A do të aplikohet testi COVID-19 për të gjithë që udhëtojnë jashtë vendit?

Evropë

A do të aplikohet testi COVID-19 për të gjithë që udhëtojnë jashtë vendit?

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 07:47
Foto ilustrim

Edhe në verën e dytë të pandemisë, ekziston shqetësimi i madh në Gjermani që pushuesit do të sjellin koronavirus kur të kthehen. Sipas kryeministrit bavarez Söder, qeveria federale do që të marrë së shpejti masa.

Brenda vetëm pak ditësh mund të shtrëngohen masat lidhur me testin ndaj virusit Corona për personat që kthehen në Gjermani nga udhëtimet jashtë vendit. Sipas kryeministrit bavarez Markus Söder, qeveria federale planifikon të prezantojë një kërkesë për testime para kthimit në vend. Testimi duhet të aplikohet jo vetëm për udhëtarët me avion, por edhe për ata që udhëtojnë me makinë, me tren ose me autobus. Sipas Söder, të gjithë që kthehen duhet të kenë një test negativ kur të mbërrijnë në vend.

Image

Söder i tha televizionit të parë gjerman ARD: "Qeveria federale na ka siguruar sot se do të provojë gjithçka që është e mundur, që deri më 1 gusht të aplikohet detyrimi i përgjithshëm i testit negativ jo vetëm për udhëtimet ajrore, por edhe për shembull, për udhëtime me makina ose trena".  Söder tha se data e planifikuar fillimisht për futjen e këtij rregulli, pra me 11 shtator, duket si "një shaka", sepse ky vendim do të ishte i vonuar pasi deri atëherë kalojnë të gjitha pushimet. 

Politikani i CSU-së tha se për këto vendime do të krijohen edhe bazat juridike ligjore dhe se kjo mund të arrihet deri më 1 gusht. Rregullorja e re është e thjeshtë: "Të gjithë kanë nevojë për një test". Kërkesa për futjen e testeve është mbështetur nga disa kryeministra të landeve të tjera, por nuk dihet sakt nëse ky vendim do të vie me 1 gusht, sepse ende ka kundërshtarë të këtij vendimi të përshpejtuar. 

Afati ende nuk është caktuar

Pra ende nuk është e sigurt nëse urdhëresa e re mund të hyjë në fuqi kaq shpejt. Zëvendës zëdhënësja e qeverisë federale, Ulrike Demmer, vuri në dukje se dakordimi i këtyre rregullave ende nuk ka përfudnuar. Tani për tani thuhet: "Sa më shpejt, aq më mirë".

Image

Në veçanti, ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer kohët e fundit kanë kërkuar që të aplikohet testi i detyrueshëm për të gjithë që udhëtojnë jashtë vendit. Ndërsa ministrja e Drejtësisë Christine Lambrecht (SPD), ka qenë deri tani kundër, duke arsyetuar, se kjo masë nuk është në harmoni me nevojat.

Aktualisht teste negative kërkohen vetëm për personat që duhet të kthehen në Gjermani me avion. Seehofer tha se personat e vaskinuar apo të shëruar nga Covid-19, nuk kanë nevojë për test. Sipas Seehoferit dhe Söderit, në vendkalimet kufitare nuk do të kontrollohen të gjithë, por kontrollet do të jenë në formë sondazhi. Askush nuk dëshiron kontrolle të plota në kufi, shpjegoi Söder.

Vaksinimi

Image

Ndërkohë në Gjermani janë vaksinaur rreth 50% e popullatës që jeton në këtë vend. Por ende nuk është sqaruar deri në fund nëse vërtet edhe personat e vaksinuar dhe të shëruar kanë nevojë për teste negative para kthimit në Gjermani. Kjo do të vendoset së shpejti, ndërsa ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha me triumfalizëm se në Gjermani janë vaksinuar ndërkohë më shumë se gjysma e popullatës.

Kohët e fundit është ngadalësuar procesi i vaksinimit, përkundër faktit që në qarkullim ka sasi të mjaftueshme të vaksinave. Në politikën gjermane po diskuktohet me të madhe për mundësinë e stimulimit të vaksinimit apo duhet të aplikohen detyrime të tjera për ata që nuk janë vaksinuar. Në disa vende të tjera kërkohet vaksinimi me detyrim për disa profesione të caktuara. Qeveria federale gjermane ka refuzuar deri tani shprehimisht vaksinimin e detyrueshëm./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat