Moldavia ndalon përdorimin e simboleve të agresionit rus
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka nënshkruar një ligj që ndalon përdorimin e fjongos së Shën Gjorgjit, një simbol me ngjyrë të zezë dhe portokalli që ushtrisë ruse që simbolizon patriotizmin rus dhe agresionin kundër Ukrainës, si dhe simbolet “Z” dhe “V” që janë vendosur në makinat ushtarake ruse që po marrin pjesë në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Sandu ka mbështetur këtë ligj. Sipas ligjit, personat që përdorin këto simbole mund të gjobiten të paktën me 49 dollarë.
Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, ka kritikuar Sandun për nënshkrimin e këtij ligji, duke thënë se ajo po “lufton simbolet në vend të varfërisë”.
Dodon u zotua se do të organizojë Marshin e Fitores më 9 maj, ditë që në Rusi dhe në disa shtete ish-sovjetike festohet çdo vit, por viteve të fundit është shndërruar në mjet për propagandën ruse për të justifikuar agresionin kundër Ukrainës, veçmas për aneksimin e Krimesë nga Moska më 2014 dhe për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Muajin e kaluar, Sandu nënshkroi aplikimin zyrtar të Moldavisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Edhe Parlamenti i Lituanisë ka miratuar një ligj të ngjashëm më 19 prill që ndalon përdorimin e fjongos së Shën Gjorgjit, si dhe të simboleve “Z” dhe “V”.
Javën e kaluar, ligjvënësit ukrainas po ashtu ndaluan që simbolet ruse të përdoren në vende publike, në reklama, rroba, media dhe rrjetet sociale.
Londra dërgon më shumë artileri në Ukrainë
Britania do të dërgojë më shumë artileri në Ukrainë pasi lufta me Rusinë ka hyrë në një fazë të re, njoftoi sot kryeministri Boris Johnson .
“Ai do të kthehet në një përplasje artilerie, ata kanë nevojë për më shumë mbështetje artilerie , kjo është ajo që ne do t’u japim, përveç shumë formave të tjera të mbështetjes,” tha Johnson në Dhomën e Komunave.
Fundosja e anijes ‘Moskva-s’, familjarët në alarm: Ku janë djemtë tanë?
Disa ditë pasi anija “Moskva” u fundos në Detin e Zi, asnjë informacion nuk ka për ekuipazhin e saj.
Familjarët e ushtarëve janë të zemëruar dhe kërkojnë të dinë të vërtetën. Dmitry Shkrebets nuk ka me shpresa të gjejë të gjallë djalin e 20-vjeçar. Yegor Shkrebets ishte kuzhinier në bordin e luftanijes Moskva, që lundronte në ujërat e Detit të Zi, kur u raportua se u godit nga dy raketa Neptune të Ukrainës më 13 prill. Dmitry së bashku me gruan e tij, Irina, kanë shkuar në spitalin e Sevastopolit për të kërkuar trupin e djalit të tyre.
Ata panë afër 200 djem të rinj, me plagë të djegieve, por nuk e gjetën djalin e tyre, tha Irina. “Ne kontrolluam çdo fëmijë të djegur. Nuk mund t’ju tregoj se sa e vështirë është, por unë nuk e gjeta djalin tim. Kishte vetëm 200 persona aty, ndërkaq në anije ishin mbi 500 vetë. Ku janë të tjerët?”, shtoi ajo në një intervistë për “The Insider”.
Shkrebets është një prej të paktën katër marinsave që nga Rusia konsiderohen të zhdukur apo të vdekur, bazuar në postimet në rrjetet sociale të anëtarëve të familjeve të pjesëtarëve të ekuipazhit. Varvara Vakhrusheva shkroi në rrjetet sociale se burri i saj, Ivan Vakhrushev, ishte vrarë në këtë incident. Komandanti i Përgjithshëm i Marinës ruse, admirali Nikolai Yevmenov, u takua me ekuipazhin e luftanijes Moskva në portin e Sevastopolit më 16 prill. Në një video të postuar në rrjetet sociale nga ky takim, shfaqen dy rreshta me marinsa, në total prej afër 100 personash.
Ende është e paqartë nëse edhe 400 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të luftanijes Moskva janë të plagosur apo të vdekur.
Biden konsultohet me aleatët për Ukrainën
Presidenti i SHBA-së Joe Biden zhvilloi sot konsultime me aleatët e tij për zhvillimet e fundit mbi pushtimin rus të Ukrainës, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Qëllimi i bisedimeve ishte të diskutohej për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse mes aleatëve, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, forcat ruse pushtuan qytetin e parë në Ukrainën lindore si pjesë e një sulmi të ri në shkallë të gjerë që Kievi zyrtar e përshkroi si betejën për Donbas-in.
Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë veprimet aktuale të forcave ruse si një hyrje në operacione më të mëdha sulmuese në Ukrainën lindore, tha një zyrtar i lartë amerikan.
Folësit me Biden ishin sot kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, kryeministri britanik Boris Johnson dhe liderët e Italisë, Japonisë e Polonisë.
Si funksionojnë sanksionet në Rusi?
Putin ka urdhëruar qeverinë që të derdhë para të reja në ekonomi dhe të rrisë pagat dhe pensionet. Kreu i Bankës Qendrore kërkon modele të reja biznesi për shkak të sanksioneve. Në Moskë, 200 mijë vende pune janë në rrezik, shkruan Deutsche Welle në analizë.
Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje qeverisë që të rrisë pagat e nëpunësve civilë dhe pensionistëve, si dhe përfitimet sociale.
Ato duhet të përshtaten me inflacionin, i cili është 17.5 për qind, tha Putin në një mbledhje qeveritare të mbajtur me video lidhje. Sipas tij, situata ekonomike është stabilizuar - gati dy muaj pas fillimit të luftës kundër Ukrainës.
Putin urdhëroi gjithashtu qeverinë të derdhte para të reja në ekonomi për të rritur shpenzimet.
Kanadaja i është bashkuar Britanisë së Madhe, BE-së dhe SHBA-së në vendosjen e sanksioneve ndaj dy vajzave të rritura të Vladimir Putinit.
Katerina Vladimirovna Tikhonova dhe Maria Vladimirovna Vorontsova, që besohet se fshehin pasurinë e babait të tyre, janë midis 14 individëve të sanksioneve kundër Rusisë të sapo shpallura nga qeveria kanadeze.
“Çmenduri, vendi është zhytur në m**”, miliarderi rus del hapur kundër Putinit
Miliarderi rus, Oleg Tinkov i ka dalë kundër Putinit duke u shprehur kundër luftës që vendi i tij i ka shpallur Ukrainës, që prej 24 shkurtit.
Oleg e ka quajtur luftën çmenduri dhe i ka përshkruar mbështetësit e e veprimeve ushtarake të Moskës të marrë.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Tinkov një ish-bankier miliarder, i cili është sanksionuar nga Britania tha se “90% e rusëve” janë kundër luftës, shkruan The Guardian.
This is the most stridently anti-war comment I've seen from a Russian billionaire, here: sanctioned banking impresario @olegtinkov.
"How can we have a good army if everything else in the country is shit and smeared with nepotism and servility? 90% of Russians OPPOSE this war!" https://t.co/nawhIWEOeo
“Unë nuk shoh ASNJË përfitues të kësaj lufte të çmendur! Njerëz dhe ushtarë të pafajshëm po vdesin. Si mund të jetë e mirë ushtria, nëse gjithçka tjetër në vend është mut dhe e zhytur në nepotizëm dhe servilizëm?”, shkruan miliarderi rus në Instagram.
Rusia ka filluar të sulmojë fabrikën e çelikut
Luftëtarët e mbështetur nga Rusia kanë filluar të sulmojnë uzinën Azovstal, një fabrikë masive hekuri dhe çeliku, sipas një zyrtari pro-Moskë të cituar nga BBC, përcjell "Bota sot".
Kompleksi industrial është vendi ku janë strehuar mbrojtësit e fundit ukrainas të Mariupolit.
Eduard Basurin, i cili përfaqëson Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut, tha se trupat sulmuese po ndihmohen nga avionët dhe artileria ruse.
Ai mohoi raportet ukrainase se 1000 civilë ukrainas ndodhen gjithashtu në uzinë, ku po strehohen në bunkerë dhe tunele.
Forcat ruse po bombardojnë zonën rëndë dhe zona të banuara diku tjetër në Mariupol, tha një këshilltar i kryetarit të bashkisë së qytetit./M.L.
Rusia dëbon diplomatë nga Belgjika e Holanda
Rusia njoftoi për dëbimin e 38 diplomatëve nga dy shtete të Bashkimit Evropian, në kundërpërgjigje të hapave të ngjashëm të ndërmarra ndaj diplomatëve rusë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini.
Ministria e Jashtme ruse tha përmes një deklarate më 19 prill se ka shpallur 21 diplomatë nga Belgjika dhe 15 nga Holanda si “persona non grata” (persona të padëshiruar), dhe u ka dhënë dy javë afat që të largohen nga shteti.
Ministria po ashtu tha se ka thirrur në bisedë ambasadorin e Luksemburgut në Moskë, për ta paralajmëruar atë se Rusia mund të marrë vendim për masa reciproke, pasi ky shtet evropian së fundmi ka dëbuar diplomatë rusë.
Shtetet evropiane kanë dëbuar mbi 300 diplomatë rusë qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Rusia është kundërpërgjigjur javën e fundit duke dëbuar diplomatë të Republikës Çeke, Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian, si dhe diplomatë belgë dhe holandezë.
Vritet Misha Çeçeni, komandanti i ushtrisë separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës
Një komandant i një prej batalioneve të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, Mikhail Kishchik, është vrarë. I njohur më mirë me pseudonimin Misha Çeçeni, Kishchik vdiq ndërsa trupat ruse dhe forcat e separatistëve filluan një sulm kundër ushtrisë ukrainase në lindje të vendit, shkruan Sky news transmeton "Bota sot".
Kryeministri i republikës së vetëshpallur popullore të Luhansk (LNR) Sergei Kozlov shkruan në llogarinë e tij në rrjetet sociale: "Lajm i trishtuar nga vija e frontit. Ka vdekur një patriot i LNR, nënkoloneli Mikhail Kishchik".
Kozlov shton se Kishchik dhe shokët e tij u rrethuan nga ukrainas afër qytetit të Kreminës dhe "luftuan deri në fund". “Po përcaktojmë numrin e të vrarëve dhe të plagosurve”, shton ai.
Kremina është një nga pikat në vijën e frontit ku forcat ruse po përpiqen të avancojnë drejt qyteteve më të mëdha të Lysychansk dhe Severodonetsk, të mbajtura nga trupat ukrainase.
Kishchik dhe batalioni i tij kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014. Në fazat e hershme të konfliktit, ai dhe luftëtarët e tij u akuzuan për plaçkitje të zonave të banuara në rajonin e Luhanskut.
Në vitin 2016, gjatë një qetësie në armiqësitë në lindje të Ukrainës, një gazetë e pavarur ruse "Novaya Gazeta" publikoi një hetim, duke e quajtur Kishchik një nga shefat e një rrjeti kontrabandë në lindje të Ukrainës.