekjet e tij për të mbrojtur lundrimin shkojnë përtej pastrimit të minave nga rrugët e transportit. Ai është gjithashtu i gatshëm të godasë objektiva ushtarake iraniane kur beson se ato po përdoren për të kërcënuar rrugën ujore.

Ndërkohë, Irani ruan aftësinë për ta mbajtur transportin tregtar nën kërcënim pa tentuar domosdoshmërisht një bllokadë konvencionale. Kjo e lë Hormuzin në një gjendje të paqëndrueshme: fizikisht të hapur, por me trafikun të kufizuar ndjeshëm nga kërcënimi i sulmeve.

Plitsas tha se kjo gjendje mund të vazhdojë për njëfarë kohe nëse asnjëra palë nuk rikthehet në luftime në shkallë të gjerë. Por, paralajmërimi i Ralbyt për pikat e nxehta rajonale dhe presioni ekonomik që po rritet rreth Hormuzit nënvizojnë se sa e vështirë mund të jetë frenimi i konfliktit për një kohë të gjatë.

Testi i menjëhershëm do të jetë mënyra se si Uashingtoni do t’i përgjigjet hakmarrjes së fundit iraniane në Jordani. Sfida afatgjatë është nëse SHBA-ja mund ta bëjë rrugën ujore mjaftueshëm të sigurt për operatorët tregtarë pa shkaktuar një luftë më të gjerë.

Rikthehen tensionet në Lindjen e Mesme/ Irani sulmon objektiva amerikane në Jordani, SHBA: Raketat u interceptuan

Irani ka lëshuar raketa drejt objektivave në Jordani, përfshirë bazën ajrore Muwaffaq Salti, ku janë të dislokuara forca amerikane.

Sulmi vjen pas një periudhe disa-javore me përplasje të kufizuara direkte mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Sipas burimeve arabe, gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, 31 gusht, disa raketa u drejtuan edhe në zonën e Akabës. Raportimet lokale flasin për disa shpërthime në pjesë të ndryshme të Jordanisë.

Një zyrtar amerikan, cituar nga Fox News, tha se deri tani nuk janë raportuar dëme të konsiderueshme dhe se pothuajse të gjitha raketat e lëshuara drejt objektivave amerikane janë interceptuar.

Edhe ushtria jordaneze deklaroi se ka rrëzuar tetë raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

Sulmi iranian dyshohet se ishte një përgjigje ndaj një operacioni amerikan në ishullin Larak, ku, sipas Teheranit, u goditën dy lëshues raketash të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) e ka mohuar pretendimin iranian se operacioni në ishull ishte “një akt agresioni”.

“Ky pretendim është absolutisht i rremë”, deklaroi CENTCOM në një postim në rrjetin X, duke shtuar se forcat amerikane kishin ndërmarrë “veprime të kufizuara dhe të sakta” kundër mjeteve të IRGC-së që, sipas SHBA-së, përbënin një kërcënim të menjëhershëm në Ngushticën e Hormuzit.

Disa orë më vonë, Marina e IRGC-së deklaroi se një supertanker që, sipas saj, kishte shkelur rregulloret, mori flakë pasi goditi dy mina detare.

Ndërkohë, IRGC ka marrë përgjegjësinë edhe për një sulm ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas deklaratës së saj, forcat iraniane shënjestruan me dhjetëra dronë sulmues zonat e bazës ajrore Al Minhad, ku ndodhen helikopterë dhe trupa amerikane.

Zhvillimet shënojnë një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa përplasjet ushtarake po shtrihen edhe në territorin e vendeve të tjera të rajonit.

“Syri” i Iranit në Ngushticën e Hormuzit: Pse SHBA e kishte shënjestruar prej kohësh ishullin Larak

Ishulli i vogël, por strategjikisht i rëndësishëm, ndodhet pranë rrugëve detare nëpër të cilat kalojnë tankerët e naftës dhe prej kohësh ishte pjesë e skenarëve ushtarakë të Pentagonit.

Ishulli Larak mund të duket si një pikë e vogël në hartë, por pozicioni i tij gjeografik e bën atë një nga pikat strategjike të Iranit në Ngushticën e Hormuzit.

Rëndësia e tij u vu sërish në qendër të vëmendjes të dielën në mbrëmje, kur forcat amerikane bombarduan dy pozicione për lëshimin e raketave në ishull. Ky ishte sulmi i parë i njohur amerikan ndaj objektivave në Iran që nga fundi i korrikut.

Irani premtoi kundërpërgjigje dhe më pas lëshoi tetë raketa balistike drejt bazave amerikane në Jordani. Sipas autoriteteve, të gjitha raketat u kapën.

Larak është një ishull iranian me sipërfaqe rreth 49 kilometra katrorë. Ai ndodhet në Ngushticën e Hormuzit, pranë portit strategjik të Bandar Abbasit, dhe ka pozicion dominues ndaj korridoreve detare që lidhin Gjirin Persik me Gjirin e Omanit.

Pozicioni i tij e bën ishullin një pikë të rëndësishme për sigurinë e lundrimit dhe për kontrollin e rrugëve nëpër të cilat transportohet një pjesë e konsiderueshme e naftës në tregjet botërore.

Larak ndodhet në lindje të ishullit Qeshm dhe në jug të ishullit Hormuz, pranë një prej segmenteve më të ngushta dhe strategjikisht më të rëndësishme të Ngushticës së Hormuzit.

Pikërisht vendndodhja e tij gjeografike e ka shndërruar Larakun në një pikë të rëndësishme vëzhgimi për Iranin.

Afërsia me korridoret kryesore detare i mundëson forcave iraniane të monitorojnë lëvizjen e anijeve tregtare dhe tankerëve që kalojnë nëpër zonë. Për këtë qëllim, në ishull janë vendosur radarë dhe pajisje të tjera për mbikëqyrjen dhe navigimin detar.

Roli i Larakut nuk kufizohet vetëm te vëzhgimi. Ishulli strehon gjithashtu një bazë të Gardës Revolucionare Islamike dhe objekte të lidhura me transportin dhe eksportin e naftës, të ndërtuara që nga fundi i viteve 1980.

Portet e ishullit përdoren gjithashtu nga Garda Revolucionare për operacione detare dhe për kontrollin e lëvizjes së anijeve në këtë pjesë të Ngushticës.

Pse u shënjestrua nga SHBA?

Rëndësia strategjike dhe ushtarake e Larakut shpjegon pse ishulli prej kohësh konsiderohet një objektiv i mundshëm në rast të një përshkallëzimi të konfliktit SHBA-Iran në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas Axios, Larak ishte përfshirë më herët në planet dhe opsionet ushtarake të Pentagonit për sulme ndaj objekteve iraniane që lidhen me përpjekjet për të penguar ose kontrolluar lundrimin në Ngushticë.

Sulmi i së dielës erdhi pasi forcat amerikane pretenduan se kishin vërejtur përgatitje nga Garda Revolucionare për vendosjen e minave detare në Ngushticën e Hormuzit.

Për Uashingtonin, një veprim i tillë do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për lundrimin ndërkombëtar dhe furnizimet globale me energji.

Për Iranin, ndërkohë, kontrolli i pikave strategjike përgjatë Ngushticës së Hormuzit mbetet një element i rëndësishëm i strategjisë së tij ushtarake dhe të presionit ndaj kundërshtarëve.

Kështu, pavarësisht përmasave të vogla, Larak mbetet një nga pikat më të ndjeshme të hartës së konfliktit SHBA-Iran, një ishull që ndodhet pranë një prej arterieve më të rëndësishme të energjisë në botë.

SHBA shtrëngon sanksionet ndaj Iranit, Sekretari amerikan i Thesarit: Do të ketë masa të reja çdo javë

Shtetet e Bashkuara pritet të shtojnë presionin ekonomik ndaj Iranit, me sanksione të reja që mund të shpallen çdo javë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Uashingtoni do të godasë institucionet dhe kompanitë që vazhdojnë të kenë lidhje financiare me Iranin. “Do të shihni shumë më tepër nga kjo çdo javë”, tha Bessent në një intervistë për Reuters, përpara takimit të ministrave të Financave të G20.

Deklarata e tij vjen pasi SHBA vendosi sanksione ndaj degëve të Banque Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shkak të lidhjeve të dyshuara financiare me Iranin.

Sipas Bessent, masat mund të shkojnë deri në shkëputjen e plotë të institucioneve të caktuara nga sistemi financiar i bazuar në dollarin amerikan.

Sekretari amerikan i Thesarit tha se SHBA do t’u kërkojë ministrave të Financave dhe bankierëve qendrorë të G20 të ndërpresin lidhjet ekonomike me Iranin.

Në të kundërt, paralajmëroi ai, institucionet mund të përballen me sanksione dytësore. “Jeni ose me ne, ose me iranianët”, tha Bessent, duke e bërë të qartë qëndrimin e administratës amerikane.

Sipas tij, qëllimi është të parandalohet përdorimi i sistemit financiar ndërkombëtar për të financuar regjimin iranian. Bessent hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se sanksionet amerikane nuk do të funksionojnë pa vendosur masa ndaj kompanive kineze që blejnë naftë iraniane. Ai tha se shumica e blerjeve kineze të naftës nga Irani janë kufizuar nga masat amerikane ndaj porteve iraniane.

Sipas tij, edhe sasia e naftës iraniane të ruajtur në cisterna është në rënie. “Problemi është zgjidhur”, deklaroi Bessent, duke sinjalizuar se Uashingtoni beson se presioni ekonomik po jep rez ultat.

Me paralajmërimin për sanksione të reja çdo javë, SHBA duket se po synon të rrisë më tej koston ekonomike për Iranin dhe për institucionet ndërkombëtare që vazhdojnë të bashkëpunojnë me të.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat