Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e tretë të vitit 2026, sipas të cilit çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1.2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave të ASK-së, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çmimet e prodhimit janë rritur mesatarisht për 5.9 për qind.
Në krahasimin tremujor, ngritjet më të mëdha të çmimeve janë regjistruar te prodhimi tjetër p.k.t., me 14.8 për qind, dhe nxjerrja e xehes së metalit, me 11.3 për qind.
Rritje prej 4.9 për qind është shënuar edhe te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, ndërsa te prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës rritja ishte 2.5 për qind.
Rritje më të vogla janë regjistruar edhe te përpunimi i produkteve ushqimore (1.0 për qind), prodhimi i produkteve kimike (0.8 për qind), prodhimi i letrës (0.7 për qind), si dhe prodhimi i produkteve të gomës dhe plastikës dhe tekstilit, me nga 0.6 për qind.
Ndërkohë, disa degë të veprimtarive ekonomike kanë shënuar rënie të çmimeve. Rënia më e madhe është regjistruar te prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove, me 3.7 për qind. Ulje ka pasur edhe te prodhimi i metaleve (1.0 për qind), produktet minerale jo-metalike (0.9 për qind) dhe xeherorët e guroret e tjera (0.9 për qind).
Rritja vjetore arrin në 5.9 për qind
Në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, me 32.2 për qind.
Pasojnë prodhimi tjetër p.k.t., me 26.1 për qind, prodhimi i pijeve, me 20.1 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj, me 15.5 për qind, si dhe nxjerrja e xehes së metalit, me 11.4 për qind.
Rritje të konsiderueshme janë shënuar edhe te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (7.3 për qind), prodhimi i produkteve të gomës dhe plastikës (4.4 për qind), si dhe përpunimi i produkteve ushqimore (4.2 për qind).
Në anën tjetër, rënia më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar te prodhimi i veshjeve, me 6 për qind, ndërsa te prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove rënia ishte 3.6 për qind.
Ulje të çmimeve janë regjistruar edhe te prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike (1.5 për qind), veprimtaritë e grumbullimit, trajtimit dhe asgjësimit të mbeturinave (0.8 për qind), si dhe prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj (0.4 për qind).
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja paraqesin ndryshimet e çmimeve të prodhimit në Kosovë, si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.