Gjermania të hënën do të kundërshtojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) akuzat e Nikaraguas se po “lehtëson” gjenocidin në Gaza duke i ofruar armë dhe mbështetje ushtarake Izraelit.
Nikaragua e akuzon Berlinin për shkelje të Konventës për Gjenocidin dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Seanca në Hagë do të fokusohet fillimisht në çështjen e juridiksionit të gjykatës.
Gjermania, mbështetëse e fuqishme e Izraelit dhe furnizuesi i dytë më i madh i armëve për të pas SHBA-së, i mohon akuzat. Berlini thotë se pretendimet e Nikaraguas “nuk kanë bazë në fakte apo në ligj”.
Në vitin 2024, GJND-ja hodhi poshtë kërkesën urgjente të Nikaraguas për ndalimin e ndihmës ushtarake gjermane për Izraelin, por nuk e rrëzoi çështjen.
Procedurat vijnë pas padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit për gjenocid. Në janar 2024, GJND-ja urdhëroi Izraelin të merrte masa për parandalimin e akteve të gjenocidit dhe përmirësimin e situatës humanitare në Gaza.
Në maj, gjykata caktoi nëntorin 2027 si afat për paraqitjen e parashtresave me shkrim nga Afrika e Jugut, ndërsa Izraeli ka afat deri në maj 2029 për t’u përgjigjur. Seancat kryesore pritet të mbahne më së hershmi në fund të vitit 2029, shkruan AP.
Ndërkohë, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime kundër njerëzimit, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte. Të dy i mohojnë akuzat.