Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit organizoi Forumin e Tretë Ekonomik Kosovë–Poloni, ku përfaqësues institucionalë dhe të bizneseve nga të dyja vendet diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare, raporton KP.
Në hapje të forumit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, duke theksuar se investimet e huaja direkte arritën rreth një miliard euro në vitin 2025, ndërsa vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2026 kapën vlerën prej 375 milionë eurosh. Ajo ka përmendur si përparësi vendndodhjen strategjike të Kosovës, fuqinë punëtore të re dhe të arsimuar, klimën konkurruese fiskale dhe mundësitë për themelimin e bizneseve me pronësi të huaj. Kusari-Lila ka folur edhe për potencialin e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik me Poloninë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara në tregtinë e mallrave, shërbime dhe investime.
Në këtë forum ka folur edhe Tomasz Bielinski, drejtor për Zhvillim Ndërkombëtar në Bankën Polake për Zhvillim, i cili ka theksuar se suksesi ekonomik i Polonisë është rezultat i reformave të shpejta të tregut, të ndërmarra që në fillim, pavarësisht vështirësive që ato shkaktuan për qytetarët dhe industrinë polake.
Bielinski: Investimet e huaja ishin kyçe për zhvillimin ekonomik të Polonisë
“Faktorët kyç të suksesit. Pra, mendoj se kjo nuk është asgjë që ndoshta do të ishte befasuese për ju, por kishim, e dini, reforma shumë të mira, të prezantuara me shpejtësi që në fillim fare. Disa prej tyre ishin shumë të vështira për popullin polak dhe për industrinë polake, por duhej thjesht të tregoheshim të duruar dhe t’i kapërcenim kohët e vështira në fillim, por rezultatet ishin vërtet shumë të frytshme. Pra, reformat e tregut duhen bërë që në fillim për të sjellë fryte. E kombinuar me ekonominë, që ishte rezultat i hapjes ndaj investimeve të huaja, dua të them, në teknologji. Ne ishim shumë të hapur. Nuk menduam kurrë se mund t’i bënim gjërat vetë. Mendoj se duhet thjesht të tërhiqni investitorë, t’i ftoni në Poloni me teknologjitë e tyre dhe pastaj ne mësojmë prej tyre”, tha Bielinski.
Në kuadër të forumit është mbajtur edhe paneli me temën “Why Kosova? – Pse Kosova?”, ku në fokus kanë qenë mundësitë për të bërë biznes në Kosovë, klima e investimeve, hyrja në treg, aspektet ligjore dhe tatimore, si dhe mundësitë për partneritete ndërmjet kompanive kosovare dhe polake.
Paneli është moderuar nga Behar Fazliu, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Arcus Security. Pjesë e diskutimit kanë qenë Shpend F. Ahmeti, partner menaxhues në Data4X, i cili ka trajtuar ekonominë, klimën e biznesit dhe investimeve; Arta Istrefi, udhëheqëse për Kosovën në Swiss Entrepreneurship Program, me fokus në modelet e hyrjes në treg, ekosistemin dhe partnerët lokalë; Uranik Begu, drejtor menaxhues në CEE Plug and Play Tech Center, për mundësitë e partneritetit Kosovë–Poloni; si dhe Mal Osmani, menaxher i lartë në Deloitte Kosovë, për çështjet ligjore, tatimore dhe të pajtueshmërisë.
Forumi Ekonomik Kosovë–Poloni po mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Prishtinë. Në agjendën e ditës së sotme janë paraparë edhe tryeza diskutimi për sektorë të ndryshëm, takime B2B dhe B2G ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, si dhe aktivitete të rrjetëzimit.
Sektorët kryesorë të këtij forumi janë qeverisja digjitale dhe ekonomia digjitale, mbrojtja, siguria dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike, si dhe prodhimi i avancuar, infrastruktura dhe energjia.