Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari, ka marrë pjesë sot në Tiranë në takimin ministror të organizuar në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes
Në këtë takim, në fokus të diskutimeve ishte Autostrada e Tregut të Përbashkët (Single Market Highway), ku ministrat nga rajoni dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian diskutuan për transformimin industrial dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive të vendeve të tyre.
Kusari bëri të ditur se gjatë takimit prezantoi potencialin e Kosovës në sektorë të ndryshëm, përfshirë përpunimin e metaleve, materialet e ndërtimit, ndërtimet e parafabrikuara, përpunimin e drurit, plastikën dhe produktet elektrike.
Ajo theksoi se kompanitë kosovare po rrisin eksportet dhe po integrohen gjithnjë e më shumë në zinxhirët evropianë të vlerës.
Shkrimi i plotë:
Sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë së Shqipërisë, mora pjesë në takimin ministror (Ministerial Meeting), të mbajtur në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes.
Në fokus të diskutimit ishte Autostrada e Tregut të Përbashkët (Single Market Highway). Së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të DG GROW në Komisionin Evropian, znj. Kerstin Jorna, dhe homologët nga rajoni – Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, si dhe Ministrin e Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, z. Besar Durmishi – diskutuam për transformimin industrial dhe rritjen e kapaciteteve konkurruese të ekonomive tona.
Gjatë diskutimit, prezantova potencialin që Kosova tashmë po dëshmon në sektorë konkretë, si përpunimi i metaleve, materialet e ndërtimit, ndërtimet e parafabrikuara, përpunimi i drurit, plastika dhe produktet elektrike, ku kompanitë tona po rrisin eksportet dhe po integrohen gjithnjë e më shumë në zinxhirët evropianë të vlerës.
Theksova se përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së është vetëm hapi i parë. Sfida kryesore mbetet ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe teknike për testim, certifikim dhe akreditim sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht. Në këtë drejtim, Marrëveshja për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAA) mbetet një instrument kyç për lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e barrierave teknike.
Njëkohësisht, theksova rëndësinë e eliminimit të çdo pengese që cenon pjesëmarrjen e Kosovës, si vend i barabartë, në të gjitha nismat rajonale, veçanërisht ato të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja e barabartë është kusht themelor për një bashkëpunim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Integrimi evropian duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme për bizneset tona. Kjo kërkon udhërrëfyes sektorialë, instrumente financiare për modernizim teknologjik, digjitalizim dhe efiçiencë të energjisë, zhvillim të aftësive të fuqisë punëtore, si dhe lidhje të drejtpërdrejta të prodhuesve tanë me kompanitë evropiane.