Shahini: Shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri thyen rekordin, rreth 440 milionë euro gjatë vitit 2023

Ekonomi

Shahini: Shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri thyen rekordin, rreth 440 milionë euro gjatë vitit 2023

Më: 14 janar 2024 Në ora: 08:37
Agim Shahini

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2023 kanë kaluar shifrën rreth 440 milionë euro.

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes, Agim Shahini ka thënë se kjo shifër është rekorde.

“Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 2023 kanë shënuar një rekorde prej 440 milionë euro, dhe kjo është ndoshta arsye e vetme që e arsyeton edhe Rrugën e Kombit dhe investimet në të ardhmen edhe në hekurudhat e Kosovës me Shqipërinë”, theksoi ai.

Shahini thotë se pavarësisht politikës, bizneset dhe konsumatorët janë në nivel të lartë të bashkëpunimit.

“Po njëkohësisht kjo tregon se pavarësisht ftohjes të raporteve të politikanëve apo të qeverive, populli bizneset dhe qytetarët, me konsumatorët janë në nivelin më të lartë të raporteve dhe rritjes së raporteve edhe shkëmbimeve tregtare”, tha Shahini.

Kurse, sa i përket investimeve të kosovarëve në Shqipëri, Shahini thotë se gjatë sezonit të verës ato kapin vlerën mbi 300 milionë euro.

“Këto janë vlera që e rritin mirëbesimin mes Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi Shahini.

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes, thotë se kosovarët kanë zëvendësuar produktet që më parë kanë marrë nga Serbia, me ato të Shqipërisë.

“Konsumatorët kosovarë e konsumatorët shqiptarë kur duan, mund ta ndihmojnë ekonominë e vendit dhe prodhimin e vendit”, potencoi ai për telegrafin.

Ndryshe, në studimin e bërë nga AKB theksohet se këto shkëmbime tregtare të vitit 2023 janë më të larta se të vitit 2022.

“Shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona Kosovë-Shqipëri për vitin 2023 thyen rekordin me importe dhe eksporte mes bizneseve, ku Kosova ka importuar nga Shqipëria rreth 326 milion € kurse bizneset e Kosovës kanë eksportuar rreth 113 milion€. Nëse e krahasojmë me vitin 2022 shkëmbimet tregtare ishin 356 milion€ ,kurse 2023 ishim 439 milion€ apo rritje rreth 83 milion€ ose mbi 23% më shumë”, thuhej në njoftimin e bërë nga AKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat