Gjermani, kufizimet e COVID-19 zgjaten deri më 20 dhjetor

Evropë

Gjermani, kufizimet e COVID-19 zgjaten deri më 20 dhjetor

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 10:27
Foto ilustrim

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi se kufizimet në lidhje me koronavirusin e ri (COVID-19) i kanë zgjatur deri më 20 dhjetor, ndërsa sipas nevojës mund të zgjaten sërish deri në fillim të janarit.

Merkel nëpërmjet video-konferencës zhvilloi një mbledhje me kryeministrat e shteteve federale, pas së cilës i njoftoi kufizimet e COVID-19 me publikun.

“Është marrë vendim që kufizimet të zgjaten deri më 20 dhjetor. Tashmë kemi përsëri nevojë për një përpjekje në luftën kundër pandemisë. Jemi duke përjetuar testin e durimit, solidaritetit dhe disiplinës, do të jetë një kohë e vështirë”, tha Merkel.

Duke tërhequr vëmendjen në nevojën e kufizime, kancelargja gjermane u shpreh se, “Ne supozojmë se kufizimet do të duhet të zbatohen deri në fillim të janarit”.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rreptësisht rregullat e higjienës dhe largësisë fizike, shmangien e kontaktit të panevojshëm me njerëz të tjerë dhe qëndrimin në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur.

Kufizimet që do të jenë të vlefshme në Gjermani deri më 20 dhjetor

Teatrot, sallat e operës dhe koncertit do të jenë të mbyllura.

Palestrat, kinematë, vendet e argëtimit, pishinat nuk do të shërbejnë.

Restorantet, baret, pijetoret do të qëndrojnë të mbyllura, por restorantet do të mund të shërbejnë jashtë me porosi.

Ndeshjet e futbollit do të vazhdojnë pa tifozë.

Sallonet e pastrimit dhe të kujdesit për trupin, sallonet kozmetike, ato të masazheve dhe tatuazhistët do të mbyllen plotësisht, përfshirë edhe vendet si shtëpitë publike.

Dyqanet do të mund të pranojnë vetëm 1 klient në 10 metra katrorë. Në dyqanet më të mëdha se mbi 800 metra katrorë në çdo 20 metra katrorë do të pranohet vetëm 1 klient.

Universitetet do të vazhdojnë punimet nga distanca.

Shkollat dhe çerdhet do të mbeten të hapura, por në vendet me raste të mëdha të koronavirusit zyrtarët lokalë do të marrin masa shtesë.

Mbledhjet sociale do të mbahen vetëm me 5 pjesëmarrës nga dy shtëpi të ndryshme. Fëmijët e moshës nën 14-vjeçare do të jenë të përjashtuar nga kjo.

Gjatë festave të Krishtlindjes dhe në mbrëmjen e vitit të ri do të lejohet që të mblidhen deri në 10 persona nga shtëpi tjera.

Qytetarët janë këshilluar të mos shkojnë në pushime për skijim deri më 10 dhjetor.

Gjermania është vendi i pestë në Evropë pas Francës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë me rastet më të larta të COVID-19.

Në vend deri më tani janë raportuar 961.320 raste, ndërsa kanë humbur jetën 14.771 persona./AA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat