Kryeministrja skoceze vazhdon me planet rreth referendumit për pavarësinë nga Britania e Madhe

Evropë

Kryeministrja skoceze vazhdon me planet rreth referendumit për pavarësinë nga Britania e Madhe

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 17:44
Nicola Sturgeon

Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon ka thënë se është e gatshme të japë më shumë detaje së shpejti se si parlamenti skocez mund të vazhdojë me një referendum të ri për pavarësinë pa pëlqimin e qeverisë britanike.

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe partia që drejton, Konservatore, e cila është në opozitë me Skocinë, e kundërshtojnë fuqishëm referendumin dhe thonë se çështja u zgjidh në vitin 2014, kur skocezët votuan kundër pavarësisë me 55 për qind ndaj 45 për qind të votave.

Por partitë pro-pavarësisë fituan një shumicë në parlamentin skocez në zgjedhjet e vitit të kaluar, për të cilat kryeministri tha se i dha një “mandat të padiskutueshëm demokratik” për të vazhduar zbatimin e planeve për një referendum të dytë, raporton bbc.

Sturgeon është kreu i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), e cila mbron pavarësinë dhe synon të mbajë një votim deri në fund të vitit 2023, megjithëse kryeministri britanik Johnson ka refuzuar të miratojë “Nenin 30” që do ta lejonte një gjë të tillë.

“Nëse duam të mbështesim demokracinë këtu në Skoci, ne duhet të bëjmë rrugën tonë përpara, nëse është e nevojshme dhe pa miratimin e ‘Nenit 30’. Por ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë ligjore”, deklaroi ajo.

Sturgeon shpjegoi se aktualisht po punon rreth asaj se si të vazhdohet me zbatimin e planeve, duke qenë se qeveria britanike po kundërshton mundësinë që parlamenti skocez të ketë autoritetin për të miratuar një votim të tillë. “Shumë shpejt do të paraqes një plan në parlament”, tha 51-vjeçari. Një zëdhënës i Johnsonit tha se qëndrimi i qeverisë britanike nuk kishte ndryshuar.

Sturgeon, një kritik i mprehtë i Johnson dhe Brexit, e mbajti fjalimin si pjesë e prezantimit të të parës nga disa dokumente politike mbi pavarësinë.

“Nën kontrollin e Westminsterit, zhvillimi i Skocisë ka ngecur”, tha Sturgeon dhe në fund shtoi “me pavarësinë, edhe ne do të fitonim autonominë dhe stimujt që vendet e tjera i marrin si të mirëqenë dhe ne mund të përmbushim potencialin tonë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat