Dështon evakuimi, Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella të ashpra

Evropë

Dështon evakuimi, Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella të ashpra

Nga: Bota sot Më: 6 mars 2022 Në ora: 09:03
Një burrë ndihmon një grua më të moshuar për të ikur nga granatimet e rënda në Irpin, në afërsi të Kievit. 6 mars 2022.

(E plotësuar 16:41) - Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella për dështimin e evakuimit të civilëve

Për të dytën ditë me radhë, planet për evakuimin e civilëve nga qyteti Mariupol kanë dështuar, kanë thënë zyrtarët ukrainas, teksa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Banorët do të duhej të evakuoheshin nga Mariupoli nga ora 10:00 deri në orën 21:00 sipas kohës lokale, në bazë të një marrëveshjeje për armëpushim lokal. Por, këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko, tha se evakuimi është pezulluar për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga trupat ruse.

“Nuk ka ‘korridore të gjelbra’ sepse rusët vendosin vetë se kur do të nisin të shtënat dhe ndaj kujt”, tha ai.

Por, presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar palën ukrainase për dështimin e evakuimit nga Mariupoli, që është qytet port në juglindje të Ukrainës. Ky qytet për pesë ditë me radhë është i rrethuar nga forcat ruse.

Putin i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të dielën me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Sipas Kremlinit, Putin ka theksuar se Kievi “ende nuk po përmbush marrëveshjet e arritura për këtë çështje akute humanitare”.

OKB: Deri më tani janë konfirmuar 364 vdekje të civilëve në Ukrainë

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

OKB tha se edhe 759 civilë të tjerë janë plagosur. Të dhënat janë deri në mesnatën e të shtunës.

Kjo zyrë përdorë metodologji strikte dhe vetëm raporton për numrin e viktimave të konfirmuara.

Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se shifrat reale vlerësohet se janë shumë më të larta, “veçanërisht në territorin e kontrolluar nga Qeveria dhe veçmas në ditët e fundit”. Kjo për shkak se informacionet nga këto zona po vonohen që të arrijnë për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Zyrtarët ukrainas kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të civilëve të vrarë.

Macron bisedon dy orë në telefon me Putinin, zbulohet çka i tha për Ukrainën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur sërish në telefon me homologun e tij rus Vladimir Putin, në një bisedë që zgjati 1 orë e 45 minuta, tha presidenca franceze.

Një zyrtar francez tha se ende s’i kishin detajet se çka është folur mes dy udhëheqësve, por se pas kësaj telefonate përshtypja e Macronit ishte që Putin e ka në qëllim ta merrte gjithë Ukrainën, raporton BBC.

Macron është ndër liderët botërorë që kanë biseduar me Putinin ditët e fundit, duke shpresuar të ndërmjetësojnë një armëpushim në Ukrainë.

Këtë të diel, Putin ka folur edhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili i ka bërë thirrje për  ndërprerje urgjente të armiqësive.

Sipas Kremlinit, Putin i ka thënë Erdoganit se negociatorët ukrainas duhet të kenë një “qasje më konstruktive” në bisedime.

“U nënvizua se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndalon operacionet ushtarake dhe përmbush kërkesat e njohura ruse”, tha Kremlini.

Rusia e quan agresionin e saj në Ukrainë një “operacion special”.

Raportohet për civilë të vrarë në afërsi të Kievit

Mediat ndërkombëtare po raportojnë se ka viktima në mesin e civilëve në Irpin, në veriperëndim të Kievit, të cilët po iknin nga bombardimet ruse.

Të paktën tre persona raportohet se janë vrarë nga granatimet ruse, që kanë goditur një urë të dëmtuar, të cilët civilët e kanë përdorur për të ikur.

Image
Qytetarët duke vrapuar teksa grantimet në Irpin kanë vazhduar. 6 mars 2022.

The New York Times raporton se tre anëtarë të së njëjtës familje janë vrarë. Kjo gazetë po ashtu tha se një grup i vogël civilësh po vraponin në një rrugë dhe po ndihmoheshin nga ushtarët ukrainas që të arrinin në një pjesë të sigurt.

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 11-të. Më poshtë, mund të lexoni disa prej zhvillimeve kryesore të ditës së sotme:

Mëngjesin e së dielës u raportua për sulme të tjera në uzinën bërthamore të Zaporizhja, që është centrali më i madh në Evropë.

Sipas Zërit të Amerikës, rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë.

Pas BBC-së dhe mediumeve tjera ndërkombëtare, edhe Radio Evropa e Lirë njoftoi se ka pezulluar punën në Rusi, si pasojë e sulmeve të regjimit të Vladimir Putinit.

Po ashtu edhe gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard njoftuan se kanë pezulluar punën në Rusi, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Ushtria ukrainase njoftoi e mbi 11 mijë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Organizata Botërorë e Shëndetësisë tha se qendrat shëndetësore në Ukrainë janë sulmuar.

Këshilli i qytetit në Mariupol, njoftoi të dielën se do të provojnë sërish të evakuojnë qytetarët, në bazë të një armëpushimi të ri.

Njëjtë sikurse të shtunën, edhe të dielën dështoi evakuimi pasi sulmet ruse nuk u ndalën.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, por Putin tha se sulmi do të përfundojë kur të plotësohen kërkesat e Moskës.

Raketa ruse bie pranë gazetarëve dhe civilëve, ka të vdekur

Rusët janë duke tentuar të marrin me çdo kusht Kievin me qëllim ndryshimin e qeverisë atje.

Dhe nënshkrimin e marrëveshjeve që do të lidhnin Ukrainën me Rusinë.

Për këtë shkak, lufta është e ashpër në qytetet përreth Kievit.

Rasti konkret është qyteza e Irpinit, ku një ekip i Sky News ka filmuar edhe momentin, kur një raketë ruse godet një karvan civilësh duke vrarë të paktën njërin prej tyre.

***

Mbretëria e Bashkuar: Ne duam të shmangim një luftë me Rusinë

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj kërcënimeve të Rusisë, thotë shefi i shtabit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Sir Tony Radakin.

“Duhet të ruajmë qetësi dhe përgjegjësinë, në mënyrë që të mos reagojmë me nxitim ndaj çdo komenti më të fundit, sinqerisht ndonjëherë, të çuditshëm apo qesharak nga Presidenti Putin”, tha ai për BBC.

Ai thekson se Britania e Madhe është pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, dhe ka një parandalues bërthamor.

Radakin tha se qeveria britanike ka një linjë të drejtpërdrejtë të komunikimit me selinë operative të Moskës, dhe tha se po pret të kontaktojë me homologun e tij rus, shefin e ushtrisë Valery Gerasimov.

Dështon edhe përpjekja e dytë për evakuim

Një zyrtar ukrainas thotë se një përpjekje e dytë për të evakuuar civilët nga Mariupoli dështuar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme ruse.

Autoritetet ushtarake ukrainase thanë më herët të dielën se evakuimet nga qyteti i Mariupolit ishin planifikuar të fillonin në mesditë me orën lokale.

Anton Gerashchenko, këshilltar në Ministrinë e Brendshme në Ukrainë, tha se evakuimet e planifikuara përgjatë korridoreve të përcaktuara humanitare u ndaluan për shkak të sulmeve të vazhdueshme.

Një armëpushim i ngjashëm i planifikuar për të shtunën, dështoi të shtunën, duke bllokuar banorët nën shumë granatime dhe bombardime ajrore nga forcat ruse.

Skena kaotike teksa njerëzit largohen nga qyteti afër Kievit

Në qytetin Irpin, rreth 20 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit, Kiev, njerëzit kanë filluar të largohen derisa sulmet ruse vazhdojnë.

Qyteti është dëmtuar rëndë nga sulmet e trupave ruse.

Fotot tregojnë skena kaotike të njerëzve që arratisen nga shtëpitë e tyre.

Image
Banorët vendas në Irpin, duke ikur në mes të bombardimeve nga forcat ruse, 6 mars 2022.

Granatime të rënda në Kiev, Ukraina thotë se u vranë dy fëmijë

Granatime të rënda janë dëgjuar këtë mëngjes në perëndim dhe veriperëndim të Kievit. Ndikimi i shpërthimeve u dëgjua nga ekipet e CNN në Kiev dhe në zonat rurale në jug-perëndim.

Dy predha artilerie goditën një pikë kontrolli të civilëve që kalonin në Kiev nga periferia e Irpin. Tre persona u raportuan të vrarë, thonë autoritetet ukrainase, duke përfshirë dy fëmijë.

Videot e shpërndara në rrjete sociale tregojnë për një shkatërrim të madh në Irpin. 

Oleksiy Arestovych, këshilltar në zyrën e presidentit ukrainas, tha: “Ata [trupat ruse] morën Hostomel dhe Bucha të shtunën. Rusët hynë atje”.

“Ata kanë plagosur shumë fëmijë dhe nuk lejojnë t’i evakuojnë, pavarësisht apeleve të shumta në nivelin më të lartë shtetëror për të siguruar një “korridor të gjelbër” nga Bucha dhe Irpin. Ka shumë fëmijë në bodrume”.

“Ka bodrume ku po qëndrojnë 70 fëmijë, të cilët s’po lirohen. Kjo është një katastrofë si nga pikëpamja humanitare dhe – mbi të gjitha – nga pikëpamja morale”, tha Arestovych, duke shtuar se kjo çështje po diskutohej “në nivelin më të lartë me institucionet ndërkombëtare humanitare”.

Disa fëmijë kanë vdekur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës.

CNN tha se edhe ekipet e tyre i kanë dëgjuar shpërthimet.

***

Zelenskyy: Raketat ruse shkatërruan plotësisht aeroportin e Vinnytsia-s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar ditën e sotme se raketat ruse kanë goditur dhe shkatërruar plotësisht aeroportin rajonal të Vinnytsia-s.

Vinnytsia është një qytet i vendosur në Ukrainën perëndimore-qendrore dhe ndodhet rreth 257 km në jugperëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në një video të publikuar së fundmi, Zelenskyy i kërkoi NATO-s të “mbyllte hapësirën ajrore” dhe të krijojë një zonë ndalim-fluturimi.

“Siguroni një zonë humanitare ndalim-fluturimi”, tha ai.

“Ky është detyrimi juaj humanitar për të na mbrojtur ne, për të mbrojtur njerëzit.

Dhe ju mund ta bëni. Nëse nuk e bëni, nëse nuk na siguroni, të paktën avionët, në mënyrë që të mbrohemi, atëherë mund të arrijmë në përfundimin e vetëm të mundshëm që dëshironi që ne të vritemi ngadalë”.

Erdogan i kërkon Putinit të shpallë armëpushimin në Ukrainë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogani, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.

Pas një telefonate njëorëshe, presidenca turke përmes një deklarate njoftoi se Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Sipas deklaratës, Erdogan tha se një armëpushim do të lehtësonte situatën humanitare.

“Presidenti Erdogan filloi bisedën me fjalinë: “le të hapim rrugën për paqen së bashku”, thuhet në deklaratën për media.

“Erdogan theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave urgjente për arritjen e një armëpushimi, hapjen e korridoreve humanitare dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje”, thuhet më tej në deklaratë.

Të dy krerët e shteteve, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.

Më herët, presidenti Erdogan, ka thënë se sulmi rus në Ukrainë “është i papranueshëm”, mirëpo shteti i tij nuk do t’i kthejë shpinën asnjërit shtet, pasi me të dyja vendet ka lidhje të forta.

Putin tregon se kur mbaron lufta me Ukrainën

Vladimir Putin ka thënë se “operacioni ushtarak” i Rusisë do të ndalet vetëm nëse Ukraina “ndalon së luftuari” dhe nëse kërkesat e Rusisë përmbushen.

Ai shpreson se negociatorët ukrainas do të marrin një “qasje më konstruktive dhe do të marrin parasysh realitetin”, tha një zëdhënës i Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se Putin tha se çdo përpjekje për të tërhequr procesin e negociatave do të dështojë.

Ata shtuan se Putin tha gjithashtu se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë “po shkon sipas planit dhe planit”.

Banorët e Kievit kërkojnë ndihmë nga aleanca: NATO mbylle qiellin!

Ukrainasit janë duke luftuar fortë kundër rusëve, megjithatë kërkojnë ndihmën e NATO-s për të vendosur zonën e “ndalim-fluturimit” me qëllim pengimin e avionëve të Putinit për të bombarduar objektivat civilë dhe ushtarakë.

Krahas kërkesave zyrtare nga qeveritarët, edhe vetë bashkia e Kievit dhe qytetarët kanë një pritshmëri të tillë nga NATO. 

“NATO mbylle qiellin!” është ajo që shkruhet nëpër tabelat që duken në Kiev.

Deri më tani NATO ka preferuar të qendrojë larg këtij konflikti duke ofruar vetëm armë dhe logjistikë për Ukrainën me argumentin se nuk mund të futen në luftë me Rusinë për një shtet që nuk është anëtar i aleancës. 

Image
“NATO mbylle qiellin!” është ajo që shkruhet nëpër tabelat që duken në Kiev.

Zelensky: Rusia po bëhet gati të bombardojë Odessan

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin port të Ukrainës, Odessa.

"Ky do të jetë një krim ushtarak. Ky do të jetë një krim historik", tha ai.

Forcat ruse kanë bërë përparim në Ukrainën jugore që nga fillimi i pushtimit të tyre më 24 shkurt, duke pushtuar qytetin Herson dhe duke rrethuar portin e Mariupolit, por Odessa deri më tani është kursyer kryesisht.

Rifillon evakuimi në Mariupol

Autoritetet në Mariupol thonë se armëpushimi i ri ka hyrë në fuqi, që lejon evakuimin e civilëve të bllokuar.

Përpjekjet për evakuim filluan rreth një orë më parë.

 Sulmohen civilët gjatë evakuimit

Një pikë kalimi për evakuimin e civilëve që përpiqeshin të largoheshin nga qyteti Irpin në perëndim të Kievit, u bombardua të dielën në mëngjes, raporton CNN.

Mediat ndërkombëtare po filmonin në atë lokacion, kur ra një predhë, në kohën kur një grup civilësh po kalonte përmes postbllokut.

Sipas raportimeve, të paktën tre civilë janë vrarë, duke përfshirë dy fëmijë, mirëpo ende nuk janë konfirmuar viktimat.

Erdogan bisedon me telefon me Putinin

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka biseduar me telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, të dielën më 6 mars.

Të dy presidentët biseduan për luftën në Ukrainë që ka filluar më 24 shkurt.

Në Rusi arrestohen më shumë se 600 protestues kundër luftës në Ukrainë

Më shumë se 600 demonstrues janë arrestuar në 21 qytete ruse, sipas grupit monitorues OVD-Info, pasi opozitari i burgosur, Alexei Navalny, u bëri thirrje rusëve të protestojnë kundër luftës në Ukrainë.

Grupi i monitorimit, duke cituar burime të medias lokale, tha se më shumë se 200 persona u arrestuan në një qytet siberian – Novosibirsk.

Navalny bëri thirrje për demonstrata në sheshet kryesore të qyteteve ruse në orë të caktuara.

Arrestimet masive janë bërë normë në protestat antiqeveritare në Rusi. OVD-Info thotë se të paktën 8000 protestues janë arrestuar ose ndaluar në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë, 11 ditë më parë, shkruan BBC.

Protestat e së dielës pasojnë demonstratat globale kundër pushtimit rus të Ukrainës që u mbajtën të shtunën.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës: Situata po bëhet më e rëndë

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishnya, tha se situata po bëhet më e rëndë si pasojë e agresionit rus.

Ajo tha për BBC-në se një tjetër valë e “planit terrorist” të Rusisë ka nisur.

Stefanishnya tha se situata po bëhet më e rëndë dhe se spitalet dhe kopshtet e fëmijëve janë granatuar në disa qytetet të Ukrainës.

“Ushtria ukrainase është më e fortë se kurrë më parë”, tha ajo, duke se shtuar se pavarësisht vendosmërisë së Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit, kjo nuk po e pengon presidentin rus, Vladimir Putin, që të vazhdojë sulmet.

“Hero i natës”, 11-vjeçari kalon vetë nga Ukraina në Sllovaki

Një djalë nga Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës, u përshëndet si “një hero i natës” nga autoritetet sllovake pasi ata thanë se ai kaloi vetë kufirin e Ukrainës për në Sllovaki.

11-vjeçari mbante një çantë shpine, një qese plastike dhe një pasaportë dhe kishte një numër telefoni të shkruar në dorën e tij, sipas Ministrisë së Brendshme të Sllovakisë.

“Ai erdhi i vetëm sepse prindërit e tij duhej të qëndronin në Ukrainë. Vullnetarët u kujdesën për të, e çuan në një vend të ngrohtë dhe i dhanë ushqim dhe pije”, tha ministria.

Deklarata, e postuar në faqen e ministrisë në Facebook të shtunën, thoshte se falë informacionit të shkruar në dorën e djalit dhe në një copë letre që ishte palosur në pasaportën e tij, stafi në kufi ishte në gjendje të vinte në kontakt me të afërmit e djalit në Sllovaki të cilët më pas mundën të vinin dhe ta merrnin.

“Ai i fitoi të gjithë me buzëqeshjen e tij, pa frikën dhe vendosmërinë e denjë për një hero të vërtetë”, thuhet në deklaratë. Është e paqartë pse djali ishte i pashoqëruar.

CNN nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë rast individual, por më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar tani nga Ukraina që nga 24 shkurti, sipas OKB-së deri më 3 mars. Nga 1,209,976 refugjatët që kanë ikur, shumica e tyre, 53,7%, kaluan në Poloni.

Të tjerë kanë shkuar në vende duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Rumaninë. 

***

Forcat ruse bombardojnë bostbllokun e evakuimit të civilëve pranë Kyivit

Një pikë kalimi evakuimi për civilët që përpiqeshin të largoheshin nga rrethi Irpin në perëndim të Kyivit u bombardua të dielën në mëngjes.

Mediat ndërkombëtare po filmonin në vendndodhje kur ra ajo që duket të ketë qenë një predhë artilerie, raporton CNN.

Në atë kohë një varg civilësh po kalonte përmes postbllokut.

Nuk ka detaje të menjëhershme për viktima.

Image
Pamje nga Ukraina

Zyrtarët ukrainas thanë edhe dje se sulmet ajrore i kanë penguar banorët të largoheshin përpara se të fillonin evakuimet e dakorduara. Putin e akuzoi Ukrainën për sabotim të përpjekjeve për armëpushim.

Një rund i tretë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet të hënën, sipas Davyd Arakhamia, anëtar i delegacionit ukrainas. Ai nuk dha detaje shtesë, përfshirë vendin ku do të zhvillohen ato.

Takimet e mëparshme u mbajtën në Bjellorusi dhe çuan në marrëveshjen e dështuar të armëpushimit për të krijuar korridoret humanitare për evakuimin e fëmijëve, grave dhe të moshuarve nga qytetet e rrethuara, ku qindra mijëra përballen me mungesë ushqimi dhe uji.

Image
Një sulm raketor rus goditi shtëpitë e banimit në rajonin Zhytomyr

Rusia sulmon shtëpitë në qytetin afër Kyivit, ka të vrarë

Shërbimet e urgjencës së Ukrainës po raportojnë për viktima nga një sulm raketor rus që goditi shtëpitë e banimit në rajonin Zhytomyr, rreth 140 km në veri-perëndim të Kyivit, raporton The Guardian.

Rreth 15 shtëpi private u shkatërruan në sulmin në qytetin e Ovruch, tha shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës në një përditësim në llogarinë zyrtare në Telegram këtë mëngjes.

Sipas agjencisë, në Korosten, një qytet në jug të Ovruch, një person u vra dhe dy u plagosën në një sulm me raketa gjatë natës.
Dhjetë shtëpi private thuhet se janë shkatërruar dhe një ndërtesë është djegur. Pesë fëmijë u shpëtuan nga bodrumi.

Rusia ka humbur 88 avionë që nga fillimi i luftës

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka publikuar raportin e saj ditor mbi konfliktin me Rusinë.

Këtu janë pikat kryesore:

Forcat ruse kanë humbur 88 avionë dhe helikopterë që nga fillimi i luftës

Një numër pilotësh rusë janë kapur

Forcat e armatosura të Ukrainës vazhdojnë të mbrojnë qytetin port të madh të Mariupolit në juglindje

Një “sasi e konsiderueshme” e pajisjeve ruse u kap në rajonin e Mykolaiv – në jug, afër Odesa

Ushtarët rusë janë “demoralizuar” nga forca e rezistencës ukrainase

Rusia ka dhënë pak detaje për humbjet e pësuar nga forcat e saj në Ukrainë, por ekspertët ushtarakë vlerësojnë se ajo është befasuar nga forca e rezistencës ukrainase dhe ka vuajtur probleme me linjat e furnizimit dhe moralin e trupave, raporton BBC.

Afër 1 milion refugjatë ukrainas vetëm në Poloni

Autoritetet polake kanë njoftuar se rreth 922,440 refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në Polini që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

Vetëm të shtunën, 129,000 njerëz kaluan kufirin, njoftuan autoritetet kufitare, ndërsa të dielën në mëngjes, 39,800 hynë ukrainas në Poloni.

Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme polake, shumica e refugjatëve janë shtetas ukrainas, megjithëse janë regjistruar edhe shtetas të Uzbekistanit, Bjellorusisë, Indisë, Nigerisë, Algjerisë, Marokut, SHBA-së dhe disa vendeve të tjera.

Derisa komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, tha se në dhjetë ditët e fundit – që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt - më shumë se 1.5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina dhe kanë kaluar në vendet fqinje.

Sipas OKB-së, kjo është kriza më në rritej e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

 Deri më tani, Greqia ka mirëpritur 3155 refugjatë ukrainas

Ministria greke e Mbrojtjes, ka njoftuar se, në 24 orët e fundit, në Greqi kanë mbërritur 451 refugjatë të tjerë ukrainas.

Mes tyre dhe 147 të mitur.

Që nga fillimi i agresionit rus të Ukrainës, 3 mijë e 155 refugjatë ukrainas janë strehuar në Greqi.

Ku  906 prej tyre janë të mitur.

Në Rusi arrestohen më shumë se 300 protestues kundër luftës në Ukrainë

Policia në Rusi ka arrestuar 316 persona, të cilët kanë protestuar në 16 qytete të ndryshme në të gjithë Rusinë, kundër luftës në Ukrainë, ka njoftuar OVD, një organizatë joqeveritare që monitoron represionin politik.

Deri më tash, policia nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me arrestimet.

Zelenskiy, senatorëve amerikanë: Mund të jetë hera e fundit që më shihni të gjallë

Në një fjalim drejtuar ukrainasve të dielën në mëngjes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy vlerësoi format e shumta të rezistencës që njerëzit kanë zgjedhur për ta kundërshtuar pushtimin rus dhe e quajti vendin e tij “superfuqi shpirtërore”, raporton The Guardian.

Vendi, tha ai, po performon në “maksimumin e mundësive”, me ushtarë që loftojnë, por edhe njerëz të zakonshëm që i mbrojnë qytetet, spitalet dhe repartet e zjarrit. Ai inkurajoi banorët e zonave të pushtuara të protestojnë, nëse është e mundur.

Dhjetë ditë pas luftës, tha ai, Ukraina është bashkuar me “miliona njerëz”.

Ndërkohë, Associated Press raportoi se ai u bëri një lutje “të dëshpëruar” ligjvënësve amerikanë dje që Shtetet e Bashkuara ta ndihmojnë për të marrë më shumë avionë luftarakë për ushtrinë e tij.

Zelenskiy hapi video-telefonën private me ligjvënësit amerikanë duke u thënë atyre se kjo mund të jetë hera e fundit që e shohin atë gjallë.

“Presidenti Zelenskiy bëri një lutje të dëshpëruar”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Ai tha se Zelenskiy dëshiron që SHBA-ja ta lehtësojë transferimin e avionëve nga aleatët e Europës Lindore. “Unë do të bëj gjithçka që mundem për ta ndihmuar administratën për ta lehtësuar transferimin e tyre”, tha Schumer.

SHBA-ja po e shqyrton dërgimin e F-16 të prodhimit amerikan në vendet e ish-bllokut sovjetik në Europën Lindore që tani janë anëtarë të NATO-s. Ata, nga ana tjetër, do t’i dërgonin Ukrainës MiG-ët e tyre të epokës sovjetike, të cilët pilotët ukrainas janë të trajnuar për t’i drejtuar.

Ankthi i nënës në qytetin e pushtuar nga Rusia, e këshillon vajzën se si të shpëtojë nëse shpërthen bomba

Një nënë e tre fëmijëve që kërkon strehim në shtëpinë e gjyshes së saj në qytetin e Khersonit të pushtuar nga Rusia në jug të Ukrainës, thotë për CNN se nuk u ka mbetur shumë për sa i përket ushqimit apo furnizimeve mjekësore.

Ajo kurrë nuk e kishte menduar se do t’i mësonte fëmijët e saj të vegjël se si të fshiheshin nga bombat, tha ajo.

“Ne po ndihemi të izoluar nga pjesa tjetër e Ukrainës tani”, tha Oleksandra Zhovtyuk, duke shtuar se nuk dalin jashtë sepse ushtarët rusë nuk do t’i lejojnë që të kalojnë ose të dalin nga qyteti.

Image
Ajo kurrë nuk e kishte menduar se do t’i mësonte fëmijët e saj të vegjël se si të fshiheshin nga bombat

Fëmija më i madh i Zhovtyuk është 7 vjeç dhe tashmë e kupton se çfarë po ndodh. “Ajo zgjohet natën, qan dhe më pyet se kur do të përfundojë”, tha ajo.

“Fëmija im i mesëm, ajo nuk kupton dhe mendon se është një lojë. Në fakt, unë me të vërtetë dua që ajo të mendojë se është një lojë – që ne duhet të luajmë sipas rregullave”.

Zhovtyuk shqetësohet se çfarë po i bën lufta djalit 18-muajsh të saj. “Me gjithë këtë atmosferë, ai duket shumë keq gjatë natës, qan dhe dëshiron të jetë me mua gjatë gjithë kohës, sepse e ndjen se diçka po ndodh”, tha ajo.

Duke folur nga streha e saj, Zhovtyuk tha se i thotë fëmijës së saj më të madh se “ne duhet të jemi të fortë tani, duhet të jemi bashkë tani dhe ajo duhet të më dëgjojë mua”.

Fëmijët flenë në korridor pasi është pjesa më e sigurt e shtëpisë kur fillojnë bombardimet, tha ajo.

“I thashë, nëse diçka do të shpërthejë, ajo duhet ta mbajë motrën e saj dhe të mos vrapojë tek unë. Gjëja e frikshme është se ajo është 7 vjeç, dhe unë nuk e kisha menduar kurrë se do t’i thoja fëmijës tim të mos vrapojë tek unë, por të rrijë me motrën e saj. Nuk di çfarë të them. Është shumë e frikshme”, tha Zhovtyuk.

Kherson, një qytet port kyç në hyrje të Detit të Zi u pushtua nga forcat ruse në orët e para të së mërkurës, pas ditëve të tëra bombardimesh dhe granatimesh të rënda. Kryetari i qytetit, Ihor Kolykhaiev, tha të shtunën se 300,000 banorët nuk kanë më armë për t’i rezistuar trupave ruse, duke shtuar se qyteti është pa energji elektrike e ujë dhe në nevojë të dëshpëruar për ndihmë humanitare.

Alarmon Britania: Ja sa mund të zgjasë lufta në Ukrainë

Konflikti në Ukrainë do të zgjasë me muaj, nëse jo vite, thotë zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab.

Ai tha për Sky News se aleatët duhet të tregojnë “qëndrueshmëri strategjike” për të siguruar që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të dështojë.

Kush e përbën rrethin e ngushtë të Putinit?

Presidenti rus, Vladimir Putin është duke drejtuar ushtrinë e Rusisë në një luftë të rrezikshme në Ukrainë që kërcënon të shkatërrojë ekonominë e shtetit.

Ai rrallë është parë më i izoluar sesa në kohët e fundit, pasi shihet i ulur në distanca të mëdha edhe me këshilltarët më të afërt.

Si komandant i përgjithshëm, përgjegjësia për pushtim bie mbi të, mirëpo ai gjithmonë është mbështetur në një rreth besnik, pjesëtarët e të cilit po ashtu kanë nisur karrierat në shërbimet ruse të sigurisë, sipas transmetuesit britanik, BBC.

Pyetja është se kush e ka vëmendjen e tij në një prej momenteve më të rëndësishme të presidencës?

Për më shumë lexoni këtu.

Qindra ukrainas presin në radhë për t’iu bashkuar ushtrisë

Qindra burra kanë qëndruar në radhë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për t’u regjistruar për t’u bashkuar me forcat e armatosura.

Një qytetar me emrin Volodymyr Onysko tha e ai doli vullnetar për të luftuar.

Ai nuk kishte asnjë dyshim se forcat ukrainase do të fitonin, duke thënë se ata e dinin se çfarë po bënin, ndryshe nga rusët.

Një burrë që tashmë ishte rekrutuar tha se e ndjente se ishte detyrë e tij të bashkohej me ushtrinë.

“Dua të luftoj. Dua që familja ime të kthehet në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Vyacheslav Radchenko.

Në një tjetër pjesë të kryeqytetit ka qenë një radhë e gjatë njerëzish që prisnin të hynin në një dyqan që shiste veshje kamuflazhi dhe uniforma ushtarake.

Ata po përpiqeshin për të siguruar gjithçka që do t’i ndihmonte të përgatiteshin për më të keqen.

Ndërkohë, më shumë ukrainas të zhvendosur vazhduan të mbërrinin në stacionin e Kievit nga Lindja.

Aty ishte edhe veterani i ushtrisë britanike, Mark Ayres, i cili tha se kishte udhëtuar në Kiev për t’u bashkuar me luftëtarët ukrainas.

Ayres e pranoi se mund të vdiste, por këmbënguli se nuk e shihte veten si hero.

“Unë nuk kam iluzione. Nuk kam ide romantike për luftën”, tha ai.

Një urdhër qeveritar i ndalon burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi, për t’i mbajtur ata të disponueshëm për rekrutim ushtarak.

Image
Ukrainasit qëndruan në radhë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për t’u regjistruar për t’u bashkuar me forcat e armatosura.

 Sërish do të tentohet evakuimi nga Mariupoli

Një armëpushim i përkohshëm është shpallur në Mariupol nga ora 10:00-21:00 me kohën lokale, ka njoftuar këshilli i qytetit.

Civilët do të mund të evakuohen nga qyteti përgjatë një rruge, për të cilën janë pajtuar Ukraina dhe Rusia.

Një plan i ngjashëm ishte shpallur edhe të shtunën (5 mars), por u shkel menjëherë për shkak të bombardimeve të rinisura nga Rusia.

SHBA-ja dhe Polonia konsiderojnë dërgimin e aeroplanëve sovjetikë në Ukrainë

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë një marrëveshje me Poloninë, ku Polonia do t’i siguronte Ukrainës avionë të epokës sovjetike në këmbim të avionëve luftarakë amerikanë F-16, sipas mediave amerikane.

Lëvizja e fundit për të ndihmuar Ukrainën me avancimin e Rusisë pason një takim midis Volodymyr Zelensky dhe më shumë se 300 senatorëve amerikanë, në të cilin udhëheqësi ukrainas tha se vendi i tij kishte shumë nevojë për më shumë avionë.

“Ne po punojmë me polakët për këtë çështje dhe po konsultohemi me pjesën tjetër të aleatëve tanë të NATO-s”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për mediat amerikane.

Pilotët ukrainas thuhet se kanë nevojë për avionë të prodhuar nga Rusia, sepse ata janë trajnuar posaçërisht për të fluturuar në ato sisteme, shkruan BBC.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden foli me Zelensky të shtunën në mbrëmje dhe vuri në dukje se SHBA-ja po “rritë” ndihmën e sigurisë, humanitare dhe ekonomike për Ukrainën “dhe po punon ngushtë me Kongresin për të siguruar fonde shtesë”.

 Blinken premton mbështetjen amerikane në Moldavi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka premtuar mbështetjen e Amerikës për Moldavinë – ish-republikën e vogël sovjetike me prirje perëndimore – e cila së fundi po përballet me një fluks refugjatësh nga Ukraina dhe po shikon me kujdes luftën e Rusisë me fqinjin e saj.

Blinken u takua të dielën (më 6 mars) me zyrtarë të lartë moldavë, të cilët po bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare në trajtimin e më shumë se 120,000 refugjatëve nga Ukraina që pritet të mbërrijnë në këtë vend.

Po ashtu, Moldavia ka kërkuar siguri kundër agresionit të mundshëm rus.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, më shumë se 230,000 njerëz kanë ikur në Moldavi nga Ukraina.

Blinken tha se pritja e refugjatëve nga Moldavia është një frymëzim për botën.

“Ne e admirojmë bujarinë e mikpritjes, gatishmërinë për të qenë miq kaq të mirë për njerëzit që janë në ankth dhe, në të vërtetë, dua të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu ndihmuar të përballeni me barrën iu është imponuar,” tha ai.

Rusia tashmë ka trupa në vendin prej 2.6 milionë banorësh, të vendosura në territorin e diskutueshëm të Transnistrisë dhe po vëzhgohen nga afër, derisa presidenti rus, Vladimir Putin po ecën përpara me pushtimin e Ukrainës.

Megjithëse nuk ka plane konkrete ose përpjekje që të bëhet anëtare e NATO-s, Moldavia aplikoi zyrtarisht për t’iu bashkuar Bashkimiy Evropian vetëm tre ditë më parë, në një përpjekje të shpejtë për të forcuar lidhjet e saj me Perëndimin.

OBSH: Qendrat shëndetësore në Ukrainë janë sulmuar

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka konfirmuar “disa” sulme në qendrat e kujdesit shëndetësor në Ukrainë dhe po heton të tjera, tha të dielën shefi i agjencisë.

Sulmet shkaktuan vdekje dhe lëndime të shumta, ka shkruar Tedros Adhanom Ghebreyesus në Twitter.

“Sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor ose punëtorëve shkelin neutralitetin mjekësor dhe janë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka shkruar ai.

***

Mbi 11 mijë rusë të vrarë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës thotë se mbi 11,000 trupa ruse janë vrarë që kur filloi pushimit rus më 24 shkurt.

Një ditë më parë, ky shtab njoftoi për mbi 10 mijë viktima ruse.

Por nuk raportoi për viktima në Ukrainë.

Inteligjenca ushtarake britanike: Rusia po synon civilët në Ukrainë

Inteligjenca ushtarake britanike tha të dielën se forcat ruse po synojnë zonat e populluara në Ukrainë, por se forca e rezistencës po ngadalëson përparimin rus.

Image
Pamje nga lufta në Ukrainë

“Shkalla dhe forca e rezistencës ukrainase vazhdojnë ta befasojnë Rusinë”, tha inteligjenca ushtarake britanike.

“Rusia është përgjigjur duke synuar zonat e populluara në shumë vende, duke përfshirë Harkivin dhe Mariupolin. Rusia ka përdorur më parë taktika të ngjashme në Çeçeni në vitin 1999 dhe në Siri në vitin 2016”, tha inteligjenca ushtarake britanike.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se po synon zonat civile.

Edhe Sumy ‘në prag të katastrofës humanitare’

Situata në rajonin e Sumy dhe në qytetin e Mariupol është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24” të dielën në mëngjes.

Aktualisht nuk ka furnizim me energji elektrike dhe me ujë në qytetet Akhtyrka dhe Trostyanets në rajonin verior të Sumy, ka thënë këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko, shkruan BBC.

Image
Qytetarët ukrainas duke u larguar nga Kievi, më 5 mars 2022.

Megjithatë, ai shtoi se nata e së shtunës ka kaluar “relativisht e qetë”.

Megjithatë, agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi Eduard Basurin, një zyrtar në Donetsk të drejtuar nga rebelët, të ketë thënë se korridori humanitar mund të rihapet sërish të dielën.

 Rusia bombardon qytete për të thyer moralin ukrainas

Bombardimi i Rusisë ndaj zonave të populluara në Ukrainë është një përpjekje për të thyer moralin, sipas ministrisë së mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Në raportin e saj të përditshëm të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes thotë se forca e rezistencës së Ukrainës vazhdon të befasojë Rusinë, e cila është përgjigjur duke synuar qytete duke përfshirë Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol.

Ai krahason strategjinë e Rusisë me fushatat e saj në Siri në vitin 2016 dhe Çeçeni në vitin 1999, kur ushtria ruse kreu bombardime intensive të zonave të ndërtuara.

Raporti thotë gjithashtu se përparimi i Rusisë është ngadalësuar nga shënjestrimi i linjave të furnizimit nga Ukraina.

Radio Evropa e Lirë pezullon punën në Rusi

Radio Evropa e Lirë (REL) ka pezulluar punën e saj në Rusi. Sipas një deklarate, REL njoftoi se gazetat e saj në Rusi po përballeshin me presion të madh të policisë.

“Me keqardhjen më të thellë njoftojmë pezullimin e punës tonë fizike në Moskë. Ky nuk është një vendim që Radio Evropa e Lirë e ka marrë vetë, por është një vendim që na është detyruar nga sulmi i regjimit të Vladimir Putinit mbi të vërtetën”, tha Jamie Fly, president dhe drejtor i përgjithshëm i Radios Evropa e Lirë.

LEXO EDHE: Vazhdojnë bombardimet, Rusia tradhton Ukrainën - shkatërrohen rusët në ajër

Organizata do të vazhdojë të përpiqet të arrijë audiencën ruse duke përdorur “çdo platformë të mundshme”, shtoi ai.

Disa organizata mediatike, përfshirë BBC-në, janë detyruar të pezullojnë përkohësisht punën e gazetarëve të tyre në Rusi në përgjigje të një ligji të ri që kërcënon të burgos këdo që qeveria mendon se ka përhapur lajme “të rreme” për forcat e armatosura.

Lufta në Ukrainë rrit dëshirën në Finlandë për t’iu bashkuar NATO-s

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar frikë në shumicën e shteteve fqinje të saj - nga shtetet baltike deri në Moldavi.

Finlanda teorikisht duhet të jetë e sigurt, pasi historikisht ka qenë neutrale.

Ashtu si vendet tjera skandinave, përveç Suedisë, në Finlandë më herët nuk ka pasur diskonim për tu bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Por, së fundi, kur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse paralajmëroi Finlandën dhe Suedinë në mënyrë eksplicite se çdo lëvizje drejt NATO-s mund të kishte pasoja ushtarake, njerëzit në të dy vendet u tronditën.

Që atëherë, avionët luftarakë rusë kanë hyrë në mënyrë të hapur në hapësirën ajrore suedeze.

Nëse të qenit neutral nuk mjafton për tu mbrojtur kundër Rusisë, qytetarët në Finlandë e Suedi thonë se ndoshta nëse do të bashkoheshin me NATO-n do ta kishin mbrojtjen që u nevojitet.

Kjo paraqet një ndryshim të madh të qëndrimeve. Në Finlandë, veçanërisht, marrëdhëniet me Rusinë mendoheshin të ishin mjaft të mira, por pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar gjithçka.

Mariupoli “në prag të katastrofës humanitare”

Situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolt, është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24” të dielën në mëngjes.

Aktualisht, nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin verior të Sumyt, tha këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.

Megjithatë, ai shtoi se nata e së shtunës ka qenë “relativisht e qetë”.

Gjatë së shtunës, Ukraina dhe Rusia u pajtuan për një armëpushim që synonte largimin e civilëve të iknin nga Mariupoli, por ky armëpushim zgjati më pak se 30 minuta para se të rifillonin granatimet nga forcat ruse.

Sipas raportimeve të mediave në Ukrainë, korridori humanitar mund të rihapet sërish të dielën.

Rreth 3,000 amerikanë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë

Rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë, tha një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington për Zërin e Amerikës.

Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë dërguar armë.

Gjithashtu, kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe oligarkëve dhe liderëve rusë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas kanë bërë thirrje për formimin e një “legjioni ndërkombëtar” vullnetarësh të huaj për të ndihmuar Ukrainën në luftë.

Disa ditë më parë, Zelensky tha se rreth 16,000 vullnetarë nga vende të ndryshme janë paraqitur për të marrë pjesë në luftë.

Sërish sulme në centralin bërthamor

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se trupat ruse “po qëllojnë nga të gjitha anët” në uzinën bërthamore të Zaporizhja, centrali më i madh në Evropë.

“Rusët duhet të ndërpresin menjëherë zjarrin, të lejojnë zjarrfikësit që të krijojnë një zonë sigurie”, ka shkruar ai në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat