Ekonomisti Bellaqa: Inflacioni, mungesa e inspektorëve dhe mosformimi i institucioneve ndikuan në ç’regjistrimin e bizneseve

Ekonomi

Ekonomisti Bellaqa: Inflacioni, mungesa e inspektorëve dhe mosformimi i institucioneve ndikuan në ç’regjistrimin e bizneseve

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 20:04
Jakup Bellaqa

Ekonomisti Jakup Bellaqa ka komentuar rritjen e kërkesave për ç’regjistrim të bizneseve, duke theksuar se një pjesë e subjekteve ekonomike e ndërpresin aktivitetin për shkak të mosfunksionimit të qëndrueshëm financiar dhe kushteve ekonomike.

Sipas Bellaqës, ka biznese që e nisin aktivitetin, por e ndërpresin atë pas një periudhe të shkurtër operimi, pasi nuk arrijnë të operojnë me sukses.

“Sa i përket kërkesave për ç ‘regjistrim, ka biznese që e kanë filluar biznesin një kohë, por e kanë ndërprerë atë për shkak të aktiviteteve pasi që sipas ligjeve ekonomike, nëse nuk afaron me sukses nga 3-6 muaj, duhet të mbyllet”, tha ai.

Ai theksoi se në vendim ndikojnë edhe faktorë të tjerë ekonomikë.

“Pastaj inflacioni ka ndikuar, pastaj veprimtaria, por kërkesa për ç’regjistrim është për shkak se veç një pjesë e ka bërë”, u shpreh Bellaqa.

Ekonomisti sqaroi edhe procedurën administrative të mbylljes së një biznesi, duke theksuar se ajo lidhet me përmbushjen e obligimeve tatimore dhe verifikimet në terren.

“Për ç ‘regjistrim duhet kryejnë obligimet tatimore, duhet inspektorët me dalë në terren, pastaj lëshohet ç ‘regjistrimi i biznesit”, deklaroi ai.

Sipas tij, mungesa e inspektorëve, veçanërisht në zonat rurale, po e vështirëson procesin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve ekonomike.

 “Po ka kërkesa që disa biznese shumë të vogla në vende rurale edhe inspektor ka pak. Mungesa e inspektorëve ndikon që të mos mbulohet zhvillimi i aktiviteteve”, theksoi Bellaqa.

Ai shtoi se edhe situata institucionale ka reflektuar në sektorin privat.

“Mosformimi i institucioneve ka ndikuar tek bizneset, por bizneset qoftë prodhuese apo eksportuese duhet përkrahur dhe kjo ka ndikuar që të ketë më pak kërkesa”, u shpreh ai.

Në fund, Bellaqa theksoi se mbyllja e bizneseve është pjesë e ciklit ekonomik.

“Biznesi e ka një cikël të rritjes, lindjen, zhvillimin dhe tutje. Dhe nëse biznesi s’ka aktivitet për t’i mbuluar të hyrat, ai edhe falimenton”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat