Biznesmeni Piraj: Pavarësisht shtrenjtimit të energjisë, nuk do t’i rris çmimet e produkteve

Ekonomi

Biznesmeni Piraj: Pavarësisht shtrenjtimit të energjisë, nuk do t’i rris çmimet e produkteve

Më: 24 mars 2023 Në ora: 22:19
Burim Piraj

Pronari i kompanisë “MEKA Hallall Food”, Burim Piraj thotë se më e arsyeshme për të është rritja e çmimit të energjisë, sesa ndërprerja e saj në mënyrë të vazhdueshme.

Kjo, pasi që sipas tij nga ndërprerja po shkaktohen prishje në pajise dhe kjo po ndikon edhe më keq.

“Për mua më mirë me qenë çmimi pak më i lartë e me pas energji elektrike sesa me qenë çmimi i ultë e me pas mungesa. Mungesat neve po na shkaktojnë shumë dëme të mëdha edhe po kemi prishje të pajisjeve. Kemi pas kohëve të fundit dy apo tri prishje shkaku i i kyçjes dhe i shkyçjes dhe krejt këto po na kushtojnë. Ndërsa kur ka energji stabile, kur nuk ka ndërprerje edhe me qenë çmimi më i lartë është e arsyeshme nuk ndikon në rritjen e kostos së prodhimit sa po ndikon mungesa e energjisë”, ka thënë Piraj.

Ndërsa, thotë se pavarësisht rritjes së çmimit të energjisë, në kompaninë e tij nuk do të ketë rritje të çmimit të produkteve.

“Absolut jo, një prej faktorëve është energjia elektrike të ndikimit të çmimeve të prodhimit. Ne jemi në presion të vazhdueshëm të rritjes së çmimeve të lëndës së parë në arenën ndërkombëtare dhe kemi problem me taksën doganore të kanaçeve që nuk e kanë eliminuar dhe nuk jemi konkurrues në treg”, është shprehur ndër të tjera ai.

Çmimi i energjisë elektrike ishte rritur edhe në shkurt të vitit të kaluar ku Zyra e Rregullatorit kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat