Rafuna nga OEK: Shtrenjtimi i rrymës, shqetësim për bizneset – të lansohet një pako ndihmese

Ekonomi

Rafuna nga OEK: Shtrenjtimi i rrymës, shqetësim për bizneset – të lansohet një pako ndihmese

Më: 15 prill 2023 Në ora: 14:25
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna

Një pako e re do të ishte ndihmesë për bizneset, derisa shkalla e inflacionit në vend mbetet e lartë.

I këtij mendimi është Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për të cilin kjo pako do të paraqiste lehtësim edhe për qytetarët.

“Ka shumë modele të pakove të tilla dhe me një dialog publiko-privat me biznese, qeveria ta miratojë këtë pako ndihmese. Duhet të jetë një pako më specifike nga të kaluarat që kanë qenë shumë sociale”, është shprehur Rafuna në emisionin e ekonomisë Portofol në Klan Kosova FM.

Kjo pako sipas tij do ta lehtësonte edhe situatën pas shtrenjtimit të rrymës për 15.4 përqind.

“Bizneset e kanë pritur me shqetësim ngritjen e çmimit, sepse çdo ngritje ndikon në koston e prodhimit. Është pra kosto shtesë për bizneset. Çmimi i ri do t’ju paraqes telashe të mëdha, me gjithë sfidën që kanë pasur me konkurrencën nga produktet e importuara”.

Duke folur për inflacionin, Rafuna ka thënë se në gjysmën e dytë të vitit pritet që të ketë rënie të çmimeve.

“Trendet dhe indikacionet që i kemi nga tregjet evropiane dhe globale janë shpresëdhënëse. Çmimet kanë filluar të bien atje në mallra strategjike, naftë dhe gaz dhe në gjysmën e tjetër të vitit pritet të ketë stabilizim".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat