Edhe gjatë ditës së sotme po vazhdon panairi i produkteve vendore “Toka Jonë, Shija Juaj” ku prodhues të ndryshëm vendor janë më afër konsumatorëve.
Në këtë panair po marrin pjesë biznese të reja nga Kosova, ku prodhuesit vendor po promovojnë produktet e tyre.
Nerxhivane Krasniqi nga Vushtrria, me kompaninë e saj “Motrat”, u shpreh se është gjithmonë kënaqësi të merr pjesë në panaire, pasi e sheh si mënyrën më të mirë për të promovuar produktet e saj.
Krasniqi: Na vyen ende kohë për ta gjetur tregun
“Kam kënaqësinë që po i prezantoj produktet e mia...Kemi filluar me 30 kavanoza në vitin 2021, kështu tash në vitin 2026 jemi rrit, por na vyen ende për ta gjetur tregun,” tha Krasniqi.
Ajo tha se produktet e saj që janë të punuara nga frutat dhe perimet, kryesisht të konservuara, varijojnë prej specave turshi deri tek reçelet në bazë të kërkesave të konsumatorëve.
Krasniqi: Çdo panair për ne është sukses i madh
“Sa më shumë tradicionale, ashtu siç kanë punuar më herët gjyshet tona. Kjo është mundësia më e mirë për ne. Çdo panair për ne është sukses i madh sepse marrim konsumator të ri. Kjo është zgjedhja për ne që jemi biznese më të vogla, numër një është panairi për me na ngrit ne për të vazhduar me suksesin tonë”, përfundoi Krasniqi.
Mendim të ngjashëm pati dhe Nexhmije Topallaj, e cila ka filluar biznesin e saj para 6 muajve, me produkte bio, të kultivuara vetëm brenda vendit.
Topallaj: Në fillim je i padukshëm, kjo është mundësi për me pa njerëzit çka prodhojmë
“Po, normal është ide e mirë se në fillim je i padukshëm. Normal që kjo është një mundësi për me pa njerëzit se çka prodhojmë”, tha Topallaj.
Ajo tregoi se kur ajo, si një e rikthyer nga diaspora ia ka dalë ta qes në pah punën e saj, nuk mund të jetë dhe shumë e vështirë për ata të cilët kanë jetuar në Kosovë më gjatë.
Topallaj: Unë kam ardhur prej Gjermanisë në moshën 56 vjeçare dhe ja kam arrit
“Unë kam ardhur prej Gjermanisë në moshën 56 vjeçare edhe ja kam arrit me bë këtë, krejt të re për mua, edhe besoj që kur ja kam arrit unë, njerëzit që jetojnë këtu normal që ja arritin”, vazhdoi Topallaj.
Foli dhe zyrtarja e projekteve nga shoqata PePeKo, Isme Osmani. Ajo tregoi për fillimet e shoqatës dhe suksesin që ata kanë pas gjatë tri viteve të fundit që e mbajnë këtë panair.
Osmani: Ky panair është bërë tashmë tradicional
“Ky panair tashmë është bërë një panair tradicional për ne, pasi që është viti i tretë radhazi që e organizojmë, viti i dyti që e organizojmë në Prishtina Mall, ku i mbledhim prodhuesit dhe përpunuesit vendor në një vend ku ata me u taku drejtpërdrejt me konsumatorët”, tha Osmani.
Osmani u shpreh se ka shumë biznese të reja, por nuk mungojnë as ato nga vitet e shkuara.
Osmani: Mjafton me u prezantu produkti i bizneseve të reja në një vend kaq të madh
“Po, ka shumë biznese të reja pjesëmarrëse, por e mira dhe e veçanta e kësaj është kur bizneset e tri viteve i kemi këtu dhe shprehin interes me qenë në këtë panair “Toka Jonë, Shija Juaj”, pasi kanë pas interes ekonomik, po ashtu dhe mjafton që vetëm me u prezantu produkti i tyre në një vend kaq të madh që ka frekuencë kaq të madhe të njerëzve”, vazhdoi Osmani.
Për fund, ajo tha se ky panair është i mbështetur vetëm nga bashkëpunëtorët e tyre, të organizuar në kuadër të projektit EREA të implementuar nga Karitasi Zvicerran në Kosovë dhe të financuar nga Austrian Development Cooperation.
Ky panair do të jetë i hapur për dy ditë, më 11 dhe 12 shtator, ku qytetarët janë të ftuar të njihen me prodhuesit dhe të shijojnë produktet vendore.