Dhjetëra të arrestuar në protestat në Turqi

Evropë

Dhjetëra të arrestuar në protestat në Turqi

Më: 1 maj 2022 Në ora: 13:19
Policia turke duke arrestuar protestuesit në Stamboll. 1 maj 2022.

Dhjetëra protestues u arrestuan nga policia në Stamboll të Turqisë, gjatë protestës kundër rritjes së inflacionit, që u mbajt më 1 maj.

Televizionet lokale në Turqi shfaqën pamje të policëve duke u përleshur me protestuesit në sheshin Taksim dhe duke i prangosur disa prej tyre.

Agjencia e lajmeve Demiroren raportoi se 30 persona po ashtu janë arrestuar në qarkun Beshiktash të Stambollit dhe 22 të tjerë në qarkul Sisli.

Zyra e guvernatorit të Stambollit tha se në total 164 persona janë arrestuar për “protesta të paligjshme”.

Për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rritjes globale të çmimeve, niveli i inflacionit vjetor në Turqi në prill ishte 68 për qind, raportoi Reuters, nga 61 për qind sa ishte në mars.

Kreu i Konfederatës të Punëtorëve në Turqi, Ergun Atalay, u tha protestuesve në sheshin Taksim, se paga minimale duhet të ndryshojë, në mënyrë që të përkojë edhe me rritjen e çmimeve./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat