Një llambë, një gjirafë dhe një pako me drithëra: Çfarë mori me vete një familje ukrainase kur iku nga shtëpia?

Evropë

Një llambë, një gjirafë dhe një pako me drithëra: Çfarë mori me vete një familje ukrainase kur iku nga shtëpia?

Më: 9 prill 2022 Në ora: 09:13
Gjirafa që familja Pavlenko mori me vete pas largimit nga Ukraina.

Kur bombardimet ruse iu afruan shumë shtëpisë së tyre pranë Kievit, familja Pavlenko vendosi të largohet nga Ukraina.

Me nxitimin për të dalë jashtë – përveç disa veshjeve - kjo familje mori me vete tri gjëra të zakonshme: një zinxhir për çelësa me një gjirafë të varur, një pako me drithëra dhe një llambë tavoline.

Tani, si refugjatë të vendosur në Poloni, anëtarët e familjes Pavlenko janë lidhur pas këtyre tri kujtimeve dhe të tjera që lanë pas. Jeta e tyre u shkatërrua kur udhëheqësi rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e atdheut të tyre më 24 shkurt, duke shkaktuar eksodin më të madh të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Alyona 45-vjeçe dhe bashkëshorti i saj 48-vjeçar, Viktori, kanë pesë fëmijë: Nadia, Vika, Yana, Andriy dhe Myroslava – nga mosha shtatë deri në 24 vjeç.

Image
Alyona Pavlenko

Para pushtimit, Viktori punonte punë të ndryshme dhe Alyona pastronte dhe menaxhonte shtëpinë, me një lopë, pula, një mace, një qen, si dhe një kopsht me fruta.

Nadia, 24 vjeçe, jepte mësim të gjuhës ukrainase në një shkollë private në Kiev. Vika, 22 vjeçe, punonte si infermiere në Zhytomyr.

Por, kur sulmet ruse po i afroheshin shtëpisë së tyre, Alyona Pavlenko tha se jeta u bë e pamundur për familjen e saj në qytetin e tyre të lindjes, Vysoke, në juglindje të kryeqytetit Kiev.

“Që kur dëgjuam për herë të parë shpërthimet në autostradën Kiev-Zhytomyr, ne filluam të flinim me rroba veshur”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Image
Alyona shikon dokumentet që ka marrë nga shtëpia.

“Shtëpia po dridhej. Isha e frikësuar. Frikësohesha edhe për fëmijët tanë: një ishte në Kiev, një në Zhytomyr dhe tre në shtëpi me mua. Burri im ishte duke mbrojtur vendin bashkë me ushtarët. Nëse ne do të ishim në shtëpi në atë kohë, do të vrapoja në bodrum, ose do të fshihesha nën dritare ose në vaskë. Duart më dridheshin”.

Në orët e para të 2 marsit, nën zhurmën e fortë të raketave dhe shumë afër shtëpisë, Alyona doli jashtë dhe vrapoi te fqinjët, të cilët po përgatiteshin të largoheshin dhe kishin hapësirë për familjen Pavlenko në rast se ata dëshironin të largoheshin.

Ata pranuan ofertën dhe shpejt e gjetën veten duke u larguar nga shtëpitë e tyre, duke mos qenë të sigurt se kur do të ktheheshin dhe ku saktësisht po shkonin.

Sipas Alyonës, ata vendosën shpejt të niseshin drejt Polonisë, duke pasur parasysh afërsinë e saj, një vendim i marrë nga më shumë se 1 milion ukrainas të tjerë që ikën nga pushtimi rus.

Në total, më shumë se 4 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.

Image
"Unë i kam fëmijët. Kjo është gjithçka që ka rëndësi, asgjë tjetër nuk është e rëndësishme."

Ata përfundimisht arritën të kalonin kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë në Medyka në Poloninë juglindore, ku rojet kufitare polake janë përballur me numër të madh të refugjatëve që po largohen nga Ukraina.

Alyona tha se derisa ishin lehtësuar që kanë arritur te streha e ofruar në Poloni, ishin të shqetësuar, duke dëgjuar histori që disa persona i kishin shfrytëzuar refugjatët në vend se t’iu ndihmonin.

Ka pasur raporte se gra dhe vajza ukrainase janë përdhunuar pasi kanë ikur nga Ukraina.

“Na u tha se jo të gjithë njerëzve u besohet. Dy vajza humbën në stacion dhe të gjithë po i kërkonin”, rrëfen Alyona.

Dy ditë pas kalimit në Poloni, udhëtimi i familjes përfundoi në Komorov, një qytet në periferi të Varshavës me shumë shtëpi të mëdha.

Ata u pritën nga Aneta Stremazalska në shtëpinë e saj trekatëshe, ku jeton me partnerin, dy fëmijët dhe nënën.

“Në fillim mendova se këtu jetonin njerëz shumë të pasur. Por, tani e kuptoj se kjo është një familje e klasës së mesme”, tha Alyona.

Ne jemi shumë të mirëpritur prej tyre. Është e qartë se ne jemi barrë për ta. Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë”, tha Alyona, derisa kërkonte nëpër dokumente dhe gjëra tjera të marra nga shtëpia.

“Unë i kam fëmijët. Kjo është gjithçka që ka rëndësi, asgjë tjerë nuk është e rëndësishme”.

Image
Disi e mërzitur në shkollë, Yana, 12 vjeçe, thotë se ka qenë duke shkruar në fletoren e saj.

Ajo e kupton se dokumentet e marra nga shtëpia janë të nevojshme për të siguruar punë në Poloni, ndonëse shpreson që nuk do t’i nevojiten, pasi ëndërron të kthehet në shtëpi së shpejti.

“Çdo ditë, mendoj të kthehem. Shikojmë lajmet dhe mendojmë të kthehemi, por të nesërmen është gjithçka ndryshe. Gjithashtu, e kuptoj se nuk mund të vazhdoj kështu. Më duhet një vendim. Nëse nuk do t’i kisha fëmijët do të kthehesha”, tha ajo.

Alyona po përpiqet, gjithashtu, të bindë babanë e saj që jeton në Rusi për vrasjet e njerëzve dhe shkatërrimin që ka shkaktuar pushtimi i Putinit në Ukrainë - një histori e ngjashme e treguar nga ukrainas të tjerë me të afërm në Rusi - ku mediat e kontrolluara nga Moska, flasin vetëm për një “operacion special ushtarak” ose të shkatërrimit të shkaktuar nga “nacionalistët ukrainas” ose "nazistët".

“Pavarësisht faktit se vajza dhe nipërit e tij kanë ikur nga bombardimet, ai thotë: Është faji juaj, ju (ukrainasit) e filluat të gjithën”, tha Alyona.

Derisa Alyona gërmon nëpër dokumente dhe gjëra tjera të tjera familjare, mësuesja Nadia (vajza) po përfundon një tjetër orë mësimore online.

Disa nga studentët e saj mbeten në Kiev, por shumica janë të shpërndarë nëpër Evropë, refugjatë si ajo, disa në Greqi e disa në Norvegji.

Nadia shpjegoi se studentët e saj po përshtaten shpejt me mjedisin e tyre të ri, duke përmendur se një student “tashmë di të numërojë deri në 10 në greqisht”.

Nadia, e cila jep mësim në gjuhën ukrainase, thotë se nxënësit e saj duken veçanërisht të etur me mësimet e tyre të gjuhës tani.

“Ata janë të lumtur që kanë orë të mësimit dhe gjithmonë i kryejnë detyrat e shtëpisë. Gjuha ukrainase është tani është një fije shumë e rëndësishme që i lidh ata me vendlindjen”, tha Nadia, duke shtuar se deri më tani nuk ka arritur të gjejë punë si mësuese në Poloni.

“Ka shumë mësues si unë këtu”.

E pyetur për të realizuar një foto me një gjë me vlerë që arriti të merrte nga shtëpia, Nadia nxori një pako me drithëra – bazë ushqimore për shumë ukrainas.

“I dashuri im, Artem, e paketoi këtë për mua kur u largova nga Kievi, për të ma kujtuar shtëpinë. Nuk po mendoj të hap ende. Megjithatë, më pëlqejnë drithërat”, tha ajo duke qeshur.

Image
Pakoja me drithëra e Nadias.

Nadia tha që i vjen keq është i dashuri i saj nuk është me të. Ai tani është pjesë e një njësie të ushtrisë në Kiev.

“Duket kaq e padrejtë, pasi që e gjitha jeta ime që e kam planifikuar është në dyshim tani. Në fund, vendosa që aftësitë e mia si mësimdhënëse janë të dobishme për fëmijët tani. Kështu që jap mësim online falas çdo ditë”, tha ajo.

Yana 12-vjeçare, Andriy 10-vjeçar dhe Myroslava shtatëvjeçare po përballen me sfidat tjera, shkolla e re, mësuesja e re dhe nxënës që flasin një gjuhë të huaj.

“Shkolla nuk më pëlqen as në shtëpi”, bëri shaka Andriy.

Image
Myroslava shtatëvjeçare tashmë po mëson polonisht në shkollë dhe në shtëpinë e tyre të re.

Edhe pse në humor të mirë tani, Andriy vuajti shumë gjatë konfliktit në Ukrainë, shpjegoi nëna e tij Alyona, duke vjellë gati gjithçka që hante.

Përkeqësimi i shëndetit të tij fizik dhe mendor, ishte shtysë kryesore që Alyona të bindej që familja duhet të largohej.

Derisa përpiqeshin të paketonin atë që mundën, Andriy rrëmbeu një kujtim të vogël - një gjirafë me zinxhir që ia dha motrës së tij Vikës. Që atëherë ajo e ka mbajtur atë kudo.

Image
Andriy, 10 vjeç.

Nuk është vetë Andriy që nuk i pëlqen shkolla. Njëjtë mendon edhe Yana.

“Është e mërzitshme, nuk mund të hyj aty. Unë po vizatoj, shiko”, tha ajo, duke treguar zemrat dhe yjeve në fletoren e saj.

E pyetur nëse ka marrë ndonjë gjë nga shtëpia që është e rëndësishme për të, Yana përgjigjet me kënaqësi “po”, një llambë familjare dhe vrapoi jashtë për ta marrë.

Unë e di se për cilën llambë po flet”, tha Nadia. “Është një hajmali fati e familjes sonë”.

Gjatë atyre netëve të ftohta, derisa binin bombat, anëtarët e familjes Pavlenko u fshehën në bodrumin e tyre të lagësht të grumbulluar rreth llambës.

Yana tregon me krenari atë që duket të jetë një llambë tavoline shumë e zakonshme.

Por, kur fëmijët mblidhen rreth llambës në errësirën e banesës së tyre të përkohshme, fytyrat e tyre shkëlqejnë në ndriçimin e ngrohtë të llambës, një kujtim nga jeta e tyre nga shtëpia para fillimit të luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat