Ekspertët: Realizimi i investimeve kapitale për këtë vit shumë i ulët

Ekonomi

Ekspertët: Realizimi i investimeve kapitale për këtë vit shumë i ulët

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Realizimi i investimeve kapitale gjatë këtij viti është më i ulëti në gjithë dekadën. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve. Këto veprime dëmtojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit, thonë ata.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxheliu, thotë se agjenda politike është duke dominuar, dhe për këtë shkak ka pak hapësirë për efekte dhe vendime ekonomike dhe segmente të tjera. Në Kosovë, nga ky politizim është ngulfatur sektori privat me vetë faktin se në vitin 2022,  në gjashtë muajt e parë kemi një shfrytëzim rreth 10 për qind të investimeve kapitale.  

Sot Kosova ka nevojë për të investuar në çdo pore. Kemi nevojë për projekte të reja dhe ato të pakryera. Duhet të kuptohet se partneriteti publiko-privat është çelësi i suksesit në këtë drejtim. Ne këtë kohë të inflacionit, kur Kosova ka inflacion 15.1 për qind, remitancat nuk e kanë më atë peshën e vet, është një rrezik që mund t’i kanoset tkurrjes ekonomike. Në raportet zyrtare thuhet se Kosova  ka një ngritje të të hyrave, por në aspektin konstruktiv kemi një rënie dhe ajo çka është më brengosëse është rënia e prodhuesve të importeve strategjike, duke filluar që nga nafta e edhe disa produkte të tjera. Duhet të kemi rishikim, alokim aty ku ka mundësi të gjenerohen efekte pozitive multiplikative dhe paraja e kursyer në kohë të inflacionit do të devalvohet vetvetiu”, thotë Gërxheliu.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën, se qeveria ka publikuar raportin ku ka të hyra mbi normën e paraparë por edhe rënie të shpenzimeve të buxhetit rreth 50 për qind e sidomos në investime kapitale dhe infrastrukturore.

“Kjo d.m.th se qeveria merr para nga taksapaguesit dhe nuk ka projekte që t’i shpenzojë. Në këto raste në vendet demokratike, qeveria duhet të ulë taksat dhe të mos i grumbullojë në banka por t’i ktheje ato tek qytetarët në formën e investimeve”, thotë Shahini.

Se fundi, një raport i publikuar nga Instituti GAP ka treguar faktorët që kanë ndikua në rënien e investimeve kapitale. “Rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikat qeveritare kanë bërë që realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 të jetë më i ulëti në dekadën e fundit”, ka vlerësuar instituti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat